Kisha e Rruzares së Shenjtë në Dhaka

Kishë katolike në Bangladesh

Kisha e Rruzares së Shenjtë është një Kishë Katolike Romane në Texhgaon Thanën e Dhakës.[1] Ajo njihet edhe si Kisha e Texhgaonit dhe dikur në popull quhej Kisha e Xhapamala Ranit. Kjo kishë katolike shërben 17,120 katolikë. At Kamal Andreas Corraya është prifti famullitar i kësaj kishe, ndërsa at Mintu Lawrence Palma, at Antony Ripon D' Rozario dhe at Sony Martin Rodrigues shërbejnë si ndihmës famullitarë. Çdo të dielë katolikët mblidhen aty për meshën e të dielës duke u bashkuar në mijëra besimtarë.

Kisha e Rruzares së Shenjtë në Dhaka
হলি রোজারি চার্চ
Emrat forumesKisha e Xhapmala Ranit
Emra alternativKisha e Texhgaonit
Informacion i përgjithshëm
StatusiFunksionale
TipiKishë
VendndodhjaThana Texhgaon, Dhaka, Bangladesh
Koordinatat23°45′32″N 90°23′32″E / 23.7589°N 90.3921°E / 23.7589; 90.3921
Përfundimi1677

Historia

Redakto
 
Kulmi modern i kishës

Kisha e Ruzares së Shenjtë konsiderohet si një nga ndërtesat më të vjetra të krishtera në Dhaka. Ajo u ndërtua nga misionarët portugezë para nisjes së Sundimit Kolonial Britanik në Indi. Tavares erdhi në Bengal në vitin 1579 pasi mori një ferman (dekret mbretëror) nga perandori mogul Akbar (1556-1605) për të tregtuar, predikuar për fenë e krishterë dhe ndërtimin aty lirisht të kishave. Nga viti 1580, një ngulim portugez, duke përfshirë qendra grumbullimi tregtar dhe vende adhurimi u zhvilluan në qytetin e Dhakës. Misionarët Augustinianë portugezë futën krishtërimin katolik në Dhaka në fillim të shekullit të XVII. Misionarët Augustinianë portugezë ndërtuan dy kisha të quajtura Rruzarja e Shenjtë në Hixhli në shekullin e XVI. Ndjekësit portugezë të Shën Augustinit ndërtuan kisha edhe në Çitagong në vitin 1601, Baleshvar dhe Rangamati në vitin 1640, Bakergonxh (Barisal) në vitin 1764, Hasnabad në vitin 1777 dhe Dhaka.[2]

Në vitin 1628, u ndërtua një kishë e vogël e quajtur 'Kisha e Asuncionit', në Narinda, pjesa jugore e qytetit të Dhakës, por kjo ndërtesë është zhdukur. Kisha e dytë e Dhakës, sipas mbishkrimit në kuspidën e kishës, u ndërtua në vitin 1677 në Texhkunipara të thanës së Texhgaonit, në anën lindore të kolegjit dhe shkollës së tanishme të vajzave të "Kryqit të Shenjtë", që është shembulli më i vjetër i mbijetuar. Mes historianëve, udhëtarëve dhe klerikëve ka dallime në mendime rreth periudhës së themelimit të kishës. Disa mendojnë se aty kishte një prani të të krishterëve nestorianë që nga shekulli i XVI. James Tailor në librin e tij "A Sketch of the Topography and statistics of Dhaka" (Calcutta 1840, faqe 251) pohon se kisha u themelua para vitit 1599 afër Texhgaonit në qytetin e Dhakës. Sipas pikëpamjes së tij, atë e themeluan tregtarët e krishterë nestorianë, ndërsa më vonë, misionarët katolikë romanë e rinovuan atë. Ai e mbështet këtë pikëpamje, të pohuar në fillim nga një udhëtar italian i quajtur Varthema. Në një artikull të tillulluar "History of the Cotton Manufacture of Dhaka District", të publikuar te "Calcutta Review" në vitin 1845, periudha e ndërtimit të kishës konsiderohej viti 1599. Nga ana tjetër J.J.A. Campos përmend vitin 1679. Ndërsa sipas përshkrimeve të Sebastien Manrique dhe J. B. Tavernier, Kisha e Rruzares së Shenjtë u ndërtua përkatësisht në vitin 1640 dhe 1666.[2]

 
Kisha

Sipas atit jezuit Antai de Megalhice, fillimisht ndërtimi nuk ishte një kishë. Ndoshta, të krishterët nestorianë ndërtuan bllokun perëndimor të kishës si një kapelë. Muri i saj, i ndërtuar me tulla, ishte 1.22 m (4.0 ft) i gjerë dhe kishte disa hapje portash në anën veriore. Kapela origjinale, më vonë, u nda në dy pjesë. Pjesa e parë ishte një altar 0.7 m (2.3 ft) i lartë në anën perëndimore, ndërsa e dyta ishte një sallë për mbledhjen e besimtarëve. Trashësia e mureve të saj dhe veçori të tjera ndërtimore në të dyja pjesët ishin të ndryshme nga njëra-tjetra. Gjë që tregon se augustinianët portugezë anën lindore të kishës ndoshta e ndërtuan më vonë.[2]

