Përdoruesi:D.Lleshi/Historiku i Hasit

Territori i Hasit ishte i banuar që nga kohët e lashta, këtë e dëshmon edhe ruajtja e dokumenteve dhe e të dhënave arkeologjike që nga neoliti 2600-2200 p.e.r. Nga studimi i kultures së hershme, nga gjurmimi dhe eksplorimi i vendbanimeve dhe varrezave, janë përfituar materiale të pasura të cilat hedhin dritë mbi formimin e kulturës dhe etnosit ilir.

Historia e Hasit

Redakto

Hasi është një ndër krahinat etno-gjeografike me kufij të përcaktuar shumë qartë. Përveç shumë karakteristikave që e veçojnë nga krahinat e tjera shqiptare, është edhe ajo e kufizimit të saj. Hasi kufizohet pothuajse në të gjitha anët me lumenjë. Në veri dhe në lindje me Drinin e Bardhe dhe degën e tij Ernikun që e ndajnë nga Perdrinia dhe krahina e Rekes. Në jug dhe në perëndim kufizohet me krahinën e Lumës dhe Malëziut, me të cilat i ndan po ashtu Drini i Bardhë i bashkuar(tash liqeni i Fierzës ndërsa në veri-perëndim përroi i Skatinës e ndau nga krahinat e Bytyçit,përkatësisht nga ajo e Tropojës. Hasi shtrihet në mes gjerësive gjeografike veriore 42 gradë 05'45 nga fshati Brrut dhe 42 gradë 17'57 në veri në majën e Krajlicës si dhe në gjatësinë gjeografike lindore 20 gradë 13'11 në Kosturr dhe 20 gradë 32'50 në majën e Pashtrikut në lindje. Ka një sipërfaqe prej 393 km²,gjatësia e vijës kufitare është 85,8 km, nga këta kufij tokësore 27,8 km me Hasin e Rrafshit, lumor 14 km me rrethin e Tropojës dhe 44 km kufij liqenor me rrethin e Kukësit. Malësia e Hasit është një krahinë, që jetën e vet në të kaluarën, në etapa te caktuara historike, e ka bërë gjysmë të izoluar nga krahinat e tjera.[1]Konferencën e Ambasadoreve ne Londër në vitin 1913 u vendos ndarja e territoreve shqipëtare dhe gjysma e Hasit mbeti në pjesën e Kosovës. Dhe që prej 100 vjetësh kjo krahinë shqiptare vazhdon të quhet me dy emra: Hasi i Shqipërisë dhe Hasi i Kosovës dhe që në fakt është një, ashtu siç e thotë edhe kënga se Hasi nuk ka qenë kurrë i ndarë, por ka qenë një krahinë e vetme . [2] Pikërisht për shkak të kësaj ndarjeje Hasi, tashmë i mbetur në pjesën administrative të Shqipërisë, nëpërmjet vijës kufitare të vënë në vitin 1913 kufizohet me Republikën e Kosovës, përkatësisht me vetveten, apo me pjesën e trungut të vet. Për ekzistencën e krahinës së Hasit si një njësi e pandarë tregojnë edhe dokumentet e vjetra që në shek.XIII. Për herë të parë flitet për të rreth vitit 1208, për herë të dytë në krisobulën e Deçanit e më vonë, për herë të tretë edhe në krisobulën e Manastirit të Shën Arhanxhelit. Sipas krisobules së Deçanit i takonin këto fshatra: Vllahinja(Vlahnja), Rugova, Dollançi, Lipovaci(Lipoveci), Jabucna dhe kullosa dimërore "Modra Sllatina". Prej këtyre fshatrave, Modra Sllatina sot gjendet në territoret e Shqipërisë, ndërsa të tjerat në territorin e Kosovës. [3] Sipas një statistike që kemi arritur të sigurojmë gjysma e Hasit, me rreth 371 km² popullsi mbi 40.000 banorësh bën pjesë në Republikën e Kosovës, ndërsa gjysma tjetër e Hasit shtrihet brenda territorit të Shqipërisë, ka një sipërfaqe prej 374 km² dhe me një popullsi prej afër 21.500 banorësh. Duke shikuar në total, rezulton se i gjithë Hasi ka një shtrirje territoriale prej 745 km² dhe me një popullsi prej 61.500 banorësh, që do të thotë një ndër zonat apo krahinat me popullsinë më të madhe në verilindje.

