Artikulli Kryesor: Apostujt

Mbledhja e Shtatëdhjetë Apostujve. Kremtohen më 4 Janar.

Apostull (nga gr. απόστολος), do të thotë lajmëtar, i dërguar për të përmbushur porosinë e dhënë apo për t’i transmetuar dikujt një lajm[1]. Apostulli në Krishterim është lajmëtari, përçuesi i ungjillitKrishtit.

Jisu Krishti, pasi përzgjodhi dymbëdhjetë si nxënës dhe si apostuj të Tij, si shokë rrugëtimi dhe dishepuj të privilegjuar, zgjodhi edhe 70 (sipas disa të tjerëve 72) nxënës të tjerë. Edhe këta i zgjodhi mes numrit të madh të atyre që e ndiqnin pas, për të shkuar para Tij, pa trastë, pa sandale, dhe të përgatisnin ardhjen e Tij në çdo qytet dhe vend ku kalonin, duke kryer mrekulli dhe duke shpallur se Mbretëria e Perëndisë është afër (Lluk. 10)[2].

Ja dhe emrat e të Shtatëdhjetë Apostujve, bashkë me ditën e kujtimit të tyre:

[3]

  • AGAVI, (Vep. 11:28; 21:10), 8 prill;
  • AKAIKU, (1 Kor. 16:17), 15 qershor;
  • AKILA dhe PRISKILA, (Vep. 18:1; Rom. 16:3), 13 shkurt; ndërsa 14 korrik vetëm AKILA;
  • AMPLI, (Rom. 16:8), episkop i Odisupojës (Maqedonisë), 31 tetor;
  •  ANANIA, (Vep. 5:1), episkop i Damaskut, ai që pagëzoi Ap. Pavlin, 1 tetor;
  • ANDRONIKU, (Rom. 16:7), episkop i Panonias, 17 maj dhe 30 korrik;
  • APELI, (Rom. 16:10), episkop i Smirnës, 10 shtator;
  • tjetër APEL, (nuk përmendet në Shkrim), episkop i Iraklias (Thrakë), 31 tetor;
  •  APOLLO, (1 Kor. 3:5), episkop i Ҫezaresë, 8 dhjetor;
  • APFIA, (Filemoni 2), gruaja e Filemonit, 22 nëntor;
  • ARISTARKU, (Vep. 19:20; Kol. 4:10), episkop i Apamisë, 27 shtator dhe 14 prill;
  • ARISTOVULI, (Rom.16:10), episkop i Britanisë së Madhe, 15 mars;
  • ARTEMAI, (Tit. 3:12), episkop i Listrës, 30 tetor;
  • ARKIPI, (Filemoni 2; Kol. 4:17), 19 shkurt;
  • ASINKRITI, (Rom. 16:14), episkop i Irkanias, 8 prill;
  • EPENETI, (Rom. 16:5), episkop i Kartagjenës, 30 korrik;
  • EPAFRODITI, (Filip. 4:18), episkop i Kolofonit ose Andriakit, 8 dhjetor;
  • ERASTI, (Vep. 19:22), episkop i Paneasë, 10 nëntor;
  • EFVULI, (2 Tim. 4:21), 28 shkurt;
  • EVODI, (2 Tim. 4:20), episkop i Antiokisë, 7 shtator;
  • FORTUNATI, (1 Kor. 16:17), 15 qershor;
  • FLEGONTI, (Rom. 16:14), episkop i Maratonës, 8 prill;
  • FILOLOGU, (Rom. 16:15), episkop i Sinopës, 5 nëntor;
  • FILEMONI, (Filemoni 2), episkop i Gazës, 22 nëntor;
  • FILIPI, (Vep.6:5), nga të shtatë dhjakonët, 11 tetor;
  • FIGJELI[4], episkop i Efesit, 30 qershor;
  • GAI, (Vep. 20:4), episkop i Efesit, 5 nëntor;
  • HERMAI, (Vep. 14:12), episkop i Filipisë, 5 nëntor;
  • HERMIA, (Rom. 16:14), episkop i Dalmacisë, 8 mars;
  • HERODIONI, (Rom. 16:11), episkop i Patrës dhe Tarsit, 28 mars dhe 10 nëntor;
  • JASONI, (Vep. 17, Rom. 16:21), episkop i Tarsit, 29 prill;
  • JAKOVI, “vëllai” i Zotit, (Vep. 15:13 etj.) episkopi i parë i Jerusalemit, 23 tetor;
  • JUSTI ose JOSEU, (Vep. 1:23), “vëllai” i Zotit, episkop i Elefteropolit, 30 tetor;
  • JUNIA, (Rom. 16:7), 17 maj dhe 22 shkurt;
  • KARPI, (2 Tim. 4:13), episkop i Verias, Thrakë, 26 maj;
  • KEFA, (1 Kor. 3), 8 dhjetor;
  • KLEMENTI ose KLIMI, (Filip. 4:3) episkop i Sardës (Sardikës), 10 shtator;
  • KLEOPA, (Llk. 24:25-26), episkop i Jerusalemit, ( Burim Migne pg 953 957) (1204 encikl) 30 tetor;
  • KUARTI, (Rom. 16:23), episkop i Beritës (Bejrutit), 10 nëntor;
  • KRISKI ose KRESHENTI, (2 Tim. 4:10), episkop i Kalqedonisë, 30 korrik;
  • KODRATI, 21 shtator;
  • LINI, (2 Tim. 4:21), u vendos episkop i Romës nga ap. Petro, 5 nëntor;
  • LLUKAI ose LUKIOS, jo ungjillori, episkop i Laodicesë, 10 shtator;
  • MARKU i quajtur Joan, jo ungjillori, (Vep. 12:12), episkop i Biblos (së Antiokisë), 27 shtator;
  • MARKU, jo ungjillori, nipi i Varnavës, episkop i Apollonisë (Apoliandës), 30 tetor;
  • MATTHIA, (Vep. 1:23), zëvendësoi Judën, numërohet tek të Dymbëdhjetët, 9 gusht;
  • NARKISI, (Rom. 16:11), episkop i Athinës, 31 tetor;
  • NIKANORI, (Vep.6:5), nga të shtatë dhjakonët, 28 korrik;
  • NIMFAI, (Kol. 4:15), 28 shkurt;
  • OLIMBAI dhe RODIONI, (Rom. 16:15), 10 nëntor;
  • ONESIMI, (Kol. 4:9; Filemoni), 15 shkurt dhe 22 nëntor;
  • ONESIFORI, (2 Tim. 1:16), episkop i Kolofonit, 7 shtator;
  • PATROVI, (Rom. 16:14), episkop i Pozuolit, 5 nëntor;
  • PARMENAI, (Vep. 6:5), nga të shtatë dhjakonët, episkop i Solonit, 28 korrik;
  • PROHORI, (Vep. 6:5), nga të shtatë dhjakonët, episkop i Nikomedisë, 28 korrik;
  • PUDI, (2 Tim. 4:21), 14 prill;
  • QESARI ose ÇEZARI, (Filip. 4:22), episkop i Durrësit, 8 dhjetor;
  • RUFI, (Rom. 6:13), episkop i Thivës (Tebës), 8 prill;
  • SILA, (Vep. 15), episkop i Korinthit, 30 korrik;
  • SILUANI ose SILVANI, (2 Kor. 1:19; 1 Thes. 1:1), episkop i Thesalonikit (Selanikut), 30 korrik;
  • SIMEONI ose KLEOPA, (Mat.13:55-56), “vëllai” i Zotit, episkopi i Jerusalemit, 27 prill dhe 30 tetor;
  • STAHI ose STAKI, (Rom. 16:9), episkop i Bizantit, 31 tetor;
  • STEFANAI, (1 Kor. 1:16), 15 qershor;
  • STEFANI, (Vep.6), nga të shtatë dhjakonët, 27 dhjetor;
  • SOSTENI, (1 Kor. 1:1), episkop i Kolofonit, 8 dhjetor;
  • SOSIPATRI, (Rom. 16:21, episkop i Ikoni, 29 prill dhe 10 nëntor;
  • TERTI, (Rom. 16:22), episkop i Ikoniumit, 30 tetor;
  • TIMOTHEU, (Vep. 16; Rom. 16:21; 1 & 2 Tim., përmendur shpesh nga ap. Pavli), episkop i Efesit, 22 janar;
  • TIMONI, (Vep.6:5), nga të shtatë dhjakonët, episkop i Vostrës, 28 korrik;
  • TITI, (Gal. 2:1; 2 Tim. 4:10; Titi), episkop i Gortinës së Kretës, 25 gusht;
  • TROFIMI, (Vep. 20:4; 2 Tim. 4:20), 14 prill;
  • TIHIKU, (Vep. 20:4, Efes. 6:21), episkop i Kalqedonisë ose Kolofonias, 8 dhjetor;
  • URBANI, (Rom. 16:9), episkop i Maqedonisë, 31 tetor;
  • VARNAVA, (Vep. 4:37; 12:25 etj., Gal. 2:1), 11 qershor;
  • ZENAI ose ZINON, (Tit. 3:13), episkop Diospolit, 27 shtator;
  • ZAKEU, (Lluk. 19), që hipi mbi pemën e fikut për të parë Krishtin, 20 Prill.


