Shkollat e para shqipe është një shprehje terminologjike nga fusha e historisë së arsimit shqiptar[1] me të cilën quhen shkollat e para në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Ndonëse rrënjët e edukatës dhe të arsimit në trojet tona i gjejmë që në lashtësinë e hershme në arsimin dhe shkollat ilire, shkollat e para shqipe fillojnë të hapen dukshëm më vonë. [2] [3] [4] [5] [6]

Mësonjëtorja e Korçës paraqet zanafillën e arsimit kombëtar dhe institucional shqiptar

Rruga e zhvillimit të arsimit dhe shkollës shqipe fillimisht me alfabete të huaja është një rrugë, që ndoqi shkolla jonë në udhëtimin e saj të vështirë dhe të gjatë drejt shkollës kombëtare, gjë që iu imponua nga një kompleks faktorësh politikë, ekonomikë e shoqërorë. Zhvillimi i tërësishëm kulturor i arbërorëve gjatë Mesjetës kryhej nën udhëheqjen e klerit, i cili, sikurse kishte monopolin e kulturës, kishte plotësisht në dorë edhe arsimin. Për pasojë, ky u organizua, në gjuhë të ndryshme të huaja, duke çuar më tej dukurinë negative të një zhvillimi kulturor jo të njësuar. Arsimi i zhvilluar në gjuhë të huaj u bë realitet në trojet e banuara nga shqiptarët, për arsye të kushteve historike të robërisë shumëshekullore. Pavarësisht nga përmbajtja dhe synimet, ai pohon një gjë të vërtetë se nëpërmjet këtij lloj arsimi, populli ynë është mësuar për një kohë relativisht të gjatë dhe prej këtej kanë dalë edhe atdhetarë, të cilët kanë punuar për çështjen kombëtare. [1]

Shkollat e para fetare shqipe

Redakto

Në shkollat fetare (katolike, ortodokse dhe islame) aty nga fundi i shekullit XVI dhe fillimi i shekullit XVII vërehet një intensifikim i veprimtarisë arsimore dhe edukative. Në këto institucione krahas me gjuhët e tjera ngadalë nisi të përdorej edhe gjuha shqipe por fillimisht vetëm për nevojat e mësimit të gjuhës së huaj dhe për nevojat e formimit të klerikëve që të dinin të bënin propagandë fetare në gjuhën e popullit në mënyrë që ta përhapnin doktrinën e tyre fetare në masat e gjëra popullore.

Shkollat e para katolike shqipe

Redakto

Shkolla fetare katolike, ku mësohej shqipja dhe shkrimi shqip me shkronja latine, supozohet se u hapën qysh në shek. XVI. Edhe Lekë Matrënga në Fletëkushtesën e tij të shkruar më 1592, dëshmon se në vendlindjen e tij ishte një shkollë e tille. Ndër shkollat e para fetare katolike ku mësohej edhe gjuha shqipe ishte Shkolla e Kurbinit e hapur në Skuraj të Milotit, afër Krujës. Ajo u themelua në vitin 1632. Kjo ishte shkolle elementare, ku nxënësit, përveç mësimit fetar, mësonin edhe lexim, shkrim dhe gramatikë. Veç librave të tjerë, në këtë shkolle përdoreshin edhe veprat shqipe të Frano Bardhit, të Pjetër Budit, të Pjetër Bogdanit. Ideator dhe themelues i kësaj shkolle ishte imzot Gjon Kolesi (1570 – 1635) ipeshkv i Durrësit dhe Arbërisë.[7] Dy shkolla të tilla janë të njohura edhe në Lezhë, të themeluara nga françeskanët. Shkolla të tilla u themeluan edhe në vende të tjera, si në Korçë (1637), ku prindërit paguanin taksa shkollore, pastaj më 1638 u hap Shkolla e Pllanës, afër Lezhës, ku mësimin e vijonin fëmijët prej 8- 10 vjeç. Edhe në këtë shkollë mësohej gjuha amtare shqipe (lingua vernicula). Një qendër e arsimit ishte edhe në Blinisht të Zadrimes, hapur nga fretërit e Troshanit. Kjo shkollë elementare fetare u hap me kërkesën e banorëve të fshatit. Veprimtarinë e këtyre shkollave e ndaluan autoritetet osmane në vitin 1648. Konsiderohet se mësimi ishte në gjuhën shqipe dhe tekste mësimore veprat e Pjetër Budit, Frano Bardhit, Pjetër Mazrekut, etj. Shkolla të ngjashme u themeluan edhe në Janjevë, Pejë, Stubëll, Gjakovë, etj.

