Arkeologjia e Ajodhjës
Arkeologjia e Ayodhyas ka të bëjë me gërmimet dhe gjetjet në qytetin Ajodhja në shtetin indian të Uttar Pradeshit. Shumë nga këto janë në vendin që rrethon Xhaminë Babri.
Studimet e Periudhës Britanike
RedaktoNë vitet 1862-63, Alexander Cunningham, themeluesi I Archaeological Survey of India (ASI), zhvilloi një shqyrtim arkeologjik në Ayodhya.[1] Cunnigham e identifikoi Ayodhyan me Sha-chin e përmendur në shkrimet e Fa-Hsienit, Visakhan e përmendur në shkrimet e Xuan Zangut dhe Saketën e përmendur në legjendat hindu dhe budiste. Sipas tij, Gautama Buda kaloi gjashtë vjet në këtë vend. Megjithëse Ayodhya është përmendur në mjaft tekste të lashta hindu, Cunningham-I nuk gjeti struktura të lashta në qytet. Sipas tij, tempujt brahmanik që ekzistonin në Ajodhja ishin me origjinë relativisht moderne. Duke ju referuar legjendave, ai shkroi se qyteti i vjetër i Ajodhjas duhet të ketë qenë braktisur pas vdekjes së Brihadbalas "në luftën e madhe" rreth vitit 1426 p.e.s. Kur mbreti Vikramāditya i Uxhainit vizitoi qytetin rreth shekullit të parë të erës sonë, ai ndërtoi tempuj të rinj në vendet e përmendura nga Ramajana. Cunninghami besonte se nga koha që Xuan Zangu e vizitoi qytetin në shekullin e VII, tempujt e Vikramadityas "tashmë ishin zhdukur"; qyteti ishte një qendër budiste dhe kishte mjaft monumente budiste.[2] Objektivi kryesor i Cunninghamit në shqyrtimin arkeologjik të Ayodhyas ishte të zbulonte këto monumente budiste.[3]
Në vitet 1889-91, një skuadër e ASI-t e drejtuar nga Alois Anton Führer zhvilloi një tjetër shqyrtim arkeologjik në Ajodhja.[1] Führeri nuk gjeti ndonjë statujë, skulpturë ose kolonë të lashtë që të shënonte site të tjera të lashta. Ai gjeti "një mas të vogël të parregullt pirgu mbetjesh", materiali i të cilit kishte qenë përdorur për ndërtimin e qytetit të afërt mysliman të Faizabadit. Strukturat e vetme të lashta të gjetura nga ai ishin tre pirgje mbetjesh në jug të qytetit: Maniparbati, Kuberparbati dhe Sugribparbati. Cunninghami i identifikoi këto pirgje mbetjesh me sitet e manastireve të përshkruara në shkrimet e Xuan Zangut. Si Cunninghami, edhe Führeri përmendi qytetin e periudhës së legjendës së Ramajanas që u shkatërrua pas vdekjes së Brihadbalas dhe rindërtimin e tij nga Vikramaditya. Ai shkroi se tempujt ekzistues brahmanik dhe xhainistë në qytet ishin modernë, megjithëse ata gjendeshin në sitet e tempujve të lashtë që kishin qenë shkatërruar nga myslimanët. Pesë tempujt xhainistë të sektit Digambara kishin qenë ndërtuar në vitin 1781 për të shënuar vendet e lindjes së pesë tirthankarave, që thuhet se kanë lindur në Ajodhja. Një tempull xhainist i sektit Svetambara kushtuar Ajitanathas ishte ndërtuar në vitin 1881. Bazuar në rrëfimet folklorike vendore, Führeri shkroi se Ajodhja kishte tre tempuj hindu në kohën e pushtimit mysliman: Xhanmasthanami (në vendin ku kishte lindur Rama), Svargadvarami (në vendin ku ishte kremuar Rama) dhe Treta-ke-Thakuri (në vendin ku Rama kishte kryer një flijim). Sipas Führerit, Mir Khani e ndërtoi xhaminë Babri në vendin Tempullit Xhanmasthanam në vitin 930 të hixhras (viti 1523). Ai pohonte se shumë kolona të tempullit të vjetër kishin qenë përdorur nga myslimanët për ndërtimin e xhamisë Babri: këto kolona ishin në gur të zi, të quajtur kasauti nga vendasit. Führeri shkroi gjithashtu se Aurangzebi kishte ndërtuar xhamitë tani të rrënuara në sitet e tempujve Svargadvaram dhe Treta-ke-Thakur. Një mbishkrim fragmentar i Jayachandras së Kannaujit, i datuar nga viti 1241 Vikram Samvat (viti 1185) dhe një regjistrim i ndërtimit të një tempulli të Vishnut ishin rekuperuar nga xhamia Treta-ke-Thakur e Aurangazebit dhe u mbajtën në muzeun e Faizabadit.[4]
Studimet arkeologjike në vitet 1960 dhe 1970
