Atifete Jahjaga (e lindur më 20 Prill 1975)
Rashkoc, Gjakovë, ishte Presidenti i katërt dhe presidentja e parë femër e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga është liderja femër më e re në botë e zgjedhur në postin e Presidentes dhe po ashtu Presidentja e parë femër në historinë moderne të Ballkanit. Ajo ka shërbyer si zëvendës drejtoreshë e Policisë së Kosovës, duke mbajtur gradën e gjeneral majorit, grada më e lartë në mesin e grave në Evropën Juglindore.

Atifete Jahjaga
Ish-Presidente e Republikës së Kosovës
Në detyrë
7 prill 2011 – 7 prill 2016
Paraprirë ngaJakup Krasniqi
Pasuar ngaHashim Thaçi
Të dhëna vetjake
U lind më20 Prill 1975
Gjakovë, Kosovë
NënshtetësiaShqiptare
ArsimimiUniversiteti i Prishtinës
PunësimiPolitikan

Edukimi Redakto

Atifete Jahjaga ka përfunduar studimet në fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2000. Në vitet 2006-2007 ka ndjekur programe pasuniversitare për Menaxhim Policor dhe Ligjin Penal në Universitetin e Leicester-it në Mbretërinë e Bashkuar. Po ashtu ka ndjekur programin pasuniversitar për Shkencën mbi Krimin, në Universitetin e Virginia-s në Shtetet e Bashkuara në vitin 2007. Presidentja Jahjaga ka ndjekur gjithashtu programe profesionale dhe hulumtuese në Qendrën Evropiane për studime të sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani, Akademinë Kombëtare të FBI-së në SHBA dhe Ministrinë e Drejtësisë të SHBA.

Karriera në Polici Redakto

Zonjusha Jahjaga ka mbajtur postin e Zëvendës-Drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Kosovës që nga muaji shkurt i vitit 2009. Për një kohë të shkurtër ajo ushtroi edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Ajo ka qenë zyrtare e Policisë së Kosovës që nga themelimi në vitin 2000 dhe ka mbajtur poste me përgjegjësi, fillimisht në nivel rajonal e pastaj edhe në drejtorinë qendrore. Presidentja Jahjaga ka shërbyer në pozita të ndryshme në zbatimin e rendit dhe ligjit, në mes tjerash në njësinë e standardeve profesionale, atë të burimeve njerëzore, atë të personelit dhe departamentit të trajnimit, atë të administrimit dhe të policisë kufitare.

Presidente e Kosovës Redakto

 

Më 6 prill 2011, ajo u shpall si kandidate konsensuale për Presidente të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, me mbështetjen edhe të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara Christopher Dell. Më 07 prill 2011 në ora 19:20 pas votimit të parë në Parlamentin e Kosovës Atifete Jahjaga fitoi kundër kandidates Syzan Novobërdaliu dhe u zgjodhë si Femër e para Presidente e Kosovës duke tejkaluar ngërçin politik në të cilin kishte qenë politika kosovare pas zgjedhjes antikushtetuese të Presidentit Pacolli.

Përmirësimi i imazhit ndërkombëtar Redakto

Që prej marrjes së detyrës, Presidentja Jahjaga është fokusuar për të forcuar institucionet demokratike të vendit dhe për të siguruar njohje më të madhe ndërkombëtare për Kosovën. Jahjaga ka kontribuar në ndryshimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit, promovimin e agjendës evropiane dhe euroatlantike, bashkëjetesës dhe tolerancës, normalizimin e marrëdhënieve me vendet fqinje dhe tërheqjen e investimeve të jashtme. Gjatë katër viteve në zyrë, ajo ka ridefinuar rolin e Presidentit në ndërtimin e jetës pluraliste dhe institucionale të Republikës së Kosovës, duke jetësuar parimet kushtetuese që përbëjnë bazën e demokracisë dhe garantojnë qëndrueshmërinë e një shteti.

Udhëheqja kushtetues Redakto

Presidentja Jahjaga në mënyrë aktive zbaton detyrat e saja kushtetuese dhe ndërmerr hapa për të kundërshtuar legjislacionin në qoftë se nuk është në përputhje me praktikat dhe standardet evropiane. Sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, kjo ka dëshmuar se ka ndarje të pushteteve në Kosovë.

