Grigor Teologu
Ky artikull dyshohet se përmban hulumtim vetjak apo thënie të pacituara prandaj nuk mund të merret si i saktë. |
Grigori i Nazianzit ose ndryshe edhe i Kostadinopojës (gr. Γρηγόριος - i shpejtë, vigjilent, lat. Gregori. Lindi në vitin 329 - vdiq 25 janar 390) është njëri nga Tre Hierarkët e Mëdhenj e Ekumenikë, së bashku me Vasilin e Madh dhe Joan Gojartin, dhe që nga Kisha e Perëndimit njihen si 3 Doktorët e Kishës së Lindjes. Është shenjtor i të dy Kishave. Në kishën e Perëndimit njihet si Gregori i Naciancusit Në Kishën Ortodokse shën Grigori kremtohet 25 Janar dhe së bashku me dy hierarkët e lartpërmendur në 30 Janar.
Shën Grigori, ky njeri me shpirt qiellor dhe me gojë të shenjtëruar nga zjarri i Shpirtit të Shenjtë, depërtoi kaq thellësisht në misteret e Perëndisë, sa ndër Etërit e shenjtë vetëm ai u gjykua i denjë për titullin Theolog, ashtu si Joani, Nxënësi i Dashur i Krishtit. Konsiderohet gjerësisht si një prej oratorëve më të talentuar të Mësuesve dhe të Etërve të Kishës[1]. Është nga teologët kryesorë që ndikuan në përcaktimin e teologjisë së Trinisë së Shenjtë.
Jeta e tij e tejkaloi gjerësisht kufijtë e një biografie të thjeshtë dhe paraqitet më tepër si prototipi i shenjtërisë së krishterë dhe veprat e tij të pavdekshme, të pakapërcyeshme në bukuri dhe thellësi, përbëjnë stolinë më të vyer të Nuses së Fjalës së Perëndisë (Kishës).[2]
Vitet e fëmijërisë dhe arsimimit
RedaktoLindi prej prindërish besimtarë të krishterë Grigorit dhe Nonës, që të dy shenjtorë të Kishës. Në Kishën Ortodokse Grigori (i Vjetri) kujtohet më 2 janar dhe Nona në 5 gusht. I ati, shën Grigori i Vjetër, njeri i urtë dhe i virtytshëm, ishte episkopi i Nazianzit, qytetit të vogël të Kapadokisë (në Turqi). Mbetën për një kohë të gjatë pa pasardhës, por Perëndia u dha menjëherë tre fëmijë: Gorgonian (shenjtore, 23 shkurt), Grigorin dhe Qesarin (shenjtor, 9 mars). Pas lindjes së Gorgonias, shën Nona i ishte lutur vazhdimisht Zotit t’i dhuronte një djalë, duke i premtuar se do t’ia përkushtonte Atij. Perëndia iu përgjigj kësaj lutjeje, duke i treguar në ëndërr fytyrën e fëmijës që do të lindte dhe i dha edhe emrin.
Që kur lindi Grigori, më 329, e ëma u kujdes që të kultivonte tek ai farat e virtyteve të shenjta, dhe fëmija tregoi menjëherë urtësinë e të vjetërve, tërheqje të madhe e të papërballueshme për studimin, soditjen dhe lutjen. Ai mori vendimin t’ia kushtonte jetën Perëndisë në virgjëri dhe t’u shmangej kënaqësive dhe argëtimeve të kësaj bote. I shtyrë nga dashuria për shkencën, u nis bashkë me të vëllanë, Qesarin, për të studiuar retorikë në Qesari të Anadollit, ku njohu shën Vasilin (1 janar), pastaj u kthye në Qesari të Palestinës dhe në Aleksandri të Egjiptit, ku la të vëllanë, për të lundruar drejt Athinës së ndritshme, e cila ruante ende famën si kryeqytet i oratorisë dhe i filozofisë.[3]
Me shën Vasilin e Madh
RedaktoAtje Grigori lidhi miqësi me Vasilin. Gjithçka mes tyre ishte e përbashkët: dashuria për dije, talenti i oratorisë, thellësia e reflektimit dhe, mbi të gjitha, pastërtia e zakoneve, kërkimi i përsosmërisë dhe vigjilenca e gjithë qenies së tyre para Perëndisë.[4] Këto i bënin që t’ua kalonin bashkëstudentëve dhe mësuesve të tyre, u bënë të dashur për të gjithë dhe tërhoqën të gjithë njerëzit që kërkonin sinqerisht të vërtetën. Dhe kur Vasili vendosi të kthehej në atdhe, duke menduar se tashmë kishte fituar njohuri mjaftueshëm, shokët e tij u përpoqën ta mbanin Grigorin për ca kohë dhe ta bënin mësuesin e tyre. Shën Grigori arriti më në fund të lirohej nga kjo lidhje e papërshtatshme dhe u kthye në Kapadoki më 359, kur ishte 30 vjeç, dhe u pagëzua.