RedaktoAwadh Kishore Naraini i Banaras Hindu University drejtoi një gërmim në Ajodhja gjatë viteve 1969-70. Ai e datoi themelimin e Ajodhjas në fillim të shekullit të XVII p.e.s. dhe vuri gjithashtu në dukje se kishte të dhëna të pranisë së fortë budiste në zonë.[5] B. B. Lali drejtoi një studim më të detajuar të ASI-t të zonës në vitet 1975-76.[5] Megjithëse rezultatet e këtij studimi nuk u publikuan në atë periudhë,[6] midis viteve 1975 dhe 1985 një projekt arkeologjik u zhvillua në Ajodhja për të shqyrtuar disa site të përmendura nga Ramajana ose që i përkisnin traditës së saj. Siti i Xhamisë Babri ishte një nga katërmbëdhjetë sitet e shqyrtuara gjatë këtij projekti. Pas një pushimi prej disa vjetësh që nga gërmimet, një artikull në revistën e Rashtriya Swayamsevak Sangh, Manthan në tetor të vitit 1990 nga B.B. Lali- drejtoi skuadrën e Archaeological Survey of India (ASI) që pohohet se ka gjetur bazat e kolonave të asaj çfarë mund të ketë qenë një tempull në sitin që duhet ti ketë përkitur një ndërtese më të madhe se sa Xhamia Babri. Skuandra e arkeologëve të ASI-t, të drejtuar nga ish drejtori i përgjithshëm i ASI-t (1968–1972), Braj Basi Lal në vitet 1975–76, punoi mbi një projekt të titulluar "Arkeologjia e Siteve të Ramayanas", që gërmoi pesë site të lidhur me Ramajanan në Ajodhja, Bharadwaj Ashramin, Nandigramin, Chitrakootin dhe Shringaverapuran.[6] Në Ajodhja, skuadra gjeti rreshta me baza kolonash që duhet ti përkisnin një ndërtese më të madhe se sa Xhamia Babri. Në dëshminë e vitit 2003 në Gjykatën e Lartë të Allahabadit, Lali pohoi se plotësoi një raport paraprak me shtatë faqe për ASI-n, duke përmendur zbulimin e "bazave të kolonave", menjëherë në jug të strukturës së Xhamisë Babri në Ayodhya. Më pas, të gjitha shërbimet teknike u tërhoqën dhe megjithë kërkesat e përsëritura, projekti nuk u rinis për 10-12 vitet pasues. Kështu raporti përfundimtar nuk u plotësua kurr, raporti paraprak u publikua vetëm në vitin 1989 dhe në volumin e Indian Council of Historical Research mbi historicitetin e Ramayanas dhe Mahabharatas.[6] Më pas, në librin e tij të vitit 2008 Rama: His Historicity Mandir and Setu, ai shkroi se "Bashkangjitur me kalatat e Xhamisë Babri, ndodheshin dymbëdhjetë kolona guri, që përmbanin jo vetëm motive dhe modelime tipike hindu, por gjithashtu edhe figura të hyjnive hindu. Ishte e vetë-kuptueshme se këto kolona nuk ishin pjesë përbërëse e xhamisë, por ishin të huaja për të"’[7] Në këtë mënyrë, gjetjet arkeologjike të bazave të kolonave të bëra prej tullash të pjekura, pak metra nga xhamia, tregonin se një tempull i madh qëndronte në pozicionin e Xhamisë Babri që nga shekulli i XI.[8] Në një trashe në një largësi prej katër metrash nga xhamia, u gjetën rreshta paralelë themele kolonash të përa prej tullash dhe gurësh.[9] Profesor Gupta, më vonë, mbi gjetjet e bëra përpara vitit 1990 komentoi: "Mjaft nga kolonat e tempullit ekzistonin në xhami dhe bazat e kolonave të zbuluara në gërmimet e zhvilluara në jug të xhamisë (megjithëse në pjesën e afërt të terrenit) tregojnë të njëjtin rreshtim drejtimor. Kjo do të bindëte çdo student të arkitekturës se dy sete mbetjesh materiale i përkasin të njëjtit kompleks“.
Qershor korrik 1992
RedaktoNë korrik 1992, tetë arkeologë të shquar (midis tyre ishte drejtorët e ASI-t Dr. Y.D. Sharma dhe Dr. K.M. Srivastava) shkuan në kodrën Ramkot për të shqyruar dhe vlerësuar gjetjet. Këto gjetje përfshinin skulptura fetare dhe një statujë të Vishnut. Ata thanë se kufiri i brendshëm i strukturës së kundërshtuar, të paktën në një anë, mbi një strukturë që ekzistonte më herët, që “mund ti ketë përkitur një tempulli më të hershëm”.[10] Objektet e shqyrtuara nga ta përfshinin gjithashtu imazhe hindu prej terrakote të Periudhës Kushane (100-300 i e.s.) dhe objekte të skalitura në gurin ranor të vërdhemë që paraqisnin imazhe të hyjnive Vaishnavite dhe Shiva-Parvatit. Ata konkluduan se këto fragmente i përkisnin një tempulli në stilin Nagara që i përkiste viteve 900-1200. Prof. S.P. Gupta mbi zbulimet komentoi:
"Skuadra gjeti se objektet ishin të datueshme nga periudha që varionte nga shekulli i X deri në shekullin e XII, d.m.th., periudha e Pratiharave të vona dhe Gahadvalëve të hershëm. (....) Këto objekte përfshinin një numër amakalash, d.m.th. hallkat e elementeve arkitekturore të tipit të rrotës, që kurorëzonin shikharat bhumi ose majëzat e faltoreve dytësore, ashtu si dhe kreun e kullave ose Shikharave kryesore ... Kjo është një karakteristikë dalluese e të gjithë tempujve veriorë të Indisë të fillimit të periudhës mesjetare (...) Kishte dëshmi të tjera — të kornizave, kapiteleve të kolonave, modanaturave, kornizave të dyerve me modele floreale dhe të tjera — që linin pak të dyshoje rreth ekzistencës së një kompleksi tempullor të shekullit të X-XII në sitin e Ajodhjas."