Nderimi dhe festimi i tyre

Redakto

Secili prej tyre nderohet në ditë të veçantë kremtuese, në një datë të përcaktuar kalendarike, sipas kalendarit të krishterë. Kryesisht data festuese është data e jetëndërrimit, datë përkujtimore historike, ose datë transferimi lipsani.

Këta apostuj nderohen gjithashtu edhe së bashku në një datë kremtuese. Kisha Ortodokse Lindore i kremton të Shtatëdhjetët së bashku më 4 Janar.[5]

Apostujt nderohen me fjalime, me shërbesa himnologjike, me kisha, me ikona dhe emrat e besimtarëve.


Biografi e shkurtër e apostujve:

Redakto

AGAVI

Agabi kishte marrë dhuratën e profecisë. Shën Llukai tregon në Veprat e Apostujve Arkivuar 26 mars 2020 tek Wayback Machine (11:28), se ai shkoi në Jerusalem nga Antiokia për të vizituar apostujt Petro dhe Barnaba (Varnava) dhe, nën frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, paratha zinë e madhe të bukës, që, gjatë kohës së sundimit të Klaudit (44-48), shkatërroi për katër vjet me radhë Perandorinë Romake. Pas disa vjetësh, ai i bëri vizitë apostull Pavlit, që ndodhej në shtëpinë e dhjakonit Filip në Qesari dhe mori rripin e tij, ia lidhi duart dhe këmbët duke thënë: “Ja ajo që thotë Shpirti i Shenjtë: Njeriu të cilit i takon ky rrip, judejtë do ta lidhin kështu në Jerusalem dhe do ta dorëzojnë në duart e paganëve” (Vep. 21:11). Kur u krye kjo profeci, shën Agabi vazhdoi të predikonte Ungjillin deri në ditën e prehjes së tij të lumur.[6]

Kisha ortodokse lindore e feston kujtimin e tij më 8 prill.

AKILA E PRISKILA

Akila, një jude nga Ponti, ishte vendosur me gruan e tij, Priskilën, në Romë, ku punonte si tendëbërës. U vendosën në Korinth pak kohë pasi shën Pavli mbërriti atje nga Athina (Vep. 18:1-3). Apostulli jetoi në shtëpinë e tyre dhe punoi me ta. U mësoi atyre misteret e Perëndisë dhe disa thonë se dhe i pagëzoi vetë. Ata ishin tërësisht të përkushtuar ndaj mësuesit të tyre, duke e ndihmuar në shërbesën e tij dhe duke bashkëndarë mundimet dhe vuajtjet e tij. Apostull Pavli asnjëherë nuk e fshehu dashurinë për ta, duke i përshëndetur në mjaft letra të tij (2 Tim. 4:19). Kur shën Pavli la Akaian për t’u kthyer në Azi, ata e ndoqën pas. Ishte pikërisht shtëpia e tyre e madhe në Efes, ku të krishterët mblidheshin për Eukaristinë Hyjnore. Po aty Priskila dhe Akila arritën të kthenin Apollon në njohjen e plotë të besimit. Shkuan në Romë rreth vitit 58 dhe e ofruan përsëri shtëpinë e tyre për ta përdorur si kishë. Më vonë u kthyen në Efes dhe ka shumë gjasa që e përfunduan jetën e tyre si martirë në këtë vend, ku paganët u prenë kokën.[7]

Kisha ortodokse lindore feston kujtimin e tyre më 13 shkurt (të dy bashkë), dhe në 14 korrik (vetëm Akila).

ANANIA

Anania, episkopi i Damaskut në Siri, ishte ai i cili pagëzoi apostull Pavlin, pasi i riktheu shikimin (Vep. 9:10-18). Bëri mrekulli të shumta në Damask dhe Elefteropolis, duke sjellë një numër të madh aganësh në besimin e krishterë. U vra me gurë me urdhër të qeveritarit të Eleftheropolit, Luçianit.[8] Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 1 tetor.


ANDRONIKU DHE JUNIA

Androniku dhe e shoqja, Junia, përmenden nga apostull Pavli tek Rom. 16:7, ku ai i quan “kushërinjtë e mi” dhe i lavdëron si të shkëlqyer mes apostujve. Lindën në besim judaike, por në Jerusaem u bënë të krishterë.

Androniku u fronëzua episkop i Panonisë, dhe predikoi nëpër të gjithë vendin bashkë me ndihmësin e tij, shën Junian. Me anë të besimit të tyre, kthyen shumë paganë në Krishterim dhe shkatërruan tempujt e tyre, nxorën demonë, bënë mrekulli dhe shëruan të sëmurë.

