Ulpiana

monument kulture në Kosovë
(Përcjellë nga Justiniana Secunda)

42°35′47″N 21°10′30″E / 42.596281°N 21.175025°E / 42.596281; 21.175025 Ulpiana e njohur edhe si Justiniana Secunda është një monument i trashëgimisë kulturore në Graçanicë, Kosovë[1], një qytet romak i themeluar në fillim të shekullit II nga perandori Trajan. Gërmimet arkeologjike kanë dhënë gjurmë të jetës pararomake dhe Ulpiana është një qytet ilir. Ishte një vend i rëndësishëm për Mbretërinë Dardane. Qyteti ndodhej afër qytetit të sotshëm LipjanKosovë. [2] [3] [4]

Ulpiana
Emri amëtar Ulpiana
LlojiArkeologjike
VendndodhjaGraçanicë, Kosovë
NdërtuarRomake, Antikitet i Vonë
Organi drejtuesMinistria e Kulturës,Rinisë dhe Sportit
Emri zyrtar: Lokalitet Arkeologjik / Rezervat
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar21/55
Nr. i referencës2120

Histori

Redakto

Pushtimi romake në shek. I të erës së re solli një varg ndryshimesh në jetën ekomomike dhe kulturore të dardanëve. U ngritën qytete, kështjella, fshatra, vila rusitica, objekte kulti, sikurse dhe rrjeti i rrugëve të antikitetit mbi trasetë e rrugëve pararendëse të mbretërisë dardane. Ndër qytetet më të rëndësishme bëhet Ulpiana.

Zbulimet e vendbanimit palafit, varreza dardane, qeramika e fazës së parë të hekurit dhe stolitë e shekullit IV të erës së re, dëshmojnë që Ulpiana u ngrit mbi shtresa parahistorike të një vendbanimit të mëhershëm dardan. [2] Në fillim të shek. II, gjatë sundimit të perandorit Trajan, Ulpiana kishte fituar statusin e qytetit. Në mesin e shek. II në Ulpianë nga administratori dardan Licin ishin flijuar Flori dhe Lauri, dy martirët e përhapjes së krishterimit.

Kulmin e zhvillimit ekonomik dhe kulturor qyteti e arrin në fund të shek. III dhe fillim të shek. IV. kur shëndërrohet në një qendër të rëndësishme politike, ekonomike, kulturore dhe religjioze të një hapësire shumë të gjerë gjeografike. Në këtë periudhë Ulpiana fitoi epitetin "Municipi madhështor i Ulpianës" (Municipii splendissimii Ulpianae) [2] dhe ishte bërë seli peshkopate. Dyndjet e gotëve në Iliri gjatë shek. V do ta kenë përfshirë edhe Ulpianën. Ndërsa tërmeti katastrofal që kishte goditur Dardaninë në vitin 518 kishte shkaktuar rrënime të mëdha të qytetit. Perandori Justinian, rindërtoi muret dhe objektet e rrënuara, ndërsa në shenjë mirënjohje, Ulpiana u pagëzua me emër të ri, Justiniana Secunda (Justiniana e Dytë).

Qyteti i rrethuar me mure të gjera deri në 3 m dhe me nga dy kulla gjysmërrethi në çdo 27,5 m ka trajtë të parregullt katërkëndëshi. Ai zë sipërfaqe prej 35, 5 ha. Rreth 50 m në lindje të Ulpianës në shek. VI ishte ngritur një vendbanim i fortifikuar, që do identifikuar me qytetin Justinopol, të cilin perandori më origjinë dardane, Justiniani e ngriti për nder të dajës së tij Justinit. Qyteti ka planimetri katërkëndëshi. Shtrihet në një sipërfaqe prej 16 ha. Ulpiana së bashku me Justinopolin, para lagjeve, varrezave etj., zë një sipërfaqe prej rreth 120 ha. Brenda qytetit të Ulpianës, pranë portalit verior është zbuluar portiku me dyqane zejtare të shek. III - IV, një pjesë e rrugës veri – jug (cardo maximus) e shtruar me pllaka gurësh, një kanal masiv për bartjen e ujërave të reshjeve atmosferike, horrea (drithniku) dhe bazilika e kohës së Justinianit. Kjo bazilikë gjendet në linjë të njëjtë me një bazilikë tjetër paleokristiane në Graçanicë, mbi themelet e së cilës nga gurët e ripërdorur, ku shihen fragmente mbishkrimesh të stelave dardane, në shek. XIV u ngrit Manastiri i Graçanicës.

