Vasil Gërmenji
Vasil Gërmenji (Manastir, 12 mars 1908 - New York, 28 nëntor 1988) qe mësues, gazetar, veprimtar i Ballit dhe diplomat i çështjes shqiptare.
Jeta
RedaktoLindi në hotelin "Liria" në qendrën e Vilajetit të Manastirit që kishin hapur i ati, Telemaku me të vëllanë, Themistoklinë. Ngel jetim nga i ati kur qe gjashtë, dhe e ëma greke e lë të rritet tek ungji i tij. U rrit dhe u edukua në Korçë ku kreu dhe liceun e qytetit, studimet e larta për inxhinieri hekurudhash i kreu në Marsejë, Francë. Atje njohu të shoqen, Germain, ku u martua para se të kthehej në atdhe më 1934.
Me qeverinë e "të rinjve" të Mehdi bej Frashëri u shfaq një frymë e gatshme për të pranuar risitë, hyn në garë për zyrën e prefektit të Korçës por mbas dy javësh i lodhur nga klima morale e kohës tërhiqet nga politika dhe vazhdon të japë mësim në Shkollën Teknike. Largohet nga Shqipëria në mars të 1939, pak javë para pushtimit italian. U vendos sërish në Marsejë, ku nga shtrëngimi punoi edhe këpucar në një dyqan që hapi me të shoqen.
Pas pushtimit të Francës jugore nga forcat gjermane, i bashkohet Frontit Luftarak Francez, Resistence Nacional, që kryesohej nga Fransua Miterrâ, i cili, kur vdiq Vasili, ishte president i Francës. Në mbarim të luftës i jepet në shenjë nderimi “ Kryqi i Meritës ” i klasit të parë dhe njihet zyrtarisht veteran i Çlirimit Kombëtar Frances. Pas Luftës vazhdoi punën në dyqanin e këpucëve.
Paslufta
RedaktoI propozohet nga Behar Shtylla të kthehet në Shqipëri, por nuk bien dakord për çështjen e Kosovës. Me 26 gusht 1949, shpallet në Paris Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, nën kryesinë e Mithat Frashërit. Vasil Gërmenji, i pa angazhuar në asnjë grupim politik, pa vonuar, në fillim të vitit 1950, përmes buletinit “I mërguemi”, përkrah idenë për një përfshirje sa më të gjerë në këtë komitet. Faktin që Komiteti e kishte selinë në Nju Jork, megjithëse akoma nuk ishte antar i tij, e vlerëson si diçka të rëndësishme e shpresdhënëse.
Pas reformimit të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, kur drejtimin e tij e mori Hasan Dosti, Vasil Gërmenji emërohet antar i këtij komiteti. Më 1956, kur në krye të këtij komiteti emërohet Dr. Rexhep Krasniqi, Vasil Gërmenji ishte antari i parë që u ftua për të marrë pjesë në të, ftesë që ai e pranoi menjëherë. Pas rregullimit të shpejtë të dokumentave të udhëtimit, emigron në SHBA dhe shërben me kompetencë të jashtëzakonshme në çdo fushë të veprimtarisë së Komitetit. Doli në pension më1973. Ndërroi jetë bashkë me të shoqen prej një aksidenti automobilistik më dt. 28 nëntor 1988, në 12 të ditës[1].
Burime
Redakto- ^ Lamaj I., Vasil Gërmenji, nipi i Themistokli Gërmenjit, diplomat i shquar në kryqëzatën kundër komunizmit, Dielli, gusht 2013 dhe Telegraf.