Gegërishtja

dialekt i gjuhës shqipe
This is the stable version, checked on 10 dhjetor 2023. 10 pending changes await review.

Gegërishtja ose dialekti gegë (Geg. gegnisht) është njëri nga dy dialektet e gjuhës shqipe, që flitet nga shqiptarët gegë në veri të Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoni si dhe në Serbi dhe Mal të Zi.

Gegërisht
Folës amtare
Nga 3.45 milion - 3.47 ( Cenzusi 2000-2001 )
Familje gjuhësore
Indo-Evropiane
Kodet gjuhësore
ISO 639-3aln

Prejardhja e fjalës

Redakto

Pashko Vasa për kuptimin e fjalëve gegëri dhe gegë, mendon se duhet kërkuar tek Homeri, saktësisht në rreshtat ku thotë se : Përtej maleve të Akrokeraunit banojnë gjigantët. Sipas Pashko Vasës, fjala gjigas, në greqisht do të thotë gjigant, vigan. Për argumenti jep një shkresë në të cilën ndër të tjera thotë se fjala Gjigaj (Gjikaj) dhe Gegaj, - janë i njëjti emër dhe kanë të njëjtin kuptim si në shqip po ashtu edhe në greqisht.[1][2]

Nëndialekte

Redakto

Gegërishtja në vetvete ka 2 nëndialekte, që gjeografikisht ndahen te lumi Shkumbin. Gegerishtja veriore shtrihet në të djathtë të Matit: në Mirditë, në Pukë, në Lumë, në Has, në malesinë e Gjakoves, në Kosove, në Maqedonin , në Dukagjin, në Malesi të Madhe (në të dy anet e kufirit), në Shkodër e në rrethinat e saj, në krahinën e Krajes dhe të Ulqinit; ndërsa gegerishtja jugore shtrihet në të majtë të Matit: në zonat e Elbasonit, të Durresit, të Tironës, të Krujës, të Matit, të Lurës, të Peshkopisë e të Maqedonisë Perendimore, prej Dibre deri në Shkup e Kumanove. "Kufiri natyror" në mes të gegërishtes dhe toskërishtes është Lumi Shkumbin në Shqipëri, që përshkon Shqipërinë e mesme nga lindja në perëndim.Duke vazhduar më tej me ndarjen dialektore të dialektit gegë, vihen re grupe të mëdha të folmesh që kanë karakteristikat e mëposhtme:

Gegërishtja verilindore

Redakto

Grupet e vjetra kl,gl janë reduktuar në k,g: klumsht-kumsht, gluni-guni.

Emrat mashkullorë që mbarojnë me k,g,h kur shquhen marrin mbaresën-i: mik-miki, zog-zogi,krah-krahi.

Koha e pakryer formohet me mbaresën -shna (ardhshna) për vetën e parë dhe -ke (ijke) për vetën e tretë njëjës

(vrajke).

Gegërishtja veriperëndimore

Redakto

Grupet e vjetra kl,gl kanë dhënë përkatësisht kj,gj. klumsht-kjumsht, gluni-gjuni.

Grupi fsh është thjeshtuar në sh:kjofsha-kjosha.

Rrjedhorja e emrave femërorë njëjës të shquar del me -et: mish lopet.

Veta e parë shumës e foljeve, koha e kryer e thjeshtë, del me -me, kurse veta e tretë me -ne: dulme, dulne.

Gegërishtja qendrore

Redakto

Zanorja i e theksuar ka dhënë ej,aj,oj: shpi-shpaj.

Zanoren y, në këto të folme, e gjejmë i dhe e: gjymës-gjims: krypë-kripë

Bashkëtingëllorja g është kthyer në gj: gur-gjur; giuha-gjuha

Gegërishtja e Shqipërisë së Mesme

Redakto

Ka si veçori karakteristike përdorimin e përemrave pronorë:im,ime,tat,tate: çuni im, çunin tat, goca ime, gocën tate;

forma të rasës vendore: n malt.

Gegë si klasifikim nënetnik

Redakto

Gegë është po ashtu klasifikim nënetnik i shqiptarëve dhe përfshin banorët e viseve mbi Shkumbin, cekur më lart, ose folësit e gegërishtes. Trojet e banuara nga gegët janë njohur historikisht si Gegëri, sidomos gjatë shek. XIX dhe kohës së Lidhjes së Prizrenit. Gegnishtja nuk zotëron status zyrtar si gjuhë e shkruar e gjuhës shqipe.

Veçanti të gegërishtes

Redakto

Paskajorja

Redakto

Paskajorja – me + pjesorja e foljes (p.sh. me punue, me kallëzue). Kjo veçanti e gegërishtes përdoren në shumicën e gjuhës dhe zë vendin e mënyrës lidhore të gjuhës standarde në shumicën e rasteve. Mënyra lidhore që përdoret në standard lidhet me vetën dhe kohën (e tashme: p.sh. të punoj d.m.th. unë të punoj, të punosh d.m.th. ti të punosh etj., dhe e pakryer: të punoja, të punoje, etj.) ndërsa paskajorja e gegërishtes është gjithëpërfshirëse.

