Marigo Pozio, mbiemri i vajzërisë Poçi, lindi në Korçë, me 2 shkurt 1882 dhe vdiq në 23 shkurt 1932. Ishte e bija e Papakosta Poçit dhe Lenka Ballaurit me origjinë nga Voskopoja. Ajo kishte dhe dy motra: Urani Poçin (e martuar me Kristo Floqin) dhe Angjeliqi Poçin (e martuar me Koço Kottën, kryeministër në kohën e mbretit Zog). Marigoja u martua me Jovan Pozion nga Hoçishti i Devollit. Familja u vendos më vonë me banim në Vlorë. Marigo do të lindte tri vajza, Evridhiqin, Fereniqin dhe Lirinë. Evridhiqi u martua me një ushtar italian dhe emigroi. Marigoja vuante nga turbekulozi, sëmundje e pashërueshme për kohën. Po ashtu ajo humbi edhe shikimin gjatë viteve të fundit të jetës.

Marigo Posio
U lind në
Marigo Poçi

2 shkurt 1882
Vdiq23 Gusht 1932
Tiranë, Shqipëri
Vendi i prehjesManastiri i Zvërnecit, Vlorë
KombësiaShqiptare
Bashkëshorti/jaJovan Posio
Prind/ërPapa Kosta Poçi (babai)
Lenka Ballauri (nëna)
Të afërmUrani Poçi (motër)
Angjeliqi Poçi (motër)
Spiridon Ilo (kushërirë)

Po kështu Marigoj shkruante dhe botonte në shtypin e kohës dhe mjaft poezi, si për shembull, kushtuar Avni Rustemit; “Ti vrapove porsi plumbi/ Ti u bëre erë e hije/ Shkele, shkove dhe e shove/ Shqipërinë e shpëtove...”. Familja vuajti nga një sërë fatkeqësish, së pari me fëmijët e tyre, dhe më vonë me shëndetin e Marigosë për shkak të tuberkulozit. Kristo Floqi ngriti zërin më 9 dhjetor 1928 duke akuzuar autoritetet shqiptare se kishin harruar kontributin e Marigos. Marigo nuk e mori "statusin e veteranit", ashtu si shumë të tjerë bënë në vitin 1912.[1] Ajo vdiq e lënë pas dore dhe u harruar në vitin 1932, dhe u varros në varrezat e Manastirit të Zvërnecit.[2]

Flamuri kombëtar Redakto

 
Bust i Marigos në Vlorë

Sipas Zhaneta Poçit , mbesë e Marigo Pozios, Marigoja e qendisi flamurin kombëtar sipas një modeli të Dom Mark Vasës, për pajën e saj, qëkurse ishte çupë. Këtë flamur ajo ja dha Ismail Qemalit.[3] Marigoja e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Më pas në gjithë dritaret e asaj godine janë valëvitur flamujt e stamposur nga Marigoja me përmasa 70 - 40 cm, me shkabë në mes dhe anash me shkrimin: “Rroftë Shqipëria”.

Vepra Redakto

Në vargun e madh të rilindësve shqiptarë një vend të rëndësishëm ndër ata që ju kushtua çështjes së atdheut në ato çaste që po kalonte vendi ka qenë dhe patriotja me zemër të madhe nëna e kombit siç e quanin bashkëkohësit Marigo Pozion. Marigoja, vajza korçare e martuar me Jovan Pozion, nga fshati Hoçisht i Devollit, u detyrua të largohet nga ky fshat për arsye të ndjekjeve që u bëheshin patriotëve dhe në vitin 1904, u vendos në Vlorë në lagjen Muradie.

Marigoja ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe që nëpërmjet këtij shkrimi nuk mund të shpaloset me kompleksitetin e vet gjithë madhështia e kësaj figure, sublimiteti i jetës dhe veprës së saj për identitetin kombëtar dhe shoqëror për vlerat dhe karakterin e gruas shqiptare dhe emancipimin e saj në të gjithë Shqipërinë. Në të gjithë veprimtarinë e saj spikati akti sinjifikativ i qëndisjes së flamurit që u valëvit në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe si i tillë mbeti simbol duke u dekoruar me dekoratën më të lartë Flamuri i Kombit (Dekreti 3292 i datës 15. 04. 2002). Marigoja filloi një veprimtari të gjerë politike atdhetare dhe emancipuese duke e shndërruar shtëpinë e saj në një çerdhe të vërtetë atdhetarizmi ku zhvilloheshin biseda, qaheshin halle dhe hartoheshin thirrje e dërgoheshin letra për ta bërë Shqipërinë të lirë të pavarur dhe të përparuar. Dokumentet flasin se në shtëpinë e çiftit Pozio shumë veteranë të çështjes kombëtare si Murat Toptani, Dervish Hima, Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Pandeli Cale, Ceno Sharra, Jani Minga e Mihal Grameno, e kishin si shtëpinë e tyre dhe se nuk kanë kursyer asgjë për atdheun.

Pas shpalljes të pavarësisë, ajo lufton për krijimin e shoqërive patriotike dhe mirëbërëse dhe ia arrin qëllimit në muajin mars të vitit 1914 duke themeluar shoqërinë Shpresa Kombëtare, në të cilën ajo, siç shkruan gazeta “Populli”, se më e ditura grua e qytetit zgjidhet sekretare.