Shkollat e para ortodokse shqipe

Redakto

Edhe në disa shkolla fetare ortodokse të hapura në shekullin XVII nisi të përdorej gjuha shqipe. Njëra ndër shkollat e para fetare ortodokse në trojet shqiptare është Shkolla e Voskopojës e hapur diku rreth vitit 1650. Ky institucion arsimor në vitin 1750 vendoset në një objekt të ri dhe quhet Akademia e Re e Voskopojës. Shkolla të ngjashme ortodokse në të cilat përdorej gjuha shqipe qoftë si mjet komunikimi mes nxënësve dhe/ose mes nxënësve dhe personelit shkollor dëshmohen edhe në Korçë më 1728, Vlorë 1741, Elbasan 1736, Qestorat dhe Berat më 1760, Libofsh, Fier e Lushnje më 1780, etj.

Shkollat e para islame shqipe

Redakto

Fillimet e shkollave islame në trojet shqiptare janë relativisht të hershme. Institucionet e para të arsimit islam në trojet shqiptare paraqiten aty kah mesi i shekullit XV. Mësues në këto institucione ishin imamët e xhamive ose të mesxhideve ndërsa përmbajtjet mësimore kishin karakter të theksuar fetar. Sipas Evlia Çelebiu vetëm në Shkup ndodheshin rreth 70 mejtepe të tilla. Mejtepet dhe medresetë e para u themeluan në mesin e shekullit XV kur përmenden Medreseja e Isa Beut dhe Medreseja e Sulltan Muratit II në Shkup. Më vonë hapen edhe Medreseja e Bajraklisë në Prizren, Medreseja e Madhe në Gjakovë, Medreseja e Pejës, Medreseja e Vushtrrisë, Medreseja e Tiranës, Medreseja e Shkodrës, etj. Ka dëshmi indirekte se edhe në shkollat islame ngadalë filloi të përdorej edhe gjuha shqipe.[8]

Shkollat e para kombëtare shqipe

Redakto

Për dallim nga shkollat fetare ku gjuha shqipe mësohej qoftë si mjet i komunikimit mes nxënësve dhe personelit tjetër shkollor qoftë si njëra nga lëndët mësimore në kuadër të kurrikulës (planprogramit) shkollor, shkolla kombëtare shqipe është një shkollë në të cilën gjithë procesi mësimor në të gjitha lëndët dhe në të gjitha orët mësimore zhvillohet në gjuhën shqipe. Përveq kësaj, shkolla kombëtare është institucion që dëshiron të përcjellë norma dhe vlera kombëtare të cilave u jepet një status i detyrueshëm për të gjithë anëtarët e një kombi. Si rregull, qëllimi për nga përmbajtja është arsimimi i njerëzve për t'u bërë qytetarë besnikë dhe aktivë në kuptimin e një shteti të vendosur kombëtar dhe të filozofisë sociale. Për një kohë të gjatë fokusi ishte në përcjelljen e një ndërgjegjeje të identitetit kombëtar të kuptuar pozitivisht d.m.th. ndërgjegjësimi i përkatësisë kombëtare në një vazhdimësi kohore-historike që fokusohet në karakteristikat e përbashkëta (p.sh. gjuha, origjina, kultura, etj.) dhe përvojat tjera kolektive, si dhe dhënia dhe përcjellja e njohurive për strukturat, proceset dhe/ose ngjarjet historike, politike dhe shoqërore, në kontekstin kombëtar ose "kulturor kombëtar", në fokusin e arsimit, edukimit dhe kulturës kombëtare.