Rreth vitit 58, u kapën dhe u dërguan në Romë, ku u martirizuan.

Kisha Ortodokse feston kujtimin e tyre më 17 maj.


ASINKRITI DHE FLEGONTI

Asinkriti dhe Flegonti përrmenden nga apostull Pavli në letrën për Romakët (16:11), predikuan Ungjillin në vende të ndryshme të botës dhe kthyen një numër të madh paganësh në besimin e vërtetë. Asinkriti ishte episkop i Irkanisë (pjesë e Iranit të sotëm) në Azi, ndërsa Flegonti, episkop i Maratonës. Ata duruan të gjitha llojet e torturave dhe fituan së bashku, në të njëjtën ditë, kurorën e martirit.

Kisha Ortodokse feston kujtimin e tyre më 8 prill.[9]


AMPLI DHE URBANI

Ampli dhe Urbani (Rom. 16:8-9) u dorëzuan episkopë nga apostull Andrea: Ampli i Odisopolit (në Maqedoni) dhe Urbani i Maqedonisë. Siç predikonin me zell besimin në Perëndinë e vetëm në tre persona zbuluar nga Jisu Krishti, ata u vranë pas shumë sfilitjesh, Ampli nga paganët, ndërsa Urbani nga paganët e judenjtë që ishin të lidhur.[10]

Kisha Ortodokse feston kujtimin e tyre më 31 tetor.


APOLLO

Apollo ishte jude me origjinë nga Aleksandria (shih Vep. 18:24-25) dhe kishte studiuar në thellësi Shkrimet e Shenjta. I konvertuar nga apostujt në besimin te Zoti Jisu Krisht, ai predikonte me zell të madh, edhe pse njihte vetëm pagëzimin e shën Joan Pagëzorit. Kur po kalonte në Efes, apostujt Akila dhe Priskila e katekizuan dhe e pagëzuan. Pastaj ai shkoi në Korinth ku vazhdoi veprën e apostull Pavlit pranë paganëve. Por talenti i tij si orator bëri që ai të kishte një sukses të madh, saqë korinthianët u ndanë në dy grupe kundërshtare: në ata që ishin me Pavlin dhe ata që ishin me Apollon. Kjo është arsyeja se përse apostull Pavli i qorton në letrën e tij të parë (1 Kor. 1-4), duke u shfaqur atyre se apostujt punojnë të gjithë, sipas hirit që u është dhënë, si bashkëpunëtorë të Perëndisë për ndërtimin e Kishës së vetme, Trupit mistik të Krishtit. Më pas Apollo u bë episkop i Qesarisë[11]. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 8 dhjetor.


APELI

Apeli përshkruhet si i provuar në Krishtin, nga apostull Pavli (Rom. 16:10). Ai ishte ndriçues i Smirnës (sot Izmiri) dhe u largua për te Zoti në paqe pasi i shërbeu me besnikëri për shumë vjet. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 10 shtator dhe 31 tetor.


ARISTOVULI

Aristovuli (Aristobuli), episkop i Anglisë (e cila në atë kohë banohej nga popullsi të egra idhujtarësh) , luftoi pa u lodhur që t’u mësonte popujve të paditur fjalën jetëdhënëse të Zotit dhe caktoi plot priftërinj dhe dhiakonë, të cilët i hirotonisi vetë. Fjeti në paqe.[12] Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 15 mars.


ARISTARKU

Aristarku ishte epikop i Apamisë në Siri. Përmendet në Vep. 19:29; 20:4; 27:2 etj. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 27 shtator dhe 14 prill.


ARTEMAI

Artemai ishte episkop i Likisë së Listrias. Fjeti në paqe.[13] Përmendet tek Titi 3:12. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 30 tetor.


ÇEZARI

Çezari ose Qesari përmendet shkurtimisht nga apostull Pavli në Letrën (e këtij) drejtuar Filipianëve (4:22). Sipas traditës, ai u bë episkop i Koronës në Peloponez. Sipas një dorëshkrimi në bibliotekën e Kishës së Jerusalemit, apostull Çezari përmendet si episkop i Durrësit dhe më pas i Koronës. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 8 dhjetor.


ERASTI

Erasti (Rom. 16:21) u bë ikonom i Kishës së Jerusalemit e më pas episkop i Paneasë (Qesari e Filipisë) dhe fjeti në paqe. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 10 nëntor.


EPAFRODITI

Epafroditi ishte edhe ai një nga shokët e apostull Pavlit. Meqë ndodhej në qytetin e Filipit në Maqedoni për shërbimin e Ungjillit, ai u dërgua nga të krishterët pranë Pavlit, që ndodhej i burgosur në Romë, që t’i çonte atij dhuratën e tyre. U sëmur rëndë, por e ruajti Perëndia, për të vazhduar më tej misionin e tij dhe u dërgua nga apostull Pavli në Filipi, dhe u çoi atyre Letrën (e apostull Pavlit) dërguar Filipianëve. Sipas disave, ai u bë më pas edhe episkop i Kolofonit, pas Sosthenit; ndërsa sipas të tjerëve, vazhdoi të ishte episkop i Filipit. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 8 dhjetor.


EFVULI DHE NIMFAI

Këta dy shenjtorë ishin nxënës të apostull Pavlit. Nimfai ishte një fisnik i qytetit të Laodicesë, i cili mikpriste Kishën që po lindte në këtë qytet brenda shtëpisë së tij, për të celebruar Liturgjinë Hyjnore (shih Kol. 5:15). Evuli, këshilltari i mirë, që përmendet nga apostull Pavli gjatë burgimit të tij të dytë, duket se është një nga të krishterët e shquar në shoqëri, të cilët qëndruan pranë apostullit gjatë ekzekutimit të tij (2 Tim. 4:12). Kisha Ortodokse feston kujtimin e tyre më 28 shkurt.


EVODI

Evodi ishte një nga shtatëdhjetë dishepujt e Jisu Krishtit dhe episkopi i parë i Antiokisë, i caktuar nga apostulli Petro kur u largua për në Romë. Thuhet se ne ia detyrojmë Evodit mbiemrin “i krishterë” për anëtarët e Kishës (Vep. 11:26). Shën Ignati, pasuesi i tij në fronin e Antiokisë, në një nga letrat që i drejton grigjës shkruan: “Kujtoni Evodin e bekuar, bariun tuaj, që ishte i pari pas apostujve që pati përgjegjësinë e kishës suaj. Tregojeni veten të denjë për një atë të tillë dhe mos u bëni si fëmijët që vijnë nga shkelja e kurorës”. Evodi e udhëhoqi grigjën e Zotit me urtësi, e ruajti veten të pathyer nga bota dhe pastaj u largua në paqe drejt banesave të të drejtëve. Thuhet se vdiq si martir në kohën e martirizimit të Neronit (viti 64 pas Krishtit) ose pak kohë më vonë.[14] Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 7 shtator.


