Shpellat Axhanta
Shpellat Ajanta në distriktin Aurangabad të shtetit të Maharashtras në Indi janë rreth 30 monumente shpellash shkëmbore budiste që datojnë që nga shekulli i II p.e.s. deri rreth vitit 480 ose 650 të e.s..[1][2] Shpellat përfshijnë piktura dhe skulptura të përshkruara nga agjensia qeveritare Archaeological Survey of India si "shembujt më të bukur të mbijetuar të artit indian, veçanërisht të pikturës", që janë kryevepra të artit fetar budist, me figura të Budës dhe piktura të rrëfenjave Jataka.[3] Shpellat janë ndërtuar në dy faza duke filluar rreth shekullit të II p.e.s., me grupin e dytë të shpellave të ndërtuar rreth viteve 400–650 të e.s. sipas referencave më të vjetra, ose të gjitha në një periudhë të shkurtër midis viteve 460 deri në 480 sipas sugjerimeve më të fundit të Walter M. Spink.[4] Siti është një monument i mbrojtur nën kujdesin e Archaeological Survey of India,[5] dhe që nga viti 1983, Shpellat Ajanta janë shpallur pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Bashkë me Shpellat Ellora, janë tërheqja më e rëndësishme turistike e rajonit të Marathwada-s në Maharashtra. Rreth 59 km nga stacioni hekurudhor Jalgaon në linjën Delhi – Bombei dhe linja Howrah-Nagpur-Bombei i hekurudhës së zonës qendrore dhe 104 km nga qyteti i Aurangabadit. Ato janë 100 km nga Shpellat Ellora, që përmbajnë tempuj Hindu dhe Xhainist ashtu si dhe shpella budiste, e fundit daton nga një periudhë e ngjashme me atë të Shpellave Ajanta. Shpellat Ajanta janë skalitur në faqen e rrëpirës shkëmbore që është në faqen jugore të një gryke në formë U-je në lumin e vogël Waghur,[6] dhe megjithëse tashmë janë përgjatë dhe sipër një rrugine moderne që shkon përgjatë rrëpirës shkëmbore ato fillimisht arriheshin nga shkallë individuale nga krahu i lumit 10-35 m poshtë.[7] Zona fillimisht ishte e mbuluar nga pyje të dendura dhe pasi siti pushoi së përdoruri shpellat u mbuluan nga xhungla deri kur aksidentalisht u rizbuluan në vitin 1819 nga një oficer britanik gjatë gjuetisë. Ato janë ndërtesa monastike budiste, që përfaqësojnë një numër të dallueshëm "manastiresh" ose kolegjesh. Shpellat janë numëruar nga 1 deri në 28 sipas vendit të tyre përgjatë rrugicës, duke filluar në hyrje. Mjaft prej tyre janë të pa përfunduara dhe disa janë të sapo-filluara dhe të tjerat janë faltore të vogla, të përfshira në numërimin tradicional si psh. "9A"; "Shpella 15A" ishte akoma e fshehur nën rrënoja kur u bë numërimi.[8] Më tej rreth grykës janë një numër ujëvarash, që kur lumi është i mbushur me ujë janë të dëgjueshme edhe nga brenda shpellave.[9] Shpellat formojnë korpusin më të madh të pikurave të hershme murale të Indisë; shembuj të tjerë të mbijetuar nga zona e Indisë moderne janë shumë të pakta, megjithëse janë të lidhura me pikturat e shekullit të V në Sigiriya të Sri Lankas.[10][11] Skalitjet e rafinuara arkitekturore në shumë shpella janë shumë të rralla dhe stili i shumë skulpturave është më së shumti vendor, i gjetur vetën në pak raste të afërta të siteve bashkëkohëse, megjithëse tradita Ajanta mund të lidhet me Shpellat e mëvonshme Hindu Ellora dhe site të tjera.[12]
Historia
RedaktoSi manastiret e tjera të lashta budiste, Ajanta theksonte fortë mësimet dhe ishte e ndarë në mjaft shpella të ndryshme për të jetuar, mësuar dhe adhuruar nën një drejtim qendror. Murgjërit me gjasa ishin të caktuar në shpellat specifike për të jetuar. Projekti pasqyron këtë strukturë organizative, me shumicën e shpellave të lidhura vetëm me pjesën e jashtme. Studiuesi kinez i shekullit të VII, Xuanzang, duke i vizituar në informon se Dignaga, një filozof i shquar budist dhe kundërthënës, autor i librave të mirë-njohura mbi logjikën, jetoi në Ajanta në shekullin e V. Fillimisht vendbanimi duhet të ketë bujtur disa qindra mësues dhe nxënës. Shumë murgjër që e kishin mbaruar trajnimin e tyre të parë riktheheshin në Ajanta gjatë stinës së mosuneve nga një stil jetese në udhëtim. Përgjithësisht bihet dakord se shpellat janë bërë në dy periudha të ndara nga disa shekuj.
Shpellat e periudhës së parë (Satavahana)
RedaktoGrupi më i hershëm i shpellave konsiston në shpellat 9, 10, 12, 13 dhe 15A. Sipas Walter Spink, ato u ndërtuan gjatë periudhës nga viti 100 p.e.s. deri në vitin 100 të e.s., me gjasa nën patronazhin e dinastisë Satavahana (230 p.e.s. – rreth 220 të e.s.) që sunduan rajonin.[13] Të tjerë parapëlqejnë ta datojnë në periudhën midis vitit 300 p.e.s. deri në vitin 100 p.e.s., megjithëse për grupin e shpellave të hershme përgjithësisht bihet dakord.[14] Shpellat më të hershme mund të jenë shkatërruar nga gërmimet e mëvonshme. Nga këto, Shpella 9 dhe 10 janë holle stupash në formën e chaitya-griha-s dhe shpellat 12, 13 dhe 15A janë vihāra. Faza e parë quhet akoma faza Hinayāna, pasi u krijuan kur, duke përdorur terminologjinë tradicionale, Hinayāna ose mjete më të vogla tradicionale të budizmit ishin mbizotëruese, kur Buda nderohej simbolikisht.[15] Gjithësesi përdorimi i termit Hinayana për të këtë periudhë të budizmit tashmë është hedhur poshtë nga historianët; ashtu si dhe shpellat e periudhës së dytë tashmë janë datuar kryesisht shumë më herët për tu quajtur saktësisht Mahayana dhe nuk tregojnë akoma kastën plotësisht të zgjeruar të qenieve të mbinatyrshme, karakteristike të asaj faze të artit budist. Shpellat e periudhës së parë Satavahana nuk kanë skulptura figurative, duke vënë në dukje stupat në vend të tyre dhe në shpellat e periudhës së dytë shumica mbizotëruese e imazheve e paraqesin Budën vetëm, ose paraqesin skena të jetës së tij. Spink beson se disa kohë pasi shpellat e periudhës Satavahana u realizuan, siti u braktis për një periudhë të konsiderueshme deri në mes të shekullit të V, me gjasa për shkak se rajoni ishte kthyer kryesisht në Hindu[16]
Shpellat e periudhës së dytë ose Vākāṭaka