Mësonjëtorja e Korçës

Redakto

Shkolla e parë le- egale kombëtare shqipe, themeluar në Korçë, më 7 mars 1887, ideuar dhe ndihmuar nga -Naim Frashëri dhe rilindës të tjerë. Leja për e hapjen e saj u mor në emër të → Pandeli Sotirit, i cili ishte edhe themeluesi dhe drejtori i parë i saj. Mësonjëtorja shqipe të Korçës ishte shkollë fillore e tipit evropian me katër klasë të rregullta dhe një klasë përgatitore. Ajo ishte shkollë kombëtare nga forma dhe nga përmbajtja. Gjuhë mësimi ishte gjuha shqipe, ndërsa nxënësit mësonin shkrim, lexim, gramatikë dhe gjuhë shqipe, histori dhe gjeografi të Shqipërisë, aritmetikë, muzikë, gjimnastikë, gjuhë frënge etj. Ajo ishte shkollë demokratike, me nxënës shqiptarë të besimeve e shtresave të ndryshme shoqërore, nga Korça dhe rrethinae saj, dhe koedukative (fillimisht pati edhe vajza, e para ishte Polikseni Luarasi). Në këtë shkol lë, veç Pandeli Sotirit, punuan edhe Koço Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thoma Avrami Ali Korça, Nuçi Naçi etj. Autorët e tekstet e para të kësaj shkolle ishin:Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe Jani Vreto. Mësonjëtoren kombëtare shqipe të Korçës e hapi dhe e mbajti vetë populli shqiptar. Ajo u vendos në shtëpinë e atdhetarit korçar, Diamandi Terpo. Veproi 15 vjet (deri në vitin 1902) dhe ishte model për shkollat e tjera kombëtare. Për shkak të rolit dhe vendit të saj në historinë e arsimit shqiptar, 7 Marsi (dita e themelimit të saj) u caktua festë kombëtare Dita e Mësuesit.[9]

Shkolla shqipe e Prizrenit

Redakto

Shkolla e parë shqipe e Prizrenit është institucioni i parë arsimor me karakter kombëtar dhe laik në Kosovë.[10] Fillimisht u hap Shkolla Shqipe e Djemve e cila filloi nga puna me datën 1 maj të vitit 1889 në qytetin e Prizrenit.[11] [12] [13] Në këtë institution të rëndësishëm edukativ e arsimor, punuan mësuesit Mati Logoreci e Lazër Lumezi.[14] Për shkak të karakterit laik të saj ajo u quajt edhe "shkolla e popullit, t'atyne pa kishë". [15] Në vitin 1892 pranë kësaj shkolle u themelua edhe shkolla e parë shqipe e vajzave. Mësimin në këtë shkollë e organizuan dhe udhëhoqën motrat e Rendit të Mëshirës.[15] Në fillim numri i nxënëseve ishte i vogël por me kalimin e kohës ai arriti në 70 nxënëse ndërsa në vitin 1909 Shkolla Shqipe e Vajzave në Prizren kishte një numër prej rreth 120 nxënësesh. Si mësuese në këtë institucion arsimor punuan Marta Mazreku, Motrat Mikelangjela dhe Tereza Çoba, etj. [15] [16] Sot kjo shkollë me të drejtë konsiderohet si shkolla e parë kombëtare shqipe në Kosovë. [17] [16] [11]

Shkollat shqipe në vende tjera

Redakto

Shkollat e para shqipe në Mal të Zi

Redakto

Shkollat e para në gjuhën shqipe në Mal të Zi u hapën në kohën e Luftës së Parë Botërore. Kështu p.sh. shkolla me mësim në gjuhën shqipe u hapën në Tuz, Arzë, Ulqin e Ljarje dhe më pas edhe në Tivar, Podgoricë, Plavë, Guci, Vuthaj, Martinaj, Merkote, Triesh, Shestan, Krici, Kuç, Priften, Dinoshë, Gjuraç, etj. Gjatë kësaj periudhe u themelua edhe Drejtoria Arsimore në krye me Zef Dukën. Mësimin e zhvillonin mësues të ardhur nga Zara e Kroacisë si dhe nga trojet tjera shqiptare. [18]