Në vitin 2012, Presidentja Jahjaga nuk dekretoi Kodin e ri Penal dhe e kthej atë në Kuvend duke kërkuar riformulimin e dy neneve që kishin të bënin me lirinë e shprehjes, respektivisht kriminalizimin e shpifjes dhe kërkesës që gazetarët të zbulojnë burimet e tyre të informacionit. Presidentja Jahjaga e mori këtë vendim duke vlerësuar që këto nene ishin në kundërshtim me lirinë e shprehjes, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme të vitit 2014, Jahjaga ka bashkërenduar me sukses mekanizmat e drejtësisë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për një proces zgjedhor të suksesshëm, të drejtë dhe transparent. Vlerësimet ndërkombëtare ishin se zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2014 janë mbajtur në një atmosferë të qetë dhe me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve, përfshirë për herë të parë edhe qytetarët e pjesës veriore të vendit.

Pas zgjedhjeve të qershorit 2014, Kosova u gjend në një ngërç politik dhe kushtetues për formimin e institucioneve. Duke kërkuar zgjidhje për krizën, Presidentja Jahjaga filloi takimet e shpeshta me liderët e partive politike parlamentare për të ndërmjetësuar në gjetjen e zgjidhjes për formimin e qeverisë. Presidentja Jahjaga ka luajtur rol thelbësor në zgjidhjen e krizës, duke siguruar funksionimin demokratik të institucioneve përmes një procesi kredibil, transparent dhe gjithëpërfshirës, ku respektohen procedurat kushtetuese dhe ligjore. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, në një letër drejtuar Jahjagës për Ditën e Pavarësisë, e përgëzoi atë për “lidershipin dhe këmbëngulësinë në punën me udhëheqësit partiakë gjatë procesit të zgjatur të krijimit të qeverisë.”

Menjëherë pas formimit të qeverisë, Presidentja Jahjaga në bashkërendim me Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë, formoi Grupin Politik për të arritur konsensusin institucional për themelimin e Gjykatës Speciale. Kjo çështje ishte dakorduar në letërkëmbimin që Presidentja Jahjaga pati me Baroneshën Ashton, letërkëmbim që ishte votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me më shumë se 2/3 e votave. Presidentja gjatë këtij procesi gjithashtu mbajti takime të rregullta edhe me udhëheqësit e opozitës, shoqërinë civile dhe mediat në mënyrë që të sigurohej gjithë përfshirja.

Përmes Këshillave të formuar gjatë mandatit të saj, Jahjaga ka siguruar përfshirjen e shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe atij të biznesit në procese të rëndësishme që kërkojnë fuqizimin e konsensusit shoqëror. Jahjaga ka takuar vazhdimisht shoqërinë civile, komunitetet dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Ne vitin 2014, Jahjaga u nderua nga Clinton Global Inititative me çmimin për Lidership Publik.

Procesi i integrimit Evropian Redakto

Presidentja Jahjaga është shumë aktive në promovimin e agjendës së integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Në mars të vitit 2012, Presidentja Jahjaga inauguroi Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, mekanizëm bashkërendues i nivelit të lartë, që ka për qëllim të ndërtojë konsensusin për agjendën evropiane nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe ndërpartiake. Në këtë takim, Presidentja Jahjaga dhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, lansuan Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Një vit pas themelimit, Këshilli miratoi Strategjinë e parë Kombëtare për Integrim Evropian, duke siguruar konsensus të plotë me të gjithë aktorët e shoqërisë kosovare të përfshirë në këtë proces.

Presidentja Jahjaga ka ndihmuar vazhdimisht institucionet për të bashkërenduar në mënyrë efikase dhe për të përshpejtuar përmbushjen e kritereve të mbetura teknike në kuadër të Dialogut për Liberalizim të Vizave. Në vitin 2015, në bashkërendim me institucionet përgjegjëse, Jahjaga kërkoi që të gjitha kriteret teknike të përmbushen deri në maj 2015. Në qershor, Kosova i dorëzoi Komisionit Evropian raportin final për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.

Në fillim të vitit 2015, gjatë valës së madhe të migrimit të qytetarëve të Kosovës jashtë vendit, Presidentja Jahjaga ishte i vetmi politikan që filloi një numër vizitash nëpër komunat e Kosovës për t’i informuar qytetarët mbi pasojat e migrimit ilegal. Shumë zyrtarë evropianë kanë përgëzuar Jahjagën për rolin e saj për të adresuar migrimin dhe për të vendosur dialog të drejtpërdrejt me qytetarët.

