Ferhat bej Draga

politikan shqiptar
(Përcjellë nga Ferhat Bey Draga)
This is the stable version, checked on 15 nëntor 2024. Template changes await review.

Ferhat ose Ferat bej Draga (Mitrovicë, 1873 - Kralan, 1944) ka qenë veprimtar politik i çështjes kombëtare në dekadat e fundme të Perandorisë Osmane së bashku me vëllezërit Ajdin dhe Nexhip beun si dhe politikan shqiptar në Mbretërinë Jugosllave.

Ferhat bej Draga

Biografia

Redakto

U lind më 1880 në Mitrovicë, i biri i Ali pashë Dragës që kishte shërbyer në Luftën Osmano-Ruse me ç'rast ishte graduar pashë, ndërsa gjyshi i tij Ali Ferhat beu kishte themeluar një xhamiNovi Pazar. Dragajt i përkisnin fisit Kelmend[1] dhe ishin familje me shumë ndikim; Ferhat beu kishte edhe dy vëllezër të tjerë që u shquan në lëvizjen kombëtare, Ajdin dhe Nexhip beun.[2]

U shkollua në Stamboll, dhe në lëvizjen për arsimin shqip mbështeti alfabetin latin për shqipen.[2] Gjatë Revolucionit Xhonturk, së bashku me të vëllain Nexhibin dhe Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe ylema e parinë shqiptare u mblodhën për të përkrahur rikthimin e kushtetutës dhe ishte pikënisja e Revolucionit Xhonturk[3] nën thirrjen e Galip beut.[4] Më 1912 ishte mytesarif i sanxhakut të Prishtinës.[1]

Më 27 shkurt deri më 6 mars 1913 mori pjesë në punimet e Kongresit të Trieshtit, ku patriotët shqiptarë dhe arumunë u dakordësuan për sovranitetin, kufijtë dhe pavarësinë social-ekonomike të shtetit shqiptar.[5] Gjatë Luftës së Parë Botërore bashkëpunoi me austro-hungarezët, që kontrollonin pjesën më të madhe të Kosovës. Më 1915 ngriti në këmbë 1,000 vullnetarë për t'iu bashkuar austro-hungarezëve në Frontin Lindor.[2]

Ferat beu ishte më shumë se krah i djathtë i të vëllait, Nexhibit, në përpjekjet për shkollën shqipe dhe për alfabetin latin për gjuhën shqipe, në fillim të shekullit XX, mandej në lëmenj të politikës dhe të diplomacisë deri në Luftën e Parë Botërore. Më 1915 ndihmoi Hasan Prishtinën në ngritjen e Organizatës legale kulturore e arsimore “Bashkimi” të Mitrovicës dhe brenda saj “Komitetin e Kosovës”, organizëm politik e ushtarak ilegal për çlirimin e tokave shqiptare nga pushtuesit austro-hungarezë e bullgarë dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike nën flamurin e ngritur në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

1919 Ferat be Draga ndihmoi Nexhibin në ngritjen e organizatës politike legale “Xhemiet”. Kjo ishte Organizatë politike kombëtare shqiptare e veshur me petkun fetar islam, mundësi e vetme për organizimin politik shqiptar legal jashtë partive politike serbe. Në anën tjetër, përmes të vëllait, Hajdinit në Shkodër, mbante lidhje veprimi ilegal me Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Me 1920 përfaqësoi “Xhemietin” në kontaktet me qeverinë e Nikollë Pashiqit në Beograd.

