Qemal Skënderi (shkurt 1922-29 shtator 1995) ishte atdhetar dhe luftëtar shqiptar.

Jetëshkrimi

Redakto

Qemal Skënderi lindi në shkurt të vitit 1922 në Shkup. Ai ishte fëmija i parë i prindërve Skënderit dhe Hanëmshasë dhe njëherazi gëzimi i parë i tyre. Do të rritej përmes lodrave fëmijërore, por edhe përmes asaj dhune të egër maqedonase, e cila çdo ditë e më tepër synonte jo vetëm skllavërimin e shqiptarëve etnikë në jugun e mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene por edhe largimin e tyre nga trojet amtare drejt viseve të Anadollit. I jati i Qemalit, Skënderi do të bënte pjesë në atë plejadë të shquar të burrave arbërorë në Shkup, të cilët jo vetëm nuk u friksuan ndaj reprezaljeve serbomaqedonase, por edhe luftuan me çdo çmim e sakrificë për egzistencën fizike të tyre. Ai u kujdes që të blinte ndonjë dyqan të vogël në Shkup, me ç’rast do të mbante familjen, por do të ndihmonte edhe çështjen shqiptare, duke pritur e përcjellë në mënyrë të fshehtë luftëtarët e Kumanovës, Shkupit, Gostivarit, Tetovës e Strugës si edhe duke ndihmuar në mësimin e gjuhës shqipe. Atdhetarët e atyre viteve të Maqedonisë shqiptare, asesi nuk mund të pajtoheshin me politikat shovene të Beogradit për pastrimin etnik të shqiptarëve dhe kolonizimin e trojeve arbërore me maqedonas. Këtë dashuri të pakufi për atdheun e të parëve, Skënderi do ta përcillte sidomos tek djali i parë i tij, Qemali. Ndonëse në shkollën qytetëse, Qemali do të mësonte në gjuhën turke, ai do të shkonte vazhdimisht në dyqanin e të jatit në Çarshi të vjetër të Shkupit, duke dëgjuar sidomos për trimëritë e luftëtarëve të Maqedonisë shqiptare në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Emrat e heronjve si, Shaban Bajraktari, Dinë Bajraktari, Daut Logra, Ajrulla Kopanica, Sakip Gullmova etj, do të mbeteshin përjetësisht në kujtesën e Qemalit. Pas mbarimit të shkollës qytetëse, Qemali u kërkoi prindërve të vazhdonte studime të mëtejshme. I jati ia plotësoi dëshirën. Ai e futi Qemalin në shkollën unike, e cila zhvillohej në gjuhën bullgare, ndonëse si djalë të madh vazhdonte ta mbante kurdoherë pranë vehtes. Ende pa mbushur 17 vjet, në vitin 1939, duke ndjekur traditën e vjetër të shqiptarëve të Shkupit, Qemal Skënderin e martojnë. Tanimë me krijimin e familjes, ai bleu edhe një dyqan të vetin në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe ia nis punës si berber, në gjurmë të profesionit të të jatit. Në fillim të viteve të 40-të të shekullit që lamë pas, falë koniukturave të veprimeve luftarake të Rajhut të Tretë dhe Romës në treva të Maqedonisë shqiptare, sikundër edhe në Kosovë,u krijuan disa parakushte për zhvillimin dhe fuqizimin e idesë kulmore të Shqipërisë Etnike. Pikërisht përpara këtyre zhvillimeve të reja, atdhearët shqiptarë, bashkuan mendimet dhe përpjekjet për të realizuar ëndrrën e tyre shekullore, bashkimin e trojeve etnike me atë pjesë të pavarur të shtetit shqiptar. Qemal Skënderi padyshim do të jetë në ballë të kësaj plejade burrash trima. “Patriotët shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria shpesh ia mësynin dhe Shkupit me rrethinë edhe pse këtu kishin hyrë fashistët bullgarë. Kështu një ditë nën udhëheqjen e Bedri Efendiut, organizuan mbi gjashtëqind demostrues, të gjithë me kësula të bardha dhe dolën në sheshin e Shkupit me moton "Duam Liri", "Rroftë Shqipëria Etnike", "Poshtë Bullgaria fashiste" etj. Këto demonstrata, u shpërndanë nga xhandarmëria bullgarë, duke mos zënë asnjë pjesmarrës të demonstruesve e as udhëheqësit e tyre, ndër të cilët ishte edhe Qemal Skënderi“.[1]