Etimologjia e emrit HAS

Redakto
 
Buka e bardhe e dores se pare

Konfiguracioni i krahinës së Hasit është i ndarë në aspekte etno-kulturore, me pasuri kulturore, me interes për kërkime shkencore, me rëndësi jo vetëm krahinore, por edhe kombëtare. [4] . Nuk është e përcaktuar qartë prejardhja e emrit të Krahinës së Hasit. Duke folur për Hasin dhe rëndësine e tij në fushën e etnokulturës, studiuesi prof. Mark Tirta ,thotë:Dëshmitë na afrojnë kujtesa popullore, përfituar me anë te eksplorimeve në terren, kjo e ndihmuar edhe nga burimet e shkruara të kohës së pushtimit Osman dhe kohëve para pushtimit. [5]

Ndonëse flet për etimologjinë e fjalës has apoHase, por jo në kuptimin e emërtimit të krahinës së Hasit, studiuesi i fushës së gjuhësisë dhe të albanologjisë, Dr.Eçrem Çabej, ndër të tjera konstaton se fjala hase rrjedh nga turqishtja dhe ka kuptimin e bukës së bardhë të dorës së parë. Ndërkaq, duke e zbërthyer me tutje etimologjinë e kësaj fjale:" hasi nenkupton, Kryengritës, i pabindur, i pashtruar. Sipas Çabejt një gjë të tillë e pohojnë edhe albanologët Pedersen, por edhe Lotti e Lambertzi, që e nxjerrin me kuptim turk që do të thotë rebel, kryengritës. E njëjta fjalë turke na del edhe bullgarisht asija që do të thotë i pabindur. Mirëpo emërtimi Has del në pah në shek.XVI, përkatësisht në një dokument të vitit 1570. Shumë kronistë të fillimit të shek.XVII në argumentimin e origjinës së Kastriotëve, Hasin e përmendin me emrin Az apo Ass dhe popullinë si Askol, që në të vërtetë nga mungesa e përdorimit të (h),(s) në latinisht nënkupton emërtimin Has. Ndërkaq, në vitet e para të shek.XVII Hasi njihej edhe me emrin Shullaa që në latinisht do të thotë Vendi i thatë, e që për shkak të natyrës së tij këtë e ka ruajtur edhe në ditët e sotme duke u quajtur Hasi i Thatë. Në lidhje me Hasin, interes paraqet relacioni i Pjetër Mazrrekut, arqipeshkv i Tivarit(1586-1637). Ky arqipeshkv shkruan se Hasi përfshin shumë katunde të cilat janë të banuara me shqiptarë të besimit mysliman. Në studimet e Çabejt, Pjetër Mazreku njihej, përveç si nje klerik edhe si shkrimtar dhe relator, ai ishte nga fshati Mazrrek i Hasit. Vet hasjanët emrin Has e ndërlidhin me traditat dhe zakonet të kësaj zone, por edhe për besën dhe bujarinë e përhershme që ka ekzistuar dhe vazhdon të ekzistojë tek banorët hasjanë. Dikush e ndërlidh me fjalën vërtetësi, origjinalitet etj., që të shpie te konstatimi apo zbërthimi i kësaj fjale nga ana e Çabejt dhe ndërlidhja e saj me kuptimin e bukës së dorës së parë. Mikpritja, buka dhe malli i dorës së parë janë disa nga elementet e traditës hasjane e që mund të çojne te saktësia e etimologjisë së fjalës Has . Hasi ka qenë një nga krahinat shqiptare ku kanë gjetur strehë e mikëpritje luftëtarë, kryengritës të ndryshëm, udhëheqës çetash etj., këtë e tregojnë edhe dhjetëra këngë që flasin për një gjë të tillë, në të cilat në mes tjerash thuhet: Kush luftoi per shiptari, N'Has ka gjet besë e burrni [6]

Krahina e Hasit

Redakto

Krahina e Hasit i përket Dardanisë së lashtë.

Nga kjo krahinë e kanë prejardhjen:Skënderbeu, Pal Hasi , Andre, Gjon e Lukë, Pjeter Bogdani, pastaj Pjetër Mazrreku, Dervish Salihu e deri te shkrimtarët e artistët e shek.XX e të XXI, si Anton Pashku, Katarina Josip etj., të cilët në historinë dhe kulturën shqiptare kanë lënë gjurmë. Mirëpo, sipas burimeve të ndryshme, mendohet se Hasi është edhe vendi i origjinës së Kastriotëve. Kastriotët ishin një familje feudale. [7] Në Shqipëri ka disa fshatra me emrat, Kastri(Mirditë), Kastra (Shkodër dhe Tropojë) etj. Burime të pavarura nga njëri-tjetri siç janë shkrimtarët shqiptar Frang Bardhi, kronisti P.Lukari (1605) dhe një akt i gjetur në një kuvend françeskan në Hungari dhe i botuar nga studiuesi E. Fermenxhin, pohojnë se Skënderbeu edhe prindërit e tij quheshin Kastriotë, sepse qenë nga fshati Kastrat i krahinës së Hasit në pjesën verilindore të Shqipërisë së sotme, i banuar krejtësisht nga shqiptarë. Në disa burime Kastriotët mbajnë edhe mbiemër të dytë, Mazrrek, të cilin e gjejmë sot si emër fshati, ndër të tjera, edhe në krahinën e Hasit. Një figurë e rëndësishme historike me prejardhje nga Hasi është Pjetër Bogdani, i lindur në Gur të Hasit dhe i vdekur në Prishtinë. Ai me veprën e tij Çeta e profetëve është autori i parë i prozës së mirëfilltë shqipe.


