Visarion Xhuvani

politikan shqiptar
(Përcjellë nga Visarioni i Shqipërisë)

Mitropoliti Visarion Xhuvani (Elbasan, 14 dhjetor 1890 - 15 dhjetor 1965) ka qenë i pari i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare nga 1929 deri më 1937. bashkëpunëtor i ngushtë i Fan Nolit[1]. Senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.[2] Përkthyes i "Mesharit" dhe "Jetës së Shën Jon Vladimirit"[1].

Visarion Xhuvani

Leu në lagjen Kala, i biri i Joanit dhe Efthimies. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Shkollën Priftërore Rizari(-os) në Athinë. Kreu shkollën për Teologji ku u diplomua me gradën fetare të klerikut.

U emërua prift i komunitetit grek në Sofie nga 1919 gjer më 1923 dhe më pas për një kohë të shkurtër në Cetinjë. Kur erdhi më 1919, qytetaria elbasanase e priti mirë, bërin shërbesën e parë fetare dhe e bekoi qytetin e tij[1]. Më 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës ku u zgjodh senator i prefekturës së Elbasanit, dhe deputet në legjislaturat 1921 dhe '23 i pref. së Durrësit[2].

Më 1922 Arhimandri Xhuvani merr pjesë në Kongresin e Beratit që u mbajt nga dt. 10 deri më 12 si përfaqësues i Durrësit[3], ku u shpall Autoqefalia. Mbas Lëvizjes së qershorit gjendja u përçudnua. Me boshllëkun e lënë nga Noli në Mitropolinë e Durrësit, Këshilli i Naltë i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ngarkoi Xhuvanin që të drejtonte Mitropolinë e Durrësit[4]. Meqë lidhnitë me Patrikanën në Stamboll kishin plogështuar përzgjedhjen e hierarkisë kistare, atëherë pa ndihjen e Këshillit të Naltë, Visarion Xhuvani shkoi në Mal të Zi dhe më 3 maj të vitit 1925 u dorëzua në gradën episkopale[5]. U dorëzua peshkop në Kotorr të Mbretërisë Jugosllave nga Peshkopi Viktor i Pejës dhe Kryepeshkopi Dhimitër i Kishës Ruse në mërgim[6], që kishin venduar Sinodin e tyre përkohësisht në Sremski Karlovcki[7].

Më 1926 u kryen bisedime intensive midis PatrikanësStambollit, kishës shqiptare dhe qeverisë shqiptare, për njohjen e autoqefalisë por nga fundi i vitit e prishi duke nisur në Shqipëri misionarët: Eksarkun Krisanthos, Mitropolit i Trapezundës dhe laikun P. Kotoko. Misionarët kumtonin se duheshin ruajtur privilegjet e Patrikanës, Imzot Visarioni kundërshtoi diktimet për vendosjen e gjuhës greke për arsye gjuhësore dhe praktike, duke qenë se librat fetarë tashmë qenë përkthyer[5]. Gjendje kjo që gjente mbështetje tek i dërguari diplomatik i Greqisë në Tiranë, Mellas[8]. Meqë Sinodi i Shenjtë nuk formohej nga tjerrje të Kisit dhe Jerotheut për të mos shuguruar dy peshkopët tjerë, me përkrahjen e NMT Zog I, Visarioni merr peshkopin Viktor Mihailloviç që kisha serbe e kishte emëruar për t'u kujdesur për pakicën serbe, që të shuguronte Agathangjel Çamçen dhe Ambroz Ikonomin, Efthim Kosteva dhe Át Vasil Marko që u dorëzua mitrofor. Nga 11 shkurti deri më 17 shkurt të vitit 1929 u bënë hirotonisjet e episkopëve dhe më 18 shkurt do të formohej Sinodi. Kongresi u vendos të mbahej në Korçë, dhe Imzot Xhuvani u shpall kryepeshkop i krejt Shqipërisë dhe mbikëqyrës i Mitropolisë së Shkodrës, Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Më 19 qershor të vitit 1929 të 46 delegatët përfaqësues të klerit dhe të popullit të Shqipërisë u mblodhën në Korçë për punimet e Kongresit të Dytë Gjithortodoks. Kongresi historik i Korçës miratoi njëzëri dokumentet bazë të Kishës dhe mjaft vendime të tjera, duke e vendosur Kishën Shqiptare krahas kishave të tjera ortodokse ballkanike, evropiane e botërore[5] - ndodhi kjo me shumë jehonë në shtypin e komshive jugor.  I mbështetur në Statutin legal të komuniteteve fetare të miratuar në Kuvendin e vitit 1924, theksoi dhe kërkoi që gjuha zyrtare e Kishës të jetë gjuha shqipe[9]. Patrikana nuk e njohu Sinodin dhe çkishëroi gjithë klerikët pjesëmarrës përveç Imzot Viktorit duke shpresuar që do dënohej nga Patriku serb, i cili heshti[7]. Pavarësisht kundërshtive, Xhuvani shërbeu gjer më 1937 në krye të kishës. Komisioni i dërguar nga Mbreti përbërë prej Koço Kotës dhe Josif Kedhit në Stamboll muer përgjigje se Sinodi do të merrte tomën (tomos-in, lejen për ndarje) nëse Xhuvani do jepte dorëheqjen dhe t'i ulej grada nga Mitropolit në Peshkop, vendin e mitropolitit e zuri Kisi - i cili ishte ndryrë në Manastirin e Ardenicës si përgjigje e klerikëve shqiptarë ndaj çkishërimit që Patrikana bëri më 1929[10].