Në vitet 1943-1944 do të shfaqeshin dendur në dyqanin e vogël të Qemal Skënedrit, në Çarshi të Shkupit, veprimtarë të shquar të idesë së Shqipërisë Etnike. Arif Kapetani nga Glloboçica, i cili bashkërendonte veprimet e tij ushtarake me çetat e Xhem Gostivarit, Sylë Hotllës, Mefail Zjazit, Aqif Reçanit etj, do të ishte miku kryesor jo vetëm në dyqan, por sidomos në shtëpinë e Qemalit, tanimë 21-22 vjeçar, djalë fjalë pak e tejet guximtar. Por ndërkaq Qemali do të mbante lidhje dhe do të ndihmonte edhe çetat e luftëtarëve që udhëhiqeshin prej Afet Mazllumit, Kasam Gogës, Memish Kapetanit etj. Fjala e tij e ngrohtë e plot shpresë do të hynte vrullshëm në zemrat e këtyre atdhetarëve, duke kumtuar qëllimin e shenjtë për bashkimin e trojeve etnike shiqptare. Edhe pse burrat e Maqedonisë shqiptare, ashtu sinkundër burrat e Kosovës martire, e paguan jo rrallë këtë ditë të shenjtë me jetën e tyre, kjo nuk mund t’i frikësonte askurrë ata, përkundrazi u ka mbajtur të gjalla shpresën dhe besimin deri në çastet e mbrame. Ndonëse në fillim majin e vitit 1945, u shpall me bujë fitorja e popujve mbi fashizmin, ende në horizontet shqiptare nuk dukej të lindëte shpresë për t’u bashkuar të gjithë, rreth një shteti, rreth flamurit kombëtar, rreth gjuhës dhe trojeve të tyre. Përkundrazi një dhunë e pashembullt po ushtrohej tanimë në krejt viset arbërore. Është disi e çuditshme por duhet të pranohet sot, se Tirana, Beogradi dhe Shkupi i vitit 1945, kanë vepruar në sinkron të plotë, duke mohuar edhe vetë dogmat e internacionalizmit proletar, në zbatim konkret të traktatit të Çubrilloviqit. Për të ushtruar dhunë sistematike ndaj shqiptarëve etnikë si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë shqiptare, Tito ndërmori edhe një hap mjaft delikat. Ai pati hyrë në bisedime të fsheta me Mbretin e Jugosllavisë në mërgim, Pjetrin e Dytë Karagjorgjeviç dhe kur ky e njohu Titon si udhëheqës të vetëm të Ushtrisë Komuniste Jugosllave, atëherë me mijëra çetnikë, përkrahës të Mbretit Pjetër, u rreshtuan në formacionet e kësaj ushtrie me detyrë të posaçme për të mbrojtur me çdo kusht kufijtë e mbretërisë së vjetër jugosllave. Është tejet qesharake, por në ato momente, klika komuniste e Tiranës, ose më saktë, diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha, në mënyrë të paturpshme pos të tjerave ka deklaruar: „Qëndrimi i udhëheqjes së Partisë Komuniste Shqiptare ndaj problemit kombëtar të minoriteteve udhëhiqej nga koncepti se në atë kohë nuk luftohej për kufijtë etnikë të shteteve,por për kufijtë e tyre politikë“.[2] Pra ndërkohë që Tirana zyrtare nuk parashihte asnjë veprimtari për Shqipëri Etnike, Beogradi dhe Shkupi po vendosnin pushtetin ushtarako-policor në Kosovë e Maqedoni shqiptare, duke përshkallëzuar çdo ditë e më shumë reprezaljet dhe dhunën fizike. Shaban Polluzha pat dhënë një shembull tejet domethënës për rrezikun e madh që kërcënonte trojet shqiptare. Por kryengritja e tij në pranverën e vitit 1945 u shtyp me zjarr e hekur prej ushtrive nacionalçlirimtare të Beogradit e Tiranës. Edhe në trevat e Maqedonisë shqiptare, mbaheshin ende në këmbë disa çeta lutëtarësh të udhëhequr prej Xhem Hasës, Aqif Reçanit, Lok Llakavicës, Bajram Dobërdollit, Syl Hotllës etj. Por edhe këto çeta u rrethuan e u asgjësuan me një terror shtetëror të paparë në histori.

