Josif Droboniku
Josif Droboniku (1952 - 2020) ka qenë piktor, mozaiçist dhe ikonografik shqiptar, një nga artistët më të rëndësishëm bashkëkohorë.
Josif Droboniku | |
---|---|
Lindi | 25 dhjetor 1952 |
Vdiq | 6 Shkurt 2020 Bari, Itali |
Kombësia | shqiptar |
Profesioni | Artist |
Jetëshkrim
RedaktoJosif Droboniku u lind në Fier më 25 dhjetor 1952 dhe nderroi jete me 6 Shkurt 2020 ne Bari te Italise. Ndoqi liceun artistik dhe Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në degën e Pikturës Monumentale. Mozaikët dhe afresket e tij i gjen në Muzeun Historik Kombëtar dhe Pallatet e Kulturës në Tiranë, Lushnje dhe Peshkopi. Arrin në Ungra të Kalabrisë në vitin 1990. Ungra, së bashku me Horën e Arbëreshëvet në Siçili, janë zemra e bashkësisë më të lashtë shpirtërore të Arbëreshëve në Itali. Mbërrin me bashkëshorten dhe kolegen e tij, Liljana Prifti dhe vajzat e tyre Mirlinda dhe Alba, si të gjithë krijuesit shqiptarë që dinin me siguri se ç'po linin prapa por që pak prej tyre imagjinonin të ardhmen e tyre profesionale në një vend të ri.
Në Shqipëri Droboniku lë pas një krijimtari tashmë të afirmuar në nivel kombëtar, pas kryerjes së studimeve fillimisht në liceun artistik të Tiranës dhe më tej studimeve të kryera në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Akademia e Arteve të Bukura). Punon në zhanre të ndryshme të artit pamor duke filluar që nga filmi multiplikativ pranë Kinostudios dhe më tej kryesisht në fushën e pikturës dhe mozaikut monumental. Mjafton të përmendim bashkautorësinë në realizimin e mozaikut madhështor të Muzeut Kombëtar në Tiranë.
Në Ungra, Droboniku, njeh peshkopin e eparkisë bizantine arbëreshe të katundit, Imzot Erçole Lupinaçi. Nuk ju desh shumë peshkopit të kuptonte se kishte përpara një artist të talentuar, atë të cilit mund t’i besonte punimet për kishat e tyre bizantine. Ato punë të para, që filluan të pasuronin kurrikulumin artistik të Drobonikut, që atëherë “i pasur” në pikturë monumentale, bënë që Peshkopi dhe eparkia e Ungrës t’i besonin në vite të gjitha veprat artistike. Nga ky moment u reduktua gradualisht dhe ardhja nga jashtë e piktorëve ikonografë, që deri atëherë përbënin të vetmin burim artistik për dekorimin e kishave të zonës të ritit bizantin-ortodoks.
Josif Droboniku, i shoqëruar profesionalisht nga bashkëshortja e tij Liljana, fillon një rrugë artistike konstante, gjithmonë e më të rafinuar në krijimin dhe interpretimin e veprave ikonografike, duke na zbuluar edhe një herë një skaj tjetër krijues të tij, si përsa i përket përvetësimit të teknikave të reja për të, si ajo e ikonës dhe sigurisht ekuilibrit të gjetur kaq lehtësisht, kaq mrekullisht midis kanoneve të rrepta shumëshekullore të ikonografisë dhe ekspresivitetit emocional kohor. Dhe sot ai është autor i mozaikut në kupolën e katedrales së Lungros, plot 112 metra katrorë, i mozaikut në fasadën e brendshme, i titulluar "Gjyqi i përbotshëm (90 mq) i dhjetëra mozaikëve, afreskeve dhe ikonave në kishat e vendeve arbëreshe në Kalabria (Allimarri, Çifti, Frasnita, Kantinela, Mbuzati, Picilia, Strighari, Shën Benedhiti, Shën Mitri, Shën Sofia etj), në Siçilia (Kundisa, Hora e Arbëreshëvet, Pallaci,Palermo, etj), në Bazilikata (Shën Kostandini Arbëresh), në kishat e arbëreshëve të Apulias, Napolit e Romës.
Të realizosh mozaikë, afreske, ikona do të thotë dhe një veprimtari sipërmarrëse komplekse, pra marrëdhënie me arkitektë, përgjegjës monumentesh kulture, raportesh politike me asesorate, mjeshtëria muratorë, magazina materialesh nga më të rrallat, instrumenta e vegla nga më të padëgjuarat, ngjyrat, penela, e mjete të tjera klasike për piktorin e traditës së lashtë. Pra krahas aftësisë së tij krijuese të kultivuar në vite, ai rezulton dhe si një sipërmarrës me intuitë dhe inteligjencë natyrale, me aftësinë e tij tashmë proverbiale të përshtatjes dhe integrimit social. Dhe sot ai është titullar i një ndërmarrje familjare prodhimesh artistike në gjinitë e lartpërmendura.
