Kostandin Kristoforidhi

shkrimtar
(Përcjellë nga Konstadin Kristoforidhi)
This is the stable version, checked on 23 tetor 2022. 10 pending changes await review.

Kostandin Ndelka,[1] i njohur si Kostandin Kristoforidhi (Elbasan, 22 maj 1827 ose 1830 - 7 mars 1895) qe gjuhëtar dhe përkthyes shqiptar. Me përkthimet e tij në përgjithësi dhe atë të Dhiatës së Re në veçanti ka dhënë ndihmesë vendimtare për themelimin e një gjuhe letrare shqipe.

Kostandin Ndelka/Nelko
U lind në22 maj 1827
Vdiq7 mars 1895
Elbasan, Perandoria Osmane
KombësiaShqiptare
ShkollimiGjimnazi Zosimea, Janinë; Robert College, Stamboll; Kolegji Protestant, Maltë
ProfesioniPërkthyes, studiues i shqipes, Rilindas

Biografia

Redakto

U lind në Elbasan më 1827,[2] ndër burime të tjera figuron më 1830,[1][3] i biri i tregtarit e kujunxhiut Anastas Ndelkas/Nelkos dhe Vasilijes së Josifit. Familja e tij përmendet për herë të parë më 1723.[4] Kur ishte 14 vjeç, mbaroi mësimet e shkollës qytetëse greqishte të qytetit dhe i ati e dërgoi në gjimnazin "Zosimea"Janinës.[4]

Në Janinë u njoh me zv/konsullin austro-hungarez Hahn (me shërbim 1847-1850), i cili merrej me studimin e gjuhës shqipe dhe i mësoi shqipen për të studjuar Dhiatën e përkthyer nga Vangjel Meksi dhe Grigor Gjirokastritit.[5] Ndihmoi po ashtu për Studimet Shqiptare të konsullit.[2] Vitet që vijuan e gjetën mësues në shkollat greke në Tiranë më 1852, Elbasan e Berat. Më 1853 i vdesin prindët, detyrohet të shesë gjithçka dhe u vendos në Durrës ku punoi te nuni i tij Mimi Xhufka. Udhëtoi mbarë Shqipërinë për tregti dhe në fillimin e 1857 e gjejmë në Izmir ku me gjasë u takua për herë të parë me misionarët protestantë amerikanë, ku u rekrutua nga filologu dr. Rigzi. Shoqëria Biblike porsa po interesohej për Shqipërinë dhe ishte në kërkim të një përkthyesi. E fitoi këtë vend pune dhe më pas u regjistrua, më 1 mars ndoqi për katër muaj kurse në "Robert College" në lagjen Babek të Stambollit.[4] Më tej iu ofrua që të vijonte studimet në kolegjin e Shoqërisë Biblike në Maltë (fund korriku 1857-1860), ku përfundoi përkthimin e Dhjatës së Re në të dy dialektet e shqipes. Dorëshkrimet e tij u dërguan në Londër më 15 mars 1860, por nga Londra nuk erdhi ndonjë përgjigje inkurajuese.[5] U vendos në Tunis ku u martua dhe dha mësim në një shkollë greke nga 1861 deri më 1865.[2] Në fund të majit 1865 u kthye në Stamboll me përkthimin e kryer të Dhiatës së Re në gegnishte. Aleksandër Tomson i Shoqërisë Biblike përmes një njohtësie me një riosh shkodran të shkolluar, Nikollë Serreqin, i cili me të shkuar në Stamboll e ndihmoi Kristoforidhin me redaktimin dhe sugjeron alfabetin latin me të cilin qe shkruar gegërishtja në Shkodër si traditë e autorëve të vjetër. Në nëntor të 1869 u zgjodh anëtar i Komisionit për Alfabetin e Shqipes.[6] Qëndroi në Stamboll deri nga marsi i 1870, ku ishte i angazhuar me përkthime dhe botimin e tyre. Më 1870 kreu një udhëtim të gjatë rreth e përqark Shqipërisë dhe vitet në vijim i çoi mes Stambollit, Shqipërisë dhe Tunizit, ku jetonte familja e tij.[4]

Prej vitit 1874 deri më 1878 pati një ftohje në marrëdhëniet mes tij dhe Shoqërisë Biblike, pasi dyshohej që nuk besonte sipas qasjes protestante nga një keqkuptim që kishte pasur në Maltë.[5] Humbi punën dhe jetoi në mjerim sa në Shqipëri, sa në Tuniz. Me ndikimin e Alexander Thomson të degës së Stambollit u bë e mundur që të vazhdonte punën me Shoqërinë Biblike duke përkthyer e botuar, kështu që u zhvendos me këtë shkak në Stamboll familjarisht. Në kryeqytetin osman mbante kontakte me figurat kulturore shqiptare, qe mik i Jani Vretos. U përpoq të ishte politikisht aktiv dhe me njohjet e tij në Shoqërinë Biblike ti jepte zë kërkesave shqiptare për autonomi.[4]

Më 1884 u kthye në Shqipëri dhe i ndërpreu marrëdhëniet me Shoqërinë Biblike njëherë e përgjithmonë.[7] U përpoq të hapte një shkollë shqipe në Tiranë, por qe e pamundur duke qenë se autoritetet osmane nuk e lejonin këtë gjë prej ndodhive të pas-Lidhjes së Prizrenit. Më 1888 u kthye në Elbasan ku punoi si gjyqtar, punë të cilën e ushtroi deri kur ndërroi jetë,[2] më 1895 te shtëpia e Taq Budës.[1] U varros mbrapa absidës kryesore të kishën Shën Mërisë.