Tashmë nuk bëhej fjalë që ai të shikonte drejt shkencave dhe bukurisë së gjuhës. Me gjithë vrullin e shpirtit, donte të jetonte vetëm për Perëndinë, për soditjen e Mbretërisë dhe lavdisë së Tij, duke e çliruar mendjen nga lidhjet me botën. Deri në fund të ditëve të tij ia nënshtroi trupin asketizmit, me gjithë sëmundjet e herëpashershme, që turbullonin veprimtaritë e tij, por që i duronte me gëzim. Derdhte shumë lot kur lutej ose kur zhytej në leximin e Shkrimit të Shenjtë, që të mbushej me fjalën e Perëndisë; dhe oratorinë që kishte fituar, e vuri në shërbim të Fjalës (Logos) së Perëndisë. Por më shumë se gjithçka, dëshironte të jepej pa u turbulluar në soditje, në heshtje larg botës. Prandaj u bashkua me nxitim me shën Vasilin, në vendin e tij të tërhequr në luginën e Irisit, që të jetonin së bashku si engjëj, sipas planeve që kishin bërë kur ishin në Athinë. Depërtuan së bashku, si një shpirt i vetëm, në misteret e Perëndisë; të dy u transportuan në soditje qiellore, parafigurim i gëzimit dhe i harmonisë së të zgjedhurve në Mbretërinë e Perëndisë, dhe morën kështu nga Zoti një njohje të pakrahasueshme për misterin e njeriut dhe të natyrës, si dhe për artin e pastrimit të shpirtit nga pasionet. Prandaj, me gjithë moshën e tyre të re dhe vitet e pakta në jetën murgërore, arritën të hartonin Rregullat murgërore, të cilat mbetën statuti i themelimit të murgërisë ortodokse.
Dorëzimi në prift
RedaktoKjo jetë e përbashkët qiellore zgjati për pak, sepse Grigori u thirr nga i ati i moshuar, që të kujdesej për të dhe të merrte, në vend të tij, drejtimin e Kishës së Nazianzit,[5] fatkeqësisht të përçarë pas sinodit heretik të Riminit (359). Grigori u përpoq të bashkonte soditjen dhe jetën aktive. Me gjithë frikën e përzier me respekt për priftërinë dhe parapëlqimin për soditjen, u hirotonis prift pa pëlqimin e tij dhe iku për në Pont, që të paqësonte dhimbjen bashkë me mikun e tij të shtrenjtë, Vasilin. Shumë e qortuan shenjtin, duke e akuzuar për frikë dhe dobësi karakteri. Por nuk ishte e vërtetë, sepse ai kishte arritur që në rini papasionshmërinë e lumur dhe zotërimin e të gjitha fuqive të shpirtit të tij, ishte një shembull i mrekullueshëm i delikatesës së tejskajshme dhe të ndjeshmërisë që fitojnë shenjtorët, duke iu afruar Perëndisë.