Ndarja në bajraqe

Redakto

Trojet shqiptare, edhe territori i Hasit u nda pas luftërave ballkanike në fillim të shek.XX. Ndarja e trojeve shqiptare u sanksionua në Konferencen e Londres në vitin 1913. Këtë e tregojnë dhe faktet historike të depertuara përmes kanaleve të ndryshme, siç janë kronikat, shënimet kadastrale, dëfteret osmane etj. Si pasojë e kësaj trysnie në Has, gjatë shek.XVI u vendosën malësore nga fiset Kastrat-Morinë, Shale, Bytyç, Gash, Thaç, popullsi e cila u rrit edhe u konsolidua në mënyrë të vazhdueshme. Në fund të shek.XVII dhe në fillim të shek.XVIII Hasi u përfshi në sistemin e bajraqeve. Në Has kemi krijimin e Bajraqeve :të Bajrakut te Madh që ishte në Vlahen dhe të Bajrakut të Vogël që ishte në Helshan. Bajraku i Madh, pra ai i Vlahnës përfshinte fshatrat nga Përroi i Rosmanit (Golaj) e deri në fshatrat e Drinit te Bardhe, ndërsa Bajraku i Vogël përfshinte fshatrat nga Përroi i Skatinës e deri të Perroi i Rosmanit. Pakënaqësia e madhe e shkaktuar nga pushtimi Turk u bënë shkak i shpërthimit të kryengritjeve të shumta dhe pjesëmarrjes aktive të hasjanëve në kryengritje. Në këtë kohë shquhet kryengritja e vitit 1837 Reforma e tanzimatit, kohë kur Hasi shkëputet përkohësisht nga varësia e administratës turke në Gjakovë.

Lufta kundër forcave të Vesel Pashës

Redakto

Në gjysmën e dytë të shek.XIX nga Lidhja e Prizrenit e pastaj edhe në luftërat që u zhvilluan deri në shuarjen e Lidhjes në Gjakovë, në shtator të vitit 1878, kundër forcave të Mehmet Ali Pashë Maxharit, por edhe për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, morën pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i hasjanëve. Deri më tani kemi informacione se në këtë kuvend kishin marrë pjesë perfaqësues nga Hasi si: Ali Sahit Bajraktari, Sulejman Haxhi Brasha, Dervish Salihu, Syl Liman Peka, Shaban Spahia(Cahani) etj, ndërkohë që për trojet e veta dhe shpëtimin e tyre nga copëtimi ishin edhe shumë hasjanë të tjerë. Hasjanët morën pjesë edhe në luftën kundër forcave të Vesel Pashës në vitin 1885, ku dhanë kontributin e tyre luftëtarë nga Helshani si:Musli Isufi, Zek Ademi dhe Murat Sadiku. Mirëpo kontribut të madh në këto luftëra dha edhe familja Kurpali, nga gjiri i së cilës vijnë:Hazir Syla, Bajram Syla, Zymer Kurpali etj., të cilët, jorastësisht, kanë mbetur në këngë dhe histori.

Kuvendi i Krumës

Redakto

Kuvendi i Krumës dhe hartimi i shtatë kërkesave për Portën e Lartë.