Mbledhja themeluese e “Xhemjetit”, si Organizatë politike e Myslimanëve për të ashtuquajturën “Serbinë Jugore”, u mbajt në gushtin e vitit 1919 në Sallën e filmit afër Urës së Gurit, në Shkup. Në themelimin e saj, përpos Nexhib be Dragës, rol madhor pati shqiptari zemërluan, Ferat Be Draga. Realisht, ky ishte aktivisti dhe veprimtari më i shquar i “Xhemjetit”, e në njëfarë dore ishte organizatori dhe drejtuesi i kuvendit themelues, pasi i vëllai, Nexhibi, me shëndet të ligë, nuk kishte aftësi, as forcë fizike të përballonte punë të rënda organizative. Nexhibi urtak për Feratin trim dhe energjik atomik, ishte drita që e udhëhiqte shtigjeve plotë rreziqe. Përpos Ferat be Dragës rol të rëndësishëm në ngritjen e “Xhemjetit” lozi Kenan Zija i Manastirit, Sheh Mehmeti - Sezai dhe Nazim Gafurri, të Prishtinës, Shaban ef. Mustafa i Mitovicës, Haqif Blyta i Tregut të Ri, e të tjerë. Në një dokument të proveniencës së UDB-es, diku të pas vitit 1948, midis të tjerash, thuhej: “Nexhib (Draga) ishte njëri ndër personalitetet më të popullarizuara të Kosovës dhe Dukagjinit. Pas Luftës së Parë Botërore, Nexhibi e ka formuar organizatën “Xhemjet” ( që do të thotë Bashkësi). Nexhib Draga me organizatën “Xhemjet” ka pasur për qëllim kryesor që Kosovën e Dukagjinin, Maqedoninë dhe Sanxhakun t’ia bashkojë Shqipërisë. Nexhibi para Pashiqit e ka paraqitur këtë organizatë kinse ka qëllim t’i mbronte qytetarët shqiptarë. Më 1920 Pashiqi zyrtarisht lejoi punën e kësaj organizate, me qëllim të siguronte shumicën e deputetëve në parlament dhe që përmes Nexhibit t’i lidhte shqiptarët për vete. Xhemijeti ka pasur 14 deputet të cilët e mbështetnin Pashiqin dhe politikën e tij në parlament d.m.th., Partitë radikale. Më 1920 në Kongresin e Shkupit, kur u formua Xhemjeti, Nexhibi u zgjodh për kryetar. Me 1921 Nexhibi u sëmur dhe vdiq në Vjenë. Për kryetar të Xhemjetit u emërua Ferat be Draga…”, i cili shquhej nga Nexhibi jo me kulturë dhe dije, por me guxim dhe vetiniciativë politike dhe të veprimit.

Patrioti i pakursyeshëm, Ferat be Draga nuk e pranoi asnjë ditë të pushtetit komunist jugosllav. Në moshën 64 vjeç e zëvendësoi lapsin me pushkën dhe, duke shkelë mbi fërkemet e Ibrahim Lutfiut, nga Mitrovica kaloi në Llapushë, për t’ju bashkuar Çetës së profesor Imer Berishës - Ukë Sadikut. Më 2 dhjetor 1944, vdiq në KrelanGjakovës, me nëmën e fundit në gojë: “Komunistat (…), në qafë i paqin Kosovë e Shqypni…!” Shoqëruesit e nxorën në lindje të Drinit dhe e varrosën në arealin e Valjakës, pranë një lisi.

Partizanët jugosllavo-shqiptarë nuk i besuan informatës që “rrodhi” për vdekjen e Ferat be Dragës. I shkuan te murana, ia zbuluan varrin dhe, ia plaçkitën dhëmbët e arit, për trofe. Ky ishte moral i çlirimtarit kominternist të Kosovës. Vdekja misterioze burrërore, krahas veprës, Ferat be Dragën e ngriti në Shenjt i kombit.

Shiko edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b Kaleshi, Hasan (1974). "Draga, Nexhip". biolex.ios-regensburg.de. Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b c Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Kosovo. Scarecrow Press. fq. 82–83. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Kaleshi, Hasan. "Prishtina, Hasan Bey". biolex.ios-regensburg.de. Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Hanioğlu, M. Șükrü (2001). Preparation for a Revolution: The Young Turks, 1902-1908. Oxford University Press. fq. 272. ISBN 9780199771110. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ "Kongresi Shqipetar Trieste". Shipkovica. Arkivuar nga origjinali më 16 korrik 2011. Marrë më 2014-02-06. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)