Kalaja antike dhe mesjetare në Vërboc

monument kulture në Kosovë

Kalaja antike dhe mesjetare në Vërboc është një monument i trashëgimisë kulturore në Vërboc, Drenas, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkeologjik", i miratuar me numër 0301-356/88.

Kalaja antike dhe mesjetare në Vërboc
Emri amëtar Kalaja e Verbocit
KalajaDardaneFortesa.png
LlojiArkeologjike
VendndodhjaVërboc, Drenas, Kosovë
NdërtuarAntikitet i Vonë, Mesjetë
Emri zyrtar: Lokalitet Arkeologjik / Rezervat
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar0301-356/88
Nr. i referencës2934

HistorikuRedakto

Kalaja antike dhe mesjetare e Verbocit ndodhet rreth 7 km në veri të Drenasit. Kalaja shtrihet në dy kodra shkëmbore të quajtura Lama e Kalasë dhe Kalaja e Madhe, të lidhura midis tyre me një qafë në trajtë shale. Krahas tyre, si pjesë e pandarë qëndron edhe Torishta e Kalasë. Në zonën përreth ekzistojnë edhe një varg mikrotopinimesh tjera të ndërlidhura si p.sh. Gjyteti, Gjyteti i Vogël, Kalaja e Vogël, Qafa e Kalasë, Varret e Romlanve, etj.

Kalaja e MadheRedakto

Kalaja e Madhe gjendet në një kodër të lartë shkëmbore dhe është e ndarë në dy pjesë. Pjesa më e lartë ose ‘Akropoli’ që ka një pozitë mjaft dominante dhe një shesh me pamje të admirueshme. Nga sipërfaqja e tij vështrimi pushton një hapësirë të gjerë të kufizuar nga Bjeshkët e Qyqavicës në veri-lindje deri në Malin e Kasmaqit në perëndim, nga Bjeshkët e Berishës dhe Llapushnikut në jugperëndim, deri në Malin e Goleshit në jug. Forma e tij është kryesisht eliptike me diametrin e madh 73 m, dhe diametrin e vogël 38 m. Duhet të shënojmë se nga lindja në perëndim kufizohet nga lëndina të pjerrëta me gjatësi përafërsisht 26-29 m. Sipërfaqja e akropolit brenda mureve të Kalasë arrin në mbi 0.5 ha. Ai është i ndarë me mur edhe në anën jugore me pjesën tjetër të kalasë.[2]

Pjesa tjetër e kalasë gjendet në anën jugore të akropolit dhe ka një disnivel kuotash prej 8-10 m. Sipërfaqja e brendshme e saj është shkëmbore dhe pjesërisht e sheshtë. Ajo ka gjatësi 108 m dhe gjerësi 20-30 m, dhe arrin sipërfaqen rreth 0.5 ha. E gjithë Kalaja ka qenë e rrethuar me mure që sot ruhen në trajtë rrënojash. Muret janë të ndërtuara me gurë mesatar të lidhura me llaq gëlqeror (opus incertum) me gjërësi 2.40 m. Kalaja është e pajisur me dy hyrje të vendosura pothuajse në një aks veri-jug, sipas parimit Via principalis. Hyrjet kanë gjerësi 4 m dhe secila prej tyre mbrohet nga dy kulla në formë patkoi. Gjerësia e brendshme e murit është 1.40 m. Përveç tyre sistemi fortifikues është përforcuar edhe me 3 kulla të tjera të tipit të patkoit të vendosura në këndet dhe kthesat e murit. Gjerësia e këtij muri është 6-8 m. Perimetri i sistemit fortifikues arrin në 387 m duke mos llogaritur këtu gjerësinë e hyrjeve. Në sipërfaqen e brendshme të ‘Akropolit’ dhe të pjesës tjetër të kalasë gjenden rrënojat e mureve të ndërtimeve ushtarake apo civile. Në sipërfaqen e saj janë gjetur edhe fragmente enësh që i takojnë periudhës së antikitetit të vonë prandaj edhe mund të konsiderohet si një nga kalatë e rindërtuara nga Justiniani me qëllim të mbrojtes së rrugëve që lidhnin Rrafshin e Dukagjinit me Rrafshin e Kosovës.

