Annemarie Schimmel (* 7 prill 1922Erfurt; † 26 janar 2003Bonn, Gjermani) ka qenë një islamologe gjermane, e njohur dhe me shumë ndikim.

Annemarie Schimmel – pllakë në rrugën Bonngasse (Bonn, Gjermani)

I ati i Annemarie Schimmel-it ka qenë punonjës poste dhe merrej me filozofi dhe mistikë, ndërsa e ëma ishte nga një familje detarësh. Në moshen 15 vjeçare Annemarie Schimmel si nxënëse shkolle pati filluar të mësonte arabisht tek Hans Ellenberg, i cili ishte njëkohësisht lektor në Universitetin Friedrich-SchillerJenë. Annemarie Schimmel-it iu lejua të kapërcente dy klasë shkolle duke bërë kështu maturën që 16 vjeç. Pas gjashtë muajsh pune vullnetare në Gjermaninë naziste ajo filloi studimet prej vitit 1939 në Universitetin Friedrich-Wilhelm (sot Universiteti Humboldt) në Berlin si fillim për kimi dhe fizikë, por duke ndjekur edhe leksionet e historisë së artit islamik dhe arabistikës. Më 20 nëntor 1941 ajo u diplomua me disertacionin Die Stellung des Kalifen und der Qadis im spätmittelalterlichen Ägypten (Pozita e kalifit dhe kadiut në Egjiptin e mesjetës së vonë), që u botua më 1943 edhe në revistën "Die Welt des Islam", me vlerësimin magna cum laude (shumë mirë) në universitetin e Berlinit. Deri në fund të luftës së dytë botërore ajo ka punuar në ministrinë e jashtme gjermane të Ribbentrop-it si përkthyese. Nga maji deri në shtator të 1945-ës ajo ishte e internuar në Marburg si pjesëtare e këtij enti nga ana e autoriteteve amerikane. Në janar 1946 ajo u diplomua në universitetin e Marburg-ut, ku qëndroi me punë deri më 1954. Ndërkohë, në 1951 ajo u diplomua edhe një herë në lëndën e historisë së fesë me disertacionin Studien zum Begriff der mystischen Liebe in der frühislamischen Mystik (Studime mbi termin e dashurisë mistike në mistikën e hershme islamike) në universitetin e Marburg-ut.

Ajo ka dhënë mësim si docente ose profesore, ndër të tjera, në fakultetin e rithemeluar teologjik në Ankara, si lektore në seminarin e gjuhëve orientale të universitetit të Bonn-it, në Universitetin HarvardCambridge, Massachusetts, ShBA, ku kishte detyrën të ngrinte institutin e kulturës indo-islamike (1967–1979, 1979–1982, 1983–1992), në universitetin e Teheran-it (1979), në institutin ismailitLondër (1982–1983) dhe në Universitetin e Edinburgh-ut (1992–1993). Por si "atdhe të dytë" ajo cilësonte Pakistanin. Instituti Goethe i mëparshëm në Lahore ka marrë emrin e saj.

Annemarie Schimmel-i ka shkruar më shumë se 100 libra, artikuj dhe publikacione shkencore. Më 1995 asaj iu dha çmimi Friedenspreis des Deutschen Buchhandels (Çmimi i Paqes i Tregtisë së Librit Gjerman). Dhënia e këtij çmimi shkaktoi protesta në Gjermani, në atë kohë. Autorë ndër të tjerë si Johannes Mario Simmel, Taslima Nasrin, Ralph Giordano, Alice Schwarzer, Elfriede Jelinek, Günter Wallraff dhe Bassam Tibi ishin shprehur kundra. Në kuadër të iniciativës së firmave "In unserem Namen nicht!" (Jo në Emrin tonë) protestuan 270 shtëpi botuese dhe gati 300 librari kundra dhënies së Çmimit të Paqes Schimmel-it pasi ajo ndër të tjera kishte shprehur mirëkuptimin e saj gjatë një interviste në televizion për indinjimin e botës islamike ndaj Vargjeve satanike të shkrimtarit britaniko-indian Salman Rushdie. Ky ishte dënuar nga Ajatollah-u iranian Ruhollah Homeini me anë të një fatve. Në këtë "ekspertizë juridike" dënoheshin blasfemia (fyerja e zotit) dhe përdhosja e profetit Muhamed në këtë libër.

Schimmel-i u shpreh përsëri negativisht mbi kryeministren pakistaneze Benazir Bhutto (e cila kishte qenë studente e saj në Harvard) si dhe mbi aktivisten bengaleze për të drejtat e njeriut Taslima Nasrin, të cilat të dyja angazhoheshin për marrjen më tepër parasysh të të drejtave të njeriut dhe të gruas në vendet islamike.

Gjatë gjithë jetës së saj Annemarie Schimmel-i është angazhuar për njohjen më të mirë të fesë islame në botën perëndimore dhe për marrëdhëniet paqësore ndërmjet myslimanëve dhe jo-myslimanëve. Në lidhje me këtë ajo ndër të tjera ka theksuar disa herë rëndësinë e orientalistit dhe poetit Friedrich Rückert. Ajo vetë simpatizonte mistikën sufike; poeti i saj i preferuar ka qenë Muhammad Ikbal-i. Ndërrimin e saj të fesë fshehurazi në atë islame nën emrin "Xhamila" (E bukura) , siç është pretenduar nga disa myslimanë, ajo e ka hedhur poshtë vazhdimisht.

Në qytetin pakistanez Lahore një rrugë mban emrin e saj.[1]

Çmime dhe dekorata

Redakto

Vepra (përzgjedhje)

Redakto
  • Kalif und Kadi im spätmittelalterlichen Ägypten. (Kalifi dhe kadiu në Egjiptin e mesjetës së vonë) Disertacion, Leipzig 1943.
  • Studien zum Begriff der mystischen Liebe im Islam. Dissertation, Marburg 1954. (Studime mbi termin e dashurisë mistike në mistikën e hershme islamike). Disertacion, Marburg 1954.
  • Mystische Dimensionen des Islam. Die Geschichte des Sufismus. (Dimensionet mistike të fesë islame. Historia e sufizmit) 1975, ISBN 3-458-33415-7.
  • Islam in the Indian Subcontinent, Leiden 1980.
  • Und Muhammad ist sein Prophet. Die Verehrung des Propheten in der islamischen Frömmigkeit. (Dhe Muhamedi është profeti i tij. Adhurimi i profetit nga devotshmëria islamike) Düsseldorf 1981.
  • Hyrja e librit: Der Koran, aus dem Arabischen übertragen von Max Henning (Kurani, i përkthyer nga Max Henning). Stuttgart 1990.
  • Der Islam. Eine Einführung (Feja islame. Hyrje). Stuttgart 1990, ISBN 3-15-008639-6.
  • Die Träume des Kalifen. Träume und ihre Deutung in der islamischen Kultur (Ëndrat e kalifit. Ëndat dhe shpjegimi i tyre në kulturën islamike). München 1998.
  • Im Reich der Großmoguln. Geschichte, Kunst, Kultur (Në mbretërinë e mogulëve të mëdhenj. Historia, arti, kultura). Beck, München 2000, ISBN 3-406-46486-6.
  • Morgenland und Abendland. Mein west-östliches Leben (Orienti dhe oksidenti. Jeta ime perëndimoro-lindore). Autobiografi. München 2002, ISBN 3-406-49564-8.
Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Ronny Baier: Schimmel, Annemarie. Në: Biographisch-Bibliographisches Kirchenlexikon (BBKL). Vëll. 23, Nordhausen 2004, ISBN 3-88309-155-3, kolona 1272–1283.