Injac Zamputi (italisht: Ignazio Zamputti; Shkodër, 12 shkurt 1910 - Tivoli, 28 shkurt 1998) ka qenë studjues, medievist dhe shkrimtar shqiptar me prejardhje italiane.

Prejardhja Redakto

Gjyshi i Zamputtit quhej Giuseppe Zamputti, ishte mjek në profesion dhe iku nga Italia në vitin 1870 pas humbjes së shtetit papal në Porta Pia. Fillimisht u vendos si mjek bashkie në Kavajë, ku edhe u martua me Luigjian, nga familja e njohur raguzane Raçiç. Më pas u transferua në Durrës dhe vitet e fundit u vendos në Shkodër, ku edhe vdiq në vitin 1900. I ati i Injacit Romolo, ka lindur në Durrës në vitin 1876. Punoi si nëpunës poste pranë Konsullatës Italiane në Shkodër.[1]

Jeta Redakto

I ati në Shkodër u martua me Nine Temalin, e vejë me një vajzë, familja e së cilës kishte zbritur nga Temali i Dukagjinit. Nga martesa e tyre patën tre fëmijë: dy vajza dhe Injacin, i cili ishte fëmija i fundit. Romolo vdiq në mënyrë aksidentale në vitin 1911 duke e lënë Injacin jetim në moshën 1 vjeçare, së bashku me tri motrat.

Studioi në kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe, me pas, 21 vjeçar, po ne ate kolegj nisi karrierën e vet si mësues i letersise dhe i gjuhës shqipe, duke qene kolegu i ri i D. Ndre Mjedes. Qe nder themeluesit e revistes "LEKA" dhe te Albanologjise Saveriane, gjithnje si nxenes dhe koleg i P. Zef Valentinit. Më pas me korrespondence studjoi per shkenca politike në Universitetin e Triestes në Itali, ku mbron temën "700-a Veneciane dhe Shqipëria".[1]

Me 1937 martohet me Roza Prelen, vajzen e vetme te Tef Preles, dhe nga kjo martese linden 6 femije: 5 vajza e nje djale.

Pas pushtimit italian, është redaktor italian i gazetës ''Rinija Fashiste'',[2] dhe nga 1941 deri më 1944 redaktor i revistës Leka.[3] Pas luftës, më 1945, punoi si drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Shkoder e më pas, 1946-48, dërgohet në Gjirokaster si mësues letërsie në liceun e atij qyteti. Me hapjen e Institutit të Shkencave thirret në Tiranë ku i caktohet dega e historisë së mesjetës.

Vdiq më 28 shkurt 1998 në Tivoli në Itali dhe, sipas porosisë së tij të fundit, eshtrat e tij prehen në varrin e familjes në Tiranë.

Vepra Redakto

Shkroi publicistikë në "Hylli i Dritës", "Leka" dhe në "Kumbona e së dielës".

Botoi vëllimet me novela "Zemra njerëzish", "Atje, nën hijen e Rozafës", melodramën "Damiani himariot". Ndër punimet e para është zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të quajtur "Anonimi i Elbasanit", transkriptimi e komentimi i tij duke e çuar së paku në shek. XVII lëvizjen e ritit ortodoks për një liturgji në gjuhën shqipe. Po kështu zbertheu alfabetin e panjohur të shek. XIX të një poezie me përmbajtje bektashiane. Më pas boton librin "Perpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi në shek. XVI-XVII". Në atë periudhë fillon të pergatisë kuadrin e ri për dokumentacionin e periudhës së mesjetës, u jep drejtime se ku të shkojnë për ta kërkuar në arkivat e ndryshme të Venecias, Vatikanit, Raguzës etj., mbasi ai vete nuk lejohet te dale asnjehere nga Shqiperia. Konkluzionet e studimeve të dokumentacionit botoheshin në formë artikujsh në revistën "Studime historike". Nga dokumentacioni i kohës zbulon e studjon Buzukun, Bardhin, Budin, Bogdanin e Barletit e Beçikemit. Të periudhës 1960-1990 janë:

  1. Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shek. XVII - vëll. I (1963)
  2. Idem - vëll. II (1965)
  3. Dokumente të shek. XV për Historinë e Shqipërisë - pjesa e I (1967)
  4. Idem - pjesa e II (1979)
  5. Regjistri i kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417-(1977)
  6. Dokumente të shek. XVI-XVII për Historinë e Shqipërisë - vëll. I (1989)
  7. Idem - vëll. II (1990)
  8. Idem - vëll. III (1989)
  9. Idem - vëll. IV (1990) (bashkëautor Selami Pulaha)
  10. Dokumente për Historinë e Shqipërisë të shek. XV - 1400-1405 (1987) (bashkëautor Luan Malltezi).

Të gjitha këto vëllime janë botuar me transkriptimet origjinale, përkthimet përkatëse, me indekset e emrave të personave e të vendeve dhe me shpjegimet e duhura. Vetëm në këto vellime dokumentash numërohen më shumë se 5000 faqe. Në vitet '50 e fillimet e viteve '60 merret edhe me letërsi. Shkruan tri drama, një melodramë, dy tregime të gjata, një poemë për luftën e Himarës 1481, por nuk lejohen te botohen e, kështu heq dorë nga letërsia e i kushtohet vetëm historisë e paleografisë. E vetmja dramë që arriti të dëgjohet vetëm një herë në radio e inçizuar nga studentët e ILA më 1965 qe drama "Guri i themelit" me temë mbi kalanë e Shkodrës. Në fundin e viteve '80 e ndjen se do të ndodhnin ndryshime të mëdha. Fillon e zgjeron aktivitetin e tij duke përkthyer më 1989 "Burgimi im" të Pashko Vasës të pajisur me parathënie e shënime të ndryshme. Të vitit 1988 janë punimet e tij me shumë interes për leximin e "Mbishkrimit të Arbërit" e "Mbishkrimit të Brarit" të cilët lexohen për herë të parë në mënyrë të plotë dhe që vendosin gurë themeli në historinë e popullit shqiptar. Të periudhës së viteve të para të demokracisë janë dy librat e tij: "Fishta - koha, njeriu, vepra" dhe "Ekskursion në dy vepra të Kadaresë" (1993). Në vitin 1993 Injac Zamputti riatdhesohet në Itali nga ku, në vitet 1995-97 boton artikuj e studime me shumë interes në revisten "Hylli i dritës" për çështje të fillimit të letërsisë në gjuhën shqipe dhe, i fundit, për aksionin kolonizues të Dionisit e luftrat iliro-romake.

Nuk iu njoh diploma e Triestes, nuk iu dha asnjë gradë shkencore, asnjë titull dhe, rrjedhimisht, nuk ishte as anëtar i Akademisë: të gjitha këto nga prejardhja e tij italiane e, sidomos, nga mospranimi për të bashkëpunuar me policinë sekrete- Sigurimin (shih gazeta "Panorama" - 30.11.2009).

Mirënjohje Redakto

Më 1995 nga Presidenti i Republikes i jepet dekorata "Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës" me motivacionin "Për kontribut shumë të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike".

Referime Redakto

  1. ^ a b Marku K., Shkolla historiografike që na la Injaz Zamputti, Gazeta 55, 3 tetor 2016.
  2. ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 72. ISBN 9789928440358.
  3. ^ Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: ISKK. fq. 67. ISBN 978-9928-168-12-2.