Lidhja e Pejës ishte kuvendi, ku hasjanët ishin pjesëarrës më 1899. Ata morën pjesë në Kuvendin te Verrat e Llukës(1903), në atë të Junikut (1912) etj., ndërkaq në pranverën e vitit 1909 i shohim duke kundërshtuar taksat, shkuarjen ushtare dhe dorëzimin e armëve. Në maj dhe qershor të vitit 1909 luftojnë kundër forcave të Xhavit Pashës, ndërsa në vitin 1910 në Qafë të Ahmatit kundër atyre të Shefqet Durgut Pashës. Mirëpo vala kryengritëse arrin kulmin e saj në vitin 1912. Më 19 mars të atij viti, hasjanët, të udhëhequr nga Rexhë Bajraktari (bajraktar i Vlahnës) dhe Tahir Hoxha sulmojnë forcat turke në Krumë, të cilat i detyrojnë që të tërhiqen në Gjakovë. Më 21 prill të vitit 1912 në Krumë mbahet Kuvendi i katër bajraqeve, në të cilin marrin pjesë 20 përfaqësues nga bajraqet e Hasit, Bytyçit dhe të Rekës. Në këtë kuvend u kërkua me shkrim nga Porta e Lartë që shqiptarëve:

  • T'iu kthehen armët
  • Shërbimi ushtarak të bëhej në vend
  • Mësimi në shkolla të bëhej në gjuhën shqipe
  • Kudo të ngrihej flamur shqiptar
  • Nëpunësit medoemos të njohin gjuhën shqipe
  • Amnistimi i të burgosurve politike
  • Shqiptarëve t'u kompensohen dëmet e bëra nga ushtria turke gjatë këtyre viteve.[8]

Këto kërkesa të dala nga Kuvendi i Krumës u pranuan edhe nga Kuvendi i Junikut të mbajtur më 21-28 maj 1912, të cilave iu shtuan edhe kërkesa të tjera, që kishin të bënin me caktimin e kufijve, pastaj fillimi i kryengritjes së madhe e cila do të çonte deri në largimin përfundimtar të turqve nga tokat shqiptare. Kjo rezultoi me fillimin e kryengritjes nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit e trimave të tjerë, që sulmuan garnizonin turk në Qafë të Prushit, aty ku i priste edhe trimi i Kurpalit,Bajram Syla.

Pushtimi Austro-Hungarez

Redakto

Shpallja e Krumës qendër Prefekture. Gjatë Luftës së Parë Botërore, pushtimi Austro-Hungarez e ktheu Krumën si qendër të Hasit, e cila u bë një qendër e madhe adminitrative, ku u vendosën komanda ushtarake dhe disa institucione të kohës e deri dhe te gjykatat krahinore,ndërkaq kishte nën administrimin e saj pjesën që nga Zhuri deri në Tropojë. Pas kësaj kohë, në vitet 1918-1921 Hasi bie nën pushtimin e Serbisë, e cila në vitin 1921 tërhiqet dhe kalon në kufinjtë e vendosur më 1913. Në këtë kohë(1921) Kruma shpallet qendër e Prefekturës së Kosovës, që përfshinte Hasin, Lumën dhe Tropojën. Ky akt erdhi pasi më parë krerët hasjanë, me Hysen Selmanin e Qarrit në krye, bajraktarët Mehmet Alia e Rexhep Syla, Brahim Didën, Tahir Hoxhën, Avdi Sahitin e Muhadrit, Ali Haxhinë, Zenel Peçakun etj.,kishin kërkuar një gjë të tillë, madje, nëse nuk do të ndodhë një akt i tillë, ata kishin kërcënuar edhe me bojkotimin e zgjedhjeve të vitit 1921. Dhe në rast se hasjanët nuk do të dilnin në zgjedhje, parlamenti shqiptar rrezikonte t'i humbiste tre deputetë. Këtë e dëshmon edhe letra e krerëve hasjane dërguar Këshillit të Lartë të Shtetit, në të cilën në mes tjerash thuhet : ...s'kena me i dhanë zarat(votat)për deputetët për Prefekturën e Drinit,e kështu ka me i hup 2-3 deputet Shqypnia.[9] [1] Ata kishin kërkuar që Kruma të bëhej Prefekturë, sepse lënia e Hasit nën Prefekturën e Drinit ishte e padrejtë dhe e papranueshme nga hasjanët. Duke e parë rrezikun e humbjes së tre deputetëve kërkesa u realizua menjeherë, ndërsa Prefekturës së Kosovës, me qendër në Krumë iu dhanë nën administrim 20 qendra kryesore të Hasit si: Kruma, Vlahna, Golaj, Nikoliqi, Tregtani, Qarri, Demjani, Rugova, Gjonaj, Krushnini, Romaja, Gërqina, Planeja, Guruzhupi, Kishaj, Helshani, Kosturri, Perollaj, Shigjeqi(Zgjeci) dhe Letaj. Siç shihet, edhe në atë kohë (1921)nuk kishte ndarje të Hasit dhe se prefektura në fjalë mbulonte tërë territorin hasjan. Edhe në ditët e sotme, kur Kosova dhe Shqipëria ende vazhdojnë të jenë të ndara, hasjanët ende e konsiderojnë Krumën si qendër të Hasit, ashtu sikurse kishte qenë dikur.[10]