RedaktoFaza e dytë filloi në shekullin e V. Për një kohë të gjatë mendohej se shpellat e vona ishin bërë gjatë një periudhe të gjatë nga shekulli i IV deri në shekullin e VII,[17] por në dekadat e fundit një seri studimesh nga ekspertët të shpellave, kryesuar nga Walter M. Spink, kanë argumentuar se shumica e punimeve mori udhë përgjatë një periudhe të shkurtër nga viti 460 deri në vitin 480 të e.s.,[16] gjatë mbretërimit të perandorit Harishena të dinastisë Vākāṭaka. Kjo pikpamje është kritikuar nga disa studiues,[18] por tani është pranuar gjerësisht nga shumica e autorëve të librave të përgjithshëm mbi artin indian, si për shembull nga Huntington dhe Harle. Periudha e dytë është akoma e quajtur Mahāyāna ose periudha e mjeteve të mëdha, por studiuesit tashmë priren ta shmangin këtë nomenklaturë për shkak të problemeve që janë shfaqur rreth kuptimit tonë të Mahāyāna-s.[19] Rreth 20 tempuj shpellorë u krijuan njëkohësisht, në pjesën më të madhe vihara me një qelë të shënjtë mbrapa. Shpellat më të rafinuara u realizuan në këtë periudhë, që përfshinë disa "modernizime" të shpellave të hershme. Spink pohon se është e mundur të vendosësh një datim për këtë periudhë me një nivel të lartë saktësie.[20] Megjithëse debatet vazhdojnë akoma, idetë e Spink-ut bëhen gjithmonë e më gjerësisht të pranuara, të paktën në përfundimet e tyre të gjera. Websiti i Archaeological Survey of India paraqet akoma datimin tradicional: "Faza e dytë e pikturave filloi rreth shekujve të V dhe të VI të e.s. dhe vazhdoi për dy shekujt e ardhshëm". Shpellat e periudhës së dytë janë shpellat nga 1–8, shpella 11 dhe shpellat nga 14–29, disa prej të cilave me gjasa zgjerime të shpellave të mëparshme. Shpellat 19, 26 dhe 29 janë chaitya-griha, pjesa tjetër vihara. Sipas Spink, Shpellat Ajanta duket se u braktisën nga padronët e pasur pak pas rënies së Harishena-s, rreth vitit 480 të e.s.. Ato më pas u braktisën gradualisht dhe u harruan.[21] Gjatë shekujve të ndërmjetëm, xhungla u rikthye dhe shpellat u fshehën, të pavizituara dhe të pashqetësuara, megjithëse popullsia vendore ishin në dijeni të të paktën disa prej tyre.[22]
Rizbulimi
RedaktoMë 28 prill 1819, një zyrtar britanik, John Smith, i kalorësisë së 28-të, ndërsa po bënte gjueti për të vrarë tigra, aksidentalisht zbuloi hyrjen e shpellës 10 thellë brenda një gëmushe të fshehtë. Kishte gjithashtu banorë vendorë që i përdornin shpellat për lutjet me një zjarr të vogël, kur ai arriti. Duke eksploruar atë shpellë të parë, prej kohësh strehë për asgjë më shumë se zogjtë dhe lakuriqtë e natës dhe strofull për kafshët më të mëdha, kapiteni Smith e vandalizoi murin duke gërvishtur emrin dhe datën, prill 1819, mbi trupin e një bodhisattva. Meqë ai qëndronte mbi një grumbull rrënojash mbi 1.6 metra i lartë i grumbulluar gjatë viteve, mbishkrimi është mjaft mbi nivelin e shikimit të një të rrituri sot.[23] Një raport mbi shpellat i William Erskine u lexua në Bombay Literary Society në vitin 1822.[24] Brenda pak dekadave, shpellat u bënë të famshme për natyrën e tyre "ekzotike", arkitekturën mbresëlënëse dhe mbi të gjitha për pikturat e tyre të jashtëzakonshme dhe unike. Një numë projektesh për të kopjuar pikturat u bë në shekullin pas rizbulimit. Në vitin 1848 Royal Asiatic Society caktoi "komisionin e Tempujve Shpellorë të Bombeit" për të pastruar, rregulluar dhe regjistruar sitet më të rëndësishme shkëmbore në rajonin e Bombeit, me John Wilsonin si president. Në vitin 1861 këto u bënë bërthama e agjensisë së re “Archaeological Survey of India”.[25] Siti i Ajanta-s ishte territor i shtetit princëror të Nizam-it të Hyderabad-it në vend të Indisë britanike dhe Ghulam Yazdani (1885-1962), i cili themeloi departamentin e arkeologjisë në shtetin e Hyderabadit në vitin 1914 dhe e drejtoi për mbi 30 vjet, luajti një rol të konsiderueshëm në konservimin e kërkimin e këtij siti dhe publikoi një seri monografish mbi të. Deri sa qeverisja e Nizamit ndërtoi rrugicën moderne midis shpellave, mes përpjekjeve të tjera për ta bërë sitin të vizitueshëm lehtësisht, një udhëtim në Ajanta ishte një aventurë e konsiderueshme dhe udhëpërshkrimet bashkëkohëse i përshkruajnë me kënaqsi rrëziqet nga rënia nga shkëmbinjtë e ngushtë, kafshët dhe komunitetin Bhil, që ishin të armatosur me shtiza dhe harqe dhe që kishin një reputacion si të patrembur.[26] Sot, mjaft lehtësisht kombinuar me Shpellat Ellora në një udhëtim të vetëm, shpellat janë destinacioni turistik më popullor në Mahrashtra dhe shpesh janë të mbipopulluara në ditët e festave, duke e rritur rrezikun për shpellat, veçanërisht për pikturat.[27] Në vitin 2012, Maharashtra Tourism Development Corporation shpalli planet për të shtuar në qendrën e vizitorëve ASI në hyrje të kopjeve tërësore të shpellave 1, 2, 16 & 17 për të reduktuar mbipopullimin në shpellat zanafilore dhe tu mundësonte vizitorëve të merrnin një ide më të mirë pamore të pikturave, që janë të ndriçuara keq dhe të vështira për tu shquar në shpella.[28] Shifrat vjetore deri në mars 2010 tregonin një tërësi prej 390,000 visitorësh në sit, të ndarë në 362,000 vendas dhe 27,000 të huaj. Trendi gjatë disa viteve më parë tregon një rritje të konsiderueshme të vizitorëve vendas, por një rënie të të huajve; Viti 2010 ishte i pari në të cilin vizitorët e huaj në Shpellat Ellora i tejkalonin ata në Ajanta.[29]
Kronologjia e detajuar e Spink-ut
RedaktoWalter M. Spink në dekadat e fundit zhvilloi një kronoligji shumë të përpiktë dhe rrethanore për periudhën e dytë të punimeve në sit, që ndryshe nga studiuesit më të hershëm, ai e vendos tërësisht në shekullin e V të e.s.. Kjo është bazuar në dëshmi si mbishkrimet dhe stili artistik, kombinuar me shumë elemente të papërfunduara të shpellave. Ai beson se grupi më i hershëm i shpellave, që si studiuesit e tjerë i daton afërsisht në periudhën "midis vitit 100 p.e.s. – 100 të e.s.", në një pikë të mëvonshme kohore u braktisën plotësisht dhe mbetën kështu "për më shumë se tre shekuj", pasi popullsia vendore ishte kthyer kryesisht në Hindu. Ky ndryshim me ngjitjen e perandorit Harishena të dinastisë Vakataka, i cili mbretëroi nga viti 460 deri në vdekjen e tij në vitin 477. Harisena e zgjeroi perandorinë Vakataka të Indisë qendrore duke përfshirë një rrip të ngusht të bregut lindor të Indisë; Perandoria Gupta sundoi Indinë veriore në të njëjtën periudhë dhe Dinastia Pallava një pjesë të madhe të jugut.[16] Sipas Spink-ut, Harisena inkurajoi një grupim, duke përfshirë kryeministrin e tij Varahadeva dhe Upendragupta, nënmbretin territori i të cilit ishte Ajanta, të gërmonte shpella të reja, që u porositën individualisht, disa përmbajnë mbishkrime që regjistrojnë dhurimin. Ky aktivitet filloi në vitin 462, por më së shumti u pezullua në vitin 468 për shkak të kërcënimit nga mbretërit fqinjë Asmaka. Puna vazhdoi vetëm në shpellën 1, porosi e vetë Harisena-s dhe shpellat 17–20, të porositura nga Upendragupta. Në vitin 472 situata ishte e tillë që puna u braktis plotësisht, në një periudhë që Spink-u e quan "Hiatusi", që zgjati deri rreth vitit 475, kohë në të cilën Asmaka-t kishin zëvendësuar Upendragupta-n si sundues vendorë.[30]
