Todi Lubonja
Todi Lubonja (Korçë, 13 shkurt 1923 - Tiranë, 20 nëntor 2005) ka qenë pjesëmarrës në rezistencën shqiptare të Luftës së Dytë Botërore me LANÇ, anëtar i forcave të ndjekjes kundër palëve antikomuniste shqiptare, nëpunës i shtetit shqiptar pas çlirimit, drejtues i mediave kryesore deri më 1973, kur u shkarkua prej Radio-Televizionit Shqiptar dhe u burgos e internua deri me ndryshimet politike në Shqipëri.
Biografia
RedaktoU rrit në Korçë, i biri i Aleksit dhe Sotires,[1] por u rrit në Tiranë. Iu bashkua grupit komunist të Korçës në Tiranë më 1940.[2]
Në mars të 1942 në prani të Tuk Jakovës, Lubonja u zgjodh në Komitetin Qarkor të Durrësit.[3] Vitet e para të regjimit komunist qe pjesë e Brigadave të Ndjekjes, veprimtari për të cilën në shtyp janë botuar letra ku radhiten bëmat e forcave ndjekjes në gjykimin e ekzekutimin e kundërshtarëve dhe strehuesve të tyre.[4] Për kontributin e tij u dekorua me medaljen e kujtimit, çlirimit, dhe 2 medalje trimërie: Urdhrin e Trimërisë, Urdhrin Flamurit dhe Urdhrin e Lirisë të klasit të tretë.[1]
Punoi si sekretar partie në Elbasan prej 1951 deri më 1953 dhe në Kukës, 1954-1955. Nga 1955 e deri në shkurt 1964, qe sekretari i parë i organizatës Rinia Komuniste ku dhe u bë koleg i afërt me Ramiz Alinë. Nga 1964 e deri më 1968 qe kryeredaktor i së përditshmes "Zëri i Popullit". Pas tre vjetëve e gjysmë në Korçë si sekretar i dytë i partisë, u caktua nga Alia drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar në Tiranë, muajt e parë të 1972.[2]
Më 25 dhjetor të 1972 u mbajt festivali i 11-të i Këngës në RTSH me një atmosferë liberale. "Liberalizim" tek i cili u gjet shkaku për ta dënuar Lubonjën. Pleniumin e IV-të që u mbajt më 26-28 qershor 1973, Lubonja e Fadil Paçrami u shënjestruan nga Enver Hoxha në një fushatë kundër liberalizmit dhe "ndikimeve të huaja". Këta dy qenë viktimat kryesore të përndjkjes së liberalëve. Lubonja u arrestua më 24 korrik 1974 dhe u dënua me 15 vjet burg, prej të cilave hoqi burgjeve 13 vjet nga 1974 deri më 1987, kryesisht në Burrel. Ai u lirua më 7 qershor 1987 u internua deri më 1990.[2]
Familja e tij ndërkohë që ishte në burg ishte gjithashtu e internuar në Torovicë, ndërsa i biri i tij Fatos Lubonja u dënua gjithashtu burg politik si i ati, prej ku doli vetëm pas ndryshimeve politike të fillimviteve '90.[2]
Ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare në Tiranë.
Veprat
RedaktoNë këto 15 vjet Todi Lubonja ka lënë dëshminë e tij të sinqertë në disa libra që do të ndihmojë në një të ardhme për ta parë historinë me sytë e dëshmitarëve. Janë librat autobiografikë Nën peshën e dhunës, Ankthi pa fund i lirisë dhe Pse hesht shtëpia e muzikës.
Referime
Redakto- ^ a b "Ja si i hedh poshtë Todi Lubonja akuzat e të birit, Fatosit". tiranapost.al. 9 shtator 2017.
- ^ a b c d Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B. Tauris në bashkëpunim me Qendrën për Studime Shqiptare. fq. 289. ISBN 9781780764313.
- ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 205. ISBN 9789928106384.
- ^ "Todi Lubonja: Vramë 4 të arrestuar dhe 3 strehues". gazetatema.net. Gazeta Tema.