EPENETI

Epeneti, episkopi i Kartagjenës, përmendet në letrën e apostull Pavlit drejtuar Romakëve: “Përshëndeteni Epenetin tim të dashur, që është fryti i pare i Akaisë në Krishtin” (Rom. 16:5). Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 30 korrik.


FILEMONI, APFIA DHE ARKIPI

Filemoni vinte nga një familje e pasur dhe fisnike e Kolosit në Frigji dhe u bë i krishterë bashkë me gruan e tij, Apfian dhe të birin, Arkipin, kur dëgjoi predikimin e apostullit të shenjtë Pavli. Plot besim dhe me dashuri të flaktë për ta mbështetur dhe për të ndihmuar gjithë vëllezërit më Krishtin, Filemoni e mblidhte komunitetin në shtëpinë e vet, për të kremtuar Misteret e shenjta dhe për lutje, pasi në atë kohë, nuk kishte filluar ndërtimi i kishave. U gjykua i denjë për besimin e apostullit, u hirotonis episkop i Gazës në Palestinë dhe zhduku nga ky qytet padijen me dritën e predikimit. Sapo u kthye në Kolos, e vazhdoi veprën e tij misionare, me gjithë kundërshtimin e tërbuar të paganëve. Një ditë, kur këta festonin për Artemisën, apostujt e shenjtë adhuronin të vetmin Zot të të gjithave. Paganët e morën vesh këtë dhe u vërsulën për t’i kapur dhe i nxorën para qeveritarit Andronikli. Por, meqë Arkipi refuzoi t’u sakrifikonte idhujve u torturua dhe u vra i pari. Edhe Filemoni dhe Apfia vuajtën shumë tortura dhe morën kurorën e martirit.[15] Kisha Ortodokse feston kujtimin e Filemonit dhe Apfias më 22 nëntor, të Arkipit më 19 shkurt dhe të gjithë së bashku përkujtohen më 22 nëntor.


FILIPI nga të shtatë dhjakonët

Filipi lindi në Qesari të Palestinës. Nga martesa pati katër vajza, të cilat iu përkushtuan Perëndisë dhe kishin dhuratën e profecisë. U dorëzua dhjakon nga apostujt në të njëjtën kohë me Stefanin (Vep. 6), që të shërbente nëpër tryeza dhe në vepra bamirësie. Kur vëllazëria apostolike u shpërnda për të shpallur Ungjillin, Filipi predikoi Lajmin e shpëtimit në të gjithë Samarinë. Ai pagëzoi edhe Simon magjistarin, i cili donte të blinte me pará dhuratën e Hirit. Ai u dërgua nga Jerusalemi për në Gaza për t’i dhënë eunukut, funksionarit të lartë të Kandakës, mbretëreshës së Etiopisë, çelësin e mistereve të profecive të Isaias. Pasi e pagëzoi, u rrëmbye nga Fryma për të vazhduar predikimin. Duke filluar nga Azoti, Filipi ungjillëzoi gjithë qytetet ku kalonte, deri në Qesari; pastaj u kthye në Azinë e vogël, në provincën e Tralisë. Atje fjeti në paqe, si ktheu shumë paganë në njohjen e Perëndisë dhe ndërtoi një kishë. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 11 tetor.


FILOLOGU

Filologu (Rom. 16:15) u dorëzua episkop i Sinopës (Pont) nga apostull Andrea. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 5 nëntor.


GAI

Gai (Rom. 16:23) u bë episkop i Efesit pas apostull Timotheut. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 5 nëntor.


HERODIONI

Herodioni ishte nxënës i apostullit të shenjtë Petro dhe e shoqëroi në vizitat e tij hierapostolike, pastaj u hirotonis prej tij episkop i qytetit të Hipatisë (Patra e Re), në Fiotidë. Ai e predikonte Ungjillin me trimëri të madhe dhe ktheu shumë veta në të krishterë, prandaj u kap dhe u rrah nga paganët: disa e goditën me kamxhik e me shkopinj, të tjerë i thyen gjymtyrët me gurë. Në fund, pasi e vranë me shpatë, shën Herodioni fitoi kurorën e martirizimit.[16] Kisha feston kujtimin e tij më 28 mars dhe 10 nëntor.

HERMAI

Hermai, i përmendur nga apostull Pavli në Letrën drejtuar Romakëve (16:14), u bë episkop i Filipisë (ose Filipolit). Disa shkrimtarë të lashtë i kanë atribuuar hartimin e veprës Bariu, shumë e famshme në kohët e hershme të Kishës, e cila radhitej ndonjëherë mes Shkrimeve të Shenjta.

Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 5 nëntor.

HERMIA (HERMES)

Hermia (ose Hermesi) ishte episkop i Dalmacisë. Përmendet tek Letra drejtuar Romakëve 16:14. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 5 nëntor.

JASONI DHE SOSIPATRI

Jasoni ishte grek nga Selaniku ose nga Azia e Vogël që përqafoi judaizmin, ose (më e mundshme), hebre i diasporës. Ai priti në Selanik apostull Pavlin. Një grup hebrenjsh erdhën dhe, pasi nuk gjetën Pavlin, morën në vend të tij Jasonin bashkë me disa vëllezër dhe i çuan te të parët e qytetit si elemente turbulluese. U liruan sapo paguan garancinë (Vep. Ap. 17:1-9). Jasoni përputhet me sa duket me bashkëpunëtorin e Pavlit në Letrën dërguar Romakëve (16: 21): “Ju falem me shëndet... Jasoni e Sosipatri, të afërmit e mi (do të thotë: bashkatdhetarët e mi)”. Pra, që të dy kishin ndjekur pas Pavlin në Korinth - vendi i shkrimit të Letrës dërguar Romakëve.

Sosipatri ishte nga Akaia, ose më mirë i përmenduri si Sopatër “verijasi” (Vep. 20:4), që me sa duket u katekizua në Veria (Vep.17:10-12). Pavli vendosi në Azinë e Vogël si episkop Jasonin në Tars dhe Sosipatrin në Ikoni. Sipas traditës, pasi ata rregulluan çështjen e Kishave të tyre, përcollën ndriçimin e Krishterimit në Korfuz (v. 67 ose 68). Aty ndërtuan një kishë, e cila qysh nga shek. i 12-të, kur u rindërtua nga themelet, u është kushtuar dy ndërtuesve të saj; madje aty ndodhen edhe varret e tyre. Për shkak të veprimtarisë së tyre, dy ndriçuesit e Krishterimit në Korfuz, u burgosën nga mbreti vendas, Kerkilini, por ai u mbyt gjatë përndjekjes kundër besimtarëve. Kështu, sërish, apostujt predikonin lirisht, derisa u arrestuan përsëri nga pasardhësi i mbretit. Ky urdhëroi torturën dhe martirizimin e tyre.

Kisha Ortodokse feston kujtimin e tyre më 29 prill (të dy së bashku) dhe 10 nëntor (vetë Sosipatri).

