Forca Ajrore Shqiptare (FASH) është 1 nga 3 degët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Forca Ajrore përbëhet nga Komanda dhe Shtabi i FAj, Baza Ajrore Farkë, Baza Ajrore Kuçovë, Qendra e Vëzhgimit Ajror, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe Kompania e Mbështetjes e FAj.

Forca Ajrore Shqiptare

Aktive 1914 – sot
Shteti Shqipëria Shqipëria
Aleance NATO
Pjesë e Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë
Komandantët
Komandanti
në detyrë
Gjen. Brigade Ferdinand Dimo.
Stema
Identifikuesi
Avionët e përdorur
Avionë sulmi MiG-15, MiG-17, J-5, / tërhequr në 2005
Bombardues H-5 / tërhequr në 1997
Avionë luftarakë MiG-19, Shenyang J-6C / tërhequr në 2005
Avion kapës Chengdu J-7
Helikopterë patrulle Bo 105E4 Eurocopter EC145 Eurocopter AS532 Cougar
Helikopterë trajnimi Agusta AB 206, CJ-6
Avionë transporti Il-14, Mil MI-4, Harbin Z-5 / tërhequr në 2005
AB 205A, Y-5

Misioni

Redakto

Sigurimi i kapaciteteve të nevojshme për vëzhgimin dhe kontrollin e sovranitetit të hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me NATO, mbështetjen në operacionet luftarake e joluftarake,HNS dhe ato të kërkim-shpëtimit (SAR), si dhe realizimin e komandim-kontrollit të mjeteve ajrore në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë.

Detyrat

Redakto
  • Paralajmëron në kohë mbi rrezikun ajror mbi bazën e aseteve kombëtarë dhe të NATO.
  • Stërvit, pajis dhe mban në gatishmëri forcat, sistemet, pajisjet, mjetet dhe infrastrukturën e nevojshme për mbështetjen e operacioneve luftarake dhe joluftarake.
  • Monitoron vëzhgimin e hapësirës ajrore të RSH mbi bazën e sigurimit dhe integrimit të informacionit nga burime kombëtare dhe NATO,
  • Kontrollon hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me NATO dhe ANTA, nëpërmjet QKR (CRC) dhe përdorimit të kapaciteteve kombëtare dhe të NATO bazuar në Artikullin 5.
  • Koordinon veprimet me ANTA dhe NATO për realizimin e "policimit ajror" në hapësirën ajrore të RSH në kohë paqe sipas procedurave dhe rregullave të ICAO, Eurokontrollit dhe NATO.
  • Mbështet forcat e tjera në operacione luftarake.
  • Merr pjesë në operacionet e përbashkëta humanitare në ndihmë të popullsisë (tërmete, përmbytje, zjarre, aksidente të rënda, bllokime rrugësh nga dëbora, ndihmë mjekësore, etj).
  • Kryen operacione të kërkim-shpëtimit (SAR) me interes kombëtar, policimit ajror dhe operacioneve të NATO në vendin tonë.
  • Menaxhon në bashkëpunim me strukturat civile dhe NATO, rastet "renegate" si dhe këshillon NGA (National Goverment Athority) në procesin e vendimmarrjes dhe zgjidhjes së situatave me reagimin e duhur nëpërmjet kapaciteteve dhe sistemit të komandim-kontrollit ajror të CRC.
  • Mbështet me transport VIP, trupa, materiale, pajisje si dhe transport MEDAVAC.
  • Udhëheq procesin e trajnimit të personelit brenda dhe në vendet e NATO, për njohjen e procedurave, sistemeve, teknikës dhe përdorimin e saj në përputhje me misionin e forcës.
  • Mbështet me shërbim meteorologjik aktivitetin e FAj, komandat dhe njësitë e tjera të FA, institucionet e tjera në RSH në kohë paqe, emergjenca të ndryshme si dhe në operacione luftarake.
  • Zhvillon kapacitetet operacionale të mundshme të saj për të kontribuar dhe përfituar nga përdorimi i aseteve të sistemit NATINADMS.

Historia e FASH

Redakto

Shteti shqiptar bëri përpjekje të shumta për krijimin e armës së aviacionit luftarak, por për arsye politike një gjë e tillë nuk u arrit dot deri mbas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1945 një grup ish-partizanësh filloi përgatitjen për pilotë luftarakë në shkollën e aviacionit jugosllav. Ky grup përbëhej nga Niko Hoxha, Edip Ohri, Fahri Bubësi, Pertef Myftari, Ibish Vokshi, Zyhdi Rada, Sazan Xhelo, Irakli Grazhdani, Masar Aga, etj. pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, grupi e vazhdoi përgatitjen në Bashkimin Sovjetik. Forcat Ajrore Shqiptare u krijuan zyrtarisht me 24 prill 1951. Avionët e parë ishin avionë sovjetikë të prodhuar mbas Luftës së Dytë Botërore Yak-18 dhe fillimisht u dislokuan në Laprakë në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana. Pak vite më vonë, Forcat Ajrore Shqiptare do të pajiseshin edhe me avionë luftarakë reaktive. Skuadrilja e parë me avionë luftarakë MiG-15Bis, kodi i NATOs 'Fagot' e titulluar "Peza" u krijua në vitin 1955. Kjo skuadrilje u dislokua në aeroportin e Kuçoves.

Në vitet e mëvonshme, në kuadrin e ndihmës ushtarake nga Bashkimi Sovjetik, Forcat Ajrore Shqiptare do të pajisen edhe me avionë luftarakë të tipeve MiG-17, kodi i NATOs 'Fresco' dhe MiG-19, kodi i NATOs 'Farmer', dhe në fillim të viteve 70-të edhe me avionë luftarakë MiG-21 të prodhimit kinez. Avionët luftarakë që erdhën nga Kina kishin marka prodhimi të ndryshme nga ata sovjetikë, por në Forcat Ajrore Shqiptare, ata u njohën gjithmonë me markën sovjetike të prodhimit. Në qershor 1957 u krijua regjimenti i parë transportues i pajisur me helikopterë Mi-1 (3 copë), helikopterë të rinj Mi-4 (3 copë) si edhe disa avionë me helikë Yak-18 dhe PO-2. Në vitin 1967 ky regjiment u zgjerua në kapacitet me ardhjen e 30 helikopterëve Mi-4.

Në vitin 1962 u krijua Regjimenti i Rinasit me avionë luftarakë MiG-17 dhe avione MiG-19. Avionët luftarakë MiG-19 ishin 'shtylla' e kësaj force për shkak të numrit të tyre të madh (mbi 70 avione). Po në të njëjtin aeroport u dislokuan për një kohë të shkurtër avionët luftarakë të sapoardhur nga Kina; avionët luftarakë të tipit F-7A 'Fishbed C' të cilët ishin versioni kinez i avionit luftarak sovjetik MiG-21F-13 (modeli i parë i prodhuar në masë). Por pas pak kohe këta avionë (12 në numër) u transferuan në bazën ajrore më të re të Forcave Ajrore Shqiptare; ajo e Gjadrit, ndryshe e njohur edhe si Lezha-Zadrima. Avionët F-7A (MiG-21F-13) u grupuan në një skuadrilje. Gjithashtu, baza ajrore e Gjadrit kishte edhe 2 skuadrilje me avione F-6S (MiG-19) dhe një skuadrilje me avionë F-5 (MiG-17) si edhe disa avionë mësimorë MiG-15UTI dy-vendësh. Baza ajrore e Gjadrit dallohej nga dy bazat e tjera nga një tunel i nëndheshëm i ndërtuar nën malin e Gjadrit. Edhe pse kishte shumë lagështi, ky tunel përbënte një mbrojte ideale kundër sulmeve ajrore armike. Në periudhën 1950-1975, Forcat Ajrore Shqiptare ishin një nga forcat ajrore më moderne në rajon, por edhe në botë si për sa i përket pajisjes logjistike, ashtu edhe përgatitjes së lartë të kuadrit që ajo dispononte. Pilotët shqiptarë dalloheshin nga pilotët e tjerë në shkollat e huaja të përgatitijes së pilotëve luftarakë si ato të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës për aftësitë e larta profesionale që tregonin.

Nuk do të ishte nje koment aspak i fryre nëse do të thuhej që ishin Forcat Ajrore Shqiptare që e pajisën Kinën me teknologji radari. Në vitin 1962, Bashkimi Sovjetik furnizoi Forcat Ajrore Shqiptare me 12 avionë luftarakë MiG-19PM, kodi i NATOs 'Farmer E' të pajisur me radarë.Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria u miqesua me Kinën. Qeveria kineze i bëri një propozim qeverisë shqiptare që ti shkëmbenin avionët luftarakë MiG-19PM me një numër më të madh MiG-19S të prodhimit kinez. Ky propozim u pranua nga qeveria shqiptare dhe të 12 MiG-19PM u shkembyen me avione më pak të sofistikuar të variantit MiG-19S. Këta avione nuk ishin të pajisur me radarë dhe mund të fluturonin vetem ditën në kushte optimale atmosferike. Po në vitin 1962, Akademia e Aviacionit u krijua në Vlorë, akademi e cila kishte statusin e shkollës së lartë. Kjo akademi kishte në dispozicionin e saj, avionë mësimore për stërvitjen bazë CJ-6 (Jak-18), avionë luftarakë reaktive MiG-15bis dhe avionë mësimorë dy-vendësh MiG-15UTI.

Bazat Ajrore të FASH'së

Redakto

Baza Ajrore Gjadër (R)

Koordinatat: 41° 53' 43V 19° 35' 55L (41.895277,19.598611) | Kodi Ndërkombëtar: LAGJ

Baza Ajrore e Gjadrit është e veçantë nga bazat e tjera fale infrastrukturës që ka. Pista ajrore u ndërtua në një mënyrë që pas uljes në pistë, avioni mund futej në një tunel të nëndheshem. I ndërtuar në vitet 70'të, kjo bazë ishte "shtëpia" e avionëve MiG-21 dhe MiG-19. Avioni i parë që përdori pistën e kesaj baze për herë të parë ishtë me 10 korrik 1973. Fillimisht, Regj. 5646 u krijua me një skuadrilje avionësh MiG-19. Më vonë, 6 MiG-17UTI (FT-5) mbërritën dhe gjithashtu, skuadrilje e MiG-21 u transferua nga Rinasi në Gjadër. Më 16 tetor 1976, nje skuadrilje e dytë mbërriti nga Kuçova në Gjadër e pajisur me MiG-19. Gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë ne 1995, në këtë baze u bazuan avionë pa pilot UAV Predator që kryenin misione vrojtimi dhe spiunimi mbi forcat serbe. Tashmë kjo baze shërben si një baze rezerve dhe përdoret për mbajtjen e avionëve që janë jo-operacionale.

Baza Ajrore Rinas (A)
Koordinatat: 41°24´53"V, 019°43´14"L
Kodi Ndërkombëtar: TIA/LATI
Baza Ajrore Kuçovë (A)
Koordinanat: 40° 46' 19V 19° 54' 7L
Kodi Ndërkombëtar: LAKC
Baza Ajrore Gjirokastër (R)
Koordinatat: 40° 5' 14V 20° 9' 11L
Kodi Ndërkombëtar: LA10
Baza Ajrore Korçë Veriperëndim (R)
Koordinanat: 40° 38' 45V 20° 44' 29L (40.645833,20.741388)
Kodi Ndërkombëtar: LAKO
Baza Ajrore Vlore (R)
Koordinanat: 40° 28' 34V 19° 28' 27L
Kodi Ndërkombëtar: LAVL

Avionë të tërhequr nga shërbimi aktiv

Redakto

MiG-15bis "Fagot" & MiG-15UTI

Avioni MiG-15 ishte avioni i parë reaktiv (teorikisht turboreaktiv) në shërbim. Varianti trajnues u titullua MiG-15UTI. Ky lloj avioni ishte i pari reaktiv që fluturoj mbi qiellin e Shqipërisë. Avionët e pare ishin të prodhimit rus. Këta avionë fillimisht u bazuan në Kuçovë ku u krijua edhe skuadrilja e parë reaktive titulluar 'Peza'.

MiG-17 "Fresco C" Shumica e këtyre avionëve erdhen nga Kina falë falë prishjes së marëdhenieve diplomatike me ish Bashkimin Sovjetik. Forcat Ajrore Shqiptare ishin forca e vetme evropiane që dispononte avione MiG-17 (dhe 19 e 21) të prodhuar nga Kina. Shumica e këtyre avionëve u bazuan në Kuçovë. Gjithashtu FASH'ja disponon versionin trajnues të MiG-17 (FT-5). I titulluar MiG-17UTI në shërbimin shqiptar, disa avionë të tillë janë në përdorim nga Krahu Ajror Rinas.

MiG-19 "Farmer S"

Ky avion ishte avioni kryesor i FASH'së. I bazuar në tre baza ajrore; Kuçovë, Rinas dhe Gjadër ky avion ka luajtur një rol kryesor në këtë armë. Avionët e parë ishin të prodhimit sovjetik (MiG-19PM) të pajisur me radare primitive. Këto avionë më vonë u shkëmbyen me një sasi të madhe avionësh më pak të afët të tipit MiG-19S (F-6S)të prodhimit kinez. Kinezët ishin të interesuar tek sistemi i radarit në MiG-19PM sepse në atë kohë Kina nuk dispononte teknologji të tillë. Një numër i vogël i këtyre avionëve janë në gjendje operacionale në Rinas ndërsa pjesa tjetër ose janë vënë në rezervë ose janë çmontuar.

MiG-21F-13 "Fishbed C"

Të transferuar nga Kina në fillim të viteve 70'të dhe të konsideruar si avionet më modernë të FASH'së, shumica e këtyre avionëve tashmë janë vënë në rezervë në bazën ajrore të Gjadrit. Një avion është i bazuar në Rinas dhe mendohet që të jetë në gjëndje aktive. Nga 12 copë, 10 të tille ekzistojne sot. Një u shkatërrua në ngritje duke i marre jetën edhe pilotit dhe avioni i dyte mendohet të jetë demtuar pasi doli nga pista.

Të tërhequr nga shërbimi

Redakto
Modeli Sasia Viti i futjes në shërbim Viti i daljes nga shërbimi Shënime
Y-5 13 2020 2020 Versioni Kinez, 4 janë ende në shërbim
Il-14 4 2001 2020 Avion Rus transporti VIP
MiG-15bis 50+ 1955 2000 Prodhim Rus vetëm 26 copë, të tjerët janë versioni Kinez
MiG-15UTI 12 1955 2000 Avion trajnues dhe luftarak. 4 cop prodhim Rus, 4 cop prodhim Çek dhe 4 Kinez
Shenyang J-5 80+ 1962 2005 Avion luftarak Kinez.Kopje e MiG-17
Shenyang J-6C 75+ 1962 2005 Avion luftarak Kinez.Kopje e MiG-19
JJ-5 20 1972 2005 Avion luftarak Kinez.Kopje e MiG-17 i përmirësuar
JJ-7 12 1975 2005? Avion luftarak Kinez.Kopje e MiG-21
CJ-6 22 1952 1962 Avion trajnimi Kinez
Harbin Z-5 (Mil MI-4) 37 1967 2003 Helikoper transporti Kinez.Kopje e Mil MI-4
Mil MI-1 3 1957 1960 Helikoper transporti Rus
Mil MI-4 7 1957 2003 Helikoper transporti Rus
Jak-9 12 1951 1956 Avion luftarak Rus me helikë
Il-28 1 1957 1971 Bombardues i lehtë Rus u ndërrua në 1971 me një version të njëjtë Kinez Harbin H-5
Harbin H-5 1 1971 1992 Bombardues i lehtë Kinez.Kopje e Il-28
Jak-11 4 1952 1963 Avion trajnimi Rus
Po-2 4 1951 1964 Avion për spërkatjen e bimëve mund të jetë përdorur për trajnim

Arsenali i Forcave Ajrore

Redakto
Modeli Foto Origjina Sasi Porositur
Eurocopter AS532 Cougar     Franca 4
MBB Bo 105   Gjermania 8
AB 205     Italia 5
AB 206     Italia 4
Eurocopter EC145
 
  Franca 1 1
A109     Italia 1
Sikorsky UH-60 Black Hawk
 
  SHBA 2(+4)
Eurocopter AS350
 
  Franca 1

Organizimi i Forcave Ajrore

Redakto
 
Identifikuesi ndërkombëtar i FASH

FASH janë të organizuara sipas një strukture hierarkike, ku komandanti i kësaj force kontrollon çdo aktivitet në FASH. Nën Komandën e Forcave Ajrore bëjnë pjesë Detashmenti Ajror, Regjimenti i Helikopterëve, Akademia e Forcës Ajrore Shqiptare, Forcat e Mbrojtes Ajrore, Shërbimi Meteologjik dhe Batalioni Logjistik i Forcave Ajrore.

Komandanti i Forcës

Që nga data 11 gusht 2000, komandanti i Forcave Ajrore Shqiptare është Gjeneral Brigade Astrit Fuat Jaupi. Ai e ka filluar karrierën e tij si pilot i avionëve të shpejte. Ai i ka pilotuar të gjithë llojet e avionëve reaktive shqiptarë duke përfshirë këtu edhe F-7A (MiG-21F-13).

Z. Komandanti i Forcës

Që nga data 11 gusht 2000, Zëvëndës Komandanti i Forcave Ajrore Shqiptare është Kolonel Syrja Selim Gjoka. Ai gjithashtu ka qënë pilot avionësh dhe ka mbaruar studimet në Akademinë e Forcave Ajrore.

 
Stema e Detashmentit Ajror
 
Stema e Batalionit Logjistik së Forcës
 
Stema e Regj. së Helikopterëve

Detashmenti Ajror

Detashmenti Ajror është i bazuar në Rinas dhe tani ka në përdorim të vetmit avionë luftarakë reaktivë. Këta avionë janë të tipit mësimorë MiG-15UTI si edhe disa avione MiG-17PF, të cilët shërbejnë për mbajtjen në aktivitet të pilotëve të avionëve të shpejtë. Në çdo forcë ajrore, çdo pilot duhet të kryejë një numër të caktuar orësh fluturimi në një vit. Ky numër varet nga rregullorja e asaj force, por numri mesatar është rreth 30 orë fluturimi. Planet afatgjate për këtë hallkë së forcës nuk janë shumë të qarta për vetë faktin se FASHja po shndërrohet për një rol aerotransportues dhe mbështetës në raport me forcat e tjera. Diçka e tillë nuk jep sinjale të mira për të ardhmen e kesaj hallke.

Regjimenti i Helikopterëve

Regjimenti i Helikopterëve është i dislokuar në afërsi të Tiranës. Ky regjiment është pjesë e planeve afatgjate të Forcave Ajrore. Ky regjiment pritet të zgjerohet dhe të pajiset me helikopterë të mesëm ushtarak dhe me helikopterë të shërbimit kërkim-shpëtim (SAR- Search and Rescue). Infrastruktura e kësaj njësie bën të mundur uljen dhe ngritjen e njëkohshme të helikopterëve. Kjo njësi është e pajisur me një uzinë moderne për mirëmbajtjen e helikopterëve si dhe ambiente jetese për pilotët dhe punonjësit.

Brigada e Mbrojtjes Ajrore

Brigada e Mbrojtjes Ajrore është e dislokuar ne Selite, Tirane. Kjo Brigade është arma me e vjeter e FASH, e krijuar qe ne vitin 1931. Sot, Brigada ka ne perdorim rraketa dhe topa KA te tipeve dhe kalibreve te ndryshme. Midis tyre, janë rraketat e mesme te tipit HQ-1. 4 bateri rraketash HQ-1 janë te dislokuara ne afersi te Tiranes si dhe ne afersi te portit te Pasha Limanit. Mbi 250-300 rraketa portative te tipit HN-5A si dhe Sa-16 "Igla" perdoren nga njesite e kesaj Brigade. Artileria kundra-ajrore perbehet nga topa te drejtuara me radar te kalibrave 100mm, 85mm, 76mm, 56mm, 37mm, 23mm, 14.2mm si dhe njesi te shumta me mitroloza kundra-ajror 12.7mm. Ne te ardhmen, shumica e siteme luftarake te kesaj Brigade do hiqen nga perdorimi për tu zevendsuar me sisteme me moderne dhe perendimore te tipave MIM-23B "I-HAWK", rraketa portative "Stinger", rraketa SHORAD si dhe artileri kundra-ajrore me moderne. Gjithashtu, radaret e vezhgimit te larget apo te afert do te zevendsohen me radar perendimor te firmes Locheed-Martin (nje radar i ketij tipi është ne perdorim qe nga viti 1999, dhe 4 te tjer priten te merren ne perdorim ne vitet e ardhshme.)

Sistemi Identifikues i FASH

Njësitë e FASH mund të identifikohet nga numrat e vendosur në avionët dhe helikopterët. Numërimi i avionëve dhe helikopterëve është standart në çdo forcë ajrore. Në atë shqiptare, formati është y-xxx ku 'y' përfaqëson njësine ajrore ku avioni ose helikopteri është i dislokuar, dhe 'xxx' përfaqëson numrin identifikues të vetë avionit dmth tipin, datën e prodhimit etj.

Forcat Ajrore Shqiptare në të ardhmen

Redakto

Forcat Ajrore Shqiptare janë në një periudhë tranzicioni. Tashmë, një plan 10-vjeçar, për modernizimin e forcës është në veprim. Sipas këtij plani, FASH do të jenë një forcë e orientuar në rolin aero-transportues dhe atë mbështëtës të dy armëve të tjera. Kështu, Regjimenti i Helikopterëve i dislokuar në Farkë do të zgjerohet dhe do të pajiset me helikopterë të mesëm me aftesi të transportit të rëndë dhe aftësi për kryerjen e operacioneve "Kërkim-dhe-Shpëtim" (SAR).Regjimenti i Helikopterëve do të ketë tre skuadrilje helikopterësh, dy transporti dhe nje sulmuese.

 

Në shumë artikuj flitet se FASH'ja do të formojë një skuadrilje helikopterësh sulmues me helikopterë të prodhimit italian ose amerikan. Kjo gjë është e konfirmuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë.

Avionët reaktive luftarakë që ishin krenaria e FASH për dekada, tashmë janë tërhequr nga shërbimi. Këto avionë janë avionë MiG-15 bis, MiG-17PF (tip kinez), MiG-19S (tip kinez) dhe MiG-21F-13 (tip kinez). Sic u përmend me parë, plane të tanishme për blerjen e avionëve të rinj nuk ka dhe dicka e tillë nuk përmendet në planin 10-vjeçar.

Po ashtu, sistemi kundërajror do të modernizohet. Raketat me rreze të gjatë veprimi HQ-1 do të zëvendesohen me sistemin 'Hawk MIM-23B'. Gjithashtu, raketat portative HN-5A do të zëvendësohen me raketat te tipit 'Stinger'.

Operacionet Luftarake të FASH

Redakto

Operacionet e para luftarake të FASH u ndërmorrën nga Regjimenti kundërajror "Ali Demi". Në gusht të vitit 1948 njësitë KA goditën dhe rrëzuan një avion Grek të tipit "Spitfire" që kishte shkelur hapësirën ajrore Shqiptare për mision spiunazhi. Avioni Grek u shkatërrua dhe piloti u gjet i vdekur. Në gusht të vitit 1949 njësitë KA të po këtij Regjimenti goditën dhe rrëzuan një avion tjetër Grek gjatë Provokacioneve të gushtit. Avioni Grek, i dëmtuar nga zjarri KA, u detyrua të ulej në fushë ku u kap nga njësitë luftarake Shqiptare. Piloti Grek u kap dhe u burgos si rob lufte.