Ashtu sikurse edhe e shpjegon në ligjëratën e tij apologjitike (mbrojtëse të besimit), ai nuk iu largua priftërisë nga frika, por nga ndërgjegjja e thellë e përgjegjësisë së frikshme që ka bariu i shpirtrave dhe, mbi të gjitha, sepse preferonte të bashkohej në soditje me Perëndinë dhe, nëpërmjet Tij, me të gjithë njerëzit: “Asgjë nuk më dukej aq e dëshirueshme, thotë ai, sesa të mbyllja derën e shqisave, të dilja nga mishi dhe bota, të përqendrohesha në vetvete, duke mos mbajtur asnjë kontakt me gjërat njerëzore, përveç rastit të ndonjë nevoje absolute, të bisedoja me veten dhe me Perëndinë, që të jetoja mbi realitetet e dukshme, që të mbaja mbi vete shëmbëllimin hyjnor, pa ndryshim dhe pa përzierje me format kalimtare të kësaj bote; të bëhesha me të vërtetë pasqyrë dhe, duke u bërë vazhdimisht pasqyrë e vërtetë e panjollë e Perëndisë dhe e gjërave hyjnore, duke i shtuar dritë dritës dhe duke e zëvendësuar turbullimin me rregullin, duke u bashkuar që tani nëpërmjet shpresës me të mirat e jetës së ardhshme, për të shoqëruar engjëjt në rrethin e tyre, duke qëndruar mbi dhé, pasi të lija tokën dhe të lartësohesha nga Shpirti. Në qoftë se ndonjë nga ju është pushtuar nga kjo dëshirë, e kupton atë që dua të them dhe do të më falë atë që kam përjetuar dikur”.[6]
Pas tre muajsh, me porosi të shën Vasilit dhe nga frika se mos nuk i bindej vullnetit të Perëndisë, u kthye në Nazianz, dhe punoi me zell, që të sillte harmoni mes orthodhoksëve dhe t’u qëndronte pranë prindërve të moshuar. Për 10 vjet, ai ishte për Nazianzin modeli i bariut: dishepull i përulur i Zotit, shërbyes i fjalës dhe i Hirit të Tij, kanon i besës dhe ikonë e gjallë e përsosmërisë ungjillore.
Në vitin 361, kur perandori Julian, për të cilin Grigori kishte parathënë apostazinë e tij kur ishin bashkënxënës në Athinë, filloi përpjekjen për të rivendosur paganizmin, duke u ndaluar fëmijëve të krishterë të drejtën për mësimin e letërsisë, atëherë shën Grigori iu përgjigj me një fjalim të shkëlqyer që kishte shkruar dhe me poema sublime, në të cilat shpaloste misteret e besimit me përsosmëri letrare dhe pasuri figurash, me fjalor që ua kalonte veprave të autorëve më të mëdhenj të Antikitetit. Me shën Grigorin dhe Etërit e tjerë të Kishës së kësaj epoke, kultura helene jo vetëm që u kthye në Krishterim, por e tejkaloi përfundimisht dhe ia la vendin një kulture qartësisht të krishterë orthodhokse, e cila përdor më të mirën e krijimtarisë së Antikitetit, duke e shndërruar atë.
Në vitin 370, bashkëpunoi për zgjedhjen e shën Vasilit në fronin e Qesarisë dhe në njohjen e tij si udhëheqës i orthodhoksëve. Në vazhdim Grigori shpalli hapur hyjninë e Shpirtit të Shenjtë kundër heretikëve makedonianë dhe kundërshtoi me guxim persekutimin e perandorit Valens. Të dy miqtë kishin fituar autoritet në popull, ndaj perandori nuk guxoi t’i përndiqte dhe ishin të vetmit ortodoksë që i shpëtuan atëherë syrgjynosjes.[7]
Episkop i Sasimës dhe i Nazianzit
RedaktoNë vitin 372, shën Vasili e hirotonisi episkop të qytezës së rrënuar të Sasimës, e cila ndodhej në zonën e Kapadokisë së Dytë, provincë që u krijua nga perandori Valens, për të kundërshtuar veprimtaritë e episkopit të Qesarisë. Me ndjeshmërinë e madhe që e karakterizonte për përgjegjësinë baritore të episkopit, Grigori dy herë u largua dhe u rikthye në periudha të ndryshme në Nazianz.
Në fillim të vitit 379, Kisha u vesh me rroba zie për vdekjen e kandilit të Ortodoksisë, shën Vasilit, por e ndërroi menjëherë në tunikë ngazëllimi, kur u zhduk perandori heretik Valens dhe u emërua perandori i ri Theodhosi i Madh, mbrojtësi besnik i besimit të Sinodit të Nikeas. Të gjithë ortodoksët i kthyen sytë nga Grigori, si përfaqësuesi më i denjë i besës dhe predikuesi më i shkëlqyer.
