Tajar Zavalani (ang. Thomas-Henry Zavalaane; Manastir, 15 gusht 1903 - Londër, 19 gusht 1966) ka qenë publicist, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar. Njihet për përkthimin e Nënës së Gorkit, Manifestit KomunistMarksit,[1] ABC-ja komuniste e Buharinit[2] dhe autorësinë e librit Histori e Shqipnís.

Tajar bej Zavalani

Biografia

Redakto

U lind në Manastir 15 gusht të vitit 1903, i biri i Fehim beut dhe Qerimeja e SulejmanbejllinjveFrashërit.[3] Si nga i ati, ashtu edhe nga e ëma, rridhte prej familjeve çifligare të Kolonjës.[4] I ati qe vendosur në qendrën e vilajetit, ku bashkëpunoi me Halit bej Bërzeshtën, kunetërit e tij Sabri e Shefqet Frashëri,[5][6] Qiriazët, mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe atë të Dibrës. Kongresi i Manastirit u mbajt në hotelin e tyre. Tajari mori mësimet e para në shkollën katolike të Vëllezërve Maristë. Pas bombardimeve të Luftës së Parë Botërore, shkoi në Selanik ku u shkollua te liceu francez, ku i përfundoi studimet për letërsi.[7]

Më 1922 shkoi në Tiranë për të filluar punë në Ministrinë e Jashtme. Në fillim qe emruar sekretar i Komisionit Shqiptar për Çështjet e Kufijve, të cilin e kryesonte Ali pashë Kolonja. Ky Komision merrte pjesë në grupin e përfaqësuesve ndërkombëtar të shteteve të ndryshme, që kishin mbi vete këtë çështje. Në fakt kufijtë ishin të caktuar në Konferencën e Paqes, mirëpo ky Komision kishte për detyrë t'i zbatonte përfundimet e bëra që të ishin sa më të natyrshme.

U emërua Sekretar i Legatës Shqiptare në Romë. Ashtu si shumë të rinj intelektualë shqiptarë të brezit të tij, ra në kontakt me idetë komuniste të kohës, duke ushqyer endrrën se komunizmi do të ishte rruga e shpëtimit të popullit të shumëvuajtur shqiptar.[8]

Në vitin 1925 shkon për të vazhduar studimet e larta për ekonomi politike në Rusi, megjithëse donte të studionte elektroteknikën, mori dhe diplomën e shkencave politike. Bënte pjesë në Grupin Komunist Shqiptar në Bashkimin Sovjetik me nofkën "Zoniev" ishte dëgjues në akademinë "Tolmaçevski".[1]

Në Rusi humbet të vëllanë e tij Hysen Zavalanin i cili pushkatohet nga qeveria ruse për ngjarjet e vitit 1937-38 në Saratov, kundra diktatit të Stalinit. Situata ruse e përgatit Tajarin një antikomunist të vendosur. Më 1930 shkon në Zvicër ku qëndron tre vjet. Prej Zvicrës, shkoi te i ati në Selanik. Më 1933 kthehet në Shqipëri nga ku punon si gazetar dhe përkthyes. Ka botuar në të përkohshmet shqiptare duke nisur që nga viti 1930 deri në vitin 1939 qoftë me emrin e tij, qoftë me pseudonimet e shumtë të përdorur si T.Z., ZAKS, TANI, TARZANI, TA, tz, T etj. Shkruan n'atë kohë kur shkëlqyen Kuteli, Merxhani, Markon, Koliqi, Migjeni, Kokona, etj. në shtypin e kohës Illyria, Minerva, Bota e re, Përpjekja shqiptare, Koha e Re, Besa, Shtypi, Shkëndija, Leka, Vatra, Rilindja. Kur u botua përkthimi i Nënës në revistën "Leka" u botua një kritikë. Nga fundi i recensionit ishin edhe këto fjalë: "Përsa shihet përkthyesi asht tue e lyp të vërtetën edhe nji ditë do t'a gjejë".

Më 1935, ai ka qenë editor i revistës "Jeta dhe Kulltura". Pas një kohe të shkurtër merret në Ministrinë e Financave, ku kryen detyrën e Drejtorit të Statistikave. Në këtë detyrë mbeti deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua.

Mërgimi

Redakto

Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, për përkthimin e NënësGorkit, dhe artikujt e tij therës, Tajari bashkë me zonjën e tij internohen në Itali, ku kalojnë përdhunazi kufirin dhe shkojnë në Francë. Me një letër iu drejtua Mehmet Konicës, i cili në atë kohë ishte një nga anëtarët e Këshillit Mbretëror, madje iu drejtua edhe Mbretit, duke ia shfaqur me plot sinqeritet mendimet, dëshirat, idetë e idealet e veta. Mbreti jo vetëm që "e fali", por u përgjigj se për Tajarin ka pasur një dashuri e simpati të posaçme, sepse e njeh mirë zemrën dhe thjeshtësinë e tij, ndaj në Francë qe emeruar prej Madhërisë së tij si atashe i shtypit i Oborrit Mbretëror. Kur Mbreti Zog gjendej në Francë, e cila në atë kohë kapitulloi, qe ftuar prej Mbretit të Anglisë, Gjergjit VI (Xhorxhit VI), që të kalonte në Britaninë e Madhe. Me vajtjen e Tajarit në Londër, veç detyrave të tjera, filluan edhe transmetimet e para në gjuhën shqipe me anën e Radio BBC-së, në nëntor të vitit 1940 si përkthyes dhe spiker në Seksionin Shqiptar të Shërbimit për Europën, së bashku me diplomatin Dervish Duma dhe Anton Logorecin.