Familja

Redakto

Kur punonte në Tunis u martua me Eleninë,[2] e bija e një pasaniku grek,[8] dhe patën shtatë fëmijë: Anastasin, Poliksenin, Anastasian, Kleopatrën, Aleksandrin, Stefanin dhe Filipin.[1]

Përkthime

Redakto

Në Maltë përpilon dorëshkrimin Shënime mbi Shqipërinë, gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta më 1860. I pajtuar prej Shoqërisë Biblike, Biblës i përktheu Besëlidhjen e Re, e cila u botua në Stamboll; Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve më 1866[5] në variantin gegnisht me shkronja latine dhe më 1879 në variantin toskërisht me shkronja greke. Gjithashtu përktheu dhe iu botuan libra të ndryshëm të Besëlidhjes së Vjetër.[2] Mes dy botimeve përktheu dhe iu botuan Psalmet (1868 toskërisht Psalltiri, 1869 gegërisht Psalteri),[7] Alfavitarin shqip (gegnisht 1866 & 1872, toskërisht 1872). Më 1870 është botuar Historia e shenjtësë shkronjë/Istoria e shkronjësë shënjtëruarë për djemtë, një përmbledhje e thjeshtuar dhe pjesë nga Dhiata e Vjetër, e cila merr rëndësi për informacionin në gjuhën shqipe për Biblën si tekst, autorësinë, historikun e librave të Biblës dhe veprimtarinë e Shoqërisë Biblike.[9] Nga duart e tij dolën disa përkthime dhe ai vetë, me trastën e librave në krahë, merrej me shitjen e përkthimeve dhe të abetareve të veta. Të-bërëtë dhe të dalët (toskërisht 1880), Nomi i dytë (toskërisht 1882) Fjalët e urta të Solomonit dhe Vivla e Isaisë (toskërisht 1884). Systema diellore dhe Jetëshkronja e njerëzvet të ndriçim shkruar më 1885. Ka lënë dorëshkrim Kriesa, Të dalët gegërisht, si edhe disa shkrime të tjera që nuk janë gjetur.[10]

Gramatika, fjalori dhe proza

Redakto

Më 1882 boton në Stamboll me licensë prej Ministrisë së Arsimit të Perandorisë Osmane një gramatikë shqipe në dialektin toskë (Grammatiki tis alvanikis glossis).[4] Pas vdekjes të së shoqes një vit pas vdekjes së tij, dorëshkrimet, fjalori dhe çdo gjë që kishte lidhje me rilindasin mbetën te shtëpia e dhëndrrit, Dhimitër Bibasë, i shoqi i Kleopatrës.[10]

Vepra themelore e Kristoforidhit, fryt i një pune njëzetvjeçare,[11] është Fjalori i gjuhës shqipe me 11.675 leksema[12] i përpiluar në toskërishte me alfabet të mbështetur në shkronja greke dhe i botuar më 1904 në Athinë,[2] botuar në Tiranë më 1961.[4] Në të janë përjashtuar shumica e huazimeve, veçanërisht orientalizmat dhe greqizmat dhe bëhen përpjekje për të shpjeguar etimologjinë e fjalëve.

Kristoforidhi gjithashtu ka lënë tregimin e parë prozaik origjinal në gjuhën shqipe[12] e njëkohësisht tregimin e parë për fëmijë,[13] Gjahu i Malësorëvet (Hieja e Tomorrit) në të dy kryedialektet. Shkruar më 1884 dhe botuar për herë të parë më 1902 nga "Albania" e KonicësLondër.

Referime

Redakto
  1. ^ a b c d Nergjoni, Bardha (31 tetor 2011). "Dritë e re mbi Konstandin Kristoforidhin: letërkëmbimi i të birit hedh dritë mbi shtëpinë e lindjes dhe ku jetoi rilindasi i madh". Shekulli (3493): 20–21.
  2. ^ a b c d e f g Elsie, Robert (2012). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). Bloomsbury Academic. fq. 257. ISBN 9781780764313.
  3. ^ Ermenji, Abaz (prill 1950). "Kostandin Kristoforidhi punëtori i parë i gjuhës shqipe". ermenji.org. Marrë më 8 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  4. ^ a b c d e f g Bartl, Peter (1976). "Kristoforidhi, Konstandin". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). 2: 506–507.
  5. ^ a b c d Lloshi, Xhevat (26 shkurt 2016). "Enigmat dhe befasitë e Kristoforidhit në Maltë". telegraf.al. Marrë më 8 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. ^ Lloshi, Xhevat (2008). Rreth alfabetit të shqipes: me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Shkup: Logos-A. fq. 14–15.
  7. ^ a b Lloshi, Xhevat (10 dhjetor 2015). "Psalmet shqip të Kristoforidhit për toskë e gegë". gazetadita.al. Arkivuar nga origjinali më 23 janar 2021. Marrë më 8 mars 2021.
  8. ^ "Kristoforidhi, historia e një fjalori të gjuhës shqipe me 20 mijë fjalë". Shqiptarja.com. 2016 [1943]. Marrë më 8 mars 2021.{{cite news}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  9. ^ Bevapi, Kujtim. "Kristoforidhi sjell fjalën e Zotit në gjuhën e mëmës". arkivalajmeve.com. Marrë më 8 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  10. ^ a b "Kthejeni "babanë" e gjuhës shqipe në shtëpinë e tij". shekulli.com.al. 2 nëntor 2015. Marrë më 8 mars 2021.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  11. ^ Cici, Foti (31 janar 2005). "Sfondi grek në ortodoksinë shqiptare". Koha jonë (28): 18–19.
  12. ^ a b Meksi, Aleksandër (7 maj 2006). "Një thesar dokumentesh zbulojnë Kristoforidhin". Gazeta shqiptare (3509): 25–27.
  13. ^ Dedja, Bedri (1971). Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë. Tiranë: Naim Frashëri. fq. 60.