Episkop në Kostandinopojë (379-381)
RedaktoBesimtarët e Konstandinopojës, kryeqytetit perandorak, që gjendej për më shumë se 40 vjet në duart e heretikëve, i kërkuan episkopit të Nazianzit t’i ndihmonte. E nxorën përsëri nga kënaqësitë e soditjes hyjnore, me qëllim që të mbronte Kishën. Ai shkoi në Konstandinopojë, duke pasur me vete fuqinë e pakundërshtueshme të fjalës dhe të mrekullive të tij. U prit në një shtëpi të prindërve, ku populli orthodhoks nisi me të shpejtë të mblidhej që të dëgjonte me entuziazëm predikimet e tij, dhe banesa e shenjtit u shndërrua në kishë, me emrin Anastasia (Ngjallja e shenjtë), si ngjallje të besimit ortodoks në Konstandinopojë, që kishte vdekur nga heretikët e që u ngjall me fjalën e tij.
I vetëm kundër shumicës së heretikëve dhe sekteve të ndryshme, shenjti e bënte për vete auditorin me oratorinë e tij dhe i priste sofizmat dhe argumentet e urtësisë mishore me “shpatën” e fjalës së Perëndisë.
Elokuenca, thellësia dhe fuqia e fjalës së tij
RedaktoNë një seri prej 5 fjalimesh për Trininë e Shenjtë, të cilat i dhanë titullin Theolog, ai tregoi, para së gjithash, se nuk ishte e përshtatshme të flisje për misteret e Perëndisë si për diçka të zakonshme, por vetëm në kohën e vet dhe pasi të jesh pastruar siç duhet. Ai paraqiti një shpjegim përfundimtar për pakuptueshmërinë e Esencës hyjnore, hyjninë e Birit të Perëndisë dhe atë të Shpirtit të Shenjtë.
Më shumë se të gjithë Etërit e tjerë, shën Grigori shkëlqeu në paraqitjen me shprehje të shkurtra dhe të mahnitshme të mistereve të mëdha të besës. Këto përkufizime janë kaq të përsosura, sa, me rrjedhën e shekujve, theologët e shenjtë e më të ndritur u kanë kushtuar fjalime të tëra për t’i komentuar, dhe janë kaq të bukura, sa një numër i madh prej tyre u përdor nga kompozitorët tanë për hartimin e himneve liturgjike të të kremteve të mëdha të vitit. Të lexuara dhe të mësuara përmendësh, si Shkrimi i Shenjtë, veprat e shën Grigorit janë një ikonë, ato të transportojnë në qiell dhe të futin në misteret e parrëfyeshme. Gjuha e tij është kaq e përsosur, sa e bën të panevojshme çdo fjalë dhe e çon natyrshëm të dashuruarin e Fjalës (Logos) të Perëndisë në lutjen e heshtur.
Me rigorozitet të palëkundur, për sa i përket besimit, shën Grigori kishte sjellje të butë ndaj çdo njeriu, mëkatar ose të humbur. Korrigjonte zakonet, duke treguar shembullin e sjelljes së krishterë me jetën e tij të mënjanuar nga jeta e botës, me rreptësinë e tij dhe me durimin në sprova e sëmundje, sa një numër i madh nga njerëzit që dëgjonin fjalimet e tij, u kthyen plotësisht në besim.
Sprovat e shumta në Konstandinopojë
RedaktoSuksesi i tij nxiti kundërshtime të ashpra nga ana e sekteve, dhe ziliqarët përhapën kundër tij shpifje të turpshme, sidoqoftë, pa arritur ta mundnin durimin dhe butësinë që kishte ndaj armiqve. Natën e Pashkës së vitit 379, disa heretikë, nxënës të Apolinarit, që ai e kishte mundur në mënyrë të shkëlqyer, shpërthyen në kishën e Shën Anastasisë, mbollën panik dhe u përpoqën ta qëllonin me gurë shenjtin, por nuk arritën dot ta vrisnin, gjë që ai e dëshironte për ta mbyllur vrapimin, duke marrë palmën e martirizimit. Pas kësaj sprove, e nxorën para gjykatës si kriminel, por doli fitimtar dhe i nxiti miqtë e tij për falje. Qëndrimi i përmbajtur, dashuria, drejtësia e këtij dishepulli të përsosur të Jisu Krishtit, përfundimisht, ngjallën kundër tij armiqësinë e të dyja palëve: të heretikëve plot urrejtje dhe të orthodhoksëve tepër të zellshëm.