Shkollat e para shqipe në Maqedoni

Redakto

Përpjekjet për shkollën dhe arsimin shqip në trevat shqiptare të Maqedonisë filluan gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, megjithatë, kthesa e parë e rëndësishme ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur në Maqedoninë Perëndimore (Ohër, Strugë, Dibër, Kërçovë, Gostivar, Tetovë) u hapën shumë shkolla fillore dhe disa shkolla të mesme. Pas Luftës së Dytë Botërore, arsimi fillor shqip, fillimisht katërvjeçar, pastaj edhe shtatë e tetëvjeçar, u hap në të gjitha trevat shqiptare në Maqedoni. Problem i veçantë ishte vijimi i arsimit fillor nga vajzat shqiptare. Gjimnaze me mësim në gjuhën shqipe u hapën në Strugë, Dibër, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë krahas me Shkollën Normale në Shkup. Hapja e shkollave të mesme filloi të masivizohet sidomos nga vitit 1957, me organizimin e tij edhe në shkolla të tjera të mesme profesionale, siç ishin shkollat e mesme të mjekësisë, ekonomike, bujqësore, tregtare, e muzikës, e artit etj. U hapën shkolla të mesme profesionale me drejtime të ndryshme, me programe tre e katërvjeçare. Mësimi organizohej në gjuhën shqipe (për nxënësit shqiptarë) dhe në gjuhën maqedonase (për nxënësit maqedonas). [19] [20]

Arsimi dhe shkollat e para shqipe në mërgim

Redakto

Shkollat e para me mësim në gjuhën shqipe filluan të hapen edhe te shqiptarët e mërguar në shtete të ndryshme të botës. Kështu p.sh. shkolla me mësim në gjuhën shqipe u hap në Korfuz të Greqisë më 1906, pastaj në Shubra afër Kajros (Egjipt) më 1907, në Natick afër Bostonit (SHBA) më 1908, në Tophane të Stambollit (Turqi) më 1911, Capitanata (Itali) më 1914, Jameston (SHBA) 1915, Konstancë (Rumani) 1916, Philadelphia dhe Worchester - Mass (SHBA) 1919. Shkolla me mësim në gjuhën shqipe kanë vepruar edhe në Zarë të Kroacisë, Bukuresht të Rumanisë, Bosfor, Beshiktash dhe Skydar të Turqisë, etj. Shkolla me mësim në gjuhën shqipe në vende të ndryshme të Evropës kanë vazhduar të hapen edhe pas Luftës së Dytë Botërore veprimtari kjo e cila vazhdon edhe në ditët tona.

