Shaban Demiraj (Vlorë, 1 janar 1920 - Tiranë, 30 gusht 2014) ka qenë gjuhëtar, albanolog dhe akademik i njohur shqiptar. Ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë gjatë viteve 1993 - 1997.

Shaban Demiraj
U lind në1 janar 1920
Vdiq30 gusht 2014
Tiranë
KombësiaShqiptare
ProfesioniGjuhëtar
TitulliAkademik, Profesor Doktor

Biografia

Redakto

U lind në Vlorë më 1 janar 1920, por sipas autobiografisë së tij, u lind në mars të 1921 në Mëhallën e Re (lagjja "Partizani") në Vlorë, i biri i Mulla Sulejmanit dhe Qafishes. I ati ishte imami i Xhamisë së Tabakëve.[1] Kreu medresenë në Tiranë dhe studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar (1946-1948) dhe më pas në Institutin e Lartë Pedagogjik (1954-1955). Në vitet 1948-1954 punoi si mësues në disa shkolla të mesme (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më pas në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku shërbeu deri më 1990, kur doli në pension. Kështu, ai punon si mësues, profesor e shkencëtar mbi 60 vite, çka përbën në vetevete rekord të këndshëm. Është njëri prej pedagogëve që ka mbajtur kurse leksionesh për një numër të qenësishëm lëndësh albanistike dhe albanologjike, si për morfologjinë e gjuhës së sotme shqipe, për gramatikën historike të gjuhës shqipe, për historinë e gjuhës së shkruar shqipe (shekujt XVII-XIX), si edhe një kurs special për gjuhësinë ballkanike. Për këto lëndë hartoi tekstet përkatëse, që u botuan si dispensa e libra më vete, me të cilët punojnë edhe sot Universitete të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, etj. Ai drejtoi me aftësi shkencore dhe administrative për 27 vjet katedrën e gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë (1962-1989). I përgatitur shkencërisht, me karakter të rreptë e kërkues në radhë të parë ndaj vetes e mandej edhe ndaj të tjerëve, studentë e kolegë, me ndershmëri të panjollë, gjithherë i njerëzishëm. Kohëzgjatja në këtë funksion flet vetë.

Ai ka qenë dhe mbetet shembull për ne ish-studentët dhe kolegët e tij më të rinj: i drejtë, kërkues, nxitës i përhershëm që edhe ne t’i futeshim sa më shpejt punës pedagogjiko-shkencore, duke dhënë vetë shembullin personal, duke u bërë për ne shembëlltyra e pedagogut dhe shkencëtarit të pasionuar. Ne kemi mësuar prej tij si të japim leksione, si të bëjmë punë kërkimore-shkencore, ai është mësuesi ynë dhe ne i detyrohemi shumë shpirtërisht kësaj figure madhore të shkencës shqiptare, që më shumë flet me punë sesa me fjalë. Akademiku i asociuar Ethem Likaj, një ndër studentët dhe kolegët e tij, shkruan : “Dijet për gjuhën shqipe e kulturën e tij të gjerë, të fituara me shumë punë e mund, i përçoi me përkushtim te nxënësit (që nga vitet 40) deri te studenti e specialisti në vitet pasardhëse. Nga viti 1945 e deri këtë vit, kur doli në pension, Shaban Demiraj ishte pranë studentëve. Breza studentësh, tani mësues, gazetarë, redaktorë, shkencëtarë, në mbarë vendin, që morën nga prof. Shabani dije, meritat e punës së tyre i njohin me krenari edhe si merita të Mësuesit të tyre. Nuk ishte fort e lehtë që dije nga disiplinat më të vështira të gjuhësisë, të bëheshin pronë e të gjithëve”.

Në vitet 1962-1966 ka qenë zëvendës-dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ai do të mbetet në historinë e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe të Universitetit të Tiranës si drejtues që u shqua për punë të pakursyer dhe të një cilësie të lartë.

Profesor Sh. Demiraj i përket yllnajës më të lartë të albanistëve dhe albanologëve të të gjitha kohërave. Jeta dhe vepra e vet flet për dashuri ndaj gjuhës shqipe, ndaj gjuhëve, madje ndaj Gjuhës vetë, për pasion, durim e këmbëngulje shembullore në rrugën e kërkuesit, të shkencëtarit të palodhur. Puna e tij është punë blete, ai lëron gjuhën tonë amtare dhe frutet janë të bollshme dhe të pjekura, ai gërmon si arkeolog shqipen e hershme dhe monumentet e vjetra të saj dhe u jep jetë “fosileve” të gjuhës. Me punë dhe prodhim ai i ka ngritur monument vetes.

