Dr.Skënder Sinojmeri, (* 26 Mars 1930 në qytetin e Gjirokastrës; † 29 tetor 2009) ështe një ndër mjekët më të shquar shqiptarë që u arsimua ne akademitë më me emër si në lindje ashtu edhe në perëndim. Duke qënë ndër të parët okulistë të arsimuar ai hodhi bazat e okulistikes në Shqipëri.

Fëmijeria

Redakto

Skënderi i biri i Abdurrahmanit dhe i Ferides, lindi më 26 Mars të vitit 1930 në qytetin e Gjirokastrës, në një familje me origjinë të vjetër qytetare gjirokastrite. Ai i kaloi vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës në rrugët e gurta të lagjes Dunavat, ku kreu arsimin fillor dhe atë shtatëvjeçar. Vitet e shkollës së mesme i kreu në gjimnazin “Asim Zeneli”, në Gjirokastër, një nga gjimnazet më me emër në vitet e para të pas luftës.

Në vitet 1948-1949 përfundoi maturën me rezultate të shkëlqyera.

Arsimimi

Redakto

Në vitin 1950, iu dha e drejta për të studjuar jashtë shtetit, në Akadiminë Mjekësore Ushtarake “KIROV” në Leningrad, një nga akademitë më prestigjoze në Evropën Lindore të asaj kohe. Vitet 1950-1957 kanë qënë vitet e një pune të madhe, e një studimi të vazhdueshëm e të pandërprerë në fushën e mjekësisë, duke përfunduar Universitetin me “Medalje të Artë” e duke u vlerësuar nga stafi akademik si student me diplomë të shkëlqyer.

Nga shtatori 1957 deri në korrik 1958 vazhdoi studimet pasuniversitare pranë asaj akademie duke u përgatitur si mjek okulist. Studimet pasuniversitare dhe natyra e tij hulumtuese, krijuan tek ai njohuri shkencore me baza të shëndosha, duke e përgatitur Skënder Sinojmerin si një okulist të ardhshëm të talentuar.

Emri i tij i gdhëndur në pllakë mermeri në mjediset e asaj akademie, që tashmë ka marr emrin e Lebedjevit, vazhdon të qëndrojë po në atë vend dhe pas pesëdhjetë vjetësh, duke u pasuruar me emra te tjere studentesh te shkelqyer ne vite.

Karriera

Redakto

Në gusht të vitit 1958, Skënder Sinojmeri u kthye në atdhe dhe u emërua mjek okulist pranë Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak në Tiranë, ku filloi dhe epoka e trajtimeve okulistike pranë këtij spitali, që deri atëhere bëhej e rastësishme për nevoja të ushtrisë nga doktor Kristidhi. Dr. Skënder Sinojmeri është themeluesi i shërbimit okulistik në S.P.U. dhe ndër okulistët e parë të përgatitur profesionalisht. Në vitet 1960-1970 ka qënë pedagog i lëndës së okulistikës në Fakultetin e Mjekësisë dhe gjithmonë bashkëautor i teksteve dhe i artikujve e studimeve në buletinet dhe revistat mjekësore.

Në vitin 1970 Dr. Skënderi shkoi për specializim në Paris te Frances ku asistoi në trajtimet e kirurgjisë oftalmologjike në klinikat me emer: “Hotel Dieu” dhe “Broussais”, nën drejtimin e profesorëve të nderuar Gyert Offret dhe Yves Pouliquen, ndër emrat më të shquar të kirurgjisë oftalmologjike evropiane të asaj kohe. Pas përfundimit me sukses të specializimit, nga ku largohet me vlerësimet me të larta, dr. Skënderi vihet në avangardën e trajtimeve të shumë metodave të reja të përparuara në fushën e trajtimit të sëmundjeve të syrit e kirurgjisë së tij.

Në vitin 1974, është i pari mjek, që në Institutin e Kerkimeve te Mjekesise Ushtarake mbrojti disertacionin në kërkim të gradës shkencore “Kandidat i Shkencave Mjekësore” me temën “Katarakti dhe kirurgjia e tij”, dhe në vitin 1976 titullin “Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor”. Autoriteti i tij në fushën e okulistikës në vitet 1976-1985, arriti kulmin duke u bërë një nga mjekët më zë në këtë fushë, gjë që përkon padyshim me kohen kur kontaktet e Dr. Skënderit me eksperiencat e mjekeve francezë u bënë më të shpeshta. Në këtë periudhë, në vendin tonë u futën për herë të pare Lentet e Kontaktit dhe më pas trajtimi i disa sëmundjeve të syrit me anë të aparatit me rreze Argon-Lazer, teknika të përparuara dhe bashkëkohore, të cilat u aplikuan me sukses dhe me rezultate pozitive sipas kushteve të kohës.

Dr. Skënderi u terhoq nga puna e tij në spitalin ushtarak ne mes te viteve '80 duke punuar me vonë në klinikat moderne private qe u ndertuan ne Shqipëri. Ai dha shumë nga eksperienca e tij në keto klinika. Dr. Skënderi u terhoq përfundimisht nga profesioni i tij në vitin 2005 per shkak të moshës së thyer.

Okulisti i nderuar u nda nga jeta në 29 tetor të vitit 2009 ne moshën 79 vjeçare duke lënë pas një trashëgimi me shumë vlerë në fushën e okulistikës.

Lidhje të jashtme

Redakto