Salih Gjuka - Dukagjini (1876-25 tetor 1925), jurist, mësues, ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Sali Gjuka
Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë
U lind në1876
Vdiq25 tetor 1925
KombësiaShqiptar

Jeta Redakto

Salih Gjuka lindi në Pejë, në vitin 1876. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup. U regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë, në Selanik. Pas mbarimit të studimeve, nisi punën në gjykatën e atij qyteti. Në vitin 1909, megjithëse ilegalisht, punoi pa u lodhur për çeljen e shkollës shqipe në Pejë. Ndërsa në vitin 1910, me përkrahjen e atdhetarëve Bajram Curri, Hasan Prishtina etj. u bë mësuesi i parë i shqipespër nxënësit shqiptarë, në shkollën Normale dhe Gjimnazin e Shkupit. Në këtë mision të shenjtë, aty pati përkrah atdhetarin e njohur Bedri Pejani.[1] Mori pjesë me armë në dorë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Me nismën e tij, në prill 1912 u formua në Selanik, klubi “Bashkimi”, në favor të edukimit të ndjenjave atdhetare dhe përhapjen e gjuhës shqip.

Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në shpalljes e pavarësisë kombëtare dhe firmoi aktin me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë (Senatit). Në kohën e qëndrimit në Vlorë, Sali Gjuka ishte ndihmës i Luigj Gurakuqit për problemet e arsimit. Për këtë gjë dëshmojnë dhe artikujt e botuar në gazëtën "Përlindja e Shqipniës".

Në janar 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit. Menjëherë hapi shkollën Normale të përkohëshme. Pjesa më e madhe e nxënësve ishin nga Kosova, të cilët më pas shkuan në vendlindje, ku çelën shkolla në gjuhën amtare. Gjithashtu, ranë në sy puna e zelli i madh i tij për çeljen dhe funksionimin e mjaft shkollave shqipe në ato zona. Po kështu, ishin të shumtë artikujt e tij, publikuar në shtypin e kohës për çështje të gjuhës, etnografisë e tjerë.

Megjithëse shërbeu drejtor arsimi, Sali Gjuka nuk u shkëput nga ngjarjet politike e shoqërore të kohës. Ai ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës dhe përkrahu Lëvizjen e qershorit 1924.

Në vijim të përndjekjeve të mëparshme, në vitin 1920 e intriguan për një faj, të cilin nuk e kishte kryer. Saliun e akuzuan se, gjoja, kishte marrë pjesë në vrasjen e Abdyl bej Ypit. Për këtë e dënuan 10 vjet burg, 4 nga të cilat i vuajti.

Pas fitores së Revolucionit të qershorit 1924, kur e liruan të pafajshëm nga burgu, Salih Gjuka punoi pak kohë drejtor i shkollës plotore të Beratit. Patrioti i madh Bajram Curri, duke njohur e çmuar lart veprën atdhetare dhe ndihmesën e Sali Gjukë Dukagjinit në fushën e arsimit e të shkollës shqipe, iu përgjigj kështu Fan Nolit, kur ky i kërkoi mendim për postin e ministrit të Arsimit, në Qeverinë Demokratike të asaj kohe: "Si unë vetë, ashtu dhe tërë kosovarët e çmojmë plotësisht rëndësinë që ka Ministria e Arsimit dhe prandaj kemi të mëdhe dëshirën që atë vend ta zejë një njeri kompetent, i zoti i punës dhe që të ketë dhënë prova në jetën e vet të sakrificave, që bëri populli ynë...Këto cilësi i gjejmë mjaft të shkëlqyeshme në personin e Sali Gjukës".

Vdiq i sëmurë nga tuberkulozi më 25 tetor 1925 në Berat.

Shih edhe Redakto

Burimet Redakto