2003: raporti i ASI-t
RedaktoArchaeological Survey of India (ASI) gërmoi në sitin Ram Xhanm Bhumi me udhëzim të trupës së Laknaut të Gjykatës së Lartë të Allahabadit në Uttar Pradesh në vitin 2003. Arkeologët raportuan gjithashtu të dhëna për një strukturë të madhe të shekullit të X e ngjashme me një tempull hindu që kishte ekzistuar para Xhamisë Babri. Një skuadër prej 131 punëtorësh, duke përfshirë 52 myslimanë — u angazhua në gërmime. Më 11 qershor 2003 ASI lëshoi një raport të ndërmjetëm që vetëm listonte gjetjet e periudhës midis 22 majit dhe 6 qershorit 2003. Në gusht të vitit 2003 ASI dorëzoi një raport me 574 faqe në trupën e Lucknowt të Gjykatës së Lartë të Allahabadit. ASI, që shqyrtoi sitin, hartoi një raport të gjetjeve të periudhës midis 22 majit dhe 6 qershorit 2003. Ky raport thoshte se: Midis strkturave të listuara në raport janë mjaft mure tulle 'në orientimin lindje-perëndim', mjaft me 'orientimin veri-jug', 'dysheme të dekoruara me ngjyra', mjaft 'baza kolonash' dhe një 'kolonë 1.64-metra e lartë (e thyer) e dekoruar me figuranat yaksha në të katër këndet' ashtu si dhe "mbishkrime sanskritishte të vargjeve të shenjta mbi gurë".[11] Raportet e mëparshme të ASI-t, bazuar mbi gjetjet e mëparshme, përmendin gjithashtu mes të tjerave edhe një palë shkallë dhe dy kolona bazalti të zi 'që përmbanin skalitje dekorative të rafinuara me dy figura me këmbë të kryqëzuara në baso-reliev mbi një lule zambaku me një pallua pendët e të cilit janë të ngritura'. Gërmimet dhanë gjurmë të gjera që ndodhej një strukturë e stërmadhe para-ekzistuese nën strukturën me tre kube të Xhamisë Babri. Perimetrat e lashtë nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug kanë qenë zbuluar nën strukturën e Xhamisë Babri. Tullat e përdorura në këta perimetra janë më të hershëm se koha e Baburit. Pjesë të bukura të skalitura në gurë përmbajnë zbukurime hindu si zambakë, xhevahirë Kaustubh, façata të dhëmbëzuara etj., ishin përdorur në këta mure. Këto pjesë arkitekturore dekorative u bashkangjitën me saktësi në pjesë të ndryshme të mureve. Një pjesë e vogël e një pllakate guri është dukshëm në një vend 6.1 metra poshtë njërës prej gropave. Pjesa tjetër e pllakatës qëndron e mbuluar në mur. Pjesa e dalë përmban një mbishkrim me pesë gërma në shkrimin Devanagari, që del se është një emër hindu. Sendet e gjetura poshtë 6.1 metrave duhet të jen të paktën 1,500 vjeçare. Sipas arkeologëve rreth 0.3 metra shtresë e lymi grumbullohet në krye të tokës çdo qind vjet. Balta primare nuk u gjet madje edhe deri në një thellësi prej 10 metrash. Ajo ofroi të dhëna për ekzistencën e disa strukturave në atë vend, të paktën 2,500 vjeçare. Më shumë se 30 baza kolonash janë gjetur në shtrirje të barabarta. Bazat e kolonave janë të vendosura në dy rreshta që janë paralelë. Rreshtat e bazave të kolonave janë të vendosur në drejtimin veri-jug. Një mur është i vendosur sipër një tjetër muri. Të paktën tre shtresa dyshemeje janë të dukshme. U gjet gjithashtu një vend i shenjtë zjarri (Jagna Kund) në formë tetëkëndore. Këta fakte provojnë përmasat e stërmëdha të strukturës para-ekzistuese. Surkhii ka qenë përdorur si një material ndërtimi në Indi për mbi 2,000 vjet dhe në ndërtimet në Xhanma Bhumi, Surkhii ka qenë përdorur gjerësisht. Tulla të modeluara në forma të rrumbullakta dhe në forma dhe përmasa të tjera nuk ishin në modë