Pas largimit të kryeqytetit të Bengalit nga Dhaka në vitin 1702, numri i besimtarëve në Kishën e Texhgaonit filloi të pakësohej. At S. J. Moor shkoi për ta vizituar kishën nga Kalkuta në vitin 1836. Ai e gjeti gjendjen e saj shumë të lënë pas dore. Për të përmbushur shpenzimet ditore të saj, më 21 shkurt 1839 një katolik françeskan i Texhgaonit i dhuroi disa fshatra kishës. Më 26 mars 1854, djali i tij, Rodrigues dhuroi gjysmën e zonës Texhkunipara për të njëjtin qëllim. Në vitin 1936 kishës iu caktua një prift i katërt permanent.[2]

Kisha u rinovua tre herë, në vitin 1714, 1940 dhe rinovimi i fundit në vitin 2000. Ky i fundit u financua nga fondacioni "Calouste-Gulbenkian" i Lisbonës. Diferenca mes gjerësisë së mureve dhe pjesëve të çatisë sugjerojnë se pjesa lindore e kishës u ndërtua më vonë. Rinovimi i viteve 1939-40 ishte shumë i gjerë dhe pas tij besimtarët që frekuentonin kishën u rritën në mënyrë domethënëse. Në vitin 1952 numri i frekuentuesve ishte vetëm 453, ndërsa në vitin 1979 ai u rri në 3,750, për arritur në 8,000 në vitin 1985. Tashmë ajo ka shumë më tepër besimtarë dhe pesë priftërinj permanentë.[2]

Përshkrimi

Redakto
 
Portiku kryesor i kishës

Ndërtesa ka formë bazilike: një sallë e madhe drejtkëndore, si navatë qëndrore, me kalime anësore në të dy krahët. Hapsira e brendshme ka dy navata që ndahen nga 12 kolona cilindrike toskane me diametër 0.48 m (1.6 ft) secila. Aty ndihet ndikimi i arkitekturës vendore, hindu dhe myslimane.

Kisha ka 5 hyrje. Hyrja kryesore me mbulim dhe fronton ndodhet në anën lindore. Anët veriore dhe jugore kanë dy hyrje secili. Kisha e Rruzares së Shenjtë përfshin edhe një nga varrezat katolike në Dhaka.

Porta e gjerë e fitores 3.47 m (11.4 ft) dhe rrugica këndore me hark përfundojnë pjesën më të madhe të skajit lindor dhe me pjesën më të vogël perëndimore. Ana lindore është 25.48 m (83.6 ft) e gjatë, 9.84 m (32.3 ft) e gjerë dhe trashësia e mureve është 0.7 metres (2.3 ft). Porta kryesore gjendet në pjesën veriore. Muret jugore dhe veriore kanë dy dyer shtesë secili, megjithëse ato janë ndërtuar pa mbulim. Portikët e mureve veriore dhe jugore u ndërtuan duke ndjekur dizajnin e portës kryesore për të patur dritë dhe qarkullim ajri të mjaftueshëm.[2]

Muri perëndimor, tre herë më i madh se muri lindor, duket se është mbetje e një ndërtese më të vjetër. Faqet e brendshme janë veshur me pllakata të vjetra varresh, më e vjetra nga të cilat daton nga viti 1725 dhe është në armenisht. Të tjerët janë në portugalisht (duke përfshirë atë të Christina Dormieux, që daton nga viti 1776), anglisht ose latinisht. Ndër gurët e varrit në anglisht të shekullit të XX, shumë i përkasin anëtarëve të familjes Doucett.

Një ndërtesë moderne, shumë e madhe dhe me formë rrethore, u ndërtua dhe u përurua në vitin 1993, e cila mundëson një pritje më të mirë të besimtarëve. Famullia ka 13.000 katolikë.

Kjo kishë është e lidhur me dy institucione të rëndësishme arësimore përreth saj, Kolegji i Kryqit të Shenjtë për vajza dhe Kolegji i Zonjës Sonë për djem, të cilët ofrojnë të dy një program shkollor dytësor, parauniversitar dhe akademik.

Prifti famullitar: Fr. Kamal Andreas Corraya . Ndihmës prift: Fr. Mintu Laërence Palma. Ndihmës prift: Fr. Antony Ripon D' Rozario. Ndihmës prift: Fr. Sony Martin Rodriques. Besimtarët katolikë: 17,120 (duke përfshirë Najanagarin, Uttara Bananin, Mahakhalin dhe Bhatarën)

Shiko gjithashtu

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ "Holy Rosary Church". Explore Dhaka (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 30 qershor 2013.
  2. ^ a b c d e f Mizanur Rahman Gazi (2012). "Holy Rosary Church". përmbledhur nga Sirajul Islam; Ahmed A. Jamal (red.). Banglapedia: National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht) (bot. i 2-të). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 2 shtator 2022.

Bibliografia

Redakto

Lidhje të jashtme

Redakto
  • "Tejgaon Parish". Catholic Bishops' Conference of Bangladesh (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 13 mars 2018. Marrë më 23 tetor 2024.