Puna u rinis, por përsëri u ndërpre nga vdekja e Harisena-s në vitin 477, menjëherë më pas gërmimet e rëndësishme u ndalën, përveç shpellës 26, që ishte sponsorizuar nga vetë Asmakat. Asmakat nisën një revolt kundër djalit të Harisena-s, që solli fundin e Dinastisë Vakataka. Në vitet 478–480 gërmime të rëndësishme nga padronë të rëndësishëm u zëvendësuan nga një numër "intruzionesh" – statuja të shtuara në shpellat ekzistuese dhe një numër faltoresh ku kishte hapësirë midis tyre. Këto ishin të financuara nga individë më pak të fuqishëm, disa murgjër, që më parë nuk kishin qenë të aftë të bënin shtesa në gërmimet e mëdha të sunduesve dhe oborrtarëve. Ato u shtuan në façata, krahët e anësorë të hyrjes dhe në muret brenda shpellave.[31] Sipas Spink-ut, "Pas vitit 480, asnjë imazh i vetëm nuk u bë përsëri në sit", dhe pasi hinduizmi e mbizotëroi përsëri rajonin, siti u braktis përsëri, këtë herë për më shumë se një mijëvjeçar.[32] Spink-u nuk përdor termin "circa" (rreth) në datimin e tij, por thotë se "duhet të lejohet një marzh gabimi me një vit ose ndoshta deri në dy vite në çdo rast".[33]
Pikturat
RedaktoPiktura murale kanë mbijetuar si nga grupi i periudhës së parë ashtu dhe nga i dyti. Mjaftë fragmente pikturash murale të ruajtura nga shpellat e hershme (Shpellat 9 dhe 11) janë shembuj unik të mbijetuar të pikturave oborrtare në Indi nga kjo periudhë dhe "tregojnë se periudha Sātavāhana, nëse jo më herët, piktorët indianë kishin përvetësuar një stil të lehtë dhe të rrjedhshëm natyror, duke u përballur me grupe të mëdha njerëzish në një mënyrë të krahasueshme me relievet e shtyllave horizontale Sāñcī toraņa".[35] Katër nga shpellat e vona kanë piktura të mëdha dhe relativisht të mirë-ruajtura murale që[36] ndahen në dy grupe stilistike, me shpellat më të famshem 16 dhe 17 dhe dukshëm pikturat e vona në shpellat 1 dhe 2. Grupi i dytë mendohej se ishin një shekull ose më i vonë se të tjerat, por kronologjia e rishikuar e propozuar nga Walter Spink do ti vendoste ato më afër se grupi më i hershëm, ndoshta bashkëkohëse me to në një stil më progresiv, ose duke pasqyruar një skuadër nga një rajon i ndryshëm.[37] Pikturat janë në realizuar në të thatë, të pikturuara mbi sipërfaqen e një stukoje të thatë në vend të një stukoje të njomë.[38] Të gjitha pikturat duket se janë punime të piktorëve të paktën të përdorur për të dekoruar pallatet dhe tempujt dhe tregojnë familjaritet me intersimin për detajet e jetës së një oborri të pasur. E dimë nga burimet e shkruara se piktura ishte e praktikuar gjerësisht dhe e vlerësuar në oborret e periudhës Gupta. Ndryshme nga shumë piktura indiane, kompozimet nuk janë vendosur në ndarje horizontale si friza, por tregojnë skena të mëdha të shtrira në të gjitha drejtimet nga një figurë e vetme ose grup në qendër. Tavanet janë gjithashtu të pikturuara me motive të sofistikuara dhe rafinuara dekorimesh, shumë të marra nga skulptura.[37] Pikturat në shpellën 1, që sipas Walter Spink u porositën nga vetë Harisena, përqendrohen në rrëfenjat Jataka që tregojnë jetën e mëparshme të Budës si mbret, në vend të një kafshe apo njeriu të zakonshëm dhe në këtë mënyrë tregojnë pamje nga jeta bashkëkohore e pallatit.[39] Në përgjithësi shpellat e vona duket se kanë qenë pikturuar në zonat e përfunduara si puna gërmuese vazhdonte diku tjetër në shpellë, siç duket në shpellat 2 dhe 16 në veçanti.[40] Sipas mendimit të Spink-ut për kronologjinë e shpellave, braktisja e punimeve në vitin 478 pas një periudhe të shkurtër të banuar llogaritë për mungesën e pikturave në vende duke përfshirë shpellën 4 dhe faltoren shpellës 17, kjo e fundit e pregatitur me stuko për pikturat që nuk u realizuan kurr.[39]
Kopjet
RedaktoPikturat u degraduan në mënyrë domethënëse që kur u rizbuluan dhe një numër kopjesh dhe vizatimesh të shekullit të XIX janë të rëndësishme për një kuptim tërësor të punimeve. Megjithatë, projektet më të hershme të kompjimit të pikturave u dëmtuan nga fati i keq. Në vitin 1846, majori Robert Gill, një zyrtar dhe piktor nga rajoni i Madras, u caktua nga Royal Asiatic Society nëpërmjet zyrave të James Fergusson-it për të bërë kopje të pikturave murale në muret e shpellave, që ishin subjekt në rritje i dëmtimit nga vizitorët.[41] Gill punoi me pikturat e tij në sit nga viti 1844 deri në vitin 1863 (megjithëse ai vazhdoi të merej me to deri në vdekjen e tij në vitin 1875, duke shkruar libra dhe duke fotografuar) dhe bëri 27 kopje të skeksioneve të mëdha të pikturave murale, por katër ishin shkatërruar në një zjarr në Crystal Palace në Londër në vitin 1866, ku ato ishin në ekspozitë.[42] Kështu ai u rikthye në sit dhe rinisi punën e tij, duke kopjuar pikturat murale deri në vdekjen e tij në vitin 1875. Një tjetër përpjekje u bë në vitin 1872 kur rajoni i Bombeit porositi John Griffiths, atëherë drejtori i Shkollës së Artit të Bombeit, për të punuar me studentët e tij për të bërë kopje të reja, përsëri për ti dërguar në Angli. Ata punuan në këtë projekt për katërmbëdhjetë vjet dhe realizuan rreth 300 kanavaca, shumë prej të cilave u shfaqën në Imperial Institute në Exhibition Road të Londrës, një nga pararendëset e Victoria and Albert Museum. Por në vitin 1885 një tjetër zjarr shkatërroi mbi njëqint nga pikturat në depon e krahu të muzeut. Victoria and Albert Museum (V&A) ka akoma 166 piktura të mbijetuara nga të dy setet, megjithëse asnjë nuk ka qenë në shfqje permanente që nga viti 1955. Më të mëdhatë janë rreth 3 × 6 metra. Një projekt konservimi u ndërmor rreth gjysmës së tyre në vitin 2006, duke përfshirë gjithashtu Universitetin e Northumbria-s.