Në jug të Ulpianës shquhen gërmadhat e një pallati të shek. IV, të shtruar me mozaik dhe të pajisur me hipokaustikë Në qendër të mozaikut me zaje shumëngjyrëshe janë paraqitur motive të llojllojshme gjeometrike të hijeshuara me figura shpezësh. Jashtë mureve të Ulpianës janë zbuluar varreza perëndimore, varreza jugore dhe varreza veriore. Posaçërisht shquhet varreza veriore me konstruksione të larmishme varresh e stolish (shek. I – VI), në mesin e të cilave mbizotëron arka monumentale e mermerit. Pranë kësaj varreze janë gjetur 5 antefikse të zbukuruara me palmeta dhe maska me tematike teatri, portreti i Erotit , portreti i aktorit tragjiko - komik dhe portreti i një gruaje, të punuara në mermer. Gjetja e antefikseve me motive teatri, portreti i aktorit etj., janë dëshmi të tërthorta për ekzistimin e teatrit antik në Ulpianë.

Në afërsi të Ulpianës, në Fushën e Çerkezit është zbuluar kodërvarri i një princeshe dardane e cila ishte varrosur së bashku me stoli të pasura nga ari dhe argjendi. Varri i takon shek. III. Në Ulpianë është zbuluar edhe varri i një princeshe gote e filleve të shek. VI, e që gjykuar sipas stolive të traditave ilire të epokës së hekurit kishte lidhur kurorë me një princ dardan. Emrat ilirë në stelat dardane, kulti i kalorësit dardan dhe ritet e varrimeve, dëshmojnë që popullata dardane kishte ndikim të madh në rritjen dhe zhvillimin e qytetit. Ilirja Varranilla, sipas një mbishkrimi në tabula ansata ishte ktitore e një objekti publik. Në Ulpiana gjithashtu, kryqëzoheshin rrugët e Dardanisë. [2] [4] [5] [6]

Galeria

Redakto

Pamje gjatë gërmimeve në Ulpianë

Shih edhe

Redakto

Literatura

Redakto
  • Berisha, Milot; Haldari, Arben; Goddard, Christophe; Mukai, Tomoo (2017). "Ulpiana (Dardanie). La datation de la fortification de l'église septentrionale". Chronique des activités archéologiques de l'École française de Rome (në frëngjisht). doi:10.4000/cefr.2746.
  • Berisha, Milot (2012). "Guidë arkeologjike e Kosovës (Kosova Archaeological Guide)" (PDF). Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit & Instituti Arkeologjik i Kosovës. fq. 61. Arkivuar (PDF) nga origjinali më 5 mars 2014. Marrë më 14 prill 2020. {{cite web}}: Mospërputhje stampash kohore te |archive-date= / |archive-url=; sugjerohet 4 prill 2019 (Ndihmë!)
  • Teichner, Felix (2015). "Ulpiana - Iustiniana secunda (Kosovo) : das urbane Zentrum des dardanischen Bergbaubezirks". Ephemeris Napocensis (në gjermanisht). 25.
  • Hajdari, Arben; Buqinca, Arianit (2018). "A New Unpublished Inscription Dedicated to Jupiter, Discovered in Ulpiana (Kosovo)". Human and Social Studies (në anglisht). 7 (3): 80–87. doi:10.2478/hssr-2018-0026. S2CID 133703795.
  • Çetinkaya, Haluk (2016). "Early christian architecture in Ulpiana". Actas del XIII Congreso AIEMA Madrid, 14-18 de Septiembre de 2015 (në anglisht).}
  • "Archaeologists find ancient Roman church in Kosovo". Rtklive.com (në anglisht). Marrë më 5 dhjetor 2021.

Referime

Redakto
  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ a b c d Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1701–1702. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  3. ^ Baku, Pasho, red. (2011). "Ulpiana". Enciklopedia universale e ilustruar. Tiranë: Shtëpia Botuese Bacchus. fq. 953 - 954. OCLC 734077163.
  4. ^ a b Berisha, Milot (2012). "Guidë arkeologjike e Kosovës (Kosova Archaeological Guide)" (PDF). Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit & Instituti Arkeologjik i Kosovës. fq. 61. Arkivuar (PDF) nga origjinali më 5 mars 2014. Marrë më 14 prill 2020. {{cite web}}: Mospërputhje stampash kohore te |archive-date= / |archive-url=; sugjerohet 4 prill 2019 (Ndihmë!)
  5. ^ Goldsworthy, Adrian Keith; Haynes, Ian; Adams, Colin E. P. (1997). The Roman army as a community (në anglisht). Journal of Roman Archaeology. fq. 100. ISBN 1887829342.
  6. ^ Archaeologists find ancient Roman Church in Kosovo, rtklive.com (Anglisht)

Lidhje të jashtme

Redakto