Kalaja e Durrësit

monument i trashëgimisë kulturore në Shqipëri
(Përcjellë nga Kalaja në qytetin e Durrësit)
This is the stable version, checked on 29 prill 2024. 1 pending change awaits review.

Kalaja e qytetit të Durrësit

Kalaja në qytetin e Durrësit
Kalaja e Durrësit is located in Earth
Kalaja e Durrësit (Earth)
LlojiArkeologji
VendndodhjaDurrës, Durrës, Shqipëri
Koordinatat41°18′35″N 19°26′49″E / 41.309617°N 19.446922°E / 41.309617; 19.446922
NdërtuarShek. V - VI
Organi drejtuesDRKK Durrës
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore
LlojiNën mbrojtje
KriteretI
Përcaktuar586/4874 (17.03.1948 / 23.09.1971)
Nr. i referencësDR002
TipologjiaMur rrethues

Historia

Redakto

Muret mbrojtëse të qytetit të Durrësit në periudhën e hershme bizantine formonin një katërkëndësh të madh të çrregult apo një trapez me brinjën më të gjatë nga jugperëndimi që kishte një gjatësi prej 1100m dhe brinjët e tjera që shkojnë nga 700m deri në 800m gjatësi. Këtë të dhënë e kemi falë vrojtimeve të bëra nga arkeologu francez L. M. Heyzey, i cili e vizitoi Durrësin në mesin e shek.XIX (Gjerak Karaiskaj[1]).

Me përjashtim të fortifikimeve që ruhen ende në ditët tona, ai i gjeti këto linja muresh në pjesën më të madhe të rrafshuara me tokën. Midis kullave pesëkëndeshe ai konstatoi edhe gjurmë të disa kullave drejtkëndeëshe që mund të kenë qenë trashëguar nga periudha romake si dhe hyrjen kryesore të qytetit që ndodhej nga ana veri-lindore. Këtë hyrje ku ndodhej një statujë e një kalorësi prej bronxi e përmend Anna Komnena në shek.XI por që nga lloji i zbukurimit dukej se i përkiste periudhës romake ndoshta periudhës së perandorit Hadrian, i cili midis të tjerave ndërtoi dhe Amfiteatrin e Durrësit.

Sipas Heuzey bëhet fjalë për tri linja mbrojtëse të qytetit. E para është Akropoli, në pjesën më të lartë të kodrës në lartësinë 98m mbi nivelin e detit, që rrethonte një sipërfaqe trekëndore me mbrojtje natyrore, nga i cili nuk ruhet asnjë gjurmë sot.

Rrethimi i dytë është ai që u përshkrua në fillim, ndërsa i treti është një sipërfaqe e rrethuar nga një mur pa kulla, 500m në veri të rrethimit të dytë. Një trakt i këtij muri u zbulua gjatë gërmimit për hapjen e themeleve të një banese, në vitet '80 dhe u konstatua se teknika e ndërtimit me tulla ishte e njëjtë me muret e tjera të periudhës së Anastasit I (491-518).

Shtatë kilometra në Veri të Durrësit ndodhet edhe një mur tjetër mbrojtës që mbyllte ngushticën midis detit dhe kënetës, dhe që njihej me emrin “Porta”, sot Porto Romano, por që është ndërtuar me një teknikë tjetër nga ajo e ndërtimeve të kohës së Anastasit, me muraturë të përzier e me breza gurësh dhe tullash. Muri i Portës në të cilin ruhet një kullë drejtkëndëshe dhe një hyrje, prej të cilës ka marrë dhe emrin Porta, i ngjitej nga perëndimi, një kodre në breg të detit në kuotën 80 metër dhe në majën e saj përfundonte me një mur mbrojtës që rrethonte një sipërfaqe në formën e një trekëndëshi, duke krijuar në këtë mënyrë një fortifikim të pavarur. Ky fakt dhe të dhëna të tjera teknike të shtyjnë për ta lidhur këtë ndërtim me periudhën e Justinianit, i cili sipas burimeve historike ndërtoi një kala të re në Durrës.

Megjithëse Durrësi me emrin Epidamnos u themelua qysh nga viti 626 p.e.s, nuk janë gjetur deri tani trakte muresh të periudhës së antikitetit, cka tregon se linja e mureve të asaj kohe, nuk përputhej me ato të periudhës romake, apo bizantine të hershme, ndërsa fortifikime romake të periudhës republikane (shek. i I e.s) janë zbuluar prane portit, sic është nje kulle gjysmë rrethore me blloqe guresh te latuar, si dhe trakte të tjera të ndërtuara me tulla.

Por, edhe për shkak të dëmtimit të tyre nga tërmeti i vitit 345 dhe pasojat shkatërrimtare që solli pushtimi i qytetit nga gotët në vitin 479, e detyruan Perandorin Bizantin Anastasi I (491-518) të merrte masa për fortifikimin e qytetit të tij të lindjes, të cilin e rrethoi me tri rradhë muresh. Pra, muret e Anastasit I zënë pjesën më të madhe të fortifikimeve të antikitetit të vonë dhe përbën bazën e fortifikimeve të më vonshme mesjetare.