as gjatë mesjetës as sot. Ishin në modë vetëm 2,000 vjet më parë. Shumë pjesë zbukuruese prej xhasperi (gurë Kasauti) kolonash janë gjetur gjatë gërmimeve. Janë gjetur figura fetare prej terrakote si gjarprinj, elefantë, kalorës, shenjtë etj. Edhe sot, figurat prej terrakote përdoren në adhurimin gjatë festimeve të Divalit, pastaj vendosen në shenjtëroret e tempujve për të kërkuar bekimet hyjnore. Në gërmime janë gjetur tulla të Periudhës së perandorive Gupta dhe Kushane. Gjatë gërmimeve janë gjetur gjithashtu mure prej tulle të Periudhës Garhval (shekulli i XII). Megjithatë deri tani nuk është gjetur asgjë që të provoi ekzistencën e banesave rezidenciale në këtë vend. Gërmimet sugjerojnë një panoramë të një kompleksi të stërmadh që bujtëte një strukturë të vetme të shquar dhe madhështore të përdorur për qëllime fetare dhe jo atë të një kolonie ose Mohalla që konsistonte në shtëpi të vogla. Ishte një vend i pazakonshëm dhe tepër i nderuar dhe jo një vend për banimin e njerëzve të zakonshëm. Pelegrinët hindu e kanë vizituar atë vend prej shumë kohësh. Madje edhe sot përreth atij vendi ka tempujt dhe sendet e gjetura gjatë gërmimeve vërtetojnë ekzistencën e një strukture të shenjtë në stilin Arkitekturor të Indisë Veriore në atë vend.
Disa rezultate të raportit të 2003-it të ASI-t
Redakto- Periudha 1000 p.e.s. deri në 300 p.e.s.
Gjetjet sugjerojnë se një kulturë e Enëve të Zeza të Lëmuara Veriore ekzistonin në sitin e xhamisë midis viteve 1000 p.e.s. dhe 300 p.e.s.. Në vend janë gjetur një emblemë me një legjendë në shkrimin brahmi ashokan, figurina terrakote hyjneshash me karakteristika arkaike, rruaza prej terrakote dhe qelqi, rrota dhe fragmente depozitash kushtimore.[12]
- Periudha Shunga, 200 p.e.s.
Në vend janë gjetur figurina tipike prej terrakote të hyjneshës nënë, njerëzish dhe kafshësh, rruaza, karfica, qeramikë (që përfshinë enë të vizatuara me të zezë, të kuqe dhe gri) si dhe struktura prej guri dhe tullash të Periudhës së Perandorisë Shunga.[12]
- Periudha Kushane, 100-300 i e.s.
Nga kjo shtresë janë gjetur figurina prej terrakote njerëzore dhe kafshësh, fragmente depozitash kushtimore, rruaza, fragmente byzylykësh, qeramika me enë të kuqe me struktura të përmasave të mëdha që shtriheshin në njëzet e dy linja.[12]
- Periudha Gupta (320-600 i e.s.) dhe post-Gupta
Në vend janë gjetur figurina tipike terrakote, një monedhë bakri me emrin e Sri Chandras (Gupta) dhe fragmente qeramike ilustruese të Periudhës së Perandorisë Gupta. Në murin verior është gjetur gjithashtu një faltore me tulla të rrumbullakta me një hyrje nga lindja dhe një depozitë uji.[12]
- Shekulli i XI - XII
Në këtë shtresë është gjetur një strukturë e stërmadhe prej të paktën 50 metrash në orientimin veri-jug. Vetëm katër nga pesëdhjetë bazat e kolonave i përkasin kësaj shtrese. Sipër kësaj shtrese qëndronte një strukturë e ndërtuar në të paktën tre faza, që kishte një sallë të stërmdhe me kolona.[12]
Shqyrtimi me radar
RedaktoNë janarin e vitit 2003, gjeofizikanti kanadez Claude Robillard kreu një shqyrtim me një radar që penetronte tokën. Përfundimet e shqyrtimit ishin si vijon:
"Nën xhami ndodhen disa struktura. Strukturat varionin nga 0.5 deri në 5.5 metra thellë që mund të lidheshin me struktura të lashta dhe bashkëkohore si kolona, mure themelesh, pllaka dyshemeje, që shtriheshin mbi një pjesë të madhe të sitit".