[43] Griffith dhe studentët e tij fatkeqësisht i pikturuan shumë nga pikturat me "bojëra të lira" në mënyrë që ti bënin ato më të lehta për tu parë, që ia shtoi degradimin origjinaleve, ashtu si, sipas Spink-ut dhe të tjerëve, dhe pastrimi i fundit nga ASI.[44] Një set i mëtejshëm kopjesh u bënë midis viteve 1909 dhe 1911 nga Christiana Herringham (Lady Herringham) dhe një grup studentësh nga Calcutta School of Art që përfshiu edhe piktorin modernist indian Nandalal Bose. Kopjet u publikuan plotësisht me ngjyra me publikimin e parë të fillestarët londinezë të Royal India Society. Më shumë se kopjet e hershme, këto synonin të mbushnin boshllëqet dhe dëmtimet për të rikrijuar kushtet origjinale më shumë se për ti regjistruar gjendjen e pikturave siç e shihnin ata. Sipas një shkrimtari, ndryshe nga pikturat e krijuara nga paraardhësit e saj, Griffiths dhe Gill, kopjet e të cilëve u ndikuan nga stilet e pikturës britaniko-viktoriane, ato të ekspeditës së Herringhamit parapëlqyen 'rilindjen indiane' të estetikës së këtij tipi të eksperimentuar nga Abanindranath Tagore.[45] Vëzhgime të hershme fotografike u bënë nga Robert Gill, i cili mësoi të përdor një aparat fotografik që afër vitit 1856 fotot e të cilit, duke përfshirë disa që përdorin stereoskopinë, u përdorën në librat e tij dhe të Fergusson-it (shumë janë të disponueshme online nga British Library),[46] pastaj Victor Goloubev në vitin 1911 dhe E.L. Vassey, i cili bëri foto në studimin me katër volume të shpellave nga Ghulam Yazdani (publikuar në vitet 1930–1955).[47] Një përpjekje e fundit për të kopjuar muralet u bë nga artisti japonez Arai Kampō (荒井寛方:1878-1945) i cili i vizitoi ato pasi u ftua nga Rabindranath Tagore në Indi për të mësuar teknikat e pikturës japoneze.[48] Ai punoi për realizimin e kopjimit nga viti 1916 deri në vitin 1918 dhe punimet e tij u konservuan në Universitetin Perandorak të Tokyo-s deri sa materialet u zhdukën gjatë teërmetit të madh Kantō në vitin 1923.
-
Shpella 2, duke shfaqur piktura të gjera të humbura në shumë zona.
-
Shpella 17, pikturë dekoruese dhe frizë me të dashuruar.
-
Piktura nga Shpella 1.
-
Seksion i një murali në Shpellën 17, 'ardhja e Sinhala-s'. Princi (Princi Vijaya) shfaqet në të dy grupet me elefantë.
-
Shenjtërimi i mbretit Sinhala, Princit Vijaya, detaj nga Shpella 17.
-
Hamsa jâtaka, Shpella 17. Kjo pikturë me gjasa tregon një nga jetët e mëparshme të Budës.
-
Piktura sipër derës qendrore, Shpella 17.
-
Shpella 17, tavani i portikut. Pamje nga afër e rrotës qendrore me gjashtë apsara (në zanafillë).
-
Piktura budiste Tara, Shpellat Ajanta.
-
Kolonë hekzagonale në Shp. 10, dekoruar me piktura.
-
Fitorja dhe shenjtërimi i Sinhala-s, Albert Hall Museum, Jaipur, Indi. Riprodhim i një pikture nga Shp. Ajanta.
-
Detaj i pikturave pak mbi derën e shpellës 17, që paraqet skena nga jeta e përditshme.
-
Mbreti Mahajanaka, duke dëgjuar fjalët e një të urti vendos të tërhiqet nga jeta publike, duke e shpallur vendimin e tij në pallat. Mahajanaka Jataka, shpella 1, muri verior. Rreth shek. të VI ose të VII.[49]
-
Skenë dashurie.
-
Pikturë Ajanta në Muzeun Kombëtar në New Delhi.
Arkitektura
RedaktoShumica e shpellave janë vihara me holle lutjesh dhe banimi, që janë në tipikisht drejtëkëndore me qeli të vogla fjetinash katrore të skalitura në mure dhe nga periudha e dytë një faltore ose qelë e shenjtë në pjesën e mbrapme e përqëndruar në një statujë të madhe të Budës, gjithashtu e skalitur drejtëpërdrejtë në shkëmb. Ky ndryshim pasqyron lëvizjen nga budizmi Hinayana në budizmin Mahayana. Këto shpella shpesh quhen manastire. Tipi tjetër i hollit kryesor është holli më i ngushtë dhe më i lartë i chaitya-s me një stupa si fokus në skajin fundor dhe një korridor i ngusht rreth mureve, mbrapa një radhe shtyllash të vendosura pranë njëra tjetrës. Dhomat e tjera më të thjeshta ishin për të fjetur dhe aktivitete të tjera. Disa nga këto shpella kanë hyrje me gdhendje të rafinuara, disa me dritare të mëdha mbi derën për të lejuar dritën. Shpesh gjendet një verandë kolonadash, me një tjetër hapësirë brenda dyerve që shtrihen në gjerësinë e shpellës. Hapësira qendrore katrore e brendësisë së viharas është e përcaktuar nga kolona katrore që formojnë hapësirë pak a shumë katrore. Jashtë kësaj gjenden korridorë të gjatë drejtëkëndorë në secilin krahë. Përgjatë mureve anësorë dhe të mbrapëm janë një numër kthinash të vogla ku hyet nga një derë e ngushtë; këto janë afërsisht katrore dhe kanë nike të vogla në muret e tyre të mbrapme. Fillimisht ato kishin dyer prej druri.[50] Qendra e murit të mbrapëm ka një dhomë-faltore më të madhe mbrapa, që përmban një statujë të madhe të Budës. Viharat e periudhës së hershme janë shumë më të thjeshta dhe nuk kanë faltore.[51] Në fakt Spink-u e vendos ndryshimin e dizajnit me një faltore në mes të periudhës së dytë, me shumë shpella të përshtatura për të shtuar një faltore në mes të gërmimit, ose pas fazës zanafillore.[52] Planimetria e Shpellës (djathtas) tregon një nga viharat më të mëdhaja, por është tipike e grupit të vonë. Shumë të tjera, si Shpella 16, nuk kanë vestibul për te faltorja, i cili të çon drejtë hollit kryesor. Shpella 6 përbëhet nga dy vihara, njëra sipër tjetrës, të lidhura nga shkallë të brendshme, me qela të shenjta në të dy nivelet.[53]
Katër hollet e përfunduara chaitya janë shpellat 9 dhe 10 nga periudha e hershme dhe shpellat 19 dhe 26 nga periudha e vonë e ndërtimit. Të gjitha ndjekin formën tipike të gjetur gjetkë, me tavane të larta dhe një navatë qendrore që të çon te stupa, e cila është afër pjesës së mbrapme, por lejon ecjen mbrapa saj, pasi ecja rreth stupave ishte (dhe mbetet) një element i zakonshëm i adhurimit budist (pradakshina). Dy më të vonat kanë çati me nervatura apo brinjë të larta, që pasqyrojnë format e drurit,[54] dhe dy më të hershmet mendohet se kanë përdorur nervatura druri, që tashmë është zhdukur.[55] Dy sallonet më të vonë kanë një rregullim mjaft të pazakontë (i gjetur edhe në Shpellën 10 në Ellora) ku stupa është e përballë një relievi të madh skulpturor të Budës, duke qëndruar në Shpellën 19 dhe i ulur në Shpellën 26.[51] Shpella 29 është një një sallon chaitya i vonë dhe mjaft i pakompletuar.[56] Forma e kolonave në punimin e periudhës së parë është shumë i thjeshtë dhe i pa zbukuruar, me të dy sallonet chaitya që përdorin kolona të thjeshta tetëkëndore, që ishin të pikturuara me figura. Kolonat e periudhës së dytë ishin shumë më të larmishme dhe krijuese, shpesh duke ndryshuar profilin mbi lartësinë e tyre dhe kapitele të skalitura në mënyrë të rafinuar. Shumë kolona janë të skalitura mbi gjithë sipërfaqen e tyre, disa me hulliza dhe të tjerat të skalitura me dekorime, si në shpellën 1.[57]
