Coordinates: 40°38′34″N 19°19′02″E / 40.642778°N 19.317222°E / 40.642778; 19.317222

Vjosa është një lumë, i cili buron në veriperëndim të GreqiaEpir dhe derdhet në ShqipëriDetin Adriatik. Në antikitet Vjosa njihej me emrin Anio.

Zona e verdhë përfaqëson ujëmbledhësin e Vjosës dhe degën kryesore të tij, Drino; vija e kuqe simbolizon kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Lumi Vjosa rrjedh nga malet e Pindit në lindje të Janinës, kurse burimi gjendet në malin Mavrovouni. Rrjedha e tij vazhdon në drejtim të veriperëndimit për në Shqipëri. Lumi ka një gjatësi prej rreth 272 km, prej të cilave 80 km në territorin e Greqisë, kurse rreth 192 km brenda territorit të Shqipërisë. Vjosa lag zona me një sipërfaqe prej 6.706 km², 2.154 km² prej të cilave gjenden brenda kufijve të Greqisë, dhe 4552 km² brenda kufijve të Shqipërisë. Prurja mesatare e ujrave në grykëderdhje është rreth 204 m³/s. Në muajin prill prurja është rreth dhjetë herë më e madhe se në gusht. Lumi Vjosa, rrjedha e të cilit përshkon jugun e Shqipërisë, është dhe kufiri ndarës natyror midis rrethit të Fierit (në veri) dhe rrethit të Vlorës. Ai është një lumë i lundrueshëm, pasi ai rrjedh kryesisht në zona fushore.

Rrjedha e sipërme e lumit në Greqi kalon shpesh herë midis zonave malore me pyje. Një pjesë e tyre janë zona të mbrojtura natyrore dhe që i përkasin parkut kombëtar Vikos-Aoos, i cili shtrihet për rreth maleve Timfi (2.497 m. mbi nivelin e detit). Në këtë park, i cili është dhe parku i dytë më i madh i Greqisë jetojnë edhe sot arinj të kaftë. Përroi Vojdomati (greqisht: Βοϊδομάτης/Voidhomatis) nga fjalët sllave voda=ujë dhe mati=burim pra uj-burim, një degë e Vjosës (Aoos) krijon grykën e Vikos, një grykë kjo tepër e mahnitshme. Duke pasur parasysh koefiçientin (0,82) të thellësisë (900 m.) me atë të gjerësisë (1100 m.), gryka e Vikos-Aoos mund të konsiderohet si gryka më e thellë në botë (ka zona në botë që janë më të thella por edhe më të gjera dhe anasjelltas). Kjo zonë quhet Zagoria dhe është e njohur jo vetëm si zonë për alpinizëm, por edhe për fshatrat karakteristike me shtëpi prej guri. Jo larg nga Konica, në brendësi të parkut kombëtar, kalon edhe Vjosa në një grykë të ngushtë. Në Konicë ndodhet dhe një urë historike me harqe prej guri, e cila është ndërtuar mbi Vjosë. Prej këtu e tutje lumi shfrytëzohet edhe për qëllime ekonomiko-bujqësore. Pas Konicës lumi kalon kufirin greko-shqiptar, pike kjo ku derdhet edhe përroi Sarandapor (greqisht: Σαραντάπορος/Sarantáporos), që vjen nga lindja. Sarandapori shërben edhe si vijë kufitare greko-shqiptare për disa kilometra. Aty afër është ndërtuar edhe një pikë kalimi kufitare për këmbësorë.

Në Shqipëri lumi Vjosa përshkon rreth 192km, duke kaluar në zona malore dhe fushore, deri në derdhjen e tij në detin Adriatik. Në Shqipëri dy tributarët kryesorë janë lumi Drinos (gjithashtu buron në territorin grek) dhe lumi i Shushicës, i cili gjendet mes maleve midis Vlorës dhe Gjirokastrës. Rrjedha e mesme e Vjosës përbën një nga zonat më dinamike të lumit. Në këtë zonë shtrati i lumit zgjerohet në mbi 2 km. Një tjetër tributar i Vjosës është lumi i Langaricës, i cili ndodhet në pjesën e sipërme të luginës pranë qytetit të Përmetit. Kjo zonë me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe turistike përfshin burimet e banjave termale të Bënjës (8 të tilla në total), Kanionin e Langaricës me gjatësi 7km, Urën otomane të Kadiut (urë guri me një hark të madh), pyllin dhe shpellat e Petranit, kishën e Bënjës dhe shumë objekte të tjera, të shpallur Monumente Natyrore dhe Kulturore. Në Vjosë derdhet edhe lumi i Bënçës (26 km), i cili është një nga degët më piktoreske të Vjosës dhe formohet nga bashkimi i Gurrës së Progonatit me përroin e Nivicës, duke përshkuar kanionet e Bënçës[lidhje e vdekur], një ekosistem tipik me vlera të mëdha biologjike natyrore. Lugina e Vjosës dhe e tributarëve të tij përbën një zonë të pasur me objekte, rrënoja dhe gjurmë vendbanimesh antike, bizantine dhe mesjetare. Ajo gjithashtu shquhet për një numër të madh manastiresh.