Ai ka lënë një prodhimtari të gjerë akademike. Nga viti 1970 e deri më sot shkroi e botoi vepra (disa prej të cilave edhe në gjuhë të huaja) me vlerë teorike e praktike për njohjen më të mirë e më të thelluar të ndërtimit gramatikor të gjuhës shqipe: Historia e gjuhës së shkruar shqipe (1970); Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe (1972), Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe (1975); Morfologjia historike e gjuhës shqipe I (1973), II (1976), ribotuar në Prishtinë (1980), Gramatikë historike e gjuhës shqipe (1986), ribotuar në Prishtinë (1988), një formë më e përmbledhur e saj është botuar gjermanisht nga Akademia e Shkencave e Austrisë (1993), botim i përmbledhur në Tiranë (2002), Gjuha shqipe dhe historia e saj (1988), ribotuar në Prishtinë (1989), botuar edhe në italisht nga Universiteti i Kozencës (1997), Gjuhësi ballkanike, botuar në shqip e maqedonisht në Shkup (1994), dhe ribotuar në Tiranë, më 2004, Fonologjia historike e gjuhës shqipe, (1996), Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe (1999), dhe një version anglisht i saj The origin of the Albanians (linguistically investigated) (2006), Gjuha shqipe – Probleme dhe disa figura të shquara të saj (2003), Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët (2008), etj. Nga këto vepra del se profesor Shaban Demiraj është gjuhëtar dhe filolog që jo vetëm parashtron, jo vetëm prek, por që edhe shqyrton, kërkon, analizon e thellon mendimin shkencor, u jep përgjigje pyetjeve të parashtruara dhe shtron pyetje të tjera. Si në të gjithë jetën e vet të hetuesit shkencor, edhe në këto vepra ndeshet me çështje e probleme të vështira hetimit të strukturës së sotme dhe asaj historike të shqipes, dhe me mprehtësinë vrojtuese dhe përgjithësuese që e karakterizon, nxjerr përfundime shpesh krejt të reja, jep mendimin e vet shkencor të autoritetshëm si albanist dhe albanolog i shquar. I tillë është ai edhe kur merret me çështje gjuhësore të ndërlikuara ballkanike, jep përgjigje shkencore edhe si ballkanolog.

Nga këto vepra, vendin e nderit e zë Gramatikë historike e gjuhës shqipe, që në thelb është enciklopedi e vërtetë e ndërtimit gramatikor të gjuhës shqipe, sidomos e morfologjisë historike, është parashtrim analitik i arritjeve në këtë fushë, është arena ku profesori ynë i nderuar ka shpalosur jo vetëm dijet e veta të gjera, por edhe ka dhënë mendimin e vet të qëndrueshëm për ato që parashtron, është përgjithësim e krijim shkencor, një vepër monumentale e fondit të artë të letërsisë sonë gjuhësore. Ja, pra, pse kjo vepër është nderuar me Çmimin e Republikës të klasit të parë (1989).

Është bashkautor dhe redaktor i veprës madhore Gramatikë e gjuhës shqipe, vëllimi I, Morfologjia, (1976, ribotuar 1995, 2002), parathënia dhe kreu për foljen. Si redaktor i këtij vëllimi u shqua për aftësi drejtuese, për kërkesa të larta dhe sidomos për njëjtësimin e krerëve të tij. Si bashkautor mbajti një peshë bukur të madhe me kreun më të rëndësishëm, me kreun për sistemin foljor të gjuhës së sotme shqipe, sistem aq i zhvilluar morfologjikisht, që kërkonte zotësi përgjithësimi e parashtrimi.

Profesori ynë i nderuar është autor i dhjetra e dhjetra shkrimeve studimore në revista e të përkohshme të tjera të ndryshme shqiptare, me plot ndihmesa nga fusha e morfologjisë së sotme e historike të shqipes, nga sintaksa historike, nga fonetika historike, nga historia e gjuhës, etj., etj. Vetëm këto shkrime do të mjaftonin për ta renditur ndër gjuhëtarët tanë më të shquar. Ka transkriptuar dhe përshtatur në shqipen e sotme veprën e Gavril Darës Kënga e sprasme e Balës (1994), ribotuar në Prishtinë (2006). Në bashkëpunim me akademik Kristaq Priftin, ka hartuar dhe botuar Kongresi i Manastirit (1968, ribot. 2005). Ka botuar një monografinë Eqrem Çabej, 1990.

Ka përkthyer romanin Jeta dhe lundrimet e Kristofor Kolombit të Gladys M. Imlach (1944),[2] dhe Martin IdenXhek Londonit (1995), me gjuhë të krehur, larg ndikimeve e ndërtimeve të pastra angleze, shembull për përkthyes të tjerë.