Ndërsa, falë betejave të tij, dukej se herezia po tërhiqej, djalli i solli sprova të reja me anën e një filozofi cinik nga Aleksandria, i quajtur Maksim. Ky, duke e fshehur në fillim planin e pabesë që kishte, pati vlerësimin e Grigorit; por shpejt u zbulua, kur u vetëzgjodh në mënyrë të parregullt episkop i Konstandinopojës, duke mbjellë kështu turbullim dhe skandal në Kishë. Shën Grigori i urtë ishte gati ta braktiste fronin, që të mos e kundërshtonte mashtruesin me luftë dhe urrejtje, por populli u ngrit kundër Maksimit dhe e luti bariun e tij të mos i linte në duart e ujqve që po kërcënonin grigjën e Krishtit, duke thënë: “Nëse na lë, o atë, ta dish se do ta marrësh me vete edhe Trininë e Shenjtë”. Shenjti u bind dhe i bëri thirrje perandorit Theodhos, i cili atëherë banonte në Selanik. Ky e hodhi poshtë uzurpatorin dhe pak kohë më vonë hyri në mënyrë triumfale në Konstandinopojë, pas fitores mbi barbarët (24 nëntor 380). Që të nesërmen, i spastroi arianët nga kishat që kishin zaptuar dhe e caktoi shën Grigorin episkop të qytetit perandorak. Ky i fundit, i djegur gjithnjë nga dashuria për t’u tërhequr, në fillim refuzoi, por pranoi me kërkesë të popullit entuziast. Megjithatë, përderisa ai ishte normalisht episkop i një froni tjetër, transferimi për në Konstandinopojë duhej të ratifikohej me anën e një sinodi.
Në Sinodin e Dytë Ekumenik
RedaktoPerandori Theodhos mblodhi një vit më vonë (381) Sinodin e Dytë Ekumenik, i cili, pasi njohu unanimisht zgjedhjen e Grigorit, dënoi herezinë e pnevmatomakëve (makedonianëve) dhe shënoi fundin e arianizmit, si dhe fitoren përfundimtare të Orthodhoksisë. Falë elokuencës së tij të mrekullueshme, Grigori pati një influencë të madhe në Sinod.
Por gëzimi për këtë triumf u ndërpre herët pas vdekjes së kryetarit të Sinodit, shën Meletit, episkop i famshëm i Antiokisë (shenjtor, 2 shkurt). Atëherë Grigori u caktua të drejtonte sesionet gjatë të cilave duhet të vendosej për pasuesin e këtij froni të ndarë prej shumë vitesh nga skizma mes orthodhoksëve: nga njëri krah pasuesit e Meletit dhe nga krahu tjetër të Paulinit. I mërzitur nga gjithë ato grindje të kota dhe me zemër të thyer kur shikonte Kishën e Krishtit të përçarë, ai që kurrë nuk kishte kërkuar ndere e as pushtet, deklaroi në asamble se dëshira e tij më e madhe ishte të kontribuonte për paqen dhe, nëse rasti i zënies së fronit të Konstandinopojës do të ishte shkak ndarjeje, ishte gati të hidhej në det, si Jonai, që të paqësohej kjo furtunë, me kusht që besa orthodhokse të mbetej e pastër. Dhe me këto fjalë, e la asamblenë; u kthye në pallat, ku iu përgjërua perandorit ta aprovonte dorëheqjen dhe i kërkoi që vetë ai, nëpërmjet autoritetit të tij, të ngarkohej për vendosjen e unitetit dhe mirëkuptimit në Kishë.
Largimi nga Konstandinopoja
RedaktoNë një fjalim të fundit dhe tepër prekës, u dha lamtumirën kishës së dashur të Anastasisë, lavdisë dhe kurorës së tij, Shën Sofisë dhe kishave të tjera të qytetit, ku kishte rivendosur besimin e vërtetë dhe pastërtinë e zakoneve, duke e përgatitur për një mijëvjeçar të lavdishëm. Përshëndeti klerin, murgjit, virgjëreshat, të varfrit, madje edhe heretikët, të cilëve u bëri thirrje të ktheheshin, i tha lamtumirë Lindjes dhe Perëndimit, engjëjve mbrojtës të Kishës së tij dhe Trinisë së Shenjtë, në duart e së cilës dorëzoi grigjën.
Pastaj la Konstandinopojën, pasi caktoi Nektarin si pasues (shenjtor, 11 tetor) dhe u kthye për disa kohë në Nazianz, ku u përpoq të emëronte në vend të tij një episkop titullar. Pas zgjedhjes së kushëririt të tij, Evlalit, u tërhoq përfundimisht në pronën e tij në Arianz, ku, i dërrmuar nga sëmundja dhe nga gjithë ato veprimtari, të cilat asnjëherë nuk i kishte pëlqyer, i kaloi vitet e fundit të jetës në heshtje dhe vetmi.