Lama e KalasëRedakto

Lama e Kalasë gjendet në një kodër shkëmbore në veri të lagjes Gashi në krahun e djathtë të përroit të Vërbocit. Ajo ka orientim lindje-perëndim, veri-lindje dhe kufizohet nga lindja me vargun kodrinor të Kamenicës, dhe në perëndim me majën e Gradinës. Në lindje të saj kalon rruga e vjetër Drenas - Vushtrri e quajtur ndryshe edhe Rruga e Bullakut. Kalaja bie me rënje shkëmbore në tri anë përveç anës verilindore, ku me anë të një qafe të ulët lidhet me kalanë e madhe. Sipërfaqja e brendshme e Lamës së Kalasë, me formë eliptike dhe diametër 90 x 46 m arrin rreth 0.4 ha dhe është pjesërisht e sheshtë. Zona qendrore është shkëmbore dhe vetëm në pjesët anësore gjenden lëndina të vogla të përshtatshme për banim. Në pjesën juglindore, të saj gjenden themelet e një banese me përmasa 15 x 8 m. Muret janë të lidhura me llaç dhe kanë trashësi 0.70 m. Gjithashtu edhe në skajin verilindor të saj gjenden rrënojat e një ndërtimi me përmasa 12 x 4.5 m. Hyrja për në Lamën e Kalasë gjendet në pjesën verilindore të saj. Në anën lindore të qafës së kalasë gjenden rrënojat e një ndërtese me përmasa 17 x 14 m të ndara në 2 ambiente me përmasa 5x14 m dhe 12x14 m. Muret kanë qenë të ndërtuara me llaç dhe gjerësia e mureve është 1.20 - 1.30 m. Aty janë gjetur edhe mbeturina zgjyre hekuri. Në pjesën sipërfaqësore të shpateve të Lamës së Kalasë janë zbuluar fragmente enësh që tipologjikisht u përkasin 4 periudhave të ndryshme:[2]

  1. periudha e hershme e hekurit
  2. periudha e antikitetit klasik
  3. periudha e vonë antike
  4. periudha mesjetare.

Torrishta e KalasëRedakto

Torrishta e Kalasë shtrihet në veri të Kalasë së Madhe në perëndim të përroit të Vërbocit dhe Fushës së Mollës. Qafa që lidh Torrishten me Kalanë e Madhe, krijon një shesh mjaft të përshtatshëm për banim. Torrishta përfaqëson një kodër të ulët konike me sipërfaqe rreth 0.3 ha. Në anën lindore të saj duket se ka qenë e mbrojtur nga një ledh gurësh dhe dheu, por që mungon në anët e tjera të saj. Ledhi është vazhdim i një muri taracimi i rrugës së hyrjes veri-lindje të Kalasë së Madhe. Ai ka gjatësi 130 m dhe ka prerje trapezoidale me bazën e madhe 4m, bazën e vogël 2 m, dhe lartësinë 0.30 - 0.50 m. Gjatë kontrollit sipërfaqësor nuk u gjet asnjë fragment arkeologjik.[2] [3]

Shih edheRedakto

ReferimetRedakto

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ a b c Rexha, E., red. (2013), Harta Arkeologjike e Kosovës (II), Prishtina: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit & Instituti Arkeologjik i Kosovës, fq. 147–149
  3. ^ Pirraku, Muhamet. Ndihmesë për hartën arkeologjike të pjesës qendrore të Kosovës. Onomastika e Kosovës, Prishtinë, 1979, fq. 527 - 531

Lidhje të jashtmeRedakto