Claude Robillard, krye gjeofizikanti pohoi si vijon:
"Nën sitin e gjetur ndodhen disa anomali që lidhen me disa veçori arkitekturore. Ato mund të lidhen (anomalitë) me kolona, ose dysheme, ose betonin e dyshemeve, murin e themeleve ose diçka. Këto anomali mund të lidhen me veçoritë arkeologjike, por deri sa ne gërmuam, nuk mund ta them me siguri çfarë ndërtimi është nën xhaminë."[13][14]
Mbishkrimet
RedaktoMbishkrimi Vishnu-Hari: Gjatë shkatërrimit të Xhamisë Babri në dhjetor të vitit 1992, u gjetën tre mbishkrime në gurë. Më i rëndësishmi është mbishkrimi Vishnu-Hari i shkruar në një pllakatë 1.10 x .56 metra me 20 linja që përkohësisht u datua rreth vitit 1140. Mbishkrimi përmendëte se tempulli i ishte kushtuar "Vishnut, vrasësit të Balit dhe një prej dhjetë-kokëshve". - Rama është një mishërim i Vishnut që thuhet se ka mundur Balin dhe Ravanan.[15] Mbishkrimi është shkruar në shkrimin Nagari Lipi, një shkrim sanskrit i shekullit të XI dhe të XII.[15] Ai u shqyrtua nga epigrafistë të nivelit botëror dhe studiues të sanskritishtes, mes të cilëve dhe prof. A. M. Shastri.[15] Ajay Mitra Shastri, drejtuesi i Epigraphical Society of India dhe një specialist në epigrafi dhe numizmatikë, e shqyrtoi mbishkrimin Vishnu-Hari dhe pohoi:
"Mbishkrimi është i kompozuar në vargje elokuente sanskrite, përveç një pjese të vogël në prozë dhe është i gdhendur në shkrimin e thjeshtë dhe klasik Nagari të shekullit të XI dhe XII. Ishte i vendosur dukshëm në murin e tempullit, ndërtimi i të cilit është regjistruar në tekstin e shkruar në të. Linja 15 e këtij mbishkrimi, për shembull, na tregon qartësisht se një tempull i bukur i Vishnu-Harit, i ndërtuar me pirgje gurësh (sila-samhati-grahais) dhe me një majëz të bukur të artë (hiranya-kalasa-srisundaram) i pakrahasueshëm nga ndonjë tempull tjetër i ndërtuar nga mbretërit e mëparshëm (purvvair-apy-akrtam krtam nrpatibhir) ishte ndërtuar. Ky tempull i mahnitshëm (aty-adbhutam) u ndërtua në qytetin tempull (vibudh-alaayni) të Ajodhjas të vendosur në Saketamandala (distrikti, linja 17) (...). Linja 19 përshkruan hyjninë Vishnu si shkatërrues i mbretit Bali (dukshëm në paraqitjen e Vamanas) dhe personazhin me dhjetë koka (Dasanana, d.m.th., Ravana)."[15]
Kolonat
RedaktoBazat e kolonave u zbuluan në fillim nga ish drejtori i përgjithshëm i ASI-t, Braj Basi Lal, në vitin 1975. Në Xhaminë Babri ndodheshin të paktën katërmbëdhjetë kolona guri që janë datuar nga fillimi i shekullit të XI dhe më shumë kolona u gjetën gjatë gërmimeve të mbuluara në terrenin pranë xhamisë. Dy kolona të ngjashme u gjetën gjithashtu të vendosura kokë ngulthi nga ana e varrit të Fazle Abbasit të quajtur Musa Ashikhan. Ky shenjtë mysliman ishte personi që shtyti Mir Baqin të shkatërronte Tempullin Xhanmasthan dhe të ndërtonte një xhami në të.[16]
Mbetjet kafshërore
RedaktoGërmimet e mëparshme kishin zbuluar kocka kafshësh dhe madje mbetje njerëzore që mund të kenë qenë aty nëse vendi do të ishte në fakt një tempull. Prania e kockave kafshërore nënkuptonte se ishte një zonë rezidenciale (dhe jo një faltore) e banuar nga një bashkësi jo-vegjetariane. Dhe se ishte në atë habitat mysliman që një xhami u ngrit në vitin 1528 ose më pas. Raporti i ASI-t i përmend kocakt, por nuk shpjegon se si ato gjendeshin aty.[17]
Polemikat rreth gjetjeve arkeologjike
RedaktoGjetjet e ASI-t janë diskutuar nxehtësisht.[18] Në fakt, dy varre myslimane u gjetën gjithashtu gjatë gërmimeve, siç raportohet në gazetën e përjavshme Outlook. Ndërsa varret u filmuan dhe fotografuan nga ASI më 22 prill, ai nuk kreu një analizë të detajuar të tyre. Skeletet e gjetura në sit nuk u dërguan për datimin nëpërmjet karbonit dhe as u matën.[19] Anirudha Srivastava, një ish arkeolog i ASI-t, tha se në disa trashe, u zbuluan disa varre, terrakotë dhe llaç gëlqeror dhe surkhi, që tregonte gjithashtu banesa myslimane. U hamendësua gjithashtu se disa xhami ekzistonin në sit dhe se Babri ishte ndërtuar në sitin e një tjetër xhamie.[20] Richard M. Eaton, një historian amerikan i Indisë mesjetare, dokumentoi fazat kryesore të shkatërrimit të tempujve hindu midis viteve 1192 dhe 1760.