Peçi Dado është një aktor shqiptar. U lind në fshatin Ogren, të rrethit të Përmetit, më 27 Mars 1935. Pas mbarimit të shkollës pedagogjike në Tiranë, fillon punën si redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe pas një viti u emërua shef sektori. Gjatë kësaj periudhe të karrierës në gazetari, boton një numër të madh reportazhesh dhe tregimesh artistike që vlerësohen me çmime kombëtare. Në vitin 1960 fillon studimet e larta për kino-dramaturgji, në Moskë, të cilat, për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, i vazhdon në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë. Punimi i tij i Diplomës, i pari i këtij lloji në vend, do të jetë mbi dramaturgjinë e filmit. Pas diplomimit fillon punën si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e re”. Më vonë do të jetë edhe drejtor i Drejtorisë së Skenarit pranë Kinostudios. Të shumtë kanë qenë filmat artistikë për të cilat ai ka shkruar skenarët. Disa prej tyre janë vlerësuar edhe me Çmimin e Republikës. Peçi Dado ndahet nga jeta në 24 maj 1981, gjatë përgatitjeve të xhirimit të filmit “Qortimet e vjeshtës”, duke lënë disa dorëshkrime skenarësh që do të realizohen pas vdekjes së tij.

Skenarist

Filma Artistikë

1989—Kush është vrasësi

1983—Apasionata

1982—Qortimet e vjeshtës

1978—Udha e shkronjave (Film televiziv)

1976—Ilegalët

1975—Në fillim të verës

1972—Kryengritje në pallat

1971—Abc... zh

1964—Toka jonë (film)