Sundimi i ligjit Redakto

Presidentja Jahjaga ka themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit më 14 shkurt 2012. Këshilli është organ që ka për qëllim të bashkërendoj punën dhe aktivitetet e institucioneve dhe agjencive, në kuadër të kompetencave dhe mandatit për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Këshilli është i përbërë nga përfaqësues të institucioneve dhe agjencive të ndryshme të cilat kanë në bazë të mandatit të tyre për të luftuar korrupsionin dhe është bërë forum kryesor në këtë ndërmarrje. Ky këshill ka rekomanduar ligje, politika dhe qasje me efektive ndaj nyjeve institucionale dhe pengesave tjera për luftën kundër korrupsionit. Këshilli gjithashtu ka shërbyer si një forum për llogaridhënie i institucioneve të ndryshme ndaj njëra tjetrës dhe qytetarëve duke hapur debatin dhe diskutuar çështjet specifike.

Si faktor uniteti, Jahjaga ka bashkërenduar vazhdimisht institucionet e drejtësisë si dhe ka promovuar një sistem të drejtësisë të pavarur, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika.

Gjatë procesit të tej zgjatur të emërimit të Prokurorit të Shtetit, ripërsëritjeve së konkursit nga Këshilli Prokurorial dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe përpjekjeve për ndikime nga jashtë, Presidentja Jahjaga ka arritur të sigurojë një proces transparent dhe kredibil duke vepruar mbi afatet e përcaktuara dhe procedurat ligjore dhe kushtetuese.

Presidentja Jahjaga ka reformuar institutin të faljes duke ndryshuar dhe plotësuar me legjislacion sekondar Ligjin për falje. Ligji i ri mënjanon praktikat e Presidentëve të mëhershme ku ka pasur raportime se janë falur persona të dënuar për krime të rënda. Për arsye të forcimit të rendit dhe ligjit dhe nganjëherë mungesës së informacionit, Jahjaga ka falur një numër shumë të vogël të burgosurve, ndërsa në vitin 2015 nuk ka dekretua faljen e të burgosurve. Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli grevist i të burgosurve shpesh kanë kritikuar vendimin e Jahjagës për të falur një numër të vogël të burgosurve dhe atë kryesisht të dënuar për vepra të lehta penale.

Promovimi i investimeve Redakto

Jahjaga ka qenë vazhdimisht e angazhuar në krijimin e partneriteteve të reja për shtetin e Kosovës dhe tërheqjen e investimeve të jashtme për Kosovën. Në vitin 2015, Jahjaga arriti marrëveshje për bashkëpunim ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe themeloi grupin ndërinstitucional për konkretizimin e projekteve investuese ndërmjet Kosovës dhe EBA.

Falë këtij partneriteti, në prill 2015, Presidentja Jahjaga nënshkroi marrëveshjen për një donacion prej 22 milion eurove nga Sheika Bint Mubarak e Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit Pediatrik Kirurgjik, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit Redakto

Gjatë bllokadës politike të vitit 2014, Presidentja Jahjaga ka pasur rol udhëheqës dhe ka bashkërenduar me sukses mekanizmat e sigurisë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, duke e bërë Kosovën shembull ndërkombëtar të përballjes me një sfidë të përbashkët të sigurisë kombëtare. Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator 2014, Presidentja Jahjaga ishte e ftuar e Presidentit Obama në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u miratua rezoluta për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Presidentja Jahjaga gjithashtu ka pasur rol të rëndësishëm në miratimin e ligjit për parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftëra jashtë vendit, dekretuar më 23 mars 2015, dhe masave për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste në Kosovë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë përgëzuar Jahjagën për përkrahjen e Kosovës për koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS dhe përkushtimin e fuqishëm për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.

Fuqizimi i rolit të gruas Redakto

Gjatë mandatit të Presidentes Jahjaga, fuqizimi i rolit të gruas në Kosovë ka përparuar vazhdimisht. Në vitin 2012, Presidentja Jahjaga organizoi Samitin Ndërkombëtar të Gruas ku morën pjesë më se 200 gra lidere nga Kosova, rajoni dhe bota. Samiti ishte një mundësi e mirë për gratë e rajonit për t’i kaluar barrierat etnike dhe të bashkohen për të promovuar një platformë për fuqizimin e tyre në të gjithë Ballkanin. Diskutimet në këtë Samit çuan në hartimin e Parimeve të Prishtinës, që afirmojnë të drejtat e grave për pjesëmarrje dhe përfaqësim në politikë, ekonomi dhe qasjen në drejtësi dhe siguri.