[21] Eaton arrin në një tërësi prej tetëdhjetë rastesh shkatërrimi tempujsh. Ai nuk pretendonte gjithësesi se kjo lishtë ishte shteruese. Për më tepër, secili nga këto tetëdhjetë raste përfaqësonte shkatërrimin jo thjeshtë të një tempulli, por deri të një numri të madh tempujsh. Për shembull një prej këtyre tetëdhjetë rasteve, "rasti i ushtrisë Ghuride në vitin 1094 në Benares", referon ushtrinë mbretërore Ghuride që "shkatërroi afërsisht një mijë tempuj dhe ngriti xhami në themelet e tyre". Shifra e Eatonit prej tetëdhjetë rastesh nuk përfshin një tempull të Ramas në Ayodhya. Në vazhdim të pohimeve se mbishkrimi Hari-Vishnu i korrespondon një mbishkrimi kushtuar Vishnut që supozohej se mungonte në Muzeun Shtetëror të Laknaut që nga vitet 1980, drejtori i muzeut Jitendra Kumar pohoi se mbishkrimi nuk kishte munguar kurr nga muzeu, megjithëse nuk ishte në ekspozim. Ai e tregoi mbishkrimin e mbajtur nga muzeu i tij në një konferencë shtypi që ta shikonin të gjithë. Ishte i ndryshëm në formë, ngjyrë dhe përmbajtje tekstore nga mbishkrimi Vishnu-Hari.[22] Pati gjithashtu përpjekje nga mbështetësit e Xhamisë Babri për të ndaluar gërmimet në sitin e diskutuar. Peticioni i Naved Yar Khanit në Gjykatën Supreme për të ndaluar të gjitha gërmimet arkeologjike në sitin e xhamisë u rrëzuan.[23] Në mënyrë të ngjashme, u ngritën pikëpyetje se në çfarë niveli duhet të arrinin gërmimet arkeologjike — duhet të ndalonin ato kur u gjetën dëshmi të një tempulli hindu? Si budistët ashtu dhe xhainistët kërkuan që gërmimet të vazhdonin më tej për të mësuar nëse ata, gjithashtu mund të ngrinin pretendime për këtë sit.[24] Raporti i Braj Basi Lalit për gërmimet e vitit 1975 i dha një nxitje të madhe kauzës së tempullit të Ramas. Megjithatë ai u kritikua nga arkeologu D. Mandal. Në gërmimet e vitit 2003, pesëdhjetë prej "bazave të kolonave" u nxorën përsëri. Megjithëse ato duken të rreshtuara, konkluzioni i D. Mandal me teorinë arkeologjike pohonte se "bazat e kolonave" i përkisnin periudhave të ndryshme; që do të thotë se ato nuk kishin ekzistuar kurr së bashku në ndonjë pikë të kohës; ato nuk ishin me të vërtetë të rreshtuara me njëra-tjetrën; ato madje nuk ishin as baza kolonash, gjymtyrë muresh, bazash të kolonave peshë-mbajtëse në nyjat e mureve.[25]
Pretendimet budiste
RedaktoBudistët e kanë pretenduar gjithashtu sitin e Ajodhjas. Sipas Buddha Education Foundation të Udit Rajit, struktura e zbuluar nga ASI në vitin 2003 ishte një stupë budiste e shkatërruar gjatë dhe pas pushtimit mysliman të Indisë. Përkrahë raportit të vitit 2003 të ASI-t, Raji e ka bazuar pretendimin e tij edhe mbi raportin e vitit 1870 të arkeologut britanik Patrick Carnegie. Sipas Carnegie, kolonat Kasauti në sitin e Ayodhyas ngjajnë shumë me ato të viharave budiste në Sarnath dhe Varanasi.[26]
Reagimet politike
RedaktoPrijësit e Babri Masjid Action-Reconstruction shprehën rezerva mbi besueshmërinë e ASI-t në hartime të njëanshme raportesh, për shkak të presionit politik. ASI ndodhen nën autoritetin e Ministrisë së Zhvillimit të Burimeve Njerëzore të Indisë, që drejtohej nga Murli Manohar Joshi, i akuzuar edhe ai në çështjen e shkatërrimit të Xhamisë Babri.[27] Pala myslimane shprehu dyshime mbi raportin përfundimtar të ASI-t, duke pretenduar se dëshmi dhe sende të tjera me gjasa u shkatërruan nga ASI, brenda 24 orëve në vazhdim të hartimit të raportit përfundimtar.[28] Tekstet e shquara të agjensisë kanadeze përmendnin se disa struktura ose anomali mund të përcaktohen, por ato nuk mund të identifikohen, në mënyrë të qartë si një tempull. Profesor Suraj Bhani, që ka mbajtur personalisht një inventar të sitit, tha se ASI kishte kishte grumbulluar bashkë qeramikë nga shekulli i XI deri në të XIX dhe nuk i kishte veçuar ato sipas periudhave të ndryshme. Megjithatë, ai vuri në pikëpyetje bazën e interpretimit të ASI-t për strukturën masive me tulla të pjekura të një tempulli të Ramës. "Xhamia Babri kishte një strukturë të planifikuar dhe gjetjet e ASI-t janë në përputhje me këtë plan. Stili Nagara i ndërtimit të tempullit në fornë ylli mbizotërues midis shekujve të IX dhe të XII nuk është fare i pranishëm në strukturë", tha ai. Një nga gjetjet qendrore në raportin e ASI-t ishte ajo e një tempulli shumë të madh, themelet e të cilit e tejkalojnë mjaft perimetrin e Xhamisë Babri. Përgjatë të njëjtave linja si Irfan Habibi, sekretari i Muslim Personal Law Board, Mohammed Abdul Rahim Quraishi tha se "një skuadër arkeologësh të mirënjohur duke përfshirë prof. Suraj Bhanin e kishin vizituar sitin dhe inspektuan gropat e gërmuara dhe ishin të opinionit se poshtë strukturës së Xhamisë Babri kishte dëshmi të një xhamie të mëparshme".[29]
