Pashallarët e kuq njohur në origjinal si Në mesditë Byroja Politike u mblodh është poemë e shkrimtarit Ismail Kadare e shkruar më 1974. U dërgua në shtyp në tetor 1975, por botimi u pezullua në mesnatë dhe të gjitha dorëshkrimet e poemës u sekuestruan. Autori propozoi gjatë autokritikës së vet që të lejohej të shkonte me "leje krijimi" në fshat, kohë gjatë së cilës qëndroi deputet i legjislaturës.[1]

Dorëshkrimi origjinal u konfiskua dhe është zhdukur përgjithnjë ndërsa teksti i daktiloshkruar i poemës u zbulua në vitin 2002 dhe u botua për herë të parë. Në vitin 2011 u publikuan procesverbalet e mbledhjeve ku u dënua vepra.

Përmbajtja Redakto

Poema i referohej një mbledhjeje të Byrosë Politike të datës 27 qershor 1975, nga e cila doli një "Vendim i Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së mbi disa masa për luftën kundër burokratizmit veçanërisht për thjeshtimin e organikave".[2]

Analiza Redakto

Poema i përket traditës së "letërsisë politike të Europës Qendrore",[3] gjegjësisht kundër burokratizmit siç kuptohej në vitet kur u shkruajt.[2] Qe tundim i radikalizmit të majtë të autorit; si dhe i mëtimit të milituar në politikën e regjimit totalitar, madje edhe si tregues besnikërie ndaj Enver Hoxhës në "përleshjen e tij me burokracinë".[2][4] Krahas ekzaltimit të figurës së Enverit, ashtu sikurse te Dimri i madh, bënte thirrje për ashpërsim të luftës së klasave sipas modeleve të revolucionit kulturor kinez.[5] Ai akuzon rrethin e Enver Hoxhës se mbanin përgjegjësi për problemet në vend. Ky produkt letrar i absolutizmit iluminist, synonte të përmirësonte politikën duke i bërë thirrje sovranit të spastronte qeverinë nga shërbëtorët e tij të korruptuar. Poema është sulm kundër Partisë, Byrosë Politike dhe nomeklaturës. Hoxha shfaqet si "sundues i mirë" i cili mbron interesat e popullit nga zyrtarët e korruptuar. Mirëpo thelbi i kësaj tradite të shkrimit ishte se kuptohej se vetë sistemi ishte i korruptuar dhe me plot të meta, sado që sunduesi është "i mirë".[3] Byrokratët komunistë në poemë paraqiten me duar të përgjakura.[6]

Paraqitjen e saj si provë disidence e kanë quajtur pjesë të kulturës së simulim-manipulimit, sepse duke pasë qenë e botuar në Francë dhe e prezantuar provë disidence për të simuluar atë që çmohet më së shumti në kushte totalitare (disidencën) duke u konformuar ndaj pëlqyeshmërisë së huaj, manipulohet si rrjedhim opinioni shqiptar me këtë hyrje në rol.[7]

Ndalimi Redakto

Autori e shkroi këtë poemë në janar 1974 dhe e çoi për botim në gazetën "Drita" në tetor 1975. Poema ishte paraparë të zinte vendin kryesor në faqosje të gazetës, mirëpo në mesnatë teksa shtypej, e lexoi kryeredaktori i gazetës dhe pezulloi botimin.[8][9] Agolli e informoi Pirro Kondin, anëtar i Komitetit Qendror për këtë poemë duke shtuar se Kadareja aty tregon se "Partia nuk është më në gjendje të qeverisë". Poema u hoq nga shtypi dhe autorit iu sekuestrua origjinali.[9][10]

Autori u thirr për të bërë autokritikë në aparatin e Komitetit Qendror, në një mbledhje të drejtuar nga vetë Ramiz Alia, ku qenë të pranishëm funksionarë të KQ të PPSH, të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Ministrisë së Arsimit. Procesverbalet e mbledhjeve u bënë publike më 2011.[11]

Në analiza të tjera të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të KQ të PPSH, prirjet e Kadaresë "për të dalë autoritet mbi Partinë" u krahasuan me prirjet e puçistëve në ushtri dhe të komplotistëve në ekonomi.[12]

Kadare u detyrua të paraqiste autokritikë edhe përpara organizatës bazë të partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ai pranoi se kishte shkruar një vepër "armiqësore, kundërrevolucionare, kundër vijës së Partisë, Diktaturës së Proletariatit dhe popullit".[10] Poema u ndalua.[13] Dorëshkrimi i poemës kaloi në fare pak duar, madje as funksionarëve të lartë të PPSH dhe Lidhjes së shkrimtarëve nuk u është dhënë, dhe nuk e njihnin, duke e gjykuar të rrezikshme dhe infektuese ideologjikisht. Dorëshkrimi origjinal që iu konfiskua autorit është zhdukur përgjithnjë dhe mbijeton vetëm teksti i daktiloshkruar që u dorëzua në gazetën Drita.[14]

Si ndëshkim dënimi qe i lehtë:[15] iu ndalua e drejta e botimit,[13] me propozimin e tij[1] për t'u vetëdënuar shkoi "me leje krijimi" në Fier,[16] Seman dhe Libofshë[17] ku të mësonte të "kontribonte në mënyrë produktive në të mirën e kombit".[18] Biseda për poemën ose vetë përmendja e saj ishte e ndaluar gjatë kohës së komunizmit, madje edhe për vetë Kadarenë.[19]