JAKOVI I JERUSALEMIT, “vëllai i Krishtit”

Jakovi ishte djali i parë i martesës së parë të Josifit, të fejuarit të Marisë. Ky njeri u bekua nga Perëndia që në gjirin e nënës dhe për hir të drejtësisë të gjithë e thërrisnin “I drejti” ose “Oblias”, që në hebraisht d.m.th. “mbrojtje e popullit” dhe “drejtësi”. Që fëmijë, jetoi në asketizëm të ashpër. Pas Ngjitjes në qiej të Krishtit, apostujt zgjodhën njëzëri Jakovin e drejtë si episkop të Jerusalemit. Ishte njeri i mbushur me virtyte të jetës aktive dhe me soditjen e Perëndisë. Kur kryesonte Sinodin Apostolik, gjatë diskutimeve që u zhvilluan në Antioki rreth domosdoshmërisë për të rrethprerë paganët që bëheshin të krishterë, ishte shenjti ai që kërkoi të mos i shtrëngonin me parime të tilla të Ligjit të vjetër, por vetëm të shmangeshin nga përdorimi i mishit blatuar idhujve, si dhe të hiqnin dorë nga imoraliteti (Vep. 15:20). Ai shkroi Letrën që mban emrin e tij në Shkrimin e Shenjtë.

Ka hartuar Liturgjinë Hyjnore me emrin e tij, burim i të gjitha Liturgjive të Kishës Orthodhokse. Rreth vitit 62, atëherë kur Judea ishte në anarshi pas vdekjes së guvernatorit Festi, judenjtë, të cilët kishin dështuar në tentativat për të kapur e vrarë apostull Pavlin (Vep. 25-26), donin ta kapnin edhe Jakovin. Shumë njerëz, madje krerë të popullit, kishin përqafuar besimin; skribët bashkë me farisenjtë turbulloheshin dhe kishin frikë se mos shumica e njihte Krishtin për Zot. Prandaj kur Jakovi e pohoi me guxim Jisuin si Birin e Perëndisë, që rri në të djathtë të Atit, judenjtë e vranë me gurë. E varrosën pranë vendit që e vranë, pra afër tempullit. Jakovin e donin që të gjithë për virtytet e tij, aq sa judenjtë që mendonin drejt panë në martirizimin e tij shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 70. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 23 tetor.

KARPI

Karpi (greqisht karpos - fryt) ishte dishepull i apostull Pavlit, i cili transmetonte letrat e këtij të fundit te Kishat e themeluara. Ktheu shumë paganë me predikimin e tij dhe u bë më pas episkop i Verias në Thrakë (sot qyteti bullgar Stara Zagora). Kryente mrekulli të shumta, çlironte të demonizuar dhe drejtonte turmën drejt Pagëzimit. Zelli i tij apostolik i solli shumë vuajtje nga idhujtarët dhe autoritetet, por i duroi. Pasi lavdëroi Perëndinë gjatë gjithë jetës së tij, fjeti në paqe dhe lipsanet e tij të shenjta kryejnë shumë mrekulli. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 26 maj.

KLEMENTI

Klementi ose Klimi përmendet midis bashkëpunëtorëve të apostull Pavlit, emrat e të cilëve janë në librin e jetës (Filip. 4:3). Ai u bë episkop i Sardikës dhe iu bashkua korit të shenjtorëve, duke mbajtur në trupin e tij shenjat e Pësimit të Jisu Krisht. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 10 shtator.

KLEOPA

Kleopës dhe Llukait iu shfaq Krishti ditën e Ngjalljes, kur shkonin nga Jerusalemi për në Emaus (Lluk. 23:13-16). Fillimisht ata nuk e njohën, derisa, ashtu si në Darkën Mistike, Krishti mori bukë, e bekoi dhe ua dha. Në atë kohë atyre iu hapën sytë dhe e njohën. Por iu zhduk prej syve, duke vërtetuar kështu për brezat e ardhshëm se prania e Tij në Eukaristinë e shenjtë është shenja e vërtetë e Ngjalljes së Tij. Llukai dhe Kleopa e kuptuan atëherë se përse u digjeshin zemrat teksa u shpjegonte Shkrimet (Lluk. 23:32) dhe u nisën më pas për të gjetur apostujt në Jerusalem.

Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 30 tetor.

KUARTI

Kuarti (i përmendur në të njëjtën letër) u bë episkop i Beritës (sot Bejrut). Vuajti në shumë prova për besimin dhe ktheu në Krishterim pjesën më të madhe të paganëve të qytetit, para se të flinte në paqe. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 10 nëntor.

KODRATI

Kodrati jetoi në kohën e Jisu Krishtit dhe u ndriçua prej Tij. U bë episkop i Athinës dhe solli në besimin e vërtetë shumë paganë, me anë të fjalëve të tij hyjnore që i linin pa përgjigje sofistët. Suksesi i tij i madh ngjalli xhelozinë e armiqve të Krishtit, që e dëbuan nga dioqeza e tij pasi e goditën me gurë dhe e bënë të vuajë shumë tortura. Shkoi në Magnesi, ku mësimi i tij i ndriçuar bëri përsëri mrekulli duke dëbuar mësimet e idhujtarisë. Mori kurorën e martirit në mbretërimin e Adrianit (më 117). Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 21 shtator.

KRISKI (ose KRESHENTI)

Ishte kreu i një sinagoge, i cili u kthye në Krishterim së bashku me familjen e tij (Vep. 18:8). U pagëzua nga apostull Pavli (1 Kor. 1:14) dhe u bë episkop i Egjinës, një ishulli pranë Peloponezit. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 30 korrik.

LINI

Lini (shih 2 Tim. 4:21) ishte pasuesi i apostull Petros në fronin episkopal të Romës. Kaloi shumë sprova për emrin e Krishtit dhe solli shumë paganë në besimin e vërtetë. Vdiq si martir dhe shën Kliti (i thirrur ndryshe edhe Anaklit) e pasoi (76-78) . Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 5 nëntor.


LLUKA (ose LUKIOS)

Lluka ose Lukios përmendet nga apostull Pavli kur ai thotë: “Vetëm Lluka është me mua” (1 Tim. 4:11). Ai u bë episkopi i parë i Laodicesë në Siri dhe u largua në paqe drejt Zotit pasi udhëhoqi grigjën e tij me urtësi. Ai duhet dalluar nga apostulli Lluka Ungjillori, të cilin shën Pavli e përmend tek Kolosianët 4:14).  

Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 10 shtator.

NARKISI

Narkisi (Rom. 16:10) u bë episkop i Athinës. U martirizua për shpalljen e së Vërtetës. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 31 tetor.

OLIMBAI DHE RODIONI (HERODIONI)

Olimpai dhe Rodioni (Herodioni), përmendur nga apostull Pavli në Letrën drejtuar Romakëve (Rom. 16), ndoqën apostull Petron në Romë, ku dhe ua prenë kokat gjatë persekutimit të Neronit (54). Kisha Ortodokse feston kujtimin e tyre më 10 nëntor.