Edhe pse viset shqiptare përbënin një vazhdimësi gjeografike dhe historike, ato në kundërshtim të plotë me Kartën e Atlantikut si dhe Deklaratën e Teheranit, u ndanë midis njësive federale të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në këtë mënyrë, zemërimit mbarëkombëtar të shqiptarëve të këtyre trevave i duhej dhënë me shpejtësi një kahje veprimi për organizimin e qëndresës popullore. Tek e mbramja më mirë se çdokush, interesat e shqiptarëve mund t’i mbronte Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare. Organizatat që lindën dhe u ritën nëpër etapat e kësaj lëvizjeje, pavarësisht prej programit që udhëhiqeshin, në thelb synonin lirimin e tokave shqiptare nga Jugosllavia e Titos dhe bashkimin e tyre në një Shqipëri Etnike. Organizimi i kësaj lëvizjeje në Shkup e rrethina, i ka fillimet e veta në nëntorin e vitit 1944, atëhere kur nacionalistët e Maqedonisë shqiptare e parashihnin tejet të vështirë lirimin e trojeve arbërore. Por ky organizim do të merrte formë më të plotë në janarin e vitit 1945. Në dyqanin e vogël të Qemal Skënderit në ato ditë plot terror maqedonas, shiheshin ende disa prej burrave të shquar të atyre anëve si Azem Morana, Mulla Idrizi, Halim Orana, Mehmet Bushi etj. Dokumente të publikuara edhe më parë flasin për atë se grupi i parë ilegal i kësaj lëvizjeje në qytetin e Shkupit, ishin pikërisht Hasan Bilalli, Azem Morana dhe Qemal Skënderi. Ceremoniali i fshehtë është kryer pikërisht në mbrëmjen e 28 janarit 1945, në shtëpinë e Qemalit. Betimin solem e lexonte Hasan Bilali, ndërsa Qemal Skënderi dhe Azem Morana përsërisnin: „Betohem në Kuran, në flamurin kombëtar dhe në armë se do të punoj me besnikëri e sakrificë me çmim të jetës për kombin shqiptar dhe për bashkimin e tokave shqiptare në Shqipninë Etnike“. Dhe prej atij momenti e deri në fund, zemra e Qemal Skënderit do të rrihte së toku me betimin e madh për çështjen kombëtare. Në takimin e fshehtë të 28 janarit 1945, Qemalit do t’i ngarkohej pos të tjerave, detyra për krijimin e grupeve ilegale, për t’i dhënë lëvizjes në fjalë dimensione të reja. “Qemal Skënderi... një ditë të fundit të janarit 1945 arriti në Rashçe dhe atë natë bujti në shtëpinë e mësuesit Xhemshit Krosi, me të cilin kishte lidhje të mira nga më herët. Atë natë kanë biseduar gjërë e gjatë në lidhje me formimin e nënkomiteteve të NDSH-së, në Derven po edhe në Rashçë. Takimi i dytë u bë pas një muaji pikërisht më 28 shkurt 1945, në shkollë në prezencë përsëri të Qemal Skënderit. Këtu u bashkohen edhe Rsim Dauti dhe vëllai i tij, Murati fshatarë por patriotë të mëdhenj që kishin marrë pjesë në rezistencën antifashiste dhe çlirimin e Dervenit kundër bullgarëve në Rashçe, më 1944. Po atë natë u mor vendim që këta të vazhdojnë me formimin e nënkomiteteve sipas sistemit të „treshit“ nëpër fshatra të tjera të Dervenit“ [3]