Shkollat e para shqipe në Luginën e Preshevës

Redakto

Arsimi dhe shkollat e para me mësim në gjuhën shqipe në trevën e Luginën e Preshevës filluan vetëm pas Luftës së Dytë Boterore. Shkollat e para fillore shqipe në Komunën e Preshevés u hapen në fillim të vitit 1945, ne fshatin Raince, në Preshevë, në Miratocë dhe në Rahovice, ndërsa në shator të vitit 1945 edhe në fshatrat Corrotice, Termnave, Norçë, Zhunice, Bukuroc dhe Geraj. Ne vitin shkollor 1948/49 ne shkollen e Preshevës, për herë pare, fillon klasa e peste, e cila në vitin shkollor 1953/54 u shnderrua në shkollë të plotë fillore. Njëkohësisht, në shkolla të plota fillore do të ngrihen edhe shkollat ne Miratoc, Raince dhe Caravajke, pastaj në Rahovicë në vitin shkollor 1961/62, në Strezovce (1965/66) dhe në Leran (1968/69). Në fillim të vitit 1945 shkolla katërvjeçare me mësim në gjuhën shqipe u hapën edhe në komunën e Bujanocit, së pari në Tërnoc, Nasalcë e Lluçan. Shkolla fillore e Terrnocit në vitin shkollor 1950/51 filloi edhe me klasën e pestë. Paralele të ndara kishin shkollat në Bujanoc, Lluçan, Nasalce, Turi, Konçul, Dobrosin dhe Ternoc Vogel. Gjate viteve në vazhdim u bënë edhe riorganizime të tjera të këtyre dhe shkollave të tjera. Ndërkaq, arsimi fillor ne gjuhën shqipe në komunën e Medvegjës filloi në vitin shkollor 1951/52, në fshatin Tupallë, si paralele e shkollës tetëvjeçare serbe të Medvegjës, e cila u pavarësua ne vitin shkollor 1969/70. Kësaj shkolle tetëvjeçare iu bashkëngjitën edhe shkollat katër klasash në Gjylekreshte dhe Kapit. Në shkollën fillore në Banjë të Sijarinës mësimi shqip ka filluar te zhvillohet në vitin shkollor 1967/68. [20]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b Dedja, Bedri, red. (2003). Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar [The History of Albanian Education and Pedagogical Thought]. Tiranë: Instituti i Studimeve Pedagogjike (Institute of Pedagogical Studies). fq. 34.
  2. ^ Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës "KOSOVA VËSHTRIM MONOGRAFIK", Prishtinë 2011, Faqe 365
  3. ^ Avzi Mustafa "FIGURA MËSUESISH SHQIPTARË", Tetovë 1995, Faqe 103
  4. ^ Avzi Mustafa "FIGURA MËSUESISH SHQIPTARË", Tetovë 1995, Faqe 147
  5. ^ Avzi Mustafa "FIGURA MËSUESISH SHQIPTARË", Tetovë 1995, Faqe 16
  6. ^ Avzi Mustafa "FIGURA MËSUESISH SHQIPTARË", Tetovë 1995, Faqe 149
  7. ^ Dedja, Bedri, red. (2003). Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar [The History of Albanian Education and Pedagogical Thought]. Tiranë: Instituti i Studimeve Pedagogjike (Institute of Pedagogical Studies). fq. 62.
  8. ^ https://www.botasot.info/kultura/635522/poezia-e-pare-ne-gjuhen-shqipe-ne-gjakove-shkruar-nga-yvejs-efendija-gjakove-1699/
  9. ^ Vargje të Naim Frasherit kushtuar Mësonjëtorës së Korçës:
    O vëllezër shqiptarë,
    Gëzohuni që erdhi kjo ditë
    Kaq e mirë e kaq e mbarë,
    Na sjell të gjithë mirësitë.
    Lumja ti, moj Korçë’ o lule,
    Q’i le pas shoqet e tua,
    Si trime në ball’u sule
    Ta paçim për jetë hua.
  10. ^ Grup autorësh: Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar (Vëllimi 1). Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë, 2003, fq. 137
  11. ^ a b Duraku, Nebil (1984). Shkrimtarët e Kosovës ('43 - '83). Prishtinë: Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës. fq. 287. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  12. ^ Kraja, Musa (1987). Mati Logoreci. Tiranë: Shtëpia Botuese 8 Nëntori. fq. 5-6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  13. ^ Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania. Plymouth: The Scarecrow Press. fq. 281. ISBN 9780810873803. OCLC 454375231. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  14. ^ Elsie, Robert. Historical Dictionary of Kosova. The Scarecrow Press, Inc. Lanham - Toronto - Plymouth, UK. 2011. (Chronology) fq. xxxiii. ISBN 978-0-8108-7231-8 OCLC 813665362
  15. ^ a b c Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1592, 1595. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844. {{cite encyclopedia}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  16. ^ a b Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 3. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 2487. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
  17. ^ Baku, Pasho, red. (2011). "Shkolla Shqipe e Prizrenit". Enciklopedia universale e ilustruar. Tiranë: Shtëpia Botuese Bacchus. fq. 886. OCLC 734077163. {{cite encyclopedia}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  18. ^ Palokë Berisha (1997) Zhvillimi i shkollave dhe arsimit të shqiptarve në Mal të Zi prej vitit 1878 deri në vitin 1988. Art Club, Ulqin, fq. 41 - 43
  19. ^ Avzi Mustafa "FIGURA MËSUESISH SHQIPTARË", Tetovë 1995, Faqe 151
  20. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 73 - 75. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.

Lidhje të jashtme

Redakto