Për të kuptuar se si u zhdukën pa lënë gjurmë pjesa më e madhe e fortifikimeve të përshkruara më sipër, na ndihmojnë të dhënat historike. Deri në prag të pushtimit nga otomanët muret e qytetit ruheshin në gjithë madhësine e tyre, duke përjashtuar rrethimin e tretë. Në shtator të vitit 1499, administratori venecian i qytetit njofton se ka pak burra për ta mbrojtur atë qytet dhe aty ka shumë mure për të ruajtur dhe nuk ka as ushtarë dhe as të holla, ndërsa historiani turk Bitlisi e përshkruan Durrësin si një qytet-kështjellë, me ndërtesa të ngjeshura njëra pas tjetrës dhe me mure me themele të gjëra, që dukej si një mal i lartë anës detit. Meqënëse qyteti kështjellë ishte shumë i gjërë dhe nëse për shkak të popullsise së pakët do të mbetej i pabanuar duke marrë kështu një pamje të shëmtuar, fermani i sulltanit urdhëronte, që sipas nevojës muret origjinale të reduktoheshin gjer në një të tretën, që kështu qyteti të mund të mbahej dhe të mbrohej me pak ushtarë.

Muri otoman përshkoi mespërmes qytetin duke u mbeshtetur në murin jugperëndimor të kështjellës veneciane në lartësine 59m, duke lënë jashtë akropolin dhe pjesën tjetër te fortifikimeve. Pjesët që nuk u përfshinë në fortifikimin e ri u lanë të përdoren si material ndërtimi nga popullsia e qytetit dhe zonës përreth. Megjithate nga akropoli u ruajt kulla e Teodor Komnenit e ndërtuar në vitin 1225, e cila në mesin e shek.XIX kishte një lartësi prej 10m, kur u vizitua nga konsulli austriak Hahn. Brenda këtij rrethimi, përvec një muri me gjatësi rreth 500m i periudhës së Anastasit, shpëtuan dhe disa fortifikime veneciane dhe riparime të periudhave të ndryshme historike.

Muri i Anastasit në të cilin ndodhen edhe Kullat mbrojtëse A, B, C, D, E, F, që është objekt i këtij studimi, ruhen dhe tre kulla të tjera të kësaj periudhe, prej të cilave njëra (kulla E), është pothuajse krejtësisht e rrënuar. Asnjë nga kullat e mbetura të kësaj periudhe nuk ruhet në lartësine origjinale por, duke gjykuar nga elementët e ruajtur mund të arrihet të imagjinohet forma fillestare e një kulle.

Ato ishin 18 metër të larta dhe ndaheshin në tre kate. Kati i parë ishte dy herë më i lartë se katet e tjera dhe shërbente si depo, ai nuk kishte frëngji apo dritare dhe lidhej me ambientin e brendshëm të fortifikimit me një portë me frëngji të hapur në murin e pasëm të kullës. Kati i dytë formonte gjithashtu një hapësirë të vetme, por të pajisur me frëngji. I njëjtë në formë dhe elementë ishte edhe kati i tretë, i cili gjithashtu ndahej nga i dyti me një dysheme druri, por mbulohej me qemerë, mbi të cilët formohej tarraca e rrethuar nga bedenat.

Monument

Redakto

Kalaja e Durrësit është një monument i trashëgimisë kulturore i llojit "Arkeologji", i miratuar me numër "586/4874, (17.03.1948 / 23.09.1971)".[2]

PUNIME RESTAURUESE TË EU4CULTURE

Redakto
 
Torra Veneciane

Torra Veneciane ishte një nga sitet e Trashëgimisë Kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Punimet e rinovimit, të kryera në kuadër të projektit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, u fokusuan në ruajtjen e tipareve origjinale të ndërtesës dhe restaurimin e pjesëve kryesore duke e përshtatur me standardet bashkëkohore.

QENDRA E PARË E INTERPRETIMIT TË TRASHËGIMISË KULTURORE

Redakto
 
Projeksioni multimedial në kupolë

Torra Veneciane, e rinovuar në kuadër të projektit EU4Culture, do të shërbejë si Qendra e parë e Interpretimit të Trashëgimisë Kulturore dhe një motiv për turistët vendas dhe të huaj që të vizitojnë qytetin. Qendra do të ofrojë lloje të ndryshme të veprimtarive të interpretimit të historisë përmes mjeteve moderne të tregimit dixhital dhe multimedial, duke theksuar ngjarjet dhe momentet më të rëndësishme të historisë së Durrësit. Vizitorët do të mund të eksplorojnë historinë e Durrësit përmes projeksionit multimedial në kupolë, të zhyten në të kaluarën e lashtë përmes përvojave të realitetit virtual, të marrin informacion për historinë e Durrësit përmes një aplikacioni, tabletave të vendosura në hyrje të torrës dhe nëpërmjet një udhëzuesi audio të disponueshëm në pesë gjuhë.

Shiko edhe

Redakto

Burimi

Redakto
  1. ^ "5000 vjet fortifikime në Shqipëri", Wikipedia, 2022-03-05, marrë më 2023-02-21
  2. ^ LISTA E MONUMENTEVE: RRETHI I DURRËSIT. Instituti i Monumenteve të Kulturës - Ministria e Kulturës. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 28 tetor 2019. Marrë më 29 dhjetor 2016.

Lidhje të jashtme

Redakto