Ashtu si një mbikëqyrës besnik në postin e tij, nuk reshti së vigjiluari nga larg për pastërtinë e besimit. Dërgonte letra dogmatike, për të evituar herezitë që lindnin, ose nxiste Nektarin dhe episkopë të tjerë orthodhoksë për më shumë drejtësi, u dërgonte bijve të tij shpirtërorë këshilla të mençura, për të arritur në përsosmëri, dhe hartonte poema të mrekullueshme në greqishten e vjetër, gjithsej 408 poema, 18 000 vargje[8]. Me zemër të thyer dhe të përulur, por me mendje të përqendruar në soditjen e mistereve të padepërtueshme të Trinisë së Shenjtë, ky shërbëtor besnik edhe luftëtar fjeti në paqe më Zotin në vitin 390.
Shkrimet e tij
RedaktoVeprat e Shën Grigorit janë shkruar në greqisht. Këto janë përshirë në botimet klasike patristike të Kishës origjinal ose të përkthyera: greqisht PG (Patrologiae Graeca[9], tom. 35-38), frëngjisht SC (Sources Chretiennes 119, 208, 247, 250, 270, 284, 309, 318, 358, 384, 405)[10], italisht Santi padri della Chiesa[11] dhe në shumë seri botimesh. Ato përbëhen nga ligjërata, poema dhe letra[12].
Ligjërata
RedaktoDeri më sot ruhen 45 ligjërata.
a) Teologjike. 5 prej tyre janë të njohura si teologjike, të cilat edhe i kanë dhënë mbiemrin Teologu. U mbajtën në Konstandinopojë në vitin 380, që të mbronin mësimin ortodoks (të drejtë, pa deformime) kundër akuzave deformuese të Eunomianëve dhe Maqedonianëve.
b) Ndryshme. Që u mbajtën në të kremte të mëdha të ndryshme, lavdërime dhe përmbivarrshme (epitafe) për babin, vëllain dhe Vasilin e Madh, etike dhe të rastit si p.sh. Ligjërata apologjitike (mbrojtëse) për largimin në Pont dhe Fjala përshëndetëse e largimit nga Konstandinopoja.
Poema
RedaktoRuhen 408 poema. Janë me përmbajtje përmbivarrshme, historike, etike, dogmatike etj.. I shkroi në fund të jetës së tij.
Letra
RedaktoRuhen 245 letra. Më të shumtat u shkruajtën kur ishte në Arianzo, me përmbajtje personale dhe historike.
Nderimi i shenjtorit
RedaktoShën Grigori nderohet nga të krishterët si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Në Kishën Ortodokse kremtohet në 25 janar (vetëm), në 30 janar bashkë me Shën Vasilin e Madh dhe Joan Gojartin[13]; në Kishën Romano Katolike në dt 25 janar (vetëm), në 2 janar bashkë me Shën Vasilin e Madh[14]; në Kishën Luteranenë 14 qershor[15].
Shën Grigori, bashkë me Shën Vasilin e Madh dhe Shën Joan Gojartin së bashku konsiderohen si mbrojtësit e Arsimit.
Shën Grigori nderohet edhe me fjalime, me shërbesa himnologjike, me kisha, me ikona dhe emrat e besimtarëve (Grigor, Gregori).
Himnologjia
RedaktoEtërit dhe himnografët e Kishës kanë hartuar një shërbesë në nderim të shën Grigor Theologut, i cili festohet më 25 Janar dhe dhe 30 janar (Tre Hierarkët) [16], që janë përfshirë në librat me shërbesat e të kremteve dhe të shenjtorëve të të gjithë vitit (nga 1 shtatori deri në 31 gusht), që quhen “Minea” ose në shqip “Mujoret”. Në shqip, kjo shërbesë është përkthyer nga Imzot Theofan Noli me titull "Kremtore e Kishës Orthodokse" e vitit 1956.
Përlëshorja
Redakto"Me fyellin e theollogjisë, o kryebari,
se studiove thellësit' e mejtimeve,
edhe gjete bukurit' e fjalimeve;
ndërmjeto pranë Krishtit Perëndi, o Shën Grigor,
për ne, të shpëtohen shpirtet tona"[17]
Lipsanet/ Reliket
RedaktoNë Kishë shenjtori nderohet edhe nëpërmjet nderimit të lipsaneve/relikeve, në të cilat besohet se vazhdon të jetë i pranishëm hiri i Shpirtit të Shenjtë.
Lipsanet/reliket e shenjtorit janë të shpërndara në vende të ndryshme.
Në 27 nëntor 2004 Papa Gjon Pali II i ka kthyer Patriarkut të Konstandinopojës, Bartolomeut I, një pjesë prej relikeve që nderonin në Vatikan[18].
Ikonografia
RedaktoNë Kishë shenjtori nderohet edhe nëpërmjet nderimit të ikonave, imazhit të pikturuar, në sipërfaqe të ndryshme dhe në forma të ndryshme. Në Kishën Ortodokse ikona e shenjtit paraqitet vetëm apo edhe me të tjerë, në vende të ndryshme, në mur apo edhe në ikonostas. Në mur kryesisht në absidën e altarit, pranë Etërve të Mëdhenj të Kishës: Vasilit të Madh, Joan Gojartit, Grigor të Nisës, Athanasit të Madh etj.
Shiko edhe
RedaktoLidhje të jashtme
RedaktoReferime
Redakto- Migne, J.P. (General Editor). Cursus Completus Patrologiae Graecae. Volumes 35–38. Paris: 1857–66.
- Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, V.III Janar - Shkurt, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2016.
- Atë Justini, Nga Thesari i Shenjtorëve, bot. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Tiranë 2004.
- McGuckin, John A. St. Gregory of Nazianzus: An Intellectual Biography. Crestwood, NY: 2001, St. Vladimir's Seminar Press. ISBN 0-88141-222-8
- The Orthodox Church of America website article on St. Gregory the Theologian. Retrieved 2 May 2007.[5]
- Nicon Patrinacos, A Dictionary of Greek Orthodoxy, Hellenic Heritage Publications, Pleasantville, NY, 10570, 1987.
Referime
Redakto- ^ McGuckin, John A. St. Gregory of Nazianzus: An Intellectual Biography. Crestwood, NY: 2001, St. Vladimir's Seminar Press. ISBN 0-88141-222-8
- ^ Hieromonak, Makarios (2016). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të kishës Orthodhokse, V.III Janar - Shkurt. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 340. ISBN 978 - 9928 - 4377 - 3 0.
- ^ Po aty, fq 342.
- ^ Nicon Patrinacos, A Dictionary of Greek Orthodoxy, fq.51.
- ^ Nga Thesari i Shenjtorëve, fq. 23
- ^ Hieromonak Makarios, Sinaksari - Jeta e Shenjtorëve të Kishës Orthodhokse, fq. 345-346.
- ^ Po aty, fq. 347.
- ^ "Oρθόδοξος συναξαριστής, Άγιος Γρηγόριος ο Θεολόγος" (në greqisht).
- ^ "Patrologia Graeca" (në anglisht).
- ^ "Sources Chrétiennes, Grégoire de Nazianze" (në frëngjisht).
- ^ "Padri della Chiesa, Gregorio Nazianzeno" (në italisht).
- ^ Δημήτριος Τσάμης, Εκκλησιαστική Γραμματολογία, εκδ. Πουρναρά, Θεσσαλονίκη, 1996, σελ.144-5.
- ^ Hieromonak, Makarios (2016). Sinaksari, Jeta e Shenjtorëve të kishës Orthodhokse, v.III Janar - Shkurt. Tiranë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. fq. 419–423. ISBN 978-9928-4377-3-0.
- ^ "Gregoeio Nazianzeno" (në italisht).
- ^ "Saints of the week" (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 16 maj 2019. Marrë më 15 maj 2020.
- ^ "Kremtore - Janar".
- ^ "Libri liturgjik "Kremtore e Kishës Orthodokse", përkthyer nga greqishtja në shqip, nga Imzot Theofan Noli, Boston, Mass, 1947", 555-566
- ^ "Η επιστροφη των ιερων λειψανων των αγιων Γρηγορίου τοῦ Θεολόγου καὶ Ἰωάννου τοῦ Χρυσοστόμου. (Kthimi i lipsaneve të shenjta të shën Grigor Theologut dhe Joan Gojartit)" (në greqisht). Arkivuar nga origjinali më 26 janar 2020. Marrë më 15 maj 2020.