Pas komunizmit Redakto

Pas rënies së sistemit, kritikët e Kadaresë kanë hedhur dyshime mbi ekzistencën e poemës, duke e akuzuar atë se e kishte shpikur pas 1990-tës për ta paraqitur veten si disident.[10] Helena Kadare, bashkëshortja e autorit në lidhje me këtë shkruan:

Detraktorët e tij, sa herë që binte fjala për këtë vjershë, e quanin atë si një fantazi të shkrimtarit. Disa arritën deri atje, sa ta quajnë lavdërim për diktaturën, madje u tha se shkaku i zemërimit kundër Is., ishte se regjimit nuk i pëlqenin lavdërimet e tepruara, ndaj deshi ta dënonte shkrimtarin për këtë!

— Helena Kadare, Kohë e pamjaftueshme: kujtime (Onufri 2011, fq.339)

Madje edhe historiani Noel Malcolm e quajti poemën në shtypin amerikan "fantazi të I.K.".[19] Përveç kësaj, për poemën ishte spekuluar edhe se nuk ishin byrokratët ata që Kadare i kishte paraqitur me duar të përgjakura, por ishin "komplotistët".[6]

Mirëpo në vitin 2002 poema u zbulua në arkivin e shtetit dhe u botua me miratimin e autorit.[10] Pas botimit të poemës, ajo filloi të sulmohej se ishte "vepër tipike e realizmit socialist". Në shtyp u shtrua pyetja se nëse poema ishte "vepër tipike e realizmit socialist" atëherë përse kishte ngjallur zemërim aq të madh te shteti kundër autorit.[6]

Me publikimin e disa dokumenteve nga arkivat e shtetit në vitin 2011 doli në dritë edhe qasja zyrtare e shtetit ndaj poemës. Në vitin 2018 u publikuan edhe shënimet e ditarit të Hoxhës ku analizonte poemën.

Trashëgimia Redakto

Pas dërgimit të Kadaresë në Myzeqe, i vdiq babai. Sipas tij, i ati e dinte të internuar ose më keq, dhe kishte vdekur me atë mendim në kokë.[20]

Për të kapërcyer ndalesën e botimit të romaneve të reja, e cila qe pjesë e ndëshkimit, i maskoi ato si novela duke i ngjeshur në një përmbledhje novelash.[13] Kësodore u botuan vëllimet me novela: Ura me tri harqe më 1978, Gjakftohtësia më 1980 dhe Koha e shkrimeve më 1986.

Referime Redakto

  1. ^ a b Malcolm, Noel (15 janar 1998). "'In the Palace of Nightmares': An Exchange". nybooks.com (në anglisht).
  2. ^ a b c Vehbiu, Ardian (25 janar 2019). "Pashallarët në nëntë pamje". Peizazhe të fjalës. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ a b Morgan 2011, pp. 164-165.
  4. ^ Vehbiu, Ardian (23 janar 2019). "Filologjia e shkurtimit". Peizazhe të fjalës. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ Demalia, Ilir (28 gusht 2020). "Enveri urdhëroi arrestimin e Kadaresë dhe Qemal Lame i ndërroi mendjen? Kaq budalla ishte Enveri?!". panorama.com.al. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. ^ a b c Kadare 2011, pp. 341-342.
  7. ^ Lubonja, Fatos (14 shtator 2020). "Raporti i Kadaresë me regjimin e djeshëm, njëjtë me atë të korruptuar mafioz të sotëm". dosja.al. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  8. ^ Haliti, Faslli (24 tetor 2014). "Ismail Kadare është gjeni. Nuk njoh asnjë gjeni servil". Res Publica. Intervistuar nga Leonard Veizi. Marrë më 10 nëntor 2017.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  9. ^ a b Sinani 2011, p. 287
  10. ^ a b c d Morgan 2011, pp. 165-168.
  11. ^ Sinani 2011, p. 243
  12. ^ Sinani 2011, p. 250.
  13. ^ a b c Fayé, Éric (1993). Kadaré, Ismail (red.). Oeuvres completes (në frëngjisht). Vëll. 1. Editions Fayard. fq. 10–20.
  14. ^ Sinani 2011, p. 257.
  15. ^ Morgan, Peter (2010). "Ismail Kadare: Writing under Dictatorship". Arts: The Journal of the Sydney University Arts Association (në anglisht). 32: 76.
  16. ^ Gjini, Kozma (5 qershor 2018). "Një burrë nga Myzeqeja". telegraf.al. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  17. ^ Kulla, Pëllumb (2008). "Sulmet ndaj Kadaresë". alb-club.alb. Marrë më 9 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  18. ^ Morgan 2011, p. 175.
  19. ^ a b Kadare 2011, p. 339.
  20. ^ Sinani 2011, p. 345-346.

Bibliografia Redakto

  • Sinani, Shaban (2011). Letërsia në totalitarizëm dhe "Dossier K". Naim Frashëri.
  • Morgan, Peter (2011). Kadare: Shkrimtari dhe diktatura 1957-1990 (bot. 1). Tiranë: Shtëpia Botuese "55". ISBN 978-9928-106-12-4.
  • Kadare, Helena (2011). Kohë e pamjaftueshme. Tirana: Onufri. ISBN 978-99956-87-51-9.