Zhvillimi kulturor

Redakto

Gjatë kësaj kohe në Krumë kemi një zhvillim kulturor, ku më 1923 krijohet shoqëria kulturore Shkelzeni , e cila përbëhej nga patriotë dhe intelektualë të asaj kohe. Në kuadër të kësaj shoqërie kemi formimin e bandës frymore të Krumës, pastaj rrethin letrar si dhe teatrin amator, që luajtën një rol të rendësishëm në edukimin e masës dhe të të rinjve të asaj kohe, por edhe në aspekte të tjera të jetës ekonomike e politike. Kontributi i Hasit dhe i hasjanëve do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Kruma dhe Hasi u bënë qendër e lëvizjes antifeudale dhe të atyre kundër qëndrimeve të qeverisë së Tiranës së atëhershme, që mbështetej nga politika jugosllave. Veprimtarë dhe luftëtarë luftuan kundër kësaj politike , për ruajtjen e tërësisë tokësore dhe për bashkimin e tokave shqiptare të ndara padrejtësisht, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Hysni Curri dhe çetat kosovare të Azem Galicës, Sadik Ramës, Zefit të Vogël etj., vazhdimisht gjetën mbështetje tek Hasi dhe hasjanët.

Lufta Çlirimtare e Kosovës

Redakto

Hasi po ashtu edhe gjatë periudhave të tjera dha kontributin e vet, nga ndarja e tij në dy pjesë, sidomos ndërprerja e marrëdhënieve në mes ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë e vitit 1948, ajo solli ndërprerjen e plotë të komunikimit në mes njerëzve të një trungu dhe ndarjen për një periudhë gati 40 vjeçare të marrëdhënieve, kulturore, ekonomike etj. Megjithatë, kontributi hasjan nuk mungoi asnjëherë. Ndërsa kulmoi në luftën e vitit 1999 të zhvilluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës , Hasi përveç mbështetjes logjistike ka kontribuar edhe me jetën e disa dëshmorëve në luftën për çlirimin e Kosovës. Hasikishte brigadën e vet, ndërsa në altarin e lirisë ranë 52 hasjanë, të cilët u shpallën dëshmorë të kombit. Një numër i madh hasjanësh iu bashkuan në mënyrë vullnetare luftës për çlirimin e Kosovës . Ata luftuan në betejat e zhvilluara nga UÇK në malin e Pashtrikut dhe gjatë gjithë vijës kufitare me Kosovën. Ndihma më e madhe iu dha kosovarëve gjatë periudhës së eksodit të madh në vitin 1999, ku të gjithë hasjanët hapen dyert e shtëpive të tyre për të strehuar bashkëkombasit e vet, dhe kjo ishte goditja më e madhe që iu dha gjenocidit serb.[11]

Referencat

Redakto
  1. ^ Çoçaj.Dr.Nexhat,Hasi-enciklopedi etnokulturore V, Pavarësia,Durres,2012,fq.14.
  2. ^ Muhadri.Dr.Besim "Mehmet Cena i Hasit",Pjeter Bogdani 2012 ,fq 14-15 ISBN 978-9951-445-22-1.
  3. ^ Mehmetaj Dr.Faton:Monumentet e kultures iliro-shqiptare te pervetesuara me force nga kultura serbe 8,me nentitullin "Manastiri i Decanit i privilegjuar ne dem te shqiptareve", "Epoka e re",5 8.2005,fq.7.
  4. ^ Mark Tirta, "Hasi në shekuj e popullsia e tij","Tradita kulturore e Hasit",IAP,Prishtine, 2007,f.111.
  5. ^ Çabej.Dr.Eçrem,Studime etimilogjike në fushë të shqipes,(botuar në Studime gjuhësore I),"Rilindja",Prishtine 1976,fq.236
  6. ^ Muhadri.Dr.Besim "Mehmet Cena i Hasit",botuesi:Pjeter Bogdani,fq.22-23,ISBN 978-9951-445-22-1.
  7. ^ Historia e klasës 9, Ideart fq.25 ISBN 978-9928-128-15-7.
  8. ^ Shalla Dr.Shaqir,"Kronika e Rugoves se Hasit,Rogove,2004 ".
  9. ^ AQSH, F. 418.D. 14, fl.1.
  10. ^ Nexhat Çoçaj, "Hasi-enciklopedi etnokulturore V", "Pavaresia"Durres,2012-14.
  11. ^ Ramiz Cahani, Wikipedia Rrethi i Hasit .