Lufta e Parë Botërore paralizoi veprimtarinë e shoqatës Shpresa Kombëtare, dhe, për këtë arësye, më 23 janar të vitit 1921, rifilloi aktivitetin e kësaj shoqate duke pasur në krye Marigo Pozion, e cila kreu detyrën e drejtoreshës të përgjithshme të gazetës Shpresa e Kombit, gazeta e parë e gruas shqiptare, e cila si stemë kishte shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, dhe ku qëllimi kryesor ishte të grumbullonte rreth vetes të gjitha gratë dhe vajzat të cilat me bindje e tyre të vinin mbi çdo gjë interesat e atdheut dhe të luftonin për çështjen kombëtare të edukimit të tyre me veprimtarinë patriotike kulturore dhe artistike shkollimin dhe lartësimin e femrës shqiptare. Vajzat e saj, Evridhiqi dhe Fereniqi, të shkolluara në SHBA, ishin redaktore të kësaj gazete dhe gjithashtu ishin edhe anëtare dhe merrnin pjesë në orkestrinën që kishte krijuar grupi Labëria.

Vajza e tyre Fereniqi dha një ndihmesë të rëndësishme për emancipimin e gruas shqiptare, shkroi me mjaft sukses në gazetat Mbrojtja Kombëtare dhe Shpresa e Kombit. Nuk mund të lemë pa përmendur djalin e saj të vetëm Vaso, i cili radhitet ndër artistët e parë vlonjatë që organizuan shfaqjen e parë teatrale në këtë qytet me dramën historike Vdekja e Pirros të Mihal Gramenos i cili luajti rolin e Aleksandrit.

Gazeta “Zëri i Popullit” të Nju-Jorkut e datë 18 shkurt 1913 e shtypit shqiptar që botohet në Amerikë në një artikull njofton se djali 14-vjeçar Vaso Pozio nga Vlora i kapërceu të gjithë shokët nga çdo pikëpamje dhe i uron djaloshit dhe prindërit la e me la.

Në motivacionin e dekorimit të parë më 7 Mars 1960 pohohet pikërisht fakti se ka punuar pa u lodhur për mësimin e gjuhës dhe për çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare, duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare. Dekorata është me urdhrin e klasit të dytë dhe është vendosur në stendat e muzeut të pavarësisë në Vlorë.

Nuk mund të mos lëmë pa përmendur dhe shkrimin në gazetën Korça më 30 janar 1910, ku ajo cilësohet si një burim që buron kurdoherë dhe që nuk resht as shteron.

Kjo grua e vyer e zhvilloi aktivitetin e saj patriotik e kombëtar si një nga anëtaret e Klubit politiko –patriotik dhe kulturor Labëria si dhe përkrahëse aktive e luftës së Vlorës të vitit 1920.

Fryma e lartë atdhetare e kishte pushtuar të gjithë familjen e saj e cila shërbente si shembull për çështjen kombëtare. Ajo gëzonte jo vetëm respektin e përkrahjen për burrin e saj Jovan, por edhe të fëmijëve të saj, të cilët dalloheshin për veprimtari shoqërore dhe atdhetare.

Në një poezi, e cila i është kushtuar Marigos në gazetën – Besa në të Tiranës e vitit 1934 datës 28 Nëntor shkruhet.

Cila dorë e pati punuar

Kombit kush ia pat kushtue

Atë flamur që valoj në Vlorë

Ajo qe një atdhetare

Marigoja, grua korçare

Që punoj porsi burrë

Që s”ju shmang detyrës kurrë.

Sëmundja e pashërueshme tuberkulozit ia merr të tre fëmijët dhe vetë ajo sëmuret po nga e njëjta sëmundje dhe me gjithë mjekimet dhe me gjithë dhimbjet që provonte në trup gjeti forca për të biseduar me aktorin e madh Aleksandër Moisiu për të kujtuar Shqipërinë e shqiptarët.

Në gusht të vitit 1932 mbylli sytë shqiptarja e shquar Marigo Pozio. Atë do ta varroste me nderim populli fisnik i Vlorës që kurrë nuk e ka harruar por i ka dhënë vendin që i takonte si përfaqësuesja më e denjë e femrës shqiptare.

Shtëpia e rikonstruruar ku ka banuar Marigoja falë mbështetjes së kryetarit të komunës Oçisht dhe donacionit të mbesës së saj Violeta Posio me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë u kthye në një shtëpi muze dhe mirëpriti e mirëpret vizitorë shqiptarë nga e gjithë bota.

Shtëpia ku Marigo Pozio jetoi në Tiranë një shtëpi në rrugën “Isa Boletini", në fund të viteve 1920, nuk është monument kulture.[4]

Referime Redakto

  1. ^ Ledia Dushku (2012-12-02), "Lef Nosi: Çfarë dinte dhe ç'dëshmi la për flamurin e Pavarësisë" (PDF), Rilindasi (45): 14, Në një shkrim rreth ligjit të veteranëve në Gazeta e Re, më 9 dhjetor 1928 Kristo Floqi, ngre zërin për faktin se Marigo Pozio, veprimtare e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, njëkohësisht qëndistare e flamurit të ngritur nga Ismail Qemali, nuk merrte shpërblimin e veteranit.
  2. ^ Llojdia, Gëzim (15 gusht 2013). "Në manastirin e Zvërnecit". Marrë më 2 dhjetor 2021.
  3. ^ Top Channel (1 nëntor 2012). "Misteri i flamurit të parë shqiptar". Marrë më 9 korrik 2018.
  4. ^ Stamati, Frederik (8 korrik 2018). "Fotot e rralla/ Shtëpia e vjetër në Tiranë, ku ka banuar Marigo Pozio". Marrë më 9 korrik 2018.

Lidhjet e jashtme Redakto