Prof. Sh. Demiraj tanimë është i njohur në botën shkencore ballkanike dhe evropiane me kumtimet e tij në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare e me artikujt shkencorë të botuar në revista të huaja. Dhe mund të pohohet me kënaqësi dhe krenari se është gjuhëtari shqiptar, vepra e të cilit njihet më mirë jashtë Shqipërisë. Shkrimet dhe, veçarërisht, librat e tij, në mos qofshin shkruar e përkthyer në gjuhë të huaja, sidomos në anglisht, ato janë të pajisura me përmbledhje në gjuhë të huaj, çka ka ndihmuar në përçimin e mendimit të vet shkencor tej kufijve të botës shqiptare. Është autor i shumë artikujve të botuar në përmbledhje e revista shkencore të huaja : zërin për gjuhën shqipe në përmbledhjet enciklopedike-gjuhësore La formazione dell’Europa linguistica, Firence, 1993, Le lingue indoeuropee, Bolonjë (1994), Les langues indo-européennes, Paris, 1994; në vëllime përkujtimorë për Norbert Joklin (1972), për Johan Knoblokun (1985), për Johanes Hubshmidin (1982), për Miklosiçin (1992), për Kopitarin (1996), etj. Ka marrë pjesë në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare : në Kongresin e parë (1966), të dytë (1970), të katërt (1980), të gjashtë (1989) dhe të shtatë (1994) të Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Europës Jug-lindore; në Kolokuiumin Ndërkombëtar për Norbet Joklin në Insbruk (1972), në Simpoziumin Aspekte të albanologjisë (gjendja dhe detyrat sot), Këln (1988), në Simpoziumin Ndërkombëtar të Albanologjisë në Palermo (1990), etj. Ka mbajtur ligjërata në Universitetin e Prishtinës, të Shkupit, të Kluzhit (1971), të Romës (1985), të Kopenhagenit (1987), të Aarhusit (1987), të Vienës (1988, 1993), të Bonit (1993), të Kozencës, të Palermos, etj.

Një jetë e tërë e mbushur me studim, me kërkim, me krijimtari shkencore të qëndrueshme, jetëgjatë. Sepse është i tillë, u zgjodh anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972), iu dhanë titujt e lartë Profesor (1972), Mësues i Popullit (1977), Profesor i merituar 1990, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1989), kryetar i saj (1993-1997), anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (1996), anëtar i Akademisë Qendrore Europiane të Shkencave dhe të Arteve (1997), anëtar nderi i Akademisë Diplomatike të Londrës (2000), nënkryetar i A.I.E.S.E.E. (Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve të Europës Jug-lindore (1994-1998). Laureat i dy Çmimeve të Republikës, të klasit të dytë (1979) dhe të klasit të parë (1989). Është dekoruar me Urdhërin Mjeshtër i Madh i Punës (2000). Është Qytetar Nderi i Vlorës (2001).

Tituj të veprave

Redakto
  • Gramatika e gjuhës shqipe: fonetika et morfologjia. Rilindja, Prishtinë 1969.
  • Morfologjia e gjuhës së sotmë shqipe. Rilindja, Prishtinë 1969.
  • Historia e gjuhës së shkruar shqipe, 1970.
  • Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe. Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë 1972.
  • Morfologjia historike e gjuhës shqipe. I., Tiranë 1973; II., Tiranë 1976.
  • Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe. Mihal Duri, Tiranë 1975.
  • Gramatikë historike e gjuhës shqipe. Shtëpia botuese «8 nëntori», Tiranë 1986.
    • në gjermanisht: Historische Grammatik der albanischen Sprache. Österreichisches Akademie der Wissenschaften, Vjenë 1993.
  • Gjuha shqipe dhe historia e saj. Shtëpia botuese e librit universitar, Tiranë 1988.
  • Gjuhësi ballkanike, botuar në shqip e maqedonisht në Shkup, 1994.
  • Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe, 1999.
    • në anglisht: The Origin of the Albanians: Linguistically Investigated, 2006.
  • Gramatikë historike e gjuhës shqipe (botim i përmbledhur). Akademia e shkencave e shqipërisë, Tiranë 2002.
  • Gjuha shqipe – Probleme dhe disa figura të shquara të saj, 2003.
  • Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, 2008.

Referime

Redakto
  1. ^ Demiraj, Shaban. "Disa të dhëna nga jeta ime". robertcipo.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ Gjinaj, Maksim; Elmazi, Myrvete; Mele, Margarita (2010). Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare, Sektori i Bibliografisë Kombëtare. fq. 626. ISBN 9992773189. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shtator 2021. Marrë më 4 shtator 2021.