Të dy bien dakord mbi një prani mysliman para xhamisë Babri, por interpretimi i Quraishit për gjetjet është tashmë qartësisht në mospërputhje me atë të Habibit: ky i fundit nuk pa xhami nën të, ndërsa punëtori i Quraishit, Bhani, pa. Kjo tregonte jo seriozitetin e të paktën njërit nga interpretimet, me gjasa të dy. Në dallim, skuadra e ASI-t bazohet në një interpretim të vetëm, që gjithashtu përputhet me atë të S.P. Guptas, K.N. Dixitit dhe R.K. Sharmas. Avokati i njohur Rajeev Dhawan tha se çështja Ramxhanmabhumi-Xhamia Babri kishte marr një kthesë të gabuar dhe raporti i ASI-t nuk kishte domethënie historike ose morale dhe përfundimet ishin bazuar mbi konsiderata politike. Megjithëse një avokat kundër tempullit, Mr. Dhawan tha se "Çështja ligjore nuk lidhet me çështjen nëse një tempull ekzistonte mbi sit ose jo".[30][31]
Gjykata pranon përdorimin e raportit të ASI-t
RedaktoTrupa e plotë speciale e Gjykatës së Lartë të Allahabadit, duke dëgjuar procesin e Ayodhya më 3 shkurt vendosi se raporti i ASI-t, që zhvilloi gërmime për të gjetur nënse një tempull kishte ekzistuar ndonjëherë në vendin ku dikur qëndronte Xhamia Babri, do të shihej vetëm në dritën e dëshmive të mëteshme për çështjen. Trupa prej tre anëtarësh vuri në dukje më tej se "pa dyshim, objeksionet e bëra kundër raportit do të konsiderohen përpara raportit ASI-t të shqyrtohet, por se situata do të shtrohej vetëm kur gjykata të vendoste përfundimisht për çështjen". Gjykata vuri në pah se nuk do të ishte e këshillueshme të bëhej ndonjë koment në fazën që lidhej me korrektësinë ose saktësinë e raportit, ose argumentimin ose përndryshe të objeksioneve. Nëse raporti është akuzuar ose vuan nga mospërputhje ose mungesa ose është i papranueshëm, për arsye të ndryshme të pohuara në objeksione do të konsideroheshin bashkë me pjesën tjetër të dëshmive që do të regjistrohen, trupa shtoi gjithashtu se në pikëpamjen e saj kjo nuk është faza e përshtatshme për të deklaruar këto pika. Sunni Central Waqf Board, një nga palët në çështje, tha se ishte "i paqartë dhe kundërthënës". Ata akuzuan raportin e ASI-t për injorimin e zbulimit të pllakave të glazatuara dhe qeramikën që dëshmonin për banimin mysliman në zonë përpara pushtimit të Babarit. Avokati Zafaryab Jillani, këshilltar i bordit, tha se bordi i vakëfit do të hartoi dëshmi të "pakundërshtueshme" historike dhe arkeologjike për të sfiduar argumentet e ASI-t. Jillani i tha BBC-së se ASI i ka "keq-interpretuar gjetjet". ASI mbajti paanshmërinë duke mos bërë ndonjë koment mbi gjetjet e skuadrës dhe e la çështjen në dorë të Gjykatës së Lartë.
Shiko edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ a b Ashok Malik (24 mars 2003). "Depths of Ayodhya" (në anglisht). India Today.
- ^ Sir Alexander Cunningham (1871). Four Reports Made During the Years, 1862-63-64-65 (në anglisht). Government Central Press. fq. 317–27.
- ^ Peter van der Veer (1994). Religious Nationalism: Hindus and Muslims in India (në anglisht). University of California Press. fq. 159. ISBN 978-0-520-08256-4.
- ^ Alois Anton Führer (1891). The monumental antiquities and inscriptions: in the North-Western Provinces and Oudh (në anglisht). Government Press, N.-W.P. and Oudh. fq. 295–300.
- ^ a b Sushil Srivastava (25 tetor 2003). "The ASI Report - a review" (në anglisht). The Hindu.
- ^ a b c "I found pillar bases back in mid-seventies: Prof Lal" (në anglisht). Indian Express. 6 mars 2003. Marrë më 9 gusht 2013.
- ^ "Ayodhya: High Court relies on ASI's 2003 report" (në anglisht). Economic Times. 1 tetor 2010. Arkivuar nga origjinali më 7 janar 2014. Marrë më 9 gusht 2013.