E gjejmë ndër asambleistët të 12 prillit 1939 si përfaqësues i pref. së Elbasanit[2], dhe muer pjesë në dërgatën e emëruar nga Asamblea për t'i ofruar kurorën më 14 prill, po ashtu si përfaqësues i pref. së Elbasanit[11]. Vazhdoi me qenë peshkop i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe Myzeqesë nga 1942 deri më 1945. Më 1947 arrestohet dhe dënohet më 22 dhjetor dënohet me 20 vite burg, shumicën e të cilëve e kaloi në burgun e Burrelit në repartin nr.321, bashkë me Gjon Shllakun[12]. U lirua nga burgu në moshën 76 vjeçare[13], duke përfituar 5 vjet nga dekretet e viteve 1957, '59, '62, lirohet nga burgu më 27 nëntor 1962[14]. Vdiq më 1965, u varros në fillim tek varrezat e manastirit ortodoks të Shijon Vladimirit ku dhe kishte kaluar vitet e fundit, për t'u zhvendosur më pas në varrezat e fshatit[13].

Burimi i të dhënave

Redakto
  1. ^ a b c Zane H., Visarion Xhuvani, Kryepeshkopi i parë i KOAKSH-it Arkivuar 16 janar 2014 tek Wayback Machine, Republika, 26 qershor 2012.
  2. ^ a b c Estrefi, D., Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 Arkivuar 14 maj 2011 tek Wayback Machine - Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005.
  3. ^ Statuti i Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë Arkivuar 16 korrik 2011 tek Wayback Machine, shtyp. Dhori Koti, Korçë 1923.
  4. ^ Dekretit Nr. 686 të datës 28.3.1925
  5. ^ a b c Xhuvani N. & Haxhillazi P., Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare, Gazeta shqiptare. - Nr. 2922, 15 tetor, 2004, f. 14 - 15.
  6. ^ Agolli R., Raporti Britanik i 8 marsit 1946, 1 mars 2014.
  7. ^ a b Simon C. SJ, Albania, un mosaico di religioni, La Civiltà cattolica, Issues 3727-3732 IV (3730), Nov 19, 2005, p. 343, ISSN 0009-8167.
  8. ^ Xoxa Z., "Kujtimet e një gazetari", sh.b. “55”, Tiranë, 2007 ff. 119-137.
  9. ^ Gazeta e Re në Nr. 190, të datës 19.06.1929.
  10. ^ Cici F. F., Konflikti dhe pajtimi i identitetit kombëtar me besimin ortodoks në Shqipëri: 1900-2002, Kumtesë e mbajtur me rastin e Festës Kombëtare, 28 nëntor 2002, mbas Dhoksologjisë së Flamurit, në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Astit të Durrësit, Toronto - Canada.
  11. ^ Një delegasjon në Romë, Pjesë nga reportazhi i gazetës "Java" i 23 prillit 1939. Me kryeredaktor Aleks Mavraqin, që dilte në Tiranë asokohe.
  12. ^ Milani P., Amaneti i fundit i Lec Shllakut, prelemilani.com, 23 korrik 2007.
  13. ^ a b Haxhillazi P., Një letër a panjohur e Visarion Xhuvanit, Shqiptarja.com Suplementi: Rilindasi, v.II - Nr.40, 14 tetor 2012, fq. 20.
  14. ^ Zane H., Ca të vërteta për Visarion Xhuvanin, 25 dhjetor 2012.