Bazalti i përbytur vullkanik i rrëpirës shkëmbore, pjesë e rrafshnaltës së Dekanit e formuar nga shpërthimet vullkanike në fund të erës së kretacit, është i shtresëzuar horizontalisht dhe disi i ndryshueshëm në cilësi,[58] kështu që gërmimet kishin për ti modifikuar planet e tyre sipas terrenit dhe vendet kanë qenë shembur në shekujt e ndërmjetëm, si me portikun e humbur të shpellës 1. Gërmimet filluan duke gërmuar një tunel të ngusht në nivelin e çatisë, që u zgjerua; vihara gjysëm e ndërtuar e shpellës 24 e tregon metodën.[59] Spink-u beson se për shpellat e para të periudhës së dytë gërmuesit kishin për ti rimësuar aftësitë dhe teknikat që kishin qenë humbur në shekujt që nga periudha e parë,[60] që ishin transmetuar për tu përdorur në sitet e mëvonshme shkëmbore në rajon, siç është Ellora dhe Shpellat Elephanta, Shpellat Bagh, Shpellat Badami dhe Shpellat Aurangabad.[61] Shpellat nga periudha e parë duket se kanë qenë financuar nga një numë padronësh, me mjaft mbishkrime që regjistrojnë dhurimin e porcioneve të veçanta të një shpelle të vetme, por sipas Spink shpellat më të vona ishin të porositur secila si një njësi e plotë nga një padron i vetëm nga drejtuesit vendorë ose elitat e oborrit të tyre. Pas vdekjes së Harisena-s dhurues të vegjël kapën shansin për të shtuar faltorthe të vogla midis shpellave ose të shtonin statuja në shpellat ekzistuese dhe rreth dy qint nga këto shtesa "intruzive" u bënë në skulptura,[62] me një numër të mëtejshëm pikturash intruzive, deri në tre qint vetëm në shpellën 10.[63] Një portë e madhe në sit, në majë të grykës si patkua midis shpellave 15 dhe 16, u hap nga lumi dhe është dekoruar me elefantë në të dyja anët dhe një nāga, ose hyjni gjarpër mbrojtëse.[64]
-
Shpella 9, një sallon i hershëm chaitya, me murale të mbijetuara dhe kolona të thjeshta tetëkëndore.
-
Shpella 10, holli chaitya nga periudha e parë e ndërtimit.
-
Stupa me Budën në këmbë në Shp. 19.
-
Pajme e gjerë e Shp. 26, një holl i vonë chaitya me një stupa.
Ikonografia e shpellave
RedaktoNë periudhën para erës sonë, Buda paraqitej simbolikisht, në formën e stupës. Kështu, hollet bëheshin me stupa për të nderuar Budën. Në periudhat e mëvonshme imazhet e Budës filluan të bëheshin në monedha, kuti relikesh, relieve ose në forma skulpturore, etj. Megjithatë, kërkoi kohë për paraqitjen njerëzore të Budës në artin budist. Një nga dëshmitë më të hershme të paraqitjes njerëzore të Budës gjenden në sitet arkeologjike budiste si Goli, Nagarjunakonda dhe Amaravati. Manastiret e këtyre siteve u ndërtuan në materiale më pak rezistente, si druri, tulla dhe guri. Përsa i përket gjinisë së arkitekturës shkëmbore u deshën disa shekuj që të pikturoheshin imazhe të Budës. Askush nuk e di me siguri në cilën shpellë shkëmbore u pikturua imazhi i parë i Budës. Kërkimi aktual dëshmon se imazhet e Budës në një formë të bartshme, të bëra prej druri ose prej guri, u futën për herë të parë në Kanheri, për tu ndjekur së shpejti nga Shpella 8 në Ajanta (Dhavalikar, Jadhav, Spink, Singh). Ndërkohë që shembulli i Kanherit daton në shekullin e IV ose të V të e.s., shembulli i Ajanta-s është datuar rreth viteve 462–478 të e.s. (Spink). Asnjë manastir shkëmbor para këtyre datave nuk paraqet ndonjë imazh të Budës megjithëse u krijuan qindra shpella shkëmbore përgjatë Indisë gjatë shekujve të parë të e.s.. Dhe, në ato shpella, është stupa që është objekt nderimi, dhe jo imazhi i Budës. Imazhet e Budës nuk gjenden në sailagrhat (komplekset shkëmbore) budiste deri në kohën e Shpellave Kanheri (shekulli i IV–V i e.s.) dhe në shembujt e Ajantas (rreth viteve 462–478 të e.s.).
Shpellat e periudhës së dytë, tashmë janë datuar të gjitha në shekullin e V, ishin përshkruar tipikisht si "Mahayana", por nuk tregojnë veçori të lidhura me budizmin e mëvonshëm Mahayana. Megjithëse fillimet e mësimeve Mahāyāna arrijnë deri në shekullin e I ka pak dëshmi artistike dhe arkeologjike që të sugjerojnë se u bë një kult mbizotërues për mjaft shekuj. Në budizmin Mahayana nuk është Gautama Buda, por Bodhisattva që është i rëndësishëm, duke përfshirë "hyjni" Bodhisattva si Manjushri dhe Tara, ashtu si dhe aspekte të Budës si Aksobhya dhe Amitabha. Përveç pak Bodhisattva-sh, këto nuk janë pikturuar në Ajanta, ku Buda mbetet figura mbizotëruese. Madje edhe imazhet e Bodhisattva-s së Ajanta-s nuk janë asnjëherë objekte qendrore adhurimi, por janë paraqitur gjithmonë si ndihmës të Budës në faltore. Nëse një Bodhisattva paraqitet i veçuar, si në skenat Astabhaya, u realizuan në vitet më të vona të aktivitetit në Ajanta dhe janë kryesisht me natyrë 'intruzive', dmth. që nuk ishin projektuar nga padronët fillestar dhe u shtuan nga dhuruesit e rinjë pasi padronët fillestarë e kishin braktisur befasisht rajonin pas vdekjes së perandorit Harisena. Kontrasti midis paraqitjeve ikonike dhe jo-ikonike, dmth. stupa nga një anë dhe imazhi i Budës nga ana tjetër, tashmë shihet si një konstrukt i studiuesve modernë më shumë se një realitet i të shkuarës. Faza e dytë e Ajantas tregon se stupa dhe imazhi përputheshin së bashku. Nëse i gjithë korpusi i artit të Ajantas duke përfshirë skulpturat, ikonografinë, arkitekturën, epigrafinë dhe pikturat do të analizohen rishtas do të bëhet e qartë se nuk kishte dualitet midis formave simbolike dhe njerëzore të Budës, për sa i përket fazës së shekullit të V të Ajantas. Kjo është pse shumica e studiuesve aktualë priren ta shmangin termin 'Hinayana' dhe 'Mahayana' në kontekstin e Ajantas. Tashmë ata parapëlqejnë ta quajnë fazën e dytë nëpërmjet dinastisë sunduese, si faza Vakataka.