- ^ artikull i Braj Basi Lalit te revista "Manthan", tetor 1990; dhe S. P. Gupta (Indian Express, 2 dhjetor 1990) si dhe aneksi 28 i dokumentit VHP dëshmojnë për Ram Xhanmabhumi Mandirin
- ^ Artikull i profesor Braj Basi Lalit te gazeta "The Hindu" më 1 korrik 1998
- ^ artikull në gazetën "Indian Express" më 4 korrik 1992
- ^ artikull i Sandipan Deb-it te gazeta Outlook India, 23 qershor 2003
- ^ a b c d e "Ayodhya: lost and found By Sandhya Jain". Pioneer (në anglisht). 9 shtator 2003.
- ^ Ajit Jain (19 mars 2003). "Structure below demolished Masjid: Canadian expert" (në anglisht). rediff.com.
- ^ "Rediff Online News" (në anglisht). Rediff.com. 19 mars 2003. Marrë më 11 qershor 2012.
- ^ a b c d Puratattva, nr. 23, 1992-3, fq. 35.
- ^ Hans Bakker (1986). Ayodhyā. Groningen Oriental Studies, V. I (në anglisht). ISBN 9069800071.
- ^ "Layers of truth". The Week (në anglisht). 7 shtator 2003. Arkivuar nga origjinali më 2005-03-23.
- ^ Srivastava, Sushil (25 tetor 2003). "The ASI Report - a review". Frontline (në anglisht). Marrë më 27 dhjetor 2014.
- ^ ""Countercurrents", ''Outlook''" (në anglisht). Web.archive.org. 12 tetor 2007. Arkivuar nga origjinali më 12 tetor 2007. Marrë më 11 qershor 2012.
- ^ "Deccan Herald" (në anglisht). 8 shtator 2003. Arkivuar nga origjinali më 19 maj 2006.
- ^ Richard M. Eaton. Essays on Islam and Indian History (në anglisht). ISBN 0-19-566265-2.
- ^ artikull në gazetën "Hindustan Times", 8 maj 2003
- ^ Artikull në gazetën "The Hindu", 10 qershor 2003
- ^ Seema Chishti (14 mars 2003). "14 mars 2003" (në anglisht). BBC News. Marrë më 11 qershor 2012.
- ^ "Secrets Of The Shrine | Sandipan Deb" (në anglisht). Outlookindia.com. Marrë më 11 qershor 2012.
- ^ Nitish K. Singh (16 janar 2011). "Buddhist body lays claim to the disputed Ayodhya site". Sunday Guardian (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 5 shkurt 2017. Marrë më 1 nëntor 2016.
- ^ Tripathi, Purnima. "The Ayodhya dig" (në anglisht). hinduonnet.com. Arkivuar nga origjinali më 10 gusht 2007.
- ^ Rizvi Syed Haider Abbas (15 nëntor 2004). "Curtains drawn on ASI report" (në anglisht). The Milli Gazette. Marrë më 11 qershor 2012.
- ^ "ASI 'finds' temple, Muslim front says no". Hinduonnet.com (në anglisht). 25 gusht 2003.
- ^ "Historians find flaws in ASI report" (në anglisht). Web.archive.org. Arkivuar nga origjinali më 30 shtator 2007. Marrë më 11 qershor 2012.
- ^ "Escaping the ASI's final conclusions" (në anglisht). Koenraadelst.bharatvani.org. Arkivuar nga origjinali më 6 mars 2012. Marrë më 11 qershor 2012.
Bibliografia
Redakto- Hans Bakker (1986). Ayodhyā. Groningen Oriental Studies, v. I (në anglisht). Groningen: E. Forsten. ISBN 9069800071.
- Sir Alexander Cunningham (1871). Four Reports Made During the Years, 1862-63-64-65 (në anglisht). Government Central Press. fq. 317–27.
- Richard M. Eaton. Essays on Islam and Indian History (në anglisht). ISBN 0-19-566265-2.
- Alois Anton Führer (1891). The monumental antiquities and inscriptions: in the North-Western Provinces and Oudh (në anglisht). Government Press, N.-W.P. and Oudh. fq. 295–300.
- Gupta, S.P. (1996). "If only the court had examined the evidence". përmbledhur nga Dasgupta, Swapan (red.). The Ayodhya Reference: Supreme Court Judgement and Commentaries (në anglisht). Voice of India. ISBN 8185990301.
- Jain, Meenakshi (2013). Rama and Aydhya (në anglisht). Nju Delhi: Aryan Books. ISBN 8173054517.
- Lal, Braj Basi (2008). Rama: His Historicity Mandir and Setu (në anglisht). Aryan Books International. ISBN 8173053456.
- Mandal, Dhaneshwar (2003). Ayodhya, Archaeology After Demolition: A Critique of the "new" and "fresh" Discoveries (në anglisht). Orient Blackswan. ISBN 978-81-250-2344-9.
- Narain, Harsh (1993). The Ayodhya Temple Mosque Dispute: Focus on Muslim Sources (në anglisht). Delhi: Penman Publishers.
- Peter van der Veer (1994). Religious Nationalism: Hindus and Muslims in India (në anglisht). University of California Press. fq. 159. ISBN 978-0-520-08256-4.