ONESIFORI

Onesifori përmendet me mirënjohje nga apostull Pavli në letrën e dytë drejtuar Timotheut: “Zoti dhëntë përdëllim në shtëpinë e Onisiforit, sepse shumë herë më dha zemër dhe s’pati turp prej hekurave të mi, por kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë ngulm dhe më gjeti. Zoti i dhëntë atij të gjejë përdëllim nga Ai në atë ditë. Dhe sa më shërbeu në Efes, ti e di mirë” (2 Tim. 1:16-18).

Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 7 shtator.

ONESIMI

Onesimi ishte nga Frigjia, skllav i Filemonit (apostullit të lartpërmendur). Meqë kishte bërë një vjedhje tek zotëria i tij, Onesimi u arratis dhe u strehua në Romë, atje takoi shën Pavlin, atëherë i burgosur për Krishtin. Njohu gabimin e tij, u bë i krishterë, u pagëzua dhe nuk vonoi të ecte në udhën e virtyteve. Por shën Pavli, duke mos dashur ta trishtonte Filemonin, i dërgon të arratisurin me një letër ku i kërkon ta falë dhe ta lirojë. Është Letra drejtuar Filemonit. Ai e priti me gëzim letrën e apostull Pavlit dhe e priti Onesimin jo më si skllav, por si një vëlla, dhe e dërgoi të lirë përsëri tek shën Pavli, që ta ndihmonte në misionin e tij. Pas martirizimit të apostullit, Onesimi predikoi me zell doktrinën e shpëtimit. U ndalua dhe u çua para Tertulianit, guvernatorit të Romës, i cili e urrente veçanërisht Onesimin, sepse kishte kthyer në besën e vërtetë gruan e vëllait të tij. Pasi e mori në pyetje, urdhëroi që të torturohet. Pas 18 ditë burgosje dhe tortura, tirani e dëboi në Puzol, pranë Napolit. Me gjithë ndalimin nga autoritetet, Onesimi vazhdoi të predikonte Ungjillin. Kur Tertuliani i mësoi këto, e thirri në Romë. Iu nënshtrua përsëri torturave të rënda, dhe dha shpirt.[17] Nderohet në 22 nëntor me shën Filemonin, Arkipin dhe Afian dhe në 4 janar për mbledhjen e 70 apostujve.

PATROVI

Patrovi, i cili përmendet në të njëjtën letër (Rom. 16:14), u bë episkop i Pociolit në Itali, dhe pagëzoi shumë paganë.

Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 5 nëntor.

RUFI

Rufi (Rufusi) ka mundësi të ishte i biri i Simon Kireneasit, që përmendet në Ungjillin e Apostull Markut (15:21). Në letrën drejtuar Romakëve, apostull Pavli shkruan: “Përshëndeteni Rufusin, të zgjedhurin në Zotin, dhe nënën e tij që është gjithashtu nëna ime” (16:13). Më pas u bë episkop i Thivës (Tebë) në Greqi.

Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 8 prill.

STAHI

Stahi, i quajtur “shumë i dashur” nga Pavli (Rom. 16:9), u bë episkop i Bizantit nga apostull Andrea, themeluesi i tij. Ai ndërtoi një kishë në Argjiropoli, pranë Bizantit, ku mblidheshin më shumë se dy mijë të krishterë për të mësuar dhe kunguar me Misteret e shenjta. E kulloti grigjën shpirtërore të Krishtit për 16 vjet (38-54) dhe më pas fjeti në paqe. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 31 tetor.

SOSTENI

Kur judenjtë e Korinthit, xhelozë për predikimin e apostull Pavlit, e kapën atë dhe e çuan përpara Galionit, prokonsullit të Akaisë (Veprat 18:12), ata u kthyen mbrapsht nga gjykata pa fituar dënimin që kërkonin me të madhe. Plot me mllef, ata e kapën Sostenin, kryetarin e Sinagogës, që ishte kthyer nga Judaizmi në Krishterim, dhe e rrahën me shkopinj. Sosteni e shoqëroi më vonë apostull Pavlin në udhëtimet e tij dhe u bë episkop i qytetit të Kolofonit në Azinë e Vogël, që varej nga mitropolia e Efesit. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 8 dhjetor.

SILA

Sila shkoi bashkë me apostull Pavlin e Varnavën nga Antiokia në Jerusalem, për të sqaruar çështjen e rrethprerjes së të krishterëve. E arrestuan bashkë me Pavlin (Vep. 16:16-39). Udhëtoi me të përgjatë Azisë, Maqedonisë, dhe u bë episkop i Korinthit, ku punoi pa u lodhur për shpalljen e së Vërtetës.  Kreu mrekulli të shumta dhe fjeti në paqe. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 30 korrik.

SILUANI ose SILVANI

Siluani ose Silvani ishte nxënësi që shkroi Letrën e parë të Përgjithshme të apostull Petros, i cilie përmend në përshëndetjet e tij : “Me anë të Siluanit, vëllait besnik, ju shkrova juve me pak fjalë…” (1 Pet. 5:12). Edhe apostull Pavli dëshmon se Siluani e ndihmoi në përhapjen e fjalës së Perëndisë (2 Kor. 1:19-22). Siluani u fronëzua episkop i Selanikut, dhe pasi kaloi shumë vuajtje për hir të besimit, fjeti në paqe. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 30 korrik.

SIMEONI ( ose KLEOPA) i JERUSALEMIT, “vëllai i Krishtit”

Simoni (ose Kleopa) ishte një nga katër “vëllezërit” e Krishtit, nga martesa e parë e Josifit, të fejuarit të Marisë. U bë episkop i dytë i Jerusalemit (70-107) pas Jakovit, pas shkatërrimit të qytetit (në v. 70) nga romakët. Në kohën e Trajanit (98-117), u denoncua nga heretikët te sovrani, për arsye të zellit të tij për të afruar pranë Perëndisë izraelitë e joizraelitë dhe për të rrëzuar tempujt paganë. Kështu u arrestua, u torturua egërsisht dhe në vitin 107 u kryqëzua në moshën 120-vjeçare. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 27 prill dhe 30 tetor.

STEFANI, kryedhjakoni dhe dëshmori i parë

Ndërsa besimtarët shtoheshin pa pushim, të Dymbëdhjetët vendosën të caktojnë shtatë vëllezër, të vlerësuar për urtësinë dhe të mbushur me Shpirtin e Shenjtë, për të lehtësuar në kujdesin material komunitetin e të krishterëve. Aktiviteti i Stefanit, që ishte kreu i tyre, u shtri përtej ndihmesës materiale të komunitetit. I mbushur me hirin e Shpirtit të Shenjtë, duke kryer kështu mrekulli dhe duke folur me autoritetin e të dërguarve të Perëndisë, ai admirohej nga të gjithë në një pikë të tillë, saqë judenjtë, të tërbuar që nuk mund t’u jepnin përgjigje argumentimeve të tij, e akuzuan se kishte bërë blasfemi dhe komplot kundër institucioneve të Ligjit dhe e çuan përpara Këshillit Judaik. I riu u paraqit pa frikë përpara gjykatësve, i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, mbajti një fjalim të zjarrtë, një apologji të shkëlqyer të besimit.