Shpellat
RedaktoShpella 1
RedaktoShpella 1 u ndërtua në skajin lindor të rrëpirës në formë patkoi dhe tashmë është shpella e parë që hasin vizitorët. Sipas Spink-ut, është një nga shpellat më të vona që është krijuar, kur vendet më të mira ishin zënë dhe nuk u inaugurua për adhurimin nga dedikimi i imazhit të Budës në faltoren qendrore. Kjo duket nga mungesa e depozitimit të blozës apo tymit nga llambat prej gjalpi në fund të imazhit të faltores dhe mungesa e dëmtimit të pikturave që do të kishte ndodhur nëse varëset rreth faltores do të ishin përdorur për një periudhë kohe. Megjithëse nuk ka dëshmi epigrafike, Spink beson se perandori Vākāţaka, Harishena ishte financuesi i punimeve dhe kjo është pasqyruar në theksimin e imazheve mbretërore në shpellë, me ato të rrëfenjave Jakata të përzgjedhura për të treguar jetët e mëparshme të Budës në të cilat ai ishte mbret.[65] Rrëpira shkëmbore këtu ka një faqe më të pjerrët se në shpellat e tjera, kështu që për të arritur një façatë të lartë madhështore ishte e nevojshme të gërmohej thellë në rrëpirë, duke i dhënë një oborr të madh përball façatës. Fillimisht kishte një portik me kolona përball façatës aktuale, që mund të shihet "gjysëm e pa prekur në pikturat e viteve 1880" të sitit, por kjo u rrëzua plotësisht dhe mbetjet, megjithëse përmbanin skalitje të mrekullueshme, u hodhën pa kujdes në lum, nga ku humbën, me gjasa të marra nga vërshimet e mosuneve.[66]
Kjo shpellë ka një nga façatat e skalitura më të sofistikuara, me relieve skulpturore në trabeacion dhe brinjë si dhe në shumicën e sipërfaqeve e zbukuruar me skalitje dekoruese. Ka skena të skalitura nga jeta e Budës ashtu si dhe një numër motivesh dekoruese. Një portik me dy kollona, të dukshme në fotot e shekullit të XIX, janë shkatërruar. Shpella ka një oborr ballor me kthina të kthyera nga vestibulet me shtylla në të dy krahët. Këto kanë plinta në një nivel të lartë. Shpella ka një verand me kthina të thjeshta në të dy skajet. Mungesa e vestibuleve me kolona në skaje sugjeron se veranda nuk është realizuar në fazën e vonë të Ajantas kur vestibulet me shtylla ishin bërë një nevojë dhe normë. Shumica e zonave të verandës dikur ishin të veshura me piktura murale, nga të cilat kanë mbetur shumë fragmente, veçanërisht në tavan. Ka tre dyer: një derë qendrore dhe dy anësore. Dy dritare katrore janë skalitur midis dyerve për të ndriçuar brendësinë.[67] Çdo mur i hollit brend është pothuajse 12 m i gjatë dhe 6.1 metra i lartë. Dymbëdhjetë shtylla formojnë një kolonadë katrore brenda që mbajnë tavanin dhe krijojnë korridore të gjera përgjatë mureve. Në murin e mbrapëm gjendet një faltore e skalitur për të bujtur një imazh impresiv, të ulur të Budës, ku duartë e tij formojnë gjestin dharmachakrapravartana mudra. Në secilin nga muret e majtë, të djathtë dhe të mbrapëm janë katër kthina, megjithëse përshkak të defektit të shkëmbit nuk në skajet e korridorit të mbrapëm.[68] Muret janë të veshur me piktura në një gjendje relativisht të mirë ruajtjeje, megjithëse skema e plotë nuk u përfundua kurr. Skenat e pikturuara janë kryesisht didaktike, përkushtimore dhe zbukuruese, me skena nga rrëfenjat Jataka të ekzistencave të mëparshme të Budës si një bodhisattva, jeta e Gautama Budas dhe nga ato të adhurimit të tij. Dy personat më të famshëm të pikturuar në Ajanta janë dy figura mbi përmasat natyrore të të bodhisattva-ve mbrojtës Padmapani dhe Vajrapani në të dy krahët e hyrjes së faltores së Budës në murin të kalimit të mbrapëm.[69] Sipas Spink-ut, datimi zanafillës i pikturave rreth vitit 625 del kryesisht ose tërësisht nga James Fergusson-i, një historian i arkitekturës i shekullit të XIX, kishte vendosur se një skenë që tregonte një ambasador duke u pritur, me figura me veshje persiane, përfaqësonin një regjistrim të përfaqësuesit të Persisë (nga një monark Hindu aty) rreth asaj date.[70]
Shpella 2
RedaktoShpella 2, pranë Shpellës 1, është e njohur për pikturat që janë ruajtur në muret, tavanet dhe shtyllat e saj. Duket e ngjashme me Shpellën 1 dhe është në një gjendje më të mirë konservimi. Shpella 2 ka një verand mjaft të ndryshëm nga Shpella 1. Edhe skalitjet e façatës duken të ndryshme. Shpella mbahet nga shtylla të fuqishme, me zbukurime. Pjesa ballore e verandës konsiston në kthina në vestibulet me kolona në të dy skajet. Kthinat në hapësirat e mëparshme "të pashfrytëzuar" nevojiteshin për të plotësuar kërkesat më të mëdha për bujtje në vitet e vona. Kthinat e skajit të verandës u bënë një trend në të gjitha ndërtimet e mëvonshme Vakataka. Kthinat e thjeshta të veçanta në skajet e verandës u shndërruan në dhoma të planifikuara, që i jepnin simetri dhe bukuri. Pikturat në tavanet dhe muret e kësaj verande janë publikuar gjerësisht. Ato paraqesin rrëfenjat Jataka që janë histori të jetës së Budës në ekzistencat e mëparshme si Bodhisattva. Ashtu si historitë që ilustrojnë shpellën 1 theksojnë natyrën mbretërore, ato në Shpellën 2 tregojnë shumë gra "fisnike dhe të fuqishme" në role të shquara, duke bërë të hamendësohet se padroni ishte një grua e panjohur.[61] Muri i mbrapëm i verandës ka një derë në qendër, e cila lejon hyrjen në holl. Në të dy krahët e derës është një dritare katrore që ndriçon pjesën e brendshme.
Holli ka katër kolonada që mbajnë tavanin dhe formojnë një katror në qendër të hollit. Çdo krahë ose kolonadë e katrorit është paralel me muret përkatës të hollit, duke krijuar një kalim midis tyre. Kolonadat kanë trarë shkëmborë sipër dhe poshtë tyre. Kapitelet janë të skalitur dhe pikturuar me tema të larmishme dekoruese që përfshijnë zbukurime, njerëz, kafshë, bimë dhe formë gjysëm-hyjnore. Pikturat duken pothuajse në çdo sipërfaqe të shpellës përveç dyshemesë. Në vende të ndryshme punimi artistik është gërryer për shkak të degradimit natyror dhe ndërhyrjes njerëzore. Në këtë mënyrë, shumë zona të mureve, tavaneve dhe shtyllave të pikturuara janë fragmentare. Tregimet pikturore të rrëfenjave Jataka janë paraqitur vetëm në mure, që kërkonin vëmendjen e veçantë të besimtarëve. Ato kanë natyrë didaktike, që synonin të informonin komunitetin rreth mësimeve dhe jetës së Budës nëpërmjet rimishërimeve të njëpasnjëshme. Vendosja e tyre në mure kërkonte që besimtari të ecte nëpër kalime dhe të 'lexonte' rrëfimet e pikturuara në episode të ndryshme. Episodet narrative janë pikturuar njëri pas tjetrit megjithëse jo në rend linear. Identifikimi i tyre ka qenë një temë qendrore e kërkimit që kur siti u rizbulua në vitin 1819. Identifikimet e Dieter Schlingloff kanë përditësuar njohurinë tonë mbi subjektin.
