Brigada e VII-të Sulmuese

(Përcjellë nga Brigada e VII Sulmuese)
This is the stable version, checked on 17 prill 2022. 2 pending changes await review.

Brigada e VII-të Sulmuese ishte një nga brigadat më të shquara të Frontit Nacional-Çlirimtar gjatë fundit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Komandanti ushtarak ishte Gjin Marku dhe komisar politik Kadri Hoxha. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të FNÇ, më 17 mars 1944, në Vlush të Skraparit u formua Brigada e VII Sulmuese (Br.VII S). Në rreshtat e brigadës u rreshtuan partizanë me eksperiencë në luftë të batalioneve të qarkut të Beratit, të Grupit të Skraparit, të batalionit të rinisë “Margarita Tutulani” etj. Erdhën gjithashtu dhe mjaft partizanë nga qarku i Gjirokastrës dhe nga qarku i Korçës. Në komandë të brigadës u emëruan: komandant Gjin Marku dhe pas Musa Daci; komisar Kadri Hoxha dhe më vonë oficer karriere, Qazim Kapisyzi. Kuadro dhe luftëtarë ishin dhe Adil Çarçani, zëvendës-komisar, Ramiz Alia përgjegjës i rinisë i brigadës, etj. Situata në të cilën u krijua Br. VII S ishte shumë më e favorshme nga ato në të cilat u krijuan Br. V-VI S.

Histori

Redakto

Një muaj para se të formohej Brigada e VII-të Sulmuese në Vlushë të Skraparit, në Panarit ishte organizuar një mbledhje e kuadrove politikë, që kish qenë drejtuar nga Enver Hoxha. Në fotografi dallojmë Myqerem Fugën, Adil Çarçanin, Ramiz Alinë, Sadik Bocajn, Mihal Bishën, Zihni Sakon, Behar Shtyllën dhe pranë titullarit Shpresa Hoxhën (Fugën). Fotografi të tilla origjinale vuajnë nga sëmundja e retushimit, sepse në to janë fshirë disa titullarë. 60 vjetori i krijimit të Brigadës së VII-të na kujton disa nga kuadrot që përmendëm më lart, të cilët përbëjnë bërthamën e kuadrove politikë si Adil Çarçani, Myqerem Fuga, Niazi Demi, Tajar Grepcka, Ramiz Alia, Nexhmedin Ballka etj. Më vonë dolën kuadro drejtuese të kompanive të kësaj Brigade, komunistë që ashtu si e nënvizon Myqerem Fuga, u bënë promotori i celulave të kompanive dhe dhanë një kontribut të madh në forcën goditëse të Brigadës, si Foto Çami, Koli Myzeqari, (dëshmor), Skënder Libohova (dëshmor), Guçe Stropani etj.

Roli i Gjin Markut

Redakto

Me të marrë urdhërin, Gjin Marku iu vu punës organizuese të kësaj Brigade. Në shtëpinë e Kahreman Yllit, në prani të Myqerem Fugës u bë organizimi i Brigadës ashtu si është dhënë në historik. Batalioni i Parë u formua kryesisht me partizanë të Qarkut të Beratit me një kompani nga Devolli, Batalioni i Dytë kryesisht me partizanë të grupit të Skraparit, ndërsa Batalioni i Tretë u formua nga partizanë të Qarkut të Gjirokastrës, me në krye Gani Nivicën (dëshmor), me një kompani nga Batalioni i Dëshnicës. Ceremonia u zhvillua më 17 mars 1944 në fshatin Vlushë të Skraparit, në atë fshat, ku dy muaj më parë nazistët gjermanë vranë 114 skraparllinj, duke përfshirë edhe ata të fshatrave Krushovë, Kapinovë e Turbehovë. I njëqindepesëmbëdhjeti, Veseli, rrojti, jetoi, për t'u treguar ditëve të pasçlirimit tmerret e luftës dhe vuajtjet e atij populli liridashës. "Vlusha vlon", "Stalini sulmon". Këto ishin parrulla e kundërparrulla të natës së parë, drejt aksionit, drejt Beratit. Në garnizonin e Beratit e kryesisht në Kuçovë kishte pak gjermanë, kryesisht kishte forca të Ballit Kombëtar dhe të Gjindarmërisë. Mbrojtja ishte organizuar kryesisht me pikëmbështetje të forta. Mund të përmendim Kalanë, Shëndëllinë, Lisin e Beçit dhe vetë kazermat ushtarake. Kuçova, vetë fusha e Otllakut dhe Ura Vajgurore kishin të tjerë garnizone mbrojtje. Këto objekte, të lidhura me copa transhe dhe hendeklidhje përbënin një mbrojtje të fuqishme, me të cilat do të përballej Brigada e VII-të. Sekreti i armikut qëndronte në shumëllojshmërinë e pozicioneve të zjarrit. Disa nga këto ishin të pushtuara dhe disa jo. Tanket nuk qëndronin në qytet. Ato afroheshin pranë kazermave vetëm kur partizanët e Brigadës së VII-të e rrezikonin qytetin. Pas urdhërit të Komandantit vinin urdhëra të tjerë, të nënshkruara nga Spiro Moisiu për çlirimin e Beratit, për përballimin e Operacionit të qershorit, për çlirimin e Kuçovës etj. Për çlirimin e Beratit dhanë ndihmesën e tyre vetë beratasit. Qysh në goditjen e parë mbi harkun e parë mbrojtës ra partizani Thoma Shqina, një nga të rinjtë e zjarrtë të këtij qyteti. Po atë ditë ra Rahmi Stropani nga treva atdhetare e Devollit. Nuk mund të numërohen aktet heroike të partizanëve nga Zona e Skraparit dhe e Dëshnicës.

