Xhamia e Vogël ose Xhamia e Boshnjakut është prej xhamive të para në qytetin e Ferizajt që u ndërtua në vitin 1878 me ndihmën e banorëve shqiptarë të rrethinës. Në ndërtimin e kësaj xhamie ndihmuan edhe boshnjakët që kishin ardhur për të ndërtuar hekurudhën prandaj për këtë i thonë Xhamia e Boshnjakut.[1]

Historia Redakto

Vlen të përmendet se emërtimi i kësaj xhamie me emrin “Xhamia e boshnjakut” nuk është i rastësishëm. Punëtorët boshnjakë të cilët punuan në hekurudhë ndërtuan një shtëpi afër xhamisë dhe vazhduan të jetojnë në Ferizaj. Dihet tashmë se pasardhësit e kësaj familjeje mjaft të vjetër ende qëndrojnë në qytetin e Ferizajt, e sidomos në lagjen afër tregut të gjelbërt në rrugën e fshatit Greme.

Në atë kohë, Feriz Aga duke parë që xhemati falej në livadhet e kazermës së sotme që gjendet në dalje të Ferizajt, rruga Ferizaj – Shtime, nga dhembshuria dhe nga dashuria për fenë islame, vendosi që t’ua dhurojë Hanin që të faleshin. Në këtë vend u ndërtua Xhamia e vogël.

Siç tregon Riza Ferizi, gjyshi i tij Feriz Abazi ishte pjesëmarrës në ndërtimin e xhamisë së parë. Ishte punëtor i një boshnjaku, e boshnjaku ishte mjeshtër i xhamisë. Boshnjaku xhaminë dhe minaren e kishte ndërtuar prej dërrasave. Oborri i xhamisë ishte i pa rregulluar dhe ishte i pa rrethuar. Qytetarët kalonin nëpër oborrin e xhamisë, të cilin e shfrytëzonin për dalje në stacion të autobusëve dhe në qendër të qytetit. Xhamia u financua nga të gjithë qytetarët, por donatori kryesor për ndërtimin e xhamisë ishte një mysliman me kombësi boshnjake. Kjo vërtetohet nga dhurata që iu dha Feriz Abazit nga investitori boshnjak; një orë muri si dhuratë (sepse punoi falas). Kjo orë akoma gjendet. Feriz Abazi nga përvoja e punës që kishte fituar nga boshnjaku, dhe nga vullneti i tij përgatiti mimberin, të cilën e ndërtoi me mjaft mund me material druri. Në këtë xhami ekzistonte edhe bunari ku thuhet se të gjithë zanatlitë dhe ata që kishin shitore në qytet e përdornin për të marrë ujë për pije apo për nevoja të tjera, si dhe në atë kohë bunari shfrytëzohej për marrjen abdes të besimtarëve.

Me kalimin e viteve (rreth 100 vjet) kjo xhami nuk i plotësonte kushtet madje edhe ato elementare për t’i kryer shërbimet fetare ngase ishte e ndërtuar me material të dobët dhe ishte e vogël, ndërsa xhemati sa vinte e shtohej. Kështu, u pa e arsyeshme që kjo xhami të rrënohet dhe të ndërtohet një xhami më moderne dhe funksionale, me material të fortë. Këtë vendimi e mori Bashkësisa Islame e Ferizajt.

Shih edhe Redakto

Referime Redakto

  1. ^ Mr.Rrahim Hetemi & Januz Mustafi (2020) 𝑯𝒊𝒔𝒕𝒐𝒓𝒊𝒌𝒖 𝒊 𝒙𝒉𝒂𝒎𝒊𝒗𝒆 𝒕𝒆 𝑭𝒆𝒓𝒊𝒛𝒂𝒋𝒕 𝒎𝒆 𝒓𝒓𝒆𝒕𝒉𝒊𝒏𝒆, Ferizaj