Shpella 4
RedaktoTabela e Archaeological Survey of India jashtë shpellave jep këto detaje rreth shpellës 4: "Kjo është manastiri më i madh i planifikuar në një shkallë madhështore por i pa përfunduar. Një mbishkrim në piedestalin e imazhit të Budës përmend se ishte dhuratë nga një person i quajtur Mathura dhe paleografikisht i përket shekullit të VI të e.s.. Ajo konsiston në një verand, një holl hipostil (me kolonadë), një qelë të shenjtë me një paradhomë dhe një seri kthinash të pambaruara. Muri i mbrapëm i verandës përmban panelin e Litanive të Avalokiteśvara-s".
Qela e shenjtë bujt një imazh kolosal të Budës në një pozë predimiki padmasana i rrethuar nga bodhisattvat dhe nimfat qiellore që rrinë pezull mbi të.
Shpellat 9–10
RedaktoShpellat 9 dhe 10 janë dy holle chaitya nga periudha e parë e ndërtimit, megjithëse të dyja pësuan rindërtime të papërfunduara në fund të periudhës së dytë. Shpella 10 ishte ndoshta e ndërtuar fillimisht në shekullin e I p.e.s. dhe Shpella 9 rreth një qint vjet më vonë. Faltorthet e vogla që quajtura Shpellat 9A deri në 9D dhe 10A datojnë gjithasthu nga periudha e dytë dhe janë porositur nga individë.[71] Pikturat në Shpellën 10 përfshijnë disa imazhe të mbijetuara nga periudha e hershme, shumë nga një program i pa përfunduar modernizimi në periudhën e dytë dhe një numër shumë të madh imazhesh më të vogla intruzive të vona, pothuajse të gjitha Buda dhe shumë me mbishkrimin e dhuruesve individualë. Këto më së shumti e shmangën programin "zyrtar" të tej-pikturuar dhe pasi pozicionet më të mira ishin përdorur janë futur në pozicione më pak të shquara akoma të papikturuara; tërësia e tyre (duke përfshirë edhe ato që tani kanë humbur) ishte me gjasa mbi 300 dhe janë të dukshme duarët e shumë artistëve të ndryshëm.[72]
Shpella 17
RedaktoShpella 17 përmban disa nga pikturat e ruajtura më mirë dhe më të njohura të të gjitha shpellave. Ajo përfshinë një panel që tregon për ekspeditën e Princit Simhala në Sri Lanka. Kjo përfshinë detaje të një mbytjeje anije dhe largimin me shpejtësi nga anija vigane nëpërmjet një kali fluturues. Piktura të tjera të famshme përfshijnë një princeshë duke bërë tualet dhe një princ duke joshur një të dashur me verë.[73]
Shpellat e tjera
RedaktoShpella 3 është mjerisht në gjendjen e fillimit të punimeve; sipas Walter M. Spink-ut u fillua menjëherë në fund të periudhës së dytë të punimeve dhe së shpejti u braktis.[74] Shpellat 5 dhe 6 janë vihara, e dyta në dy kate, që janë punime të mëvonshme nga të cilat vetëm kati i poshtëm i shpellës 6 u përfundua. Kati i sipërm i Shpellës 6 ka shumë skulptura përkushtimore private dhe një faltore të Budës, por që është e pambaruar.[74] Shpella 7 ka një façatë madhështore me dy portikë por, ndoshta për shkak të difekteve në shkëmb, që shfaqën probleme në shumë shpella, nuk u realizua asnjëherë shumë në thellësi të shkëmbit dhe konsiston vetëm në dy portikë dhe një dhomë faltoreje me paradhomë, pa holl qendror. Në të gjenden disa kthina.[75] Shpella 8 ishte e gjatë megjithëse daton nga periudha e parë e ndërtimit, por W. Spink e shikon atë ndoshta si shpellën më të hershme nga periudha e dytë, faltorja e saj është një "rimendim". Statuja mund të ketë qenë e skalitur drejtëpërdrejtë nga shkëmbi, ndërsa tashmë është shkatërruar. Shpella u pikturua, por nga pikturat kanë mbetur vetëm disa gjurmë.[76] Shpella 9 është realizuar midis Shpellës 15 dhe 16 gjatë pastrimit të mbeturinave. Është një vihara e vogël me një derë të ngushtë në oborr që ka tre kthina në secilin mur.[77]
Impakti në pikturën moderne
RedaktoPikturat e Ajantas, ose më saktë stili i përgjithshëm nga i cili ato janë realizuar, ndikuan shumë në Tibet[78] dhe në Sri Lanka.[79] Rizbulimi i pikturave të lashta të Ajantas i pajisën artistët indianë me shembuj për tu ndjekur nga India e lashtë. Nandalal Bose eksperimentoi me teknikat për të ndjekur stilin e lashtë që i lejoi atij të zhvillonte stilin e tij unik.[80] Abanindranath Tagore dhe Syed Thajudeen i përdorën gjithasthu pikturat e Ajantas si burim frymëzimi.
Shiko edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Madan Gopal: India through the ages; 1990, fq. 173, redaktor K.S. Gautam, Publication Division, Ministry of Information and Broadcasting, Government of India
- ^ The ASI say "Të gjitha, në tërësi janë realizuar 30 gërmime të cilat përfshijnë dhe një të pambaruar", UNESCO dhe Spink "rreth 30".
- ^ Ajanta Caves, India: Brief Description, UNESCO World Heritage Site, kontrolluar më 27 tetor 2006
- ^ Ajanta Caves: Advisory Body Evaluation, UNESCO International Council on Monuments and Sites, 1982, kontrolluar më 27 tetor 2006, fq. 2
- ^ "Ajanta Caves". Marrë më 19 maj 2012.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ i shkruar edhe Waghora ose Wagura në disa burime
- ^ UNESCO, Ajanta; ASI
- ^ Walter M. Spink, 2006, fq. 4; W. M. Spink (2009), XIX, Shpella 29 fillimisht ishte e fshehur nga rrënojat dhe është jashtë sekuencës në terma të vendndodhjes
- ^ Walter M. Spink (2006), fq. 2
- ^ Harle, fq. 355–361, 460
- ^ "UNESCO page – Ancient City of Sigiriya". UNESCO.org. Arkivuar nga origjinali më 16 shtator 2010. Marrë më 17 shtator 2010.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Harle, fq. 118–122
- ^ Walter Spink, (2006), fq. 4–6.
- ^ Nagaraju 1981, fq. 98–103
- ^ Michell, fq. 335
- ^ a b c Spink (2006), fq. 4
- ^ The UNESCO World Heritage List website për shembull thotë "29 shpellat ishin gërmuar duke filluar rreth vitit 200 p.e.s., por u braktisën në vitin 650 të e.s. në favor të Ellora-s"
- ^ Për shembull nga Karl Khandalavala, A. P. Jamkhedkar dhe Brahmanand Deshpande. (Spink, vol. 2, fq. 117–134)
- ^ Singh, 2012, fq. 32–37
- ^ Spink (2006), fq. 4–6 për përmbledhjen e kronologjisë së tij, zhvilluar në një hapësirë të madhe te libri i tij Ajanta: History and Development, 2005.