Meqënëse preardhja e familjes së Qemal Skënderit ishte prej fshatit Çajlanë në afërsi të Shkupit, ky do të shkonte në pranverën e vitit 1945, në vendlindjen e vet duke formuar disa grupe „tresh“ të lëvizjes ilegale shqiptare. Madje, po me porosi të Azem Moranës, Qemali do të ngrinte grupe të tilla edhe në fshatrat Matkë, Pamiçar dhe Semenisht. Por biri i nacionlaizmës shqiptare askurrë nuk do t’i parashihte këto grupe si qëllim në vetvehte. Që në momentet e para të krijimit ai do t’u bënte të qartë krejt antarëve të kësaj lëvizjeje se Organizata Nacional Demokrate Shqiptare, ka si qëllim të parë zhdukjen e robërisë sllave. Kjo organizatë pranon në gjirin e saj vetëm shqiptarë të pastër etnikë dhe ka si piksynim mbrojtjen me çdo mjet e mënyrë të të drejtave natyrore të kombit shqiptar. Në këtë lëvizje nuk duhet të mungonin edhe shqiptarë të tjerë, jashtë trojeve (bile edhe në shtetin amë) të cilët me mundësitë e tyre, do të bënin të mundur krijimin e një qeverie të Shqipërisë Etnike. Për më tutje, ngase ONDSH, luftonte për të drejtat e çdo shqiptari ishte krejt e natyrshme që kjo lëvizje të shtrihej në çdo vis arbëror. Së fundi, ajo çka Qemal Skënderi nuk rreshti së propaganduari dhe vepruari ishte fakti që mjaft vullnetarë shqiptarë kishin dalë nëpër male duke kundërshtuar me armë në dorë regjimin maqedonas. Ishte detyrë parësore e ONDSH-së të ndihmonte me armë, veshmbathje, ushqime e moral të lartë, pikërisht këta luftëtarë të trima të Shqipërisë Etnike. Edhe pse ngjarjet e vitit 1945 sa vinin dhe errësonin horizontet e Maqedonisë shqiptare, Qemal Skënderi me fjalën e vet plot shpresë me mendimin e thellë dhe qetësinë e brendshme përpiqej që të mbante zgjuar në çdo vatër, vetëdijen kombëtare.

Në fillim të vitit 1946, Qemal Skënderi ka nisur të bashkëpunojë edhe me Gjon Sereqin, Hysni Rudin, Halim Oranën, Mehmet Bushin etj. Ishin me qindra luftëtarë të lirisë që endeshin maleve të Maqedonisë shqiptare, të cilët mbaheshin me armë pikërisht prej ONDSH-së. Qemal Skënderi do të kthente dyqanin e tij në vendtakimesh të ilegalëve dhe këtyre luftëtarëve. Ai vetë do të kujdesej që këto çeta jo vetëm të furnizoheshin rregullisht por të kishin edhe informacionin e duhur për t’i shpëtuar thonjëve të OZNËS, e cila ishte vënë në ndjekje me një arsenal të tërë njerzor dhe armësh. Në veçanti ai do të mbante lidhje të ngushta me çetën që drejtohej prej Memish Osmanit (Kapetanit) e cila vepronte luftarakisht në zonën e Dervenit deri në Kaçanik. Ndërkaq në marsin e vitit 1946, OZNA jugosllave ishte gjendur shumë pranë trurit dhe zemrës së ONDSH-së në Kosovë. Ajo filloi goditjen e menjëhershme ndaj kësaj lëvizjeje duke paraparë një rrezik serioz në rritjen e saj. Me dhjetra verpimtarë të kësaj lëvizjeje u burgosën dhe shumë prej tyre u vranë pa gjyq apo u zhdukën nëpër bazat e fshehta të sigurimit famkeq jugosllav.

Kongresi e dytë të ONDSH-së ne Shkup

Redakto

Vendimet e Kongresit të Shkupit ishin tejet të rëndësishme për funksionimin e organizatës, që përpos skemës organizative të miratuar, përfaqësuesit aprovuan edhe programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, kurse [4] me pikat me te rëndësishme të Kongresit:

  • 1.Liri dhe pavarësi të plotë me të drejtë vetëqeverimi në bazë të vullnetit të popullit të shfaqun lirisht.
  • 2. Nën tokat shqiptare, kuptohet në krejt vendet ku banojnë shqiptarët në 60%, pa dallim se si quhet krahina e vendit dhe nga kush ështëI pushtuar.
  • 3. Lëvizja nuk ka qëndrim armiqësor kundër asnji populli fqinj, as kundër partive politike, vetëm insiston në mënyrë kulturore, kur e do domosdoja dhe me armë, do të përpiqet për t`i arritur idealet shekullore të kombit shqiptar, që të jetë i lirë dhe vetë sundues në shtet të vet, me kufij etnik.
  • 4. Mbasi të vendosen kufijtë etnik, pa marrë parasysh tjerat kushte të kufijve, si: strategjike, ekonomike, politike, etj., në mënyrë miqësore do të shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, “tue i tërheq shqiptarët qi do të mbetin jashtë kufijve në vend t’atyne qi do të shpërngulen dhe do të përcjellen jasht.”
  • 5. “Në kohë paqe Lëvizja nuk do të pushojë, por do të vazhdojë si shërbim roje e të drejtave të popullit shqiptar, si t’atyne të mbrendshme, ashtu edhe t’atyne të jashtme, ndërkomtare, tue u organizue për regjim me të vërtët demokratik dhe për relacione miqsore me popujt fqi, ballkanik.”