Lumi Vjosa konsiderohej i shenjtë në antikitet dhe si i tillë është personifikuar edhe me statuja. Një statujë e tillë gjendet në Muzeun Historik Kombëtar, në pavionin e lashtësisë. Skulptura e realizuar në gur personifikon Vjosën nëpërmjet figurës së një plaku të shtrirë e të mbështetur në krahun e djathtë, me flokë deri te supet, me mjekër të dendur, me gjymtyrët e zgjatura në formë valëzimi, ku skulptori nuk ka qartësuar detajet anatomike për të simbolizuar dallgët e lumit Vjosa.

Vjosa shërben si kufi i shumë zonave të mbrojtura përgjatë luginës së saj, disa prej të cilave janë shpallur Park Natyror sipas përkufizimit të IUCN kategoria II. Vlen të përmendet Zona e Mbrojtur "Vjosë-Nartë", në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës në Adriatik, me një ekosistem shumë delikat dhe ku kanë gjetur strehim disa specie të egra, si flamigot rozë dhe pelikani dalmat.

Vjosa dhe degët e tij kalojnë në disa qytete, si: Ersekë, Përmet, Gjirokastër, Tepelenë, Ballsh, Fier dhe Vlorë. Me ndarjen territoriale të vitit 2014 lugina e Vjosës shtrihet në qarqet Korçë (8.75%), Gjirokastër (50.47%), Vlorë (30.59%), Fier (10.13%), Berat (0.06%). Pjesa më e madhe e popullsisë në luginën e Vjosës është rurale. Bazuar në censusin e vitit 2011 popullsia në basenin e Vjosës ishte 184,781 banorë. Mbi 70% e popullsisë është vendosur në rrjedhën e poshtme (fushore).

Lugina e Vjosës zë pothuajse 16% të territorit të Shqipërisë. Kjo pjesë e vendit konsiderohet se bart vlera të larta të biodiversitetit. Habitatet natyrore në këtë ekosistem krijojnë mundësinë e një vijueshmërie ekologjike duke strehuar një biodiversitet të pasur. Për këtë arsye përgjatë luginës janë shpallur rreth 10 zona të mbrojtura dhe afro 130 monumente natyre. Për sa i përket numrit të llojeve, nuk ka një inventarizim të tyre në të gjithë luginën, por supozohet se pellgu ujëmbledhës i Vjosës strehon pjesën më të madhe të taksoneve të biodiversitetit të Shqipërisë duke përfshirë shumë lloje të rrezikuara dhe endemike.

Peizazhi turistik, lumor e sportiv i VjosësRedakto

Vjosa rrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Pellgu i Vjosës përmban vende pushimi në të cilat gjenden burime ujore malore që derdhen në lumin Vjosë në formë përrenjsh, të rrethuar nga një masiv pemësh. Është peizazh karakteristik ku ndërthuren natyrshëm bimësia barishtore, drurët pyjorë me bimësinë higro – hidrofile që gjendet përgjatë burimeve ujore në shtratin e lumit Vjosë, habitat ku shprehen mirë të gjitha tipet e bimësisë. Gjatësia e kësaj lugine është 13 km dhe gjerësia 1 – 1.5 km.

Në largësinë rreth 3 km nga qyteti Këlcyrës ndodhet "Rrepet e Grykës", që funksionon si pikë turistike. Peizazhi i drurëvë pyjorë i harmonizuar me burime të bollshme ujore ka vlera atraktive, estetike e ekoturistike. Përgjatë luginës Gryka e Këlcyrës gjendet burimi ujor Uji i Zi, që ruan kaltërsinë edhe kur përzihet me ujërat e lumit Vjosë. Ky peizazh ka vlera mjedisore të pazëvendësueshme, tepër çlodhës dhe rekreativ për vizitorët. Frekuentohet nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Projektet energjetike mbi lumin e VjosësRedakto

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit "të egër" të Evropës. Ndërtimi i HEC-eve është kërcënimi aktual më i madh në këtë zonë. Një numër i madh HEC-esh janë parashikuar në ujëmbledhësin e Vjosës në Shqipëri. Ndërtimi i digave është ndërhyrje që mund të rezultojë me pasoja të pakthyeshme në mjedis duke dëmtuar në mënyrë përfundimtare integritetin natyror të këtij ekosistemi unik. HEC-et pengojnë rrugët e migrimit të peshqve, transportin e sedimenteve dhe përbëjnë një ndër faktorët kryesorë të ndryshimeve mikroklimatike. Në Shqipëri janë planifikuar rreth 8 diga në rrjedhën kryesore të lumit Vjosa, ndërsa 23 HEC të tjera janë projektuar në degët e tij, disa nga të cilët kanë përfunduar ose janë në ndërtim. Projekti i Kalivaçit është hidrocentrali i parë në Vjosë i dhënë në vitin 1997. Ndërtimi i digës ka filluar në 2007, por është ndërprerë disa herë. Punimet kanë arritur deri në nivelin 30% duke e lënë lumin ende të paprekur. Në vitin 2017 qeveria Shqiptare e anulloi kontratën e koncesionit.

Në anën greke të ujëmbledhësit, është ndërtuar një hidrocentral (në Pigai) dhe janë parashikuar 6 diga të reja. HEC-i i Pigait u ndërtua midis viteve 1990-1991 dhe ka një fuqi të instaluar prej 210MW.

Banorët e pellgut ujëmbledhës së Vjosës, një numër ambientalistësh, si edhe disa figura të njohura botërore (Leonardo DiCaprio, Rita Ora) kanë ndërhyrë për ruajtjen e lumit Vjosa dhe kthimin e tij ne Park Natyror Kombëtar.

Përmbledhje fotoshRedakto