Nga zemërimi i madh, akuzuesit e tij vendosën ta vrisnin, duke e qëlluar me gurë. Teksa po e vrisnin, Stefani i qetë dhe rrezatues, ngazëllonte nga gëzimi, duke ndjekur në këtë mënyrë shembullin e Mësuesit të tij. Duke thirrur emrin e Zotit, e dha frymën e fundit, si Jisui mbi Kryq, me këtë thirrje të dashurisë më të lartë për armiqtë: “Zot, mos ua zër atyre mëkat këtë” (Vep. 7:60; shih Lluk. 22:24). Duke e zbukuruar Kishën me perlat e vyera të gjakut të tij, Stefani ishte martiri i parë, që dha jetën për Krishtin. Trupi i shën Stefanit, i varrosur prej njerëzve shpresëtarë, u rigjet pas një zbulese në vitin 415, në Kafargmala, nga prifti Lukian, dhe u transferua në Jerusalem, në kishën e ndërtuar për nder të tij nga perandoresha Evdhokia, gruaja e Theodhosit të Ri. Më pas, e transferuan përsëri në Konstandinopojë. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 27 dhjetor.

TERTI

Terti pasoi në fronin e apostull Sosipatrit si episkop i Ikonisë dhe fjeti edhe ai në paqe. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 30 tetor.

TIHIKU

Tihiku, (shih Efes. 6:21, Kol. 4:7), bashkëpunëtor besnik i Apostullit të Kombeve, ishte me origjinë nga Azia e Vogël. Ai shoqëroi Pavlin nga Korinthi në Jerusalem (Vep. 20:4) dhe i shërbeu si lajmëtar për të transmetuar letrat dhe mësimet e tij në kishat e largëta. Sipas disa burimeve, është ai që e pasoi Sosthenin në fronin e Kolofonit; sipas të tjerëve, ai ishte episkopi i parë i Halkidonës së Bitinisë. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 8 dhjetor.

TIMOTHEU

Timotheu lindi në Listra, qytet romak i provincës së Likaonisë (Azi e Vogël). Pavli e pagëzoi, vendosi duart mbi të dhe e bëri shok në veprat e tij dhe dishepull të tij të preferuar. Ai e quan: “Biri im fort i dashur” (1 dhe 2 Tim. 1) dhe dëshmitar të tij në kisha, duke thënë: “Se si bir me të atin, punoi bashkë me mua për ungjillin” (Filip. 2:22). I butë, i vetëpërmbajtur, model i bindjes dhe i përulësisë, shën Timotheu tregoi zell të palodhur në predikim, si ushtar i mirë i Krishtit (2 Tim. 2:3). Ai ishte përfaqësues i apostujve dhe instrument energjik i Hirit në qeverisjen e Kishave të Perëndisë, për ndreqjen e zakoneve dhe për ruajtjen e mësimit të mirë. Kur apostull Pavli ndërmori udhëtimin e tij të fundit drejt Jerusalemit, që të sillte frytet e ndihmave të grumbulluara në të gjitha kishat, për t’u ardhur në ndihmë të krishterëve të Qytetit të shenjtë (Vep. 20), shën Timotheu ishte shoqërues i tij. Ai ishte i pranishëm në arrestimin e Pavlit (Vep. 22 etj.), e ndoqi në Qesari dhe në Romë, kur u kap rob për herë të parë; por prej andej Pavli e dërgoi me mision pranë kishës së Filipisë (Filip. 2:19-24). Në një letër të dytë, dërguar nga apostulli i burgosur në Romë dhe në prag të vdekjes, ai e fton dishepullin e tij besnik, t’i shkonte pranë në çastet e tij të fundit. Timotheu u kthye në dioqezën e tij pas vdekjes së apostullit. Thuhet se në Efes takoi shën Joan Theologun, prej të cilit mori një tepri hiri dhe ndriçim shpirtëror .Një ditë, kur paganët e qytetit përgatiteshin të kremtonin një nga festat e tyre të ndyra, të cilat përfundonin gjithmonë në orgji dhe vrasje, apostull Timotheu tentoi të ndërhynte që të ktheheshin në shtëpi. Por ata ishin bërë si bisha të egra, ndaj u sulën mbi të dhe e rrahën. Dishepujt e apostullit mezi mundën t’ua rrëmbenin shenjtin nga duart dhe, gjysmë të vdekur, e hipën në një vend të lartë atje ngjitur, ku dhe fjeti në paqe. Trupi i shën Timotheut u varros afër varrit të apostull Joanit. Më 356, lipsani i tij u transferua solemnisht në Konstandinopojë nga shën Artemi (20 tetor), ku u vendos në kishën e Apostujve të Shenjtë. Kreu atje shumë mrekulli, derisa kryqëzatat latine i vodhën gjatë plaçkitjes së qytetit, më 1204.[18] Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 22 Janar.

TITI

Titi “duke qenë grek”, pra i parrethprerë (Gal. 2:3), d.m.th. idhujtar, e kishte prejardhjen ndoshta nga Antiokia. U konvertua nga predikimi i apostull Pavlit dhe u bë pasues i çmuar dhe bashkëpunëtor i tij, meqë shquhej për karakter të fuqishëm e të pathyeshëm ndaj vështirësive. Shoqëroi mësuesin e tij në Jerusalem, për Sinodin Apostolik në vitin 49 (Gal. 2:1) Së bashku me Pavlin ungjillëzoi Krishtin shpëtimtar në Efes (54-58). Më vonë arriti të përfundonte me sukses (rreth vitit 57) një mision të vështirë në Kishën e Korinthit (2 Kor. 7:6,13; 12:17-18). Apostull Pavli e dërgoi në Kretë, që të organizojë Kishën atje, me seli qytetin e lashtë të Gortinës, ku qëndroi deri në fjetjen e tij në pleqëri të thyer. Në Letrën e tij “Titit, birit të vërtetë” (1:4), Pavli porosit “që të korrigjojë mangësitë” duke vendosur episkopë të denjë (1:5-9) duke këshilluar dhe përsosur kategoritë e ndryshme të besimtarëve, duke meshuar e punuar pa pushim (2:1-3:11). U varros në Gortinë dhe pas shumë shekujsh lipsani i tij u transferua në Kishën e Shën Markut, në Venedik, por në maj 1966 u kthye në ishullin e tij. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 25 gusht.

VARNAVA (BARNABA)

Nga Josi, që quhej fillimisht, mori emrin Varnava .Udhëhoqi apostull Pavlin në fillimet e kthimit të tij në besimin e krishterë. Ishte hebre levit nga Qiproja, “një njeri i mirë dhe plot me Shpirt të Shenjtë e besë”(Vep. 11: 24), tepër human, kishte shitur arën e tij dhe paratë i hodhi në arkën e përbashkët të Kishës.