Kongresi i Shkupit i ( një) 1 qershorit 1946, ishte një sinjal i qartë edhe për pushtuesit serbë në Kosovë e më gjerë. Ky Kongres me aklamacion zgjodhi kryesinë e re të KQ-së të NDSH-së me kryetar Halim Orana,zëvendëskryetar Kemal Skenderi dhe Azem Morina, sekretar.Anëtarë të KQ u zgjodhën:Jonuz Bala,Mehmet Bushi, Hamdi Berisha,Hysni Rudi, Myderriz Haki Efendiu, Mehmet Dumani, Osman Cani, Mitat Tërshana dhe Hasan Bilalli Po ashtu, është me interes të përmendët se Myderriz Haki Efendiu ishte kryetar i Komitetit Qarkor në Gjilan dhe anëtar i KQ-së të NDSH-s në Shkup.

Në këto kushte të ONDSH-së në Kosovë menduan se do të ishte më mirë që kjo lëvizje të zhvendosej në Maqedoninë Shqiptare, me qëllim që të mbijetonte. Kanë qenë Gjon Serreqi dhe Ajet Gërguri të cilët vendosën të bënin Kongresin e dytë të ONDSH-së, ku jo vetëm të njiheshin me shtrirjen e kësaj lëvizjeje ilegale por edhe të vendosnin për fatet e mëtejshme të saj. Sidoqoftë për shkak të ndejkjeve të OZNËS, as Gjon Sereqi dhe as Ajet Gërguri nuk muarën pjesë në këtë kuvend. Barra për organizimin e tij u ra verpimtarëve të Maqedonisë shqiptare. Në kushtet e ilegalitetit të plotë, kuvendi në fjalë u mbajt në Shkup në shtëpinë e Qemal Skënderit, i cili pavarsisht se çfarë çmimi do të paguante, nuk u friksua. Kongresi i Dytë i ONDSH-së, analizoi me frymëparimore gjithshka ishte arritur deri në ato momente, njëherazi vuri piketat në rrugët e së ardhmes. “Nga ky Kongres doli një udhëheqje e re e ONDSH-së. Kryetar u zgjodh Halim Orana, Qemal Skënderi u zgjodh zv/kryetar dhe Azem Morana sekretar i organizatës, ndërsa antarë të Komitetit Qëndror të NDSH-së u propaganduan dhe u zgjodhën Hamdi Berisha, Mehmet Bushi, Hysni Rudi, Jonuz Balla, Mehmet Dumani, Hasan Bilali, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Çami dhe Mid’hat Tërshana“ [5]