Shumë gjuhëtarë sot janë ithtarë të futjes së këtij lloji të paskajores në gjuhën standarde meqë një pjesë e madhe e shqiptarëve e përdorin në të folurën e përditshme. Këta gjuhëtare mendojnë se shqipja standarde do të ishte më e lehtë dhe me më shumë mundësi shprehëese e stilistike. Ky lloj i paskajores do të ofronte përkthime më adekuate në këtë rast: "To Be or Not To Be" (Shekspir: Hamleti, III-I). Shekspiri nuk thotë Ti, të jesh apo të mos jesh, por thotë, pa iu drejtuar asnjë vete, as të dytës, as të tretës: “Me qenë a mos me qenë” (ose në variante më të skajshme: "me kânë a mos ke kânë"). Ndërkaq, një përkthim i tipit "për të qenë apo për të mos qenë" nuk tingëllon shqip.

Foljet kalimtare dhe jokalimtare

Redakto

Megjithëse veprore, në gegërishte, shumë folje, si “me ardhë/vij”, në të kaluarën dhe kohë të tjera të së shkuarës paraprihen nga folja “me qenë/jam”. P.sh. “Jam ardhë dje, po nuk t’gjeta aty”. Sidoqoftë, këto folje mund të zgjedhohen edhe si në standard me “kam” përpara, por modeli i mësipërm është shumë i përhapur në Kosovë.

Fjalori i pasur

Redakto

Gegërishtja ka shumë fjalë që nuk përfshihen në fjalorin e gjuhës standarde. Disa shembuj: me nirthtë (të jesh ftohtë), me (i) mejt (p.sh. Më ka mejt krahu), kacurret (plot, me spicë), ani (e ngjashme me pra por jo saktësisht), etj.

Zanoret hundore

Redakto

Zanoret hundore (â, ê, î, ô, ŷ, û) e bëjnë gegërishten më të vështirë për t'u mësuar si dialekt (për shqiptarët) ose gjuhë e dytë (për të huajt që mësojnë shqipen gegë). Njëherësh, theksimi i tyre është dallimi kryesor në theks prej toskërishtes, duke e bërë atë më të butë për veshin. Zanoret hundore zëvendësojnë thuajse plotësisht tingullin e theksuar "ë" që në gegërishte figuron si shkronjë për zgjatjen e zanores paraprijëse dhe shpesh quhet "e pa zâ" (e pa zë). Kur "ë"-ja shkon e patheksuar në toskërisht, në gegërisht ajo zgjat zanoret paraprake.

Rotacizmi

Redakto

Gegërishtja e ka ruajtur n-ja në mes të zanorëve, kurrse toskërishtja e ka zëvendësuar me r-ja. Si p.sh. atyne/atyre, zani/zëri, Shqipni/Shqipëri etj.

Tabelë krahasimi

Redakto
Gjuha letrare Toskërisht Gegërisht
ftua ftua ftu(e)
një një nji / njâ
nëntë nëntë nont/nândë
është është o / osht / âsht / â
bëri bëri boni/bani
emër emër êmën
vatër vatër votër
gjendje gjëndje gjenje/gjêndje
mund mund mun/muj
mbret mbret mret
për të punuar për të punuar me punu /me punue
rërë rërë ron/rânë
qenë qënë kjênë / kânë
dëllinjë enjë bërshê
baltë llum lloq
cimbidh mashë danë
frikë frikë fryk/tutë
koka koka kryt
gjel këndez knues
mundem mundem munem / muj
dhelpër dhelpër skile ose dhelpën
syri syri syni
nëna nëna nona / nana
gënjej gënjej rrëj
qumështj qumësht tamël
fshat fshat katun
gjalpë gjalpë tlyn
truri truri truni
mbush mbush mush
ndoshta ndoshta noshta / nashta
vend vend ven

Përdorimi letrar

Redakto

Dokumentet më të vjetra të shqipes janë shkruar në gegërishte. Këto përfshijnë "Formulën e pagëzimit" të Pal Engjëllit, "Mesharin" e Gjon Buzukut, "Çetën e profetëve" nga Pjetër Bogdani, veprat e Pjetër Budit, Frang Bardhit etj. Në gegërisht u shkruan edhe kryevepra të letërsisë shqiptare si "Lahuta e Malcís" e Gjergj Fishtës, si dhe u kodifikua Kanuni i Lekë Dukagjinit nga Shtjefën Gjeçovi.

Përveç se flitet nga shqiptarët gegë, gegërishtja ka qenë dialekt zyrtar në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore dhe në Kosