Said efendi Najdeni i njohur në të gjallë si Hoxhë Voka (Dibër, 1864 - 21 nëntor 1903) ka qenë alim dhe veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U bë i njohur për botimin e të parit Ilmihal (Fe-rëfenjëseja e myslimanëvet) më 1900, libër mësimesh të fesë islame e shkruar në gjuhën shqipe me shkronja latine, si dhe një abetare.[1]

Bustet e Said Najdenit dhe Josif BageritDibër

Biografia

Redakto

U lind në Dibër të Madhe, i biri i Islamit dhe Esma Najdenit. I ati me ta parë që kreu shkëlqyeshëm shkollimin në vendlindje më 1882, e dërgoi në Stamboll ku ndoqi studimet e larta teologjike në medresen "Hajdar Pasha" të Fatihut.[2] Gjatë kësaj kohe u bë pjesë e aktivistëve xhonturqë.[1]

Pas arrestimit dhe burgosjes në Edrene, ai u tërhoq drejt shqiptarizmit nga Shahin Kolonja, i cili i kishte sjellë në burg ca libra shqip.[1] Që prej asaj kohe, gjithë duke mbaruar studimet si ulema, u përpoq të përhapte shkrimin dhe këndimin e gjuhës në krahinën e vendlindjes. U njoh me elitën e shqiptarëve në kryeqytet, Shemsedin Saminë, Naim bej Frashërin dhe Ismail Qemal bej Vlorën. I ndërgjegjësuar për gjendjen e atdheut nën hyqmin e osmanëve, më 1888 mbaron shkollën dhe kthehet në atdhe me një sasi abetaresh të shtypura nga Shoqëria e Stambollit. Jep mësim gjuhën shqipe më ato abetare në Dibër po atë vit.[3] Veprimtarinë e tij e shtriu jo vetëm në vendlindje dhe rrethina: në Gollobordë, në Grykë të Vogël, në Bllacë, në Maqellarë, në Brezhdan, në Dohoshisht e shumë fshatra të tjerë të Dibrës. Djalëria që mori mësim ndër tregtizat e pazarit të Shehrit më 1888 do ta ndihmonte për të shpërndarë kumtin e zgjimit kombëtar me abetaret që Hoxhë Voka i merrte nga Stambolli.[4]

Autoritetet turke në vitin 1895 duke parë aktivitetin e Saidit e arrestoi atë dhe e internoi në Edrene.[5] Pas kthimit në Dibër, Said Najdeni së bashku me nxënësit e tij: Shaqir Daci, Shyqyri Qoku, Kadri Fishta, Hamdi Ohri, Nazif Sharofi, Hajdar Varvarica etj., në vitin 1896 organizuan brenda në Shehër (Dibër), në shtëpinë e Abdullah Manjanit, një kurs të fshehtë për mësimin e shkrimin shqip. Ky kurs dokumentohet si i pari kurs shqip në trevën e Dibrës.[6] Internohet sërish në Edrene atë vit dhe lirohet më 1897 dhe u kthye në atdhe ku propagandoi në Ohër, Strugë e Elbasan nevojën për shkolla shqipe.[7] Lidhje të vazhdueshme u mbajtën sidomos me shoqëritë shqiptare “Dituria” të Bukureshtit dhe “Dëshira” të Sofjes, me Kosovën dhe me Shqipërinë e Mesme nga vinin në Dibër abetare e libra shqip të rilindasve. Në Dibër u përhap në këtë kohë “Abetarja” e Sami Frashërit me të cilën raportonte konsulli austro-hungarez, A. Kral në Manastir: “Mësuan të shkruanin në gjuhën shqipe qindra dibranë. Deri në vitin 1899, kishin mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip më shumë se 300 dibranë”[8].

Pasi përgatiti të parin ilmihal të fesë islame në gjuhën shqipe me alfabet latin, si dhe një abetare, e botoi të parën me nëntitullin Fe-rëfenjëseja e myslimanëvet më 1900 në shtypshkronjën "Mbrothësia" të Sofjes.[9]

Me organizimin e Lidhjes së Pejës nga Haxhi Zeka, punimet e të cilës ndikuan në punimet e kuvendeve të mbajtura në Dibër nën udhëheqjen e nxënësve dhe miqve të hoxhës, Selim Rusit dhe Hamdi bej Ohrit.

Më 1903 qe në Tarabulluz, ku u takua me Ismail Qemali, Refik bej Toptanin aty ku ishte vali Rexhep pashë Mati. Tuberkulozi iu rëndua, falë miqve iu bë e mundur një konsultë në Romë por mjekët s'i dhanë shpresë e kësodore mblodhi forcat sa për t'u kthyer në vendlindje ku dha shpirt pak ditë më pas më 21 nëntor.[5][10]

Referime

Redakto
  1. ^ a b c Clayer, Nathalie (2012) [2007]. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përkthyer nga Artan Puto (bot. 2). Tiranë: Botime "Përpjekja". fq. 424. ISBN 9789994302536.
  2. ^ Hysa, Mahmud (2000). Alamiada shqiptare. Vëll. 1. Shkup: Logos-A. fq. 44.
  3. ^ Hysa M., Said Najdeni-Hoxhë Voka, veprimtar i Lëvizjes dhe Rilindjes Kombëtare, Harper Woods: Albanian Islamic Center, 1992, f.3-5.
  4. ^ Gazeta  “Drita” e Sofjes 1903, nr. 2, 32/21, vjeshtë e tretë.
  5. ^ a b M.H.D, Said Najdeni, (Hoxhë Voka), Fondi XII/1, Dosje patriotësh, Dosja, nr. 495.
  6. ^ M.H.D, Dorëshkrim, Haki Stërmilli, “Dibra në prag të historisë”, Tiranë, 1940, f. 39.
  7. ^ Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë, 1972, f. 43.
  8. ^ Myziri H.,  “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë, 1978, f. 141.
  9. ^ Vozga, Ramazan (2010). Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare. fq. 200. ISBN 978-99927-731-7-8.
  10. ^ Qemali I., "Kujtime", përkthyer nga A. Myftiu, "Toena", Tiranë 2009.