Qemal Velija
Qemal Velija (pseudonimi Gent Ulqini) lindi më 6 nëntor 1964 në Tiranë, është publicist, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar.
Biografia
RedaktoU arsimua në Tiranë. Në vitin 1988 filloi aktivitetin publicistik në gazetën "Tirana" dhe deri tani ka punuar me mbi 50 organe të medias së shkruar si dhe në Radio Tirana (si kryeredaktor, redaktor apo bashkëpunëtor), si dhe pranë disa shtëpive botuese me mbi 25 libra të përkthyer e redaktuar.
Në vitet 1988-1990 bashkëpunoi edhe në gazeta të tjera të kohës si "Puna", "Bashkimi", "Hosteni", "Drita", "Studenti", etj. Në vitet 1991-1992 punoi në gazetën "Kosova". Ishte ndër themeluesit e këtij organi kombëtar. Në vitin 1993 ishte kryeredaktor i gazetës "Ekonomia e Tregut" si dhe bashkëpunoi si analist pranë gazetës "Zëri i Rinisë". Në vitin 1994 punoi si kryeredaktor i gazetës "Harku i dhjetorit", bashkëpunoi edhe në gazeta të tjera të kohës.
Në vitet 1999-2005 ishte analist për problemet e politikës kombëtare dhe historike te gazeta "Bota Sot", me qendër në Zvicër, bashk[punoi dhe me gazetën "Republika", revistën "Koha", “Krahu i shqiponjës”, botim i OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe në shumë organe të tjerë. Në vitet 1999-2007 punoi si gazetar analist në gazetën "Rimëkëmbja", si dhe bashkëpunëtor i gazetës kulturore "Milosao", po ashtu edhe në organe të tjera si "Koha Jonë", "Flamuri", "Tradita", etj. Në vitet 2004-2008 është bashkëpunëtor i rregullt i Radio Tiranës për problemet historike, si dhe kryeredaktor i revistës "Tjetër".
Në vitet 1999-2008 ka përkthyer rreth 25 libra albanologjikë si Faverial, Katapano, Ugolini, Petrota, etj.; historikë si Martin Gilbert; filozofikë si Ruso, Monteskje, Vatimo, etj.; psikologjikë si Le Bon, Frojd, From etj.; letërsi si Borhes, dhe redaktor i shumë librave të tjerë me shtëpitë botuese "Plejad", "Fan Noli", "Logoreci", "Enciklopedike", "Reklama" etj. Aktualisht vazhdon punën si përkthyes dhe redaktor me disa shtëpi botuese si dhe bashkëpunimin me shtypin e shkruar dhe Radio Tiranën.
Është anëtar i kryesisë dhe përgjegjës i botimeve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Vepra të përkthyera
Redakto- “Dorëshkrimi i Brodit”, nga Jorge Luis Borges
- “Ligjërata”, nga Zhan Zhak Ruso
- “Madhështia dhe rënia e romakëve”, nga Sharl Monteskie
- “Psikologjia e racave”, nga Gustav Lebon
- “Psikologjia e ankthit”, nga Sigmund Freud
- “Psikologjia e histerisë", nga Sigmund Freud
- “Anatomia e destruktivitetit njerëzor”, nga Erich Fromm
- “Historia e madhe e Luftës së Dytë Botërore”, nga Martin Gilbert
- “Kontrata sociale-Origjina e pabarazisë mes njerëzve”, nga Zhan Zhak Ruso
- “Thoti fliste shqip”, nga Xhuzepe Katapano
- “Historia e Shqipërisë”, nga Zhan Klod Faverial
- “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”, nga Gaetano Petrota
- “Shqipëria e Lashtë”, nga Luigji Ugolini
- “Laikë, me hir të Zotit”, nga Xhani Vatimo