Njësitë fluturuese të FASH panë aksionin e parë luftarak të tyre në vitin 1957. Më 23 dhjetor të këtij viti, një avion luftarak Amerikan i tipit T-33 shkeli hapësiren ajrore Shqiptare. Dy avionë të tipit MiG-15 u ngritën nga baza ajrore e Kuçovës, të pilotuar nga Anastas Ngjela dhe Mahmut Hysa. Avioni Amerikan u rrethua dhe u detyrua të ulet në pistën e pambaruar të aeroportit të Rinasit. Avioni u sekuestrua dhe piloti Amerikan u kap rob. Piloti Amerikan u lirua më 11 janar 1958, ndërsa avioni u vendos në muzeun e kështjellës së Gjirokastrës, ku ndodhet edhe sot. Në vitin 2015 artist vizual Armando Lulaj ringriti simbolikisht në ajër avionin amerikan gjatë realizimit të filmit me metrazh të shkurtër "Përsëritje".

Më 31 dhjetor të po këtij viti, vetëm disa ditë më vonë nga ky incident, një avion tjetër i huaj shkeli hapësirën ajrore Shqiptare. Ky ishte nje avion transporti i tipit DC-7 i Independent Air Travel që po fluturonte nga Gjermania drejt Singaporit. Dy avionë të tipit MiG-15 u lëshuan për ta kapur. Transportuesi u rrethua dhe u detyrua të ulej në aeroportin e Kuçovës.Të 5 pilotët dhe avioni civil u liruan më pas më 4 janar 1958 mbasi u vendos që ishte vetem nje gabim navigacioni. Më 31 dhjetor 1958, një avion tjetër i huaj u kap nga avionët reaktivë të bazës së Kuçovës. Ky ishte një C-54D "Skymaster" që përdorej nga CIA për të transportuar armë në Indonezi. Avioni u detyrua të ulej në bazën e Kuçovës, dhe më pas pilotët dhe avioni u liruan për t'u kthyer në Angli. Nje fitore e rendesishme kjo e FASH.

21 korrik 1967 një incident i rëndë ndodhi mbi hapësirën ajrore Shqiptare. Një avion jugosllav i tipit F-84 "Thunderjet", i armatosur me rraketa të paderjtuara dhe bomba, shkeli hapësirën ajrore të Shqipërisë në afërsi të Dibrës duke fluturuar në drejtimin Peshkopi-Martanesh-Tiranë. Avioni jugosllav me numër regjistrimi 11 ishte i dislokuar në aerodromin ushtarak të Zemunit, rreth 15–20 km në veri-perëndim të Beogradit. Avioni pilotohej nga Boidar Vojevic dhe detyra e tij ishte të fluturonte për në aerodromin ushtarak të Kumanovës, Maqedoni, ku do të merrte pjesë në stërvitje. Shërbimet e radarit nuk arritën të diktonin shkeljen e hapësirës ajrore të Shqipërisë për shkak se avioni jugosllav fluturonte ulët duke ndjekur relievin. Avioni u diktua vetëm kur ai iu afrua bazës së Forcave Ajrore në Rinas. Pilotë të gatshëm ishin Koço Biku dhe Roland Sofroni. 3 avionë reaktivë të tipit MiG-19, të komanduar nga pilotët Koço Biku, Mahmut Hysa dhe Gëzdar Veipi, u ngriten nga baza ajrore e Rinasit për të interceptuar avioni jugosllav. Avioni Jugosllav u rrethua dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Rinasit. Mbas uljes piloti jugosllav deklaroi de ai kishte humbur orientimin gjatë fluturimit. Avioni dhe piloti u kthyen në Jugosllavi mbas një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Disa incidente dhe operacione luftarake të tjera u kryen mbi Shqipëri në vitet 60-70, për të cilët nuk dihet shumë. Në vitet 60, dy avionë të Forcave Ajrore Italiane të tipit F-84 "Thunderjet" u ulën në bazën ajrore të Rinasit në rrethana të panjohura (sipas një versioni tjetër, flitet vetem për një F-84 Italian që u ul në Rinas). Në vitet 70, një avion i vogël civil Grek u kap mbi Vlorë nga një MiG-15. Ai u detyrua të ulej në pistën ajrore të Vlorës, ku piloti, një shtetas Grek, u arrestua.