Në funksionin e zv/krytarit të ONDSH-së, Qemal Skënderi do të punonte pa u lodhur, duke vënë në shërbim të kësaj lëvizjeje jo vetëm dyqanin e vogël në Çarshi të Shkupit, por edhe shtëpinë dhe ato pak të holla të grumbulluara. Ai do të shkonte sidomos në zonën e Dervenit, duke u radhur në ndihmë shtëpive të luftëtarëve që luftonin maleve për Shqipërinë Etnike. Ai gjithshtu do të informonte mbi lëvizjet e policisë së fshehtë maqedonase, vullnetarët shqiptarë, nëpërmjet informatave që i siguronte prej një shqiptari trim nga radhët e kësaj policie. Për të ardhur kështu deri në mbrëmjen e fundjanarit të vitit 1947, atëherë kur i ndjekur prej muajsh prej OZNËS, komiteti drejtues i ONDSH në Shkup do të binte në duart mizore të maqedonasve. Në planin e fshehtë policia, serbe kishte paraparë arrestimin e njëkohshëm të gjithë grupit duke mos i lënë askujt kohë për t’u larguar. Kështu, në 27 janarin e vitit 1947, në qelitë e ftohta të OZNËS, u ballafaquan të ligur prej torturave udhëheqësit kryesorë të ONDSH për Shkupin. Në aktakuzën për Qemajl Skënderin, trupi gjykues ushtarak i kryesuar nga Panta Marina, përveç të tjerave do të shkruhej se ky ka vënë në dispozicion të kësaj lëvizjeje gjithë pasurinë dhe shtëpinë. Ai ka mbajtur lidhje të ngushta jo vetëm me nënkomitetet në Derven, por edhe me udhëheqës të ONDSH-së në Kosovë, bile edhe me Mit’hat Frashërin, npërmjet nacionalistit Luan Gashi. Madje syri i tij nuk iu drodh edhe asaj kohe kur Panta Marina në emër të trupit gjykues ushtarak shpallte dënimin me vdekje për udhëheqësit legjendarë të ONDSH-së. Më 17 shkurt 1947, gazeta „Rilindja“ duke u fryrë borive të damkosura të pansllavizmit pos të tjerave do të shkruante: „Gjyqi popullor i qarkut të Shkupit u dha dënimin e merituem udhëheqësve të së ashtuquajturës Partia Nacional Demokratike Shqiptare. Qemajl Skënderi, Azem Morana, Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi u dënuan me vdekje me pushkatim dhe me humbjen e të drejtave politike e qytetare përgjithmonë“. Falë moshës së re, pas letrës që ky grup i dërgoi prokurorisë së Beogradit, Qemal Skënderit iu fal jeta dhe u dënua me 25 vjet burgim. Ai do të kalonte tmerret e patreguara të burgjeve maqedonase ku përveç të tjerave do ti thyenin me çekiç eshtrat, vetëm e vetëm pse nuk pati folur asgjë mbi veprimtarinë e ONDSH-së. Mënyrat djallëzore të OZNËS do të synonin ndërkaq edhe shkatërimin e familjes së Qemal Skënderit. Kështu,për vite me radhë ata nuk lejuan gruan e tij që të takohej me nacionalistin e shquar dhe për më tej, dikur hapën fjalë se Qemal Skënderi pati vdekur në burg. Pas këtij lajmi të hidhur dhe dy këmishave të vjetra që OZNA i dërgoi enkas në shtëpinë e Qemalit, e shoqja e tij, me vajzën, Kujtimen, detyrohet të largohet në Turqi. Me anë të këtij plani djallëzor administrata maqedonase kërkonte që edhe Qemal Skënderi kur të dilte nga burgu (nëse dilte i gjallë) të emigronte në Turqi. Pas 20 e ca vitesh burgimi Qemali del nga burgu i lodhur dhe trishtuar. Ai kishte pandehur se ideali për të cilin luftoi dikur tani ishte platitur në gjoks të bashkëkombasve të vet, por shpejt e kuptoi se lëvizja për të shporur tej zgjedhën maqedonase dhe bashkimin e kufijve tanë tenikë, jetonte egjallë plot shpresë. Udhëheqësi trim i kësaj lëvizjeje nuk u largua për në Turqi. Ai mundi të krijojë familje të re dhe deri në çastin e mbramë, në 29 shtatorin e vitit 1995 mbajti të ndezur në gjak, flakën e shqiptarizmës.

Shiko edhe

Redakto

Burime informacioni

Redakto
  1. ^ (I.Krosi „Qemal Skënderi dhe NDSH-ja në Derven të Shkupit„ Shkup 2002 , faqe 11 ).
  2. ^ (Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë.Fondi 14,dosja Plenumi i Beratit,fl.42).
  3. ^ ( I.Krosi „Qemal Skënderi dhe NDSH-ja në Derven të Shkupit“- Shkup 2002 , faqe 24-25 ).
  4. ^ në mënyrë të detajuar dy autorët: Mr. Aliriza Selmani dhe Hafiz Avni Aliu paraqesin te libri “Myderriz Haki Efendiu” ka 436 faqe dhe XX kapituj
  5. ^ (Dr.S.Basha „Lëvizja Ilegale shqiptare në Kosovë 1945-1947“ faqe 74 ).