Qe nga muaji maj i vitit 2012, Presidentja Jahjaga është anëtare e Këshillit të Grave Lidere të Botës. Ajo është e ftuar dhe vazhdimisht merr pjesë në shumë konferenca globale për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.

Bashkëjetesa dhe toleranca Redakto

Presidentja Jahjaga ka punuar shumë për të ndërtuar ura mes komuniteteve të ndryshme etnike të Kosovës. Ajo ka qenë aktive në dialogun ndërfetar dhe ka komunikuar dhe inkuadruar komunitetet pakicë në Kosovë. Në vitin 2013, Jahjaga ishte liderja e parë e Kosovës që vizitoi manastirin ortodoks të Deçanit dhe klerin e saj për festën e Pashkëve Ortodokse, duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të vazhdojnë të kultivojnë tolerancën ndërfetare në vend.

Presidentja Jahjaga udhëheq Këshillin Konsultativ për Komunitete që është një kategori kushtetuese e që mbledh përfaqësuesit e komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Në ketë Këshill janë nxjerrë një sërë rekomandimesh të cilat kanë të bëjnë me fuqizimin e komuniteteve në fusha të ndryshme, si arsim, zhvillim ekonomik, punësim, çështje sociale etj. Ky këshill disa herë ka ngritur zërin në disa nga politikat, veçanërisht në arsim, që kanë qenë diskriminuese ndaj disa komuniteteve.

Parandalimi i Dhunës Seksuale në Konflikt Redakto

Presidentja Jahjaga ka pasur rol udhëheqës në nismën për parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës, ofrimin e mbështetjes shëndetësore edhe sociale për viktimat e dhunës dhe përpjekjen për t’i integruar në shoqëri. Në mars të vitit 2014, Presidentja Jahjaga ka themeluar Këshillin Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, një trup bashkërendues që përbëhet nga përfaqësues të ministrive kyçe, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtar, për trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

Nën patronazhin e Presidentes Jahjaga, në qershor 2015, në Prishtinë u realizua instalacioni artistik "Mendoj për ty" i artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna di Lellio. Për një muaj me radhë, çdo ditë gra dhe burra, në çdo cep të Kosovës iu përgjigjën thirrjes së artistes Alketa Xhafa-Mripa duke dhuruar fustane për të krijuar instalacionin artistik dhe për t’u solidarizuar me mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Jehona e kësaj vepre artistike dhe përkrahja shoqërore që mori kjo kauzë tejkaloi kufijtë e Kosovës duke sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për përmasat e këtij krimi lufte të kryer në Kosovë dhe nxori Kosovën si shembull të shërimit të plagëve të luftës, të bashkuar për të adresuar një kauzë kaq të rëndësishme shoqërore dhe sfide globale.

Zyra e Presidentit Redakto

Si Presidentja e parë koncensuale dhe apartiake në historinë e Kosovës së pavarur, Jahjaga është fokusuar në depolitizimin e Zyrës së Presidentit duke e hapur për qytetarin dhe të gjitha subjektet politike. Roli i Presidentit është konceptuar si rol unik në bashkërendimin ndërinstitucional që e rrit efektshmërinë dhe transparencën e llogaridhënien e institucioneve për të përmbushur mandatin e tyre, dhe njëherit duke ruajtur ndarjen kushtetuese të pushteteve, autonominë e secilit institucion. Për dallim prej politikanëve të shumtë të vendit, Jahjaga bën jetë modeste. Presidenca Jahjaga njihet për respektim të plotë të ligjit, kujdes në përdorimin e parasë publike dhe kursim të buxhetit vjetor.

Kabineti Jahjaga Redakto

Kabineti i Presidentes Jahjaga përbëhet prej profesionistëve jopolitik, me përvojë dhe të arsimuar në disa prej universiteteve më të njohura amerikane dhe evropiane. Kabineti i Presidentes Jahjaga është në përbërje të: Arbër Vllahiu në funksion të shefit të stafit, zëdhënësit dhe këshilltarit të lartë politik, Garentina Kraja në funksion të këshilltares për politikë të jashtme dhe siguri, Adrian Prenkaj në funksion të këshilltarit politik për integrim evropian, Selim Selimi në funksion të këshilltarit për çështje juridike dhe Jeta Krasniqi në funksion të këshilltares politike.

Lidhje të jashtme Redakto

Referime Redakto


  Presidentët e Kosovës

Ibrahim Rugova | Fatmir Sejdiu | Behgjet Pacolli | Atifete Jahjaga | Hashim Thaçi

Shiko stampa:SistemishtetrorKSH me variablen Kryetari.