Gjithashtu, në fund të viteve 70 një avion Shqiptar i tipit MiG-21F-13 gabimisht shkeli hapësirën ajrore Jugosllave gjatë një stërvitjeje. Avioni Shqiptar, i pilotuar nga Luto Sadikaj, u kap nga 2 avionë Jugosllavë të tipit MiG-21. Avioni Shqiptar u rrethua dhe u detyrua të ulej në një aerodrom në Kosovë. Por piloti Shqiptar, në momentin kur avioni bëri kontakt me pistën e aerodromit, e futi në forsazh avionin dhe u ngrit përsëri, duke lënë prapa dy avionët Jugosllavë që tashmë kishin hapur parashutat e frenimit. Luto Sadikaj iu drejtua Shqipërisë me shpejtësi të madhe dhe u kthye në atdhe. Fatkeqsisht, Sadikaj vdiq në një aksident me po të njëjtin avion në vitin 1982. Që nga viti 1948, njësitë KA dhe ajrore të FASH kanë arritur 8-9 fitore kundër avionëve të huaj mbi hapësirën Shqiptare pa pësuar humbje. Ky fakt flet për aftesitë operacionale dhe gatishmërinë e lartë të pilotëve të FASH.

Dëshmorët që ranë në krye të detyrës

Redakto

Forcat Ajrore Shqiptare janë një forcë me një histori shumë krenare. Lista e dëshmoreve është fatkeqësisht e gjate por është e rëndësishme që ata pilotë që flijuan jetën e tyre për atdheun, të mos harrohen.

Pilotët që ranë në krye të detyrës

  • Vasil Nikollë Trasha
  • Hektor Eftim Lako
  • Sokrat Gori Basha
  • Niko Selman Hoxha
  • Stilian Vani Tanku
  • Jovan Kacorri
  • Muharrem Murat Hida
  • Refit Asllan Jazo
  • Kaso Salo Petoshati
  • Shyqyri Aziz Balla
  • Hazbi Ramadan Serani
  • Islam Mani
  • Bego Isa Hoxha
  • Dhimitër Spiri Robo
  • Veiz Halil Kovaçi
  • Sefedin Hasan Tomçini
  • Vasil Thoma Noni
  • Shpëtim Selman Sula
  • Armando Liman Gjoka
  • Sabri Shefki Toçi
  • Luto Refat Sadikaj
  • Ndue Mëhill Logu
  • Haki Abaz Skuqi
  • Jorgji Fane
  • Agron Hasan Galanxhi
  • Enver Osman Haka
  • Pandeli Jorgo Zhupa
  • Tafil Njazi Agai
  • Vangjel Vangjel Postoli
  • Veledin Delo Resuli
  • Eduard Qiriako Kostëdhima
  • Fluturim Qani Molla
  • Idriz Ibrahim Hoxha
  • Jani Tarifa
  • Ibish Vokshi, vrarë në Jugosllavi
  • Qemal Mërtiri, vrarë në Rusi
  • Vangjel Çondi, pilot i helikopterit Bell 222U i rrezuar ne detin Adriatik
  • Demush Heba, pilot i helikopterit Bell 222U i rrezuar ne detin Adriatik
  • Qemal Koni, inxhinier i helikopterit Bell 222U

Shiko edhe

Redakto

Referime

Redakto