Aleksandër Merxhani i njohur me emrin Branko Merxhani (Nish, 1894 - Stamboll, 25 shtator 1981) ka qenë botues i të përkohshmes Përpjekja shqiptare,[1] përkthyes, ndër publicistët më të njohur të para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe gazetar në Turqi. Në publicistikën e tij shquhet për lëvrimin e rrymës prestigjioze social-kulturore të quajtur Neoshqiptarizma.

Branko Merxhani
Fotoporteti
Emri Branko
Mbiemri Merxhani
Lindur më 1894
Lindur në Nishi, Mbretëria Serbe
Vdiq më 25 shtator 1981
Vdiq në Stamboll, Turqi
Kombësia shqiptare
Shtetësia osmane, shqiptare, turke
Profesioni botues, publicist, përkthyes

Biografia

Redakto

Pakçka dihet për fëmijërinë e tij, burime të ndryshme e mbajnë nga Sopiku, Skoreja, Nishi apo Stambolli.[2] I ati ishte nëpunës i administratës osmane i martuar me një grua nga Nishi.[3] Guvernanten e kishte gjermane;[4] dhe Merxhani ndoqi liceun në Bursa dhe shkollimin e lartë në universitetin e Vienës.[5] Pas triumfit të Ataturkut, punoi si publicist në shtypin e Ankarasë; për çështjen e një prone në fshatin e origjinës u kthye në atdhe.[3]

I vendosur në Gjirokastër ku punoi si inspektor arsimor,[6] bashkëpunonte me të përkohshmen DemokratiaXhevat Kallajxhiut dhe Jorgji Meksit,[3] tek e cila së bashku me Vangjel Koçen nisën shkrimet e para rreth Neoshqiptarizmës.[7] Shkoi në Tiranë, ku korrikun e 1930 çeli të përmuajshmen që mbante emrin e rrymës ideore për të cilën shkruante, por zgjati vetëm një numër.[7] Nisi të kontribuonte me artikuj në të përkohshmen Illyria të redaktuar nga Karl Gurakuqi; bashkëpunimi i tyre zgjati nga marsi i 1934 deri më 1936.[1] Dhjetorin e 1935 bashkëpunoi me Kohën e re, me Suat Asllanin, Petro Markon, Koçën dhe Tajar Zavalanin; pas rreth 13 numrash, gazeta u mbyll.[8] Tetorin e 1936 nisi të botonte të përkohshmen e vet Përpjekja shqiptare.[1] Duke ia kundërvënë si antipod ndaj Hyllit të Dritës.[9] Gjatë viteve '30 shkoi rregullisht në Stamboll për të takuar të atin.[10]

Kur Shqipëria u pushtua nga Italia, dy numrat e fundit të Përpjekjes ia konfiskuan dhe e këshilluan që nëse do të donte të vazhdonte punën, atëherë t'i ndërronte titullin gazetës dhe ta quante Përpjekja Fashiste. Gushtin e 1939 Merxhani së bashku me Qemal Butkën dhe Dalip Zavalanin kaluan kufirin grek dhe u vendosën në Turqi.[3]

Më 1940 është pjesë e Komitetit të Fshehtë të Stambollit bashkë me Mehmet Konicën.[11] Më 1941, një organizatë amerikane e vendosur në Egjipt, kërkonte folës për Zërin e Amerikës në një stacion radioje; u zgjodhën Merxhani, Mirash Ivanaj dhe Xhemal Farka u pajtuan për punën dhe u vendosën në Jeruzalem deri me përfundimin e luftës. Vijoi veprimtarinë si publicist e gazetar në Turqi, ku shkroi në gazetat Tan, Hürriyet, Yeni Gazete dhe Gunaydin.[3] Përcillet se kur i bëri e bija një vizitë, ai njihej me emrin Baha Özler;[3] po ashtu dhe në letërkëmbimin mes Tahir Kolgjinit e Mustafa Krujës, më 1952 Tahiri shkruan se në Stamboll njihej si Baha Bey dhe punonte për "fletoren Hürriyet".[12]

Në një shkrim kishte analizuar edhe situatën socio-ekonomike të Shqipërisë, botuar te Yeni Gazete në numrat e datave 16-21 korrik 1970 me titull "Shqipëria dhe përpjekjet e saj për zhvillimin ekonomik."[13]

Veprimtaria

Redakto

Radhiti pikëpamjet e veta në faqet e Illyria-së, Minerva-s. Pasi themeloi më 1936 Përpjekjen shqiptare, të cilën mëtonte ta bënte një universitet popullor ku mund të shtroheshin probleme filozofike. Në të gjeheshin përkthime e artikuj në hulli të filozofisë, sociologjisë, historisë, gjuhësisë, arkeologjisë dhe pedagogjisë. Në një tentativë për kritikën letrare të mirëfilltë dhe mundim për t'i parashtruar lexuesit shqiptar risitë më bashkohore.

