Kadri Prishtina

politikan shqiptar
(Përcjellë nga Hoxha Kadri)

Hoxha Kadri Prishtina i njohur edhe thjesht si Hoxha Kadri nga bashkëkohësit (Prishtinë, 1878 - 21 janar 1925) ka qenë alim, hoxhë, politikan, publicist dhe jurist shqiptar.

Kadri Prishtina
Ministër i Drejtësisë
Në detyrë
30 janar – 14 nëntor, 1920
Paraprirë ngaPetro Poga
Pasuar ngaXhaferr bej Ypi
Në detyrë
6 dhjetor – 12 dhjetor, 1921
Paraprirë ngaKoço Tasi
Pasuar ngaQerim Çelo
Të dhëna vetjake
U lind më1878
Prishtinë, Perandoria Osmane
Vdiq më20 janar, 1925
Tiranë, Republika Shqiptare
NënshtetësiaShqiptare
PunësimiKlerik, jurist, politikan
Nënshkrimi

Jeta Redakto

Lindi në vitin 1878 në Prishtinë, ishte një nga nëntë fëmijët e Lutfullah Halimit[1]. Mësimet fillore i kreu në Prishtinë, në gjuhën turke, ndërsa ato të mesme në Shkup, në shkollën e njohur “Dar ul-Mualimin”. Studimet i vazhdoi në Stamboll, në shkollën e quejtur “Dar-ut-Tedris”, që ishte Shkollë e Lartë Pedagogjike. Më pas u regjistrua në Medresenë e famshme “Fatih”, ku edhe aty diplomoi me rezultat të shkëlqyeshëm[2]. Kreu gjithashtu Fakultetin e Drejtësisë; më 1904 Kadriu duke qenë myderriz (dijetar), fitoi edhe titullin profesor (persisht Hoxha)[3]. Vijonte studimet në shkollën e lartë të së drejtës fetare "Mekteb'i Nyvvâb"[4]. Po në këtë vit, me 1904, Kadri Prishtina, duke qenë jurist, profesor e hoxhë, në moshën 26 vjeçare, u arrestua në Stamboll për arsye se nuk pranoi të tregonte autorin e dorëshkrimit "Fitret ul-Islâm" - dorëshkrim i Syrja bej Vlorës - një dorëshkrim shumë problematik në lëmë të fesë Islame dhe të drejtës fetare.

Sa ishte në internim në Sinope[4] e në burg në Jedikule, ku vuanin dënimin edhe të burgosur tjerë politikë, Hoxha Kadriu u sëmur rëndë, aq rëndë sa iu desh të bënte amputimin e këmbës mbi gju. Mbas lirimit nga burgu, punon pak në degën e Gjykatës së Apelit të Këshillit të Shtetit Osman në Stamboll, më pas si avokat i Drejtorisë së Monopolit në Tokad. Nga kjo detyrë kalon më pas në detyrën e avokatit dhe këshilltarit ligjor të degës së Bankës Osmane dhe Monopolit të duhanitSamsun. Më 1911 caktohet këshilltar ligjor i Drejtorisë së Përgjithshme të Bankës Osmane në Stamboll. Po atë vit ministria e Drejtësisë i lëshoi lejen e avokatit të klasit të parë dhe më 1913 caktohet këshilltar ligjor edhe i Drejtorisë së Përgjithshme të Monopolit të duhanit në Stamboll.

Në prag të Luftës Botërore mundi me shumë vështirësi të largohej nga Stambolli e të kthehej në atdhe[3]. Vendoset fillimisht në Durrës e më pas në Shkodër, ku më 1915 krijoi një komitet me emrin “Komiteti i Fshehtë”, kurse pas tri vjetësh me një grup atdhetarësh, intelektualësh, kryesisht nga Kosova më 1 maj 1918, në Shkodër, u themelua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në përbërje të tij kishte Këshillin Qendror, ku bënin pjesë shtatë anëtarë, të cilët e zgjodhën kryetar Hoxha Kadrinë, nënkryetar Hysni Currin dhe sekretar Bedri Pejanin. Dota kryesonte këtë komitet deri kur u mbyll veprimtaria e tij në janar të 1925.

Qe ndër nismëtarët e Kongresit të Lushnjes, tek i cili përfaqësoi Shkodrën. Në qeverinë Delvina të dalë nga ky kongres Hoxha Kadri mbajti postin e ministrit të Drejtësisë dhe zëvendësisht atë të Arsimit e Punëve të Jashtme. Më 1921 sërish ministër Drejtësie, më pas nënkryetar i Këshillit Kombëtar[3]. Me zgjedhjet e 1921 u zgjodh si përfaqësues i prefekturës së Dibrës dhe i pref. së Kosovës nga dhjetori i 1923[5].

Në Shkodër, ku punonte si avokat, e botonte revistën mujore me titullin “Udha e s’Vërtetës”, numri i parë i së cilës doli në dritë në muejin tetor të vitit 1923 deri më 2 qershor 1924. Ndërroi jetë me 21 janar 1925, në moshën 47 vjeçare në Tiranë.[6]

Mbi Kadri Prishtinën Redakto

Për veprimtarinë atdhetare të Hoxha Kadriut janë shkrue shumë artikuj, punime, studime, janë organizuar Sesione Shkencore, është shkruar në Historinë e Shqipërisë, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, në Fjalor Enciklopedik, Toena, Tiranë, 2002.

Është botuar edhe një monografi nga Eqber Skëndi me titull: ”Hoxhë Kadriu (Kadri Prishtina), 1992, por askund nuk është shkrue për veprimtarinë e tij fetare, përveç nga studiuesi, Mr. Qemajl Morina, prof. në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, i cili që në vitin 1997, në revistën “Dituria Islame”, revistë mujore, fetare, kulturore, shkencore, ka shkrue në disa vazhdime studimin me titull: “Idetë Islame të Hoxhë Kadriut në revistën “Udha e s’Vërtetës”.

Referimet Redakto

  1. ^ Skëndi E., Hoxhë Kadriu, Prishtinë: Rilindja 1992, fq. 10
  2. ^ 100 personalitete shqiptare të kulturës Islame, K.M.SH., Tiranë 2012, fq.127-129.
  3. ^ a b c Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: "55", 2012. fq. 144-145. ISBN 978-99943-56-22-5
  4. ^ a b Vlora E., Kujtime 1885-1925, Tiranë: IDK, 2003. ISBN 99927-780-6-7
  5. ^ Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 - Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005 fq. 13-17.
  6. ^ Mexhid Yvejsi: Hoxhë Kadri Prishtina dijetar, atdhetar, politikan, diplomat, publicist, dhe jurist