Jorgji Çako
Jorgji Çako i njohur edhe me emrin Gjergj (Sheper, 1848 - Vlorë, 12 qershor 1934) ka qenë avokat në periudhën e Perandorisë Osmane, pas pavarësisë qe figurë politike dhe ministër i shtetit shqiptar.
Jorgji Çako | |
---|---|
Ministër i Financave | |
Në detyrë tetor 1913 – 22 janar 1914 | |
Paraprirë nga | Aziz pashë Vrioni |
Pasuar nga | Gaqo Adhamidhi |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 1848 Sheper, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 12 qershor 1934 Vlora, Mbretëria Shqiptare 1928–1939 |
Nënshtetësia | shqiptar |
Arsimimi | Fakulteti i Drejtësisë, Athinë |
Punësimi | avokat |
Biografia
RedaktoU lind më 1848 në Sheper të Zagorisë, për vogëlinë e tij nuk ka të dhëna.[1] Mbaroi Fakultetin e Drejtësisë në Athinë, më pas u vendos në Stamboll ku qëndroi si këshilltar ligjor i kompanisë së trenave të Anadollit deri nga fundi i Luftës Ballkanike.[2]
Më 1913 kthehet në Shqipëri, dhe vendoset në Vlorë ku emërohet ministër financash në qeverinë e Vlorës pas dorëheqjes së Aziz Pashës. Më 1913-1914 ushtroi detyrën e ministrit të Financave.[1] Gjatë ngjarjeve të komplotit të Beqir Grebenesë, sipas memuareve të Vllamasit duke pasur për burim Xhavid Leskovikun, duke u kthyer nga Stambolli në Vlorë me Syrja bej Vlorën, këshillohen nga xhonturqit që të bashkëpunonin me Ismail Qemalin për të prurë dhe shpallur mbret në Shqipëri Ahmed Izet Pashën. Por të dy lajmërojnë ambasadorin e Austro-Hungarisë në Stamboll. Kur u kthyen në Vlorë, i dolën dëshmitarë akuze kundër Ismail Qemalit në gjyqin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.[3] Syrjai nuk e përmend të ketë bashkëpunuar kund me të në memuaret e veta.[2]
Më 22 dhjetor 1914, i afërt me italianët, i shërbeu konsullit italian në Vlorë Çezare Lorit, si njeri i tretë për t'i dhënë udhëzime dhe para një grupi kurveleshasish që të provokonin incidentin për pushtimin e Vlorës nga Italia[4] më 24 dhjetor.[5] Komploti u njoh më vonë me emrin "Koburja e Çakos", Italia u përligj para opinionit evropian se "pushtimi i Vlorës kishte ardhur si pasojë e anarkisë së plotë në të cilën ndodhej Shqipëria dhe qeveria Toptani, e kërcënuar nga rebelët, kishte kërkuar mbrojtjen italiane; se në Vlorë po përgatiteshin lëvizje të rrezikshme dhe se gjendja ishte rënduar edhe më tepër nga refugjatët." Duke e cilësuar si "masë e përkohshme".[4]
Pas Triumfit të Legalitetit u zgjodh deputet i prefekturës së Dibrës,[6] post të cilin e pati në vitet 1925-1928.
Ndërroi jetë më 12 qershor 1934 në Vlorë.[1]
Referime
Redakto- ^ a b c Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 100. ISBN 9789994356225.
- ^ a b Vlora, Syrja bej (2013) [1921-1925]. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Përkthyer nga Ali Asllani. Tiranë: Iceberg. fq. 301–303. ISBN 978-9928-4140-4-5.
- ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 70–71. ISBN 978-9928-140-54-8.
- ^ a b Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 389, 391. ISBN 978-9928-190-91-8.
- ^ Vllamasi 2012, p. 123.
- ^ Istrefi, Diana (2005). "Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005" (PDF). parlament.al. Tiranë. fq. 21. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 19 tetor 2020. Marrë më 25 nëntor 2018.