Dëshmitë e Myqerem Fugës

Redakto

Në Mirditë ra Firdes Beqari dhe në Malin e Zi ra Zyrako Xhako. Në faqet e historisë së Brigadës së VII-të Sulmuese radhiten shumë partizanë e kuadro që ranë në ballë të luftës. Po përmendim disa nga kuadrot drejtuese politikë: Koli Myzeqarin, Skënder Libohova, komandant batalioni, Haxhi Dokon, Fahri Zaimin, Mehdi Vilën, Loni Odriçanin, Thimi Tanin, Naim Gurin, komisar kompanie. Lidhur me këto, në kujtimet e tij, Myqerem Fuga kujton: "Ngritën këshillat apo u rizgjodhën këshillat nacionalçlirimtarë në zonën e nahijes së Beratit, në Sulovë, në zonën e Shpriagut, në zonën e Tërpanit dhe deri në zonat e thella të Roskovecit, të Myzeqesë e të Dumresë". Myqerem Fuga, një ndër luftëtarët e vjetër të kësaj krahine, me punën e tij këmbëngulëse, harmonizoi veprimet e partizanëve qytetarë me atë të fshatrave të Skraparit. Përkrah Brigadës së VII-të vepronte edhe Grupi i Skraparit. Veprimet luftarake i kordinonte Komandanti i Brigadës, Gjin Marku me Komandantin e Grupit të Skraparit, Njazi Çepanin. Një punë të mirë kuadrot e kësaj Brigade bënë edhe me organizatën e rinisë. Në krye të të rinjve qëndronte Ramiz Alia. Batalioni i dytë u kthye nëpër fshatrat e Komunës së Potomit dhe asaj të Çepanit, ku me dhjetra partizanë të rinj shtuan radhët e Brigadës. Goditjet e njëpasnjëshme të batalioneve të Brigadës kanë qenë të furishme të cilat arritën deri në Mollas të Sulovës, kurse nga krahu i majtë deri në afërsi të Fierit. Nuk mund të lëmë pa përmendur punën e shoqes Shpresa Hoxha (Fuga) në Skrapar, në Berat e deri në Fier e Dumre. Në punën organizuese në Qarkun e Beratit u dalluan mjaft kuadro, sa është e vështirë t'i rradhisim të gjithë. Veprimet luftarake të Brigadës në përballimin e Operacionit të qershorit qenë të tilla që i detyruan qysh në fillim forcat gjermane të tërhiqeshin në Berat. Meqënëse disfata e këtyre forcave deformonte planet për të dalë në bregdetin shqiptar, filloi përsëri sulmi drejt Paraspuarit e Qafë-Shkozës dhe takimi i këtyre forcave do të bëhej në Kreshtat jugore të Skraparit. Tre kuadrot kryesore Gjini, Kadriu dhe Neshati ishin në Kongres të Përmetit. Iu deshën Adil Çarçanit, Ramiz Alisë dhe Njazi Demit t'i viheshin kundërveprimit të forcave armike-tregon Myqerem Fuga. "… Pritni armikut rrugën që të çon në Përmet. Mundohuni të fyteni pykë në rrjeshtat e tij; njoftoni si u zhvilluan luftimet sot". Kështu thuhej në një nga radiogramet e Shtabit. Ndërsa në një radiogram të Gjindarmërisë thuhej:"Janë 9 të vrarë, 27 të plagosur dhe 15 të humbur! Humbjet e forcave gjermane nuk na janë njoftuar". Eshtë i njohur dokumenti nr.8523, (sekret) ku në mes të tjerash thuhej: "Në perëndim të Korçës, u shpartallua Brigada e 4-të e Kuqe dhe u zhvillua me sukses sulmi kundër një armiku të fortë (Brigadës së VII-të të kuqe), e cila humbi 200 të vrarë, të konstatuar, dhe më poshtë vazhdon: Eshtë e vërtetë kjo? Grupi luftarak "Burgemeister" nuk arriti pikësynimin e vet për shkak të rezistencës.." Më poshtë tregon për bisedime telefonike midis Komandës së Divizionit. 100 dhe 297 nazist. Luftimet në Paraspuar-Qafë-Shkozë-Vokopolë dhe në thellësi, janë të mahnitshme. Situata ishte e vështirë. Shumë kuadro dhe partizanë u kacafytën me forcat hitleriane dhe me ato reaksionare. Në Qafë-Shkozë u vra komandanti i Batalionit të tretë, Gani Nivica e dhjetra partizanë. Me dhjetra të tjerë u plagosën dhe ishte rrezik të kapeshin të gjallë. Edhe pse shokët e komandës erdhën nga Kongresi i Përmetit, ishte rrezik që forcat kryesore të Brigadës të përplaseshin midis forcave të Divizionit 100 malor dhe forcave të Div. 297. Lufta vazhdoi.

Referimet

Redakto

Lidhje te jashtme

Redakto

https://web.archive.org/web/20130515223755/http://gazetatelegraf.com/oran-frasheriperkujtohet-69-vjetori-i-formimit-te-brigades-se-7-sulmuese/

http://www.mbrojtja.gov.al/images/gazetaushtria/pdf/ushtria_14_03_2014.pdf Arkivuar 26 mars 2014 tek Wayback Machine