Kisha e Shirgjit
Kisha e Shirgjit ose Shirqit është një kishë dhe kuvend benediktin, tashmë i shkatërruar, në fshatin Shirq, sot pjesë e komunës së Dajçit mbi lumin Bunë në veri të Shqipërisë. Kisha u ndërtua nga të Mbretëresha Helena e Anzhuve në 1290, dhe i dedikohesh shenjtorëve Sergius dhe Bacchus. Ndërtesa u bë sipër një bazilike të shekullit të 6-të.
Histori
RedaktoHistoria e hershme
RedaktoSipas një trajte legjendare, e cila gëzon edhe dakordësinë e shumë autorëve, kisha kuvend e ka periudhën e themelimit në shek. VI gjatë periudhës së sundimit të perandorit Justinian.
Mbi historinë e kësaj kishe lakohen në mjaft burime historike, të cilat fillojnë me Kronikën e Popit të Dioklesë dhe vazhdojnë me mjaft dokumente të përmbledhura në veprën "Acta et Diplomata...", ku kjo kishë dhe shenjtërit e saj përmenden plot 56 herë në intervalin e viteve 1100 deri më 1406.[1] Në Kronikën e Popit pretendohet se disa anëtarë të dinastisë së Vojislavljevićëve të Dioklesë janë varrosur këtu, të tillë si Mihailo I, Konstantin Bodini, Dobroslavi, Vladimiri dhe Gradinja.[2] Gjashtë burime tek "Acta et Diplomata..." që datojnë para 1290 pohojnë qartë që aty gjendej një kuvend benediktin.[1]
Ndër dy mbishkrimet latine të kishës, tek më i hershmi, i vitit 1290, gdhendet se mbretëresha Helenë me bijt e saj Urosh dhe Stefan e ndërtoi përsëri, dhe jo nga fillimi. Mbishkrimi i mëvonshëm lë të kuptojë për një fazë të dytë ndërtimi, gjegjësisht më 1318.[1]
Histori moderne
RedaktoNga të gjitha përmendjet ose përshkrimet për kishën, më së shumti gjendet ndonjë shënim për gjendjen e saj në rrënim gjatë shekujve të Mesjetës. Informacioni i parë që përmend lënien pas dore të kishës fillon që më 1452 në një shënim të Papë Nikollës V, vinte në dukje se vetë benediktinët e kishin gati braktisur ("a monachis fere desertum") për fajin e ipeshkvit të asaj kohe në Shkodër.[1]
Marino Bizzi, arqipeshkvi i Tivarit asokohe, shkruante më 1611 në një raport drejtuar Vatikanit dëme të rënda i janë shkaktuar kishës si rezultat i pranisë osmane në Shqipëri.[3] Bogdani në relacionin e 24 marsit 1684 radhit se kishte "kumbonare shumë të bukur e cila, nga lartësia e vet sheh krejt dheun e Shkodrës. Tradita thotë se kumbonët e kësaj kishe mbretërore janë groposur ndërmjet kësaj kishe dhe kishëzës së shna Premtes [që është] 300 hapa larg."[4] Daniele Farlati përmend kishën në veprën e tij Illyricum sacrum. Në vitin 1790 kryepeshkopi Frang Borci informoi Coletti-n, asistentin e Farlatit, i cili do ribotonte sërish Illyricum sacrum, se kisha ishte më e bukura në Shqipëri.[3]
Në vitin 1905 konsulli francez Degrand në Shkodër është i vetmi autor që aludon për praninë e mbetjeve të afreskeve e mureve mesjetare të kishës, apo praninë e mozaikut, por të paverifikueshme më pas.[1] Në atë kohë, vetëm tre nga katër muret rrethuese ishin ende në këmbë. Ippen, konsulli austro-hungarez i Shkodrës, vërejti që në fund të viteve 1800 dhe në fillim të viteve 1900 varrmihësit e Shirgjit gjenin mozaikë të vjetër rrotull kishës.[3] Tani, vetëm një mur i vetëm është në këmbë dhe mozaikët nuk mund të shihen më.
Kuvendi ka qenë nën jurisdiksionin e Vatikanit gjatë të gjithë jetës së tij aktive. Ai ishte listuar si Monument Kulture nga qeveria shqiptare në vitin 1970.[5]
Referime
Redakto- ^ a b c d e Hoxha, Gëzim (2018). Rikthim në historinë e kishës së shenjtërve Sergius dhe Bacchus në bregun e lumit Buna. Shkodër: Hylli i Dritës vj. XXXVIII. fq. 112–127. ISSN 1816-5885.
- ^ Prilozi za književnost, jezik, istoriju i folklor (në serbo-kroatisht). Vëll. 51–52. Državna Štamparija. 1988. fq. 94.
- ^ a b c Ndreca, Ardian (14 shtator 2008). "Rrënojat e Abacisë së Shirgjit dhe shpëtimi i tyne". Gazeta 55. fq. 6. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 20 shtator 2010.
- ^ Pulaha, Selami; Zamputti, Injac (1990). Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë IV (1675-1699). Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë: Instituti i Historisë. fq. 28–29. OCLC 164916955.
- ^ Republic of Albania Community for the Cults. "Objekte fetare me statusin \"Monument Kulture\"". Albanian Government. Marrë më 20 shtator 2010.