Neoshqiptarizma

Redakto

Në dhjetor të 1928, Merxhani shkroi radhët e para mbi Neo-shqiptarizmën tek e përkohshmja Demokratia.[14] Së bashku me Vangjel Koçën u përpoqën të krijonin një sistem të mendimit shqiptar synimi i të cilit ishtre çrrënjosja e sistemit shoqëror lindor dhe vendosja e sistemit perëndimor në Shqipëri. Merxhani mori për model të filozofisë së tij, pozitivismin e filozofëve francezë Ogyst Kont dhe Emil Durkheim, krahas tyre u mbështet dhe në idetë e Dekartit, të Renanit, të Bergsonit dhe të Niçes, me përzierjen e të cilëve formoi "neoshqiptarizmën."[15] Sistem mendimi i cili, u huazua në një masë të madhe nga ai i shkrimtarit e sociologut turk Zija Gëkalp (Ziya Gökalp, 1876-1924) i njohur si "Turqizimi".[16]

Publicistika e tij u përmblodh dhe ribotua vetëm pas rënies së regjimit komunist, botimi i parë i së cilës u përkujdes nga Aurel Plasari, në botimin Formula të Neoshqiptarismës: përmbledhje shkrimesh (Tiranë: Apollonia, 1996) dhe më tej nga Ndriçim Kulla në botimin Branko Merxhani: vepra (Tiranë: Plejad, 2003).

Referime

Redakto
  1. ^ a b c Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Scarecrow Press. ISBN 9780810873803.
  2. ^ Vuljevic, Suzana (2020). "The Crisis of Spirit: Pan-Balkan Idealism, Transnational Cultural-Diplomatic Networks and Intellectual Cooperation in Interwar Southeast Europe, 1930-1941". accademiccommuns.columbia.edu (në anglisht).
  3. ^ a b c d e f Leka, Pertefe (27 shkurt 2013). "Korifeu i publicistikës shqiptare, Branko Merxhani". Metropol. XXIII (44): 16.
  4. ^ Merxhani, Branko (1996). Plasari, Aurel (red.). Formula të neo-shqiptarismës. Tiranë: Apollonia. fq. 5.
  5. ^ Tekin, Akgün (2006). Türk basınında kayan yıldız: Haldun Simavi'nin "Günaydın"ı (në turqisht). Doğan Kitap. fq. 39. ISBN 9789752934559.
  6. ^ Clayer, Nathalie (2012). "Education in interwar Gjirokastër". Albania: Family, Society and Culture in the 20th Century (në anglisht). LIT Verlag Münster. fq. 102. ISBN 9783643501448.
  7. ^ a b Kulla, Ndriçim (2003). Antologji e mendimit shqiptar: 1870-1945. Tiranë: Plejad. fq. 29. ISBN 9789992792407.
  8. ^ Marko, Petro (2000). Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët. Tiranë: OMSCA. fq. 145, 147. ISBN 9992740337.
  9. ^ Marko 2000, p. 166.
  10. ^ Clayer, Nathalie (2022). Une histoire en travelling de l'Albanie (1920-1939): Avec, au-delà et en-deçà de l'État (në frëngjisht). Karthala editions. fq. 429. ISBN 9782811129644.
  11. ^ Dervishi, Kastriot (16 dhjetor 2015). "Margaret Hezllak dhe shërbimi i saj ndaj çështjes shqiptare". 55. 6315: 16–17.
  12. ^ Merlika-Kruja, Mustafa; Kolgjini, Tahir (2013). Kuvend letrash me miqtë. Vëll. III. Tiranë: Omsca-1. fq. 172. ISBN 9789928132321.
  13. ^ Alpan, Nexhip P.; Kaçi, Nesip (1997). Shqiptarët në Perandorinë Osmane. Tiranë: Albin. fq. 145.
  14. ^ Nikaj, Irena (2013). Albanian Social and Philosophical Thinking of the '30s: Neo-Albanianism (në anglisht). Author House. fq. 16. ISBN 9781477281826.
  15. ^ Akademia 2007, p. 375
  16. ^ Sulstarova, Enis (10 qershor 2016). "Neoshqiptarizma, një model i huazuar". Telegrafi.

Bibliografia

Redakto
  • Akademia e Shkencave e Shqipërsië (2007). Historia e popullit shqiptar: vëllimi i tretë. Tiranë: Toena.