Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2013/52
Kaaba (arabisht الكعبة al-kaʿba = kub, zar) është një ndërtesë në formë kuboidi (paralelepipedi) dhe shenjtërorja kryesore e fesë islame. Ajo ndodhet në oborrin e Xhamisë së Shenjtë në Mekkë, Arabi Saudite. Qabeja vlen në fenë islame si faltorja kryesore. Sipas legjendës ajo thuhet të jetë ndërtuar nga profeti i parë Adami (arabisht آدم = Ādam) por më vonë thuhet të ketë rënë në harresë dhe të ketë përfunduar në rrënojë. Profeti Abraham (arabisht إبراهيم = Ibrāhīm) dhe i biri i tij Ismāʿīl (arabisht إسماعيل) thuhet ta kenë zbuluar dhe rindërtuar atë me ndihmën e zotit. Të dy këto figura, të cilat luajnë rol edhe në kristianizëm dhe në judaizëm, vlejnë si profetë të fesë islame.
Që në kohën para-islamike kjo ndërtesë adhurohej nga fiset arabe si shenjtërore e perëndisë Hubal. Në kultin e Qabesë para-islamike bënin pjesë përveç adhurimit të allahut edhe ai i perëndeshave al-Lat, Manat dhe al-Uzza. Feja islame e ka marrë psh. kultin e meteoritit të zi të Qabesë nga feja e vjetër arabe ashtu si edhe pelegrinazhin për në Mekkë. Urdhëresat islamike në lidhje me pastërtinë rituale (tahāra) e kanë origjinën të paktën pjesërisht në urdhëresat përkatëse të fesë më të vjetër arabe.
Prej vitit 632 Qabeja është shenjtore vetëm islamike. Megjithatë gjatë luftimeve të brendëshme të kalifatit të vitit 692 ajo u godit me mjete zjarri dhe më 931 „guri i zi“ u morr me vete nga ndjekësit e sektit shiito-ismailit të karmatëve për në Bahrain; vetëm pas vitit 951 guri u kthye (me ndërmjetësimin e fatimidëve po ashtu ismailitë) në Mekkë. Sulltani osman Murati i IV urdhëroi më 1630 që të ndërtohej një e re.