- ^ Spink (2006), fq. 5–6, 160–161
- ^ Shiko intervistën me Walter Spink filmuar në Ajanta në janar 2012 në anglisht që përmban datimin e tij; Spink (2006), fq. 139 për referenca të "banorëve sporadik në disa shekuj të mëvonshëm", dukshëm duke bluar drith dhe mprehur veglat si dhe fq. 161 pë një të banor sadhu të mëvonshëm.
- ^ Spink (2006), fq. 139 dhe 3: "Duke zbritur në rrënoja ku shpellat janë skalitur, ai gërvishti emrin e tij (John Smith, 28th Cavalry, 28th April, 1819) përmes kraharorit të pafajshëm të një imazhi të Budës në shtyllën e trembëdhjetë në të djathtë në shpellën 10..."
- ^ Upadhya, fq. 3
- ^ Gordon, fq. 231–234
- ^ Cohen, fq. 47–49, 51
- ^ Kapitulli 2 i Cohen-it trajton historinë dhe të ardhmen e vizitorve në Ajanta.
- ^ "Tourist centre to house replicas of Ajanta caves" Arkivuar 9 gusht 2012 tek Wayback Machine, Times of India, 5 gusht 2012, kontrolluar më 24 tetor 2012; shiko Cohen fq. 51 për një version më të hershëm të propozimit, duke rikrijuar shpellat 16, 17 dhe 21.
- ^ [aurangabad.nic.in/htmldocs/vision2020/10_groupnotourism.pdf VISION TOURISM 2020 – Aurangabad District], faqe 28, kontrolluar më 24 tetor 2012
- ^ Spink (2006), fq. 4–5
- ^ Spink (2006), fq. 5–6
- ^ Spink (2006), fq. 6
- ^ Spink (2009), XX (citimi); Spink (2006), fq. 15–16
- ^ Detaj nga kjo pikturë në V&A
- ^ Harle, fq. 355
- ^ Harle, fq. 355–361
- ^ a b Harle, fq. 355–361
- ^ Harle, fq. 361
- ^ a b Spink (2008)
- ^ Spink (2006), fq. 28–29
- ^ Om Dutt Upadhyay: The Art of Ajanta and Sopoćani; Motilal Banarsidas Publisher, 1994, isbn 81-208-0990-4, fq. 2–3
- ^ Gordon, fq. 234–238; duke konservuar kopjet e pikturave të shpellave Ajanta në V&A
- ^ Conserving the copies of the Ajanta cave paintings at the V&A, Victoria & Albert Museum, Conservation Journal, 2006, nr. 52, kontrolluar më 24 tetor 2012
- ^ Cohen, fq. 50–51
- ^ Rupert Richard Arrowsmith, "An Indian Renascence and the rise of global modernism: William Rothenstein in India, 1910–11", The Burlington Magazine, vol.152, nr.1285 (prill 2010), fq. 228–235.
- ^ Gordon, fq. 236; example from the British Library[lidhje e vdekur] (kërkoni mbi "Gill, Robert Ajanta")
- ^ Upadya, fq. 2–3
- ^ M. L. Ahuja: Eminent Indians: Ten Great Artists; Rupa Publications India Pvt. Ltd.; 2012, ISBN 81-291-2750-4, 9788129127501; fq. 51
- ^ "The Ajanta Caves"; Thames and Hudson, 1998, ribotimi i vitit 2005, faqja 87
- ^ Spink (2006), fq. 148
- ^ a b Harle, fq. 118–122; Michell, fq. 335–343
- ^ Spink (2006), fq. 142
- ^ Michell, fq. 338
- ^ UNESCO, Brief description
- ^ Michell, fq. 339
- ^ Spink (2006), fq. 12–13
- ^ Spink (2006), fq. 18, dhe një të dhënat e shpellave individuale; Michell, fq. 336
- ^ "Shtresat horizontale alternojnë rrjedhjet me llavën masive amygdulare" është një përshkrim teknik i cituar nga Cohen, fq. 37
- ^ Spink (2006), fq. 13
- ^ Spink (2006), fq. 28
- ^ a b Spink (2006), fq. 13–14
- ^ Spink (2006), fq. 4–6
- ^ Spink (2006), fq. 139
- ^ Spink, fq. 10; Michell fq. 340
- ^ Spink (2006), fq. 17, 31
- ^ Spink (2006), fq. 17; 1869 foto të Robert Gill në British Library, që tregojnë verandën akoma mjaft më pak se "gjysëm i pa prishur"[lidhje e vdekur]
- ^ Spink (2006), fq. 17–21
- ^ Spink (2006), fq. 20–23
- ^ Spink (2006), fq. 29–31; Harle, fq. 359–361
- ^ Spink (2006), fq. 29
- ^ Spink (2006), fq. 9; 140–141
- ^ Spink (2006), fq. 137–139
- ^ Remote Traveller
- ^ a b Spink (2006), fq. 8
- ^ Spink (2006), fq. 8–9
- ^ Spink (2006), fq. 9
- ^ "Kopje e arkivuar" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 4 mars 2016. Marrë më 23 qershor 2016.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja) - ^ The Imprint of Ajanta in Tibetan Art, Eva Fernanadez del Campo Barbadillo, Buddhist Himalaya: A Journal of Nagarjuna Institute of Exact Methods, Vol. IX No. I & II (1998)[lidhje e vdekur]
- ^ The Imperial Guptas: Cultural history, Volume 2 of The Imperial Guptas, Parmeshwari Lal Gupta, Vishwavidyalaya Prakashan, 1979, fq. 221]
- ^ Vasudev Sharan Agrawal, Kala aur Sanskriti, 1952, fq. 282-299
Bibliografia
Redakto- M. L. Ahuja: Eminent Indians: Ten Great Artists; Rupa Publications India Pvt. Ltd.; 2012, ISBN 81-291-2750-4, 9788129127501.
- Madan Gopal: India through the ages; 1990, redaktor K.S. Gautam, Publication Division, Ministry of Information and Broadcasting, Government of India.
- "ASI": Archaeological Survey of India website, with a concise entry on the Caves, kontrolluar më 20 tetor 2012.
- Richard S. Cohen: Beyond Enlightenment: Buddhism, Religion Modernity; Oxford and New York: Routledge; 2006.
- Sophie Gordon: Monumental visions: architectural photography in India, 1840–1901; e disponueshme në PDF; 2011, PhD thesis, SOAS, University of London.
- J.C. Harle: The Art and Architecture of the Indian Subcontinent; 2nd edn., 1994, Yale University Press Pelican History of Art, ISBN 0-300-06217-6.
- George Michell: The Penguin Guide to the Monuments of India; Volume 1: Buddhist, Jain, Hindu; 1989, Penguin Books, ISBN 0-14-008144-5.
- Rajesh K. Singh: An Introduction to the Ajanta Caves; Baroda: Hari Sena Press, 2012, ISBN 978-81-925107-0-5.
- Walter M. Spink: Ajanta: History and Development, Volume 5: Cave by Cave; Brill, 2006, Leiden, isbn 90-04-15644-5.
- Walter M. Spink: Lecture, Korea May 2008 Arkivuar 18 qershor 2021 tek Wayback Machine (rishikuar në shtator 2008).
- Walter M. Spink: Ajanta: History and Development Volume 4: Painting, Sculpture, Architecture, Year by Year; Brill, 2009, Leiden, isbn 90-04-14983-X.
- Om Dutt Upadhyay: The Art of Ajanta and Sopoćani; Motilal Banarsidas Publisher, 1994, isbn 81-208-0990-4.