Sylejman Vuçiterna (Verbovc, 11 shtator 1898 - kampi i Vloçishtit, 15 tetor 1948) ka qenë ushtarak karriere shqiptar nga Kosova që sherbeu në ushtrinë e kohës së monarkisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore shërbeu si komandant me kufirin verior të Shqipërisë së bashkuar me një pjesë të Kosovës. Për qëndrimet e mbajtura gjatë luftës, pas marrjes së pushtetit nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare në Shqipëri, u arrestua dhe u gjykua nga Gjyqi Special, 1945, duke u dënuar me burgim.

Ai është gjyshi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.[1]

Biografia

Redakto

U lind në Verbovc të kazasë së Vushtrisësanxhak të Prishtinës, i biri hoxhës së fshatit, të fisit të Kastratit. Shkollimin fillor e mbaroi në mejtepin e vendlindjes. Familja e tij ishte e përfshirë në atë që njihet si Lëvizja Kaçake, për shkak të përfshirjes së tij iu rrezikua jeta nga autoritetet e krajlisë jugosllave.[2]

Më 1922 kaloi me not liqenin e Shkodrës, për të jetuar në Shqipëri, ku edhe ndoqi mësimet e mesme në Normalen e Elbasanit (1929) me bursë shtetërore. Pasi kreu Normalen u vendos përkohësisht në Tiranë ku dhe u martua me Faiken, e bija e kolonelit Mustafa Spathara nga Skrapari. Së bashku do të kishin 5 fëmijë, me të cilën pati katër djem e një vajzë. Vijoi rrugëtimin akademik në Akademinë Ushtarake të Torinos, ku i diplomuar si ushtarak këmbësorie, e përfundoi më 1933. Më vonë kthehet në Shqipëri dhe emërohet në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare. Pas një viti fitoi të drejtën e një specializimi njëvjeçar për në Gratz të Austrisë për degën e prapavijës, të cilën e mbaroi në qershorin e vitit 1935. Mbas kthimit nga specializimi emërohet në prapavijat e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe më pas pedagog në Shkollën Mbretërore të oficerëve në Tiranë dhe komandant i saj deri në prillin e vitit 1939.[2]

Pas pushtimit italian të Shqipërisë refuzoi të shërbente në ushtrinë e Shqipërisë së pushtuar, kësodore u detyrua që të kthehej në vendlindje. Pas pushtimit të Jugosllavisë nga Gjermania naziste më 1941 dhe bashkimit të një pjese të territoreve kosovare me Shqipërinë italiane, e veshi edhe njëherë uniformën dhe u emërua Komandant i Komandës së Mbrojtjes së Kufijvë Veri-lindorë të Shqipërisë, ku zhvilloi disa luftime të ashpra kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit, në Kolashin, Novi-Pazar, Mal të Zi etj. Gjatë viteve të qëndrimit në Kosovë, Sulejmani mori pjesë aktive dhe u bë një nga mbështetësit kryesorë i Lëvizjes Nacional-Demokrate Shqiptare, ose siç njihet ndryshe “Balli Kombëtar i Kosovës”, që udhëhiqej nga profesorët Ymer Berisha dhe Luan Gashi, si dhe Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Rexhep bej Mitrovica, Mehmet Gradica etj. Së bashku me Mehdi Elezin e Hajredin Spahinë mbanin lidhje të vazhdueshme me kundërzbulimin ushtarak anglez, për realizimin e marrëveshjes së bërë nga Lëvizja Nacional-Demokrate Shqiptare me atë shërbim informative, për ndihmën që qeveria britanike do t` ju jepte forcave nacionaliste të Kosovës, në luftën kundra pushtuesëve italianë.[1]

Kthimi i Sulejmanit në Shqipëri në vjeshtën e ’44-ës dhe arrestimi i tij nga komunistët më 14 nëntor të atij viti, ku të lidhur me zinxhir, disa partizanë e dërguan në fshatin Shupal, rrëzë malit të Dajtit. Gjyqin Special e dënoi me 30 vjet burg, ku edhe pse aty erdhi si dëshmitare dhe e mbrojti e ëma e Heroit të Popullit, Xhezmi Delli, duke deklaruar se ai ishte patriot dhe i kishte shpëtuar disa herë jetën të birit, vendimi i gjyqit u la në fuqi dhe ai u dërgua për të vuajtur dënimin në kampin e Vloçishit, ku nga tmerret tentoi vetëvrasjen, duke prerë gishtat e këmbës me bel dhe komandanti i kampit, Tasi Marko, nuk e lejoi ta dërgonin në spital, por e la të vdiste dhe e varrosën ende pa i dalë shpirti.[1]

Pasi ndërroi jetë, familja e tij u nxorrën nga shtëpia e tyre dhe u dëbuan nga Tirana, pa të drejtën për t'u kthyer për aq sa zgjati diktatura komuniste.

Studime

Redakto

Në librin e tij Eliminimi i lidershipit ushtarak të botuar në Tiranë më 2002, Elmas Leci e trajton historinë e Vuçiternës.

Referime

Redakto
  1. ^ a b c Kaloçi, Dashnor (18 dhjetor 2020). "Kush është Sulejman Vuçitërna, gjyshi i Vjosa Osmanit që e ekzekutoi Enver Hoxha". droni.al.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ a b Keçmezi- Basha, Sabile (4 shkurt 2010). "Kolonel Sylejman Vuçiterna". mesazhi.com. Arkivuar nga origjinali më 24 tetor 2012. {{cite web}}: Mospërputhje stampash kohore te |archive-date= / |archive-url=; sugjerohet 7 shkurt 2010 (Ndihmë!)