Në mënyrën e vet Droboniku tashmë ka peshën dhe hapësirën e vet si një nga autorët më të kërkuar në fushën e vet në nivel kombëtar. Dy kisha bizantine në Romë i kanë porositur afresko e ikona. Sot Josif Droboniku ka studion e vet "të quajtur "Arberart", në Ungra me përmasat adekuate për dimensionet shpesh madhështore të veprave të tij, por vitrina e tij artistike mbetet laboratori i hapur në Altomonte, qendër tashmë e njohur e aktiviteteve kulturore në nivel kombëtar në Krahinën e Kozencës.
Talenti i tij natyral, i shoqëruar vazhdimisht me me një ecje pjekurie në kohë në interpretimin e ikonës realizon figurat e pasqyruara në të, duke respektuar me bindje kanonet tradicionale, duke i ringjallur ato dhe duke i bërë pjesë e emocioneve më intime të shpirtit njerëzor universal. Nëse do t'ju bjerë rasti të ndodheni përpara një ikonostasi ose afresku apo mozaiku të Drobonikut, me dimensione relativisht të konsiderueshme, me siguri do të provoni ndjesinë e harmonisë dhe solemnitetit, e cila transformohet sëbashku me ju në një liturgji figurash dhe ngjyrash që kanë të përbashkët qiellin dhe dheun, në një liturgji kozmike ku ngërthehet dhe përfshihet dhe njeriu, i transformuar nga spektator në aktor, gati i murëzuar në veprën e artit që është duke soditur. Dhe dihet se kur ndodh ky fenomen i quajtur "poezi", vepra artistike merr aromën e lehtë të përjetësisë. Arti i tij ikonografik paraqitet si një rizbulim i antropologjisë kristiane, si një pikturë që në vetëdijen e tij paraqitet si një rikthim i shprehjes së shenjtë e destinuar drejt tregimit të thellë dhe lutjes së heshtur, në ndjekje të historisë personale të Njeriut dhe Kishës, si ambasadore e një tradite dhe kulture antike, ku hyjnë njerëzit e shpërndarë në të gjithë botën.
Tek ky artist të çudit para së gjithash aftësia krijuese shumëplanëshe. Ai arrin në pak kohë të kalojë nga aspekti monumental i artit të ashtuquajtur realizëm socialist në transfigurimin solemn të figurave bizantine që pasqyrojnë njeriun shpërblimtar në aspektin fizik dhe atë të lumnësisë së tij. Sigurisht konvencionet kanë rezultuar gjithmonë si zinxhira të rëndë për krijuesin dhe shpesh kur talenti është i bollshëm, i kapërcen dhe ndryshimet me të mëdha në kohë rekord. Sigurisht dhe përdorimi nga ana e këtij mjeshtri e linjës së sigurt, aftësia e kompozimit të figurave të shumta, pregatitja teknike dhe artistike e përgjithshme në Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës, e kishin tashmë pajisur, për tu transformuar artistikisht (jo pa lodhje e mundim) në artistin e ikonës, afreskut dhe mozaikut të stilit neobizantin. Sigurisht aroma e artit bizantin nuk u çfaq si risi për Drobonikun, ai lind dhe formohet në Shqipëri në një ambient kulturor fatlum, për vetë faktin e ekzistencës së artit të ikonave të shkollës së Beratit të shek XVI, të themeluar nga Onufri dhe të trashëguar dhe nga biri i tij Nikolla dhe dishepuj artistikë të shumtë, një stil ky i papërsëritshëm në gjithë ikonografinë botërore, i cili sikur ridoli nga subkoshienca intime e mjeshtrit tonë, e transmetuar nga shekujt në riprodhimin artistike të Krishtit, shenjtëve apo engjëjve të përjetshëm.
Sigurisht ardhja në Kalabri dhe Siçili midis komunitetit arbëresh, i lejoi artistit të rizbulojë edhe një herë trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të lidhur në mënyrë intime me traditën e ritit ortodoks, ku ai rinjohu një traditë të vjetër siç është ikonografia, që dikur në errësirën e shekujve i takonte fort dhe tokës së tij.
Në krah piktorit qëndron që nga bankat e shkollës dhe deri më sot bashkëshortja e tij Liljana, një piktore e talentuar, që në një masë të caktuar përbën të ashtuquajturën "alter ego" të tij, Dhe për këtët është shpesh vështirë të dallosh me saktësi ku mbaron vepra e Josifit dhe ku fillon kontributi i saj, sepse është evident fakti që në disa detaje të veprës së Drobonikut, ku finesa është tepër femërore, pa dyshim kemi të bëjmë me kontributin e saj, me shijen dhe formimin e saj, me eksperiencën e saj në teknikën e tekstilit. Dhe "veshjet" e figurave të shenjta në ikonografinë ortodokse janë aspekte të pamohueshme të një arti të aplikuar siç është teknika tekstile.
Shih edhe këtë
RedaktoLidhje të jashtme
Redakto- Arberart
- Ikonografia bizantine në kishat shqiptare e Italisë (intervistë) Arkivuar 31 tetor 2012 tek Wayback Machine