Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2013/6
Johann Wolfgang Goethe (shqip: Johan Volfgang Gëte) lindi më 28 gusht 1749 në Frankfurt am Main dhe vdiq më 22 mars 1832 në Weimar të Gjermanisë. Në vitin 1782 atij ju dha titulli noblesk "Johann Wolfgang von Goethe". Gëte ishte jo vetëm një penë e zjarrtë e poezisë gjermane, por dhe një dramaturg e publicist i disa veprave letrare me tematikë shkencore. Pas vitit 1776 Gëte mori përsiper edhe detyra politike dhe organizative në oborrin e Weimarit. Krijimtaria letrare e Gëtes përmban një numër të konsiderueshëm me poezi, drama, tregime e novela. Perveç tyre ai ka publikuar dhe një numër të shumtë dorëshkrimesh autobiografike, estetike, artistiko-letrare, si dhe shkrime me përmbajtje nga fusha e shkencave natyrore. Një rëndësi të konsiderueshme për letërsinë kanë dhe korespondencat apo shkëmbimet e letrave, gjë të cilën ai e bënte me shumë pasion. Ne krijimtaritë fillestare letrare spikasin idetë e tij demokratike të iluminizmit. Vlerat e tij si shkrimtar i talentuar u thelluan tek romani i shumëlexuar "Stuhi e vrull", për shkrimin e të cilit Gëte dha kontributin kryesor. Kurse si talent i romantizmit ai u bë gjerësisht i njohur në mbarë Evropën në vitin 1774 me romanin "Vuajtjet e djaloshit Verter". Më vonë Gëte ndryshoi stilin e shkrimeve të tij duke ju referuar idealeve të antikes. Pas viteve 1790 së bashku me Friedrich Schiller ata u bënë përfaqsuesit më të denjë të epokës klasike të Weimarit. Gëte njihet edhe sot si një nga figurat më të shquara të letërsisë gjermane dhe asaj botërore.