U dërgua së bashku me Pavlin në Qipro dhe në Azinë e Vogël. Në vitin 49 morën pjesë në Sinodin Apostolik të Jerusalemit, ku çliruan të krishterët nga dispozitat judaike. Më pas, teksa programonin një udhëtim të dytë, u ftohën me njëri-tjetrin, sepse Pavli nuk e donte nipin e Varnavës, Markun, pasi ky e kishte braktisur gjatë udhëtimit të parë. Kështu Varnava mori me vete Markun dhe lundroi drejt Qipros. Dy apostujt, nga sa duket, bashkëpunuan përsëri në vitin 56. Sipas të gjitha gjasave, Varnava veproi më pas në Aleksandri, Romë, ndoshta edhe në Milano. Së fundi, izraelitët e Salaminës së Qipros, duke pasur smirë ndaj krijuesit e Kishës së atjeshme, e vranë. Lipsani i tij i nderuar u gjet më 488, duke mbajtur në kraharor Ungjillin sipas Mattheut. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 11 qershor.

Dhjakonët PROHORI, NIKANORI, TIMONI, PARMENAI

Së bashku me Stefanin dhe Filipin, përbëjnë grupin e shtatë dhjakonëve, të cilët u zgjodhën dhe hirotonisën prej të Dymbëdhjetë Apostujve, për t’iu lehtësuar pjesën e shërbimit. Nikolla (edhe ky prej shtatë dhjakonëve) nuk nderohet si shenjtor, sepse, sipas mendimit të shumicës së Etërve, ishte krijuesi i herezisë së shëmtuar dhe imorale të Nikollaitëve shih Zbulesën Hyjnore (Apok. 2:14-15). Megjithatë ekziston dhe mendimi se ai vetë bëri një jetë të pastër, por pasuesit e tij e keqinterpretuan një frazë të tij dhe devijuan. Dhjakonët më vonë iu përkushtuan gjithashtu misionarizmit. Tradita na informon për këta të katërt. Prohori ndihmoi Joan Ungjillorin e Theologun (26 shtator), vuajtën së bashku dhe, sipas diktimit të tij, shkroi Apokalipsin (Zbulesën hyjnore). Pas jetëndërrimit të Joan Ungjillorit, shërbeu si episkop i Nikomedisë në brigjet aziatike të Propondidhës, ku u preh pas një punë baritore rezultative. Nikanori fjeti në paqe të njëjtën ditë që u martirizua Stefani, megjithëse “Veprat e Apostujve” nuk e përmendin. Timoni u bë prej apostujve episkop i Vostronëve të Arabisë. Meqë atje u përpoq ashpër dhe bëri shumë të krishterë, u rrah prej idhujtarëve dhe u dogj në zjarr. Në fund Parmenai, pasi i shërbeu me devocion vëllezërve, u sëmur dhe dha frymë përpara apostujve, të cilët dhe e varrosën. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tyre më 28 korrik.

ZENAI (ose ZINONI)  

Zinai (ose Zinoni) ishte nxënës dhe bashkëpunëtor i apostull Pavlit, i cili në Letrën drejtuar Titit e quan “ligjtar”, pasi ishte njeri i ditur dhe drejtonte çështjet juridike të këshillave kishtare. Kisha Ortodokse feston kujtimin e tij më 27 shtator.

Shiko edhe

Redakto

Referime

Redakto
  • Migne, J.P. (General Editor). Cursus Completus Patrologiae Graecae. Paris: 1857–66.
  • Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.I Shtator - Tetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014.
  • Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.II , Nëntor - Dhjetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014.
  • Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.III Janar - Shkurt, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2016.
  • Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.IV Mars - Prill, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2019.
  • Θρησκευτικὴ καὶ ἠθικὴ ἐγκυκλοπαίδεια, Εκδότης Αθ. Μαρτίνος, Αθήναι : 1962-1968, τομ.2, Αθηναι 1963 [1]
  • Nicon Patrinacos, A Dictionary of Greek Orthodoxy, Hellenic Heritage Publications, Pleasantville, NY, 10570, 1987.
  • Ιωάννης Μ. Φουντούλης, ΛΕΙΤΟΥΡΓΙΚΗ Α΄: Εισαγωγή στη Θεία Λατρεία, Β’ εκδοση, Θεσσαλονίκη, 1995.
  • The Synaxarion: The Lives of the Saints of the Orthodox Church, Volume V: May - June, Translated from French by: Mother Maria (Rule) and Mother Joanna (Burton), ISBN: 960-518-247-5, 2005.
  • The Synaxarion: The Lives of the Saints of the Orthodox Church, Volume VI: July, August, Translated from French by: Mother Maria (Rule) and Mother Joanna (Burton), ISBN: 978-960-518-305-9, 2008.

Referime

Redakto
  1. ^ Θρησκευτικὴ καὶ ἠθικὴ ἐγκυκλοπαίδεια, Εκδότης Αθ. Μαρτίνος, Αθήναι : 1962-1968, τομ.2, Αθηναι 1963, σ. 1176.
  2. ^ Θρησκευτικὴ καὶ ἠθικὴ ἐγκυκλοπαίδεια, Εκδότης Αθ. Μαρτίνος, Αθήναι : 1962-1968, τομ.2, Αθηναι 1963, σ.1203-4.
  3. ^ Hieromonak, Makarios (2016). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi III, Janar - Shkurt. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 60–63. ISBN 978 - 9928 - 4377 - 3 - 0.
  4. ^ "Oρθόδοξος συναξαριστής, Άγιος Φυγέλλος Απόστολος από τους Ο'" (në greqisht).
  5. ^ "Kalendari Kremtues Ortodoks".
  6. ^ Hieromonak, Makarios (2019). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi IV, Mars - Prill. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 492. ISBN 978-9928-266-06-4.
  7. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.III Janar - Shkurt, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2016, fq. 614 - 615
  8. ^ Hieromonak, Makarios (2014). Sinaksri, Jeta e shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi I Shtator - Tetor. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 323. ISBN 978 - 9928 - 4251 - 0 - 2.
  9. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.IV Mars - Prill, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2019, fq. 491.
  10. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.I Shtator - Tetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014, fq. 639 - 640.
  11. ^ Hieromonak, Makarios (2014). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi II Nëntor - Dhjetor. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 453–454. ISBN 978 - 9928 - 4251 - 5 - 7.
  12. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.IV Mars - Prill, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2019, fq. 190.
  13. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.I Shtator - Tetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 201, fq. 631.
  14. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.I Shtator - Tetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014, fq. 99 - 100.
  15. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.II , Nëntor - Dhjetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014, fq. 245 - 246.
  16. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.II , Nëntor - Dhjetor, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2014, fq. 114
  17. ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.III Janar - Shkurt, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2016, fq. 634 - 635.
  18. ^ Hieromonak, Makarios (2016). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, Vëllimi III Janar - Shkurt. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 304–305. ISBN 978 - 9928 - 4377 - 3 - 0.