Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2017/45
Gjuha shqipe (ose thjeshtë shqipja) është gjuhë dhe degë e veçantë e familjes indoevropiane. Shqipja është gjuha zyrtare e Shqipërisë, si dhe një nga dy gjuhët zyrtare të Kosovës. Në Republikën e Maqedonisë shqipja është gjuhë zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë më shumë se 20% të popullsisë. Gjuha shqipe është në përdorim zyrtar në tre komuna në Mal të Zi (Ulqin, Plavë e Tuz), dhe tre në Serbi (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë). Gjuha arbërishte, si gjuhë e shqiptarëve në Itali, është e mbrojtur me ligj. Sipas Kartës Europiane mbi gjuhët rajonale ose minoritare, gjuha shqipe është e mbrojtur në Serbi (2006), Mal të Zi (2006), Rumani (2007), Bosnjë dhe Hercegovinë (2010).
Shqipja, si gjuhë moderne, përfaqëson një degë më vete në familjen e gjuhëve indo-evropiane. Shkruhet me shkronja latine. Gjuha shqipe ndodhet në proçes pasurimi mbas diktaturës komuniste dhe përfshin gjuhën standarde ose gjuhën e njësuar letrare shqipe, dhe të gjitha dialektet, nëndialektet e të folurat që fliten nga shqiptarët. Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore: gegërishten dhe toskërishten.