Në Londër Tajar Zavalani ka mbajtur një varg konferencash nëpër institute të ndryshme mbi Shqipërinë. Tri vjet ishte Sekretar i Përgjithshëm i Pen Clubit të shkrimtarëve në mergim, që vinin nga shtetet e robëruara. Pothuaj se tërë një numër të "Arena" (revistë letrare e klubit të përmendur) ia kushtoi letërsisë shqipe, ku botoi edhe përkthimin e "Gjeniut" të Atë Gjergj Fishtës në gjuhën angleze, që ai e përgatiti.

Me formimin e Degës ACEN për Europë (Komiteti i Kombeve të Robëruara), ishte delegat i Komitetit Shqiptar. Në këtë detyrë ishte deri në fund të jetës. Në fakt, vitin e fundit ishte kryetar i Degës ACEN në Londër. Në janar të vitit 1962, si delegat shqiptar, merr pjesë në Këshillin e Evropës në Strasburg. Prania e Tajarit ishte më se e nevojshme, meqë shumë intriga e dredhi të huaja dolën në dritë dhe kështu ai vetë me anën e miqve e tha të vërtetën mbi Shqipërinë.

Ndërroi jetë po në muajin e lindjes, në mëngjes herët të 19 gushtit të vitit 1966.

Njihet që në vitet '30 për përkthimet e tij: Sonata e Kreutzer-it nga Tolstoi më 1933,[9] Njeriu në këllëf dhe Novela të zgjedhura nga Çehov më 1934,[10] Zonja me kameljet i Dymasë birit, Nëna e Gorkit më 1935,[11] I fundshmi i Samurai. Heroi japonez i Port-Arthur-it nga Roland Strunk dhe Fajdexhiu Gobsek nga Balzaku më 1936 (ribot. 1944),[12] Anna Karenina nga Tolstoi vëllimin e parë më 1936, të dytin dhe të tretin më 1938;[13] Ishulla e thesarit e Stevenson më 1937,[14] Tartarini i Taraskonit i Daudet më 1938.[15] Si përkthim të përgatitur për shtyp la në Shqipëri kur qe i detyruar të ikë, "Jeta e Napoleonit" prej E. Ludwig, e gjithashtu një pjesë bilingue të të famshmit Larousse (frengjisht-shqip), pjesën shqip.

Në mergim përktheu nga rusishtja në gjuhën frenge librin e kolonelit G.A.Tokaev "Kujtimet e mia mbi parajasën e Stalinit" (Mes memoires - Le Paradis de Stalin), që u botua në Paris më 1957. Si vepër të posaçme publikoi në gjuhën angleze librin "Sa është e fortë Rusia?" (How strong is Russia?), në të cilën dëshironte t'i tregojë botës se lirë se "Ariu i bardhë" nuk është aq i rrezikshëm sa u paraqitet të tjerëve, ku me argumente faktike ve në dukje dobësinë e Rusisë nga brenda, në çdo pikëpamje. Gjithashtu ka lënë në dorëshkrim përkthimin e papërfunduar të "Njeriu-ky i panjohur" të Aleks Karel.

Në botimin e përkthimit të Njeriut me këllef të Çehovit, gjenden dhe dy tregime të Zavalanit, "Kirurgia" dhe "Teze Bahrija marton të nipin".[16] Një vend të posaçëm në veprimtarinë e tij si vepra më e mirë origjinale do të mbetet "Historia e Shqipnis" në dy vëllime, të cilën e botoi në Londër në vitin 1965. Pjesa e parë përfshin kohët prej Ilirëve e deri në Kongresin e Berlinit, kurse e dyta vazhdon e mbërrin deri në ditët tona (në vitet gjashtëdhjetë).[8]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 88. ISBN 978-9928-106-38-4.
  2. ^ Frashëri, Neki; Frashëri, Alfred (2014). Frashëri në Historinë e Shqiperisë. Tiranë. fq. 214. ISBN 9789994323449.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  3. ^ Bezati, Kastriot (19 shtator 2012). "Të pathënat e familjes së Abdyl Frashërit". Tirana Observer. Arkivuar nga origjinali më 10 janar 2015. Marrë më 1 shtator 2021.{{cite journal}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  4. ^ Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913 (në anglisht). London: IB Tauris. fq. 147. ISBN 9781845112875.
  5. ^ Hoxha, Sherif (1988). Halit Bërzeshta. Tiranë: 8 nëntori. fq. 43. OCLC 165430847.
  6. ^ Nexhipi, Reshat (1996). Shtypja dhe rezistenca shqiptare në Maqedoni nëpër shekuj. Manastir. fq. 149. OCLC 78705393.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  7. ^ Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht) (bot. 2). The Scarecrow Press. fq. 487. ISBN 978-0-8108-6188-6.
  8. ^ a b Zavalani K., Tajar Zavalani - erudit, demokrat i shquar i përmasave evropiane, figurë e ndritur e nacionalizmit dhe kulturës shqiptare: Me rastin e 95-vjetorit të lindjes, Demokracia. - Nr. 33, 23 gusht, 1998, f.12
  9. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 574.
  10. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 393, 537.
  11. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), ff. 543, 547, 566.
  12. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), ff. 571, 530-531.
  13. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 572.
  14. ^ Gjinaj, Maksim; Elmazi, Myrvete; Mele, Margarita (2010). Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare, Sektori i Bibliografisë Kombëtare. fq. 570. ISBN 9992773189. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shtator 2021. Marrë më 2 shtator 2021.
  15. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 539.
  16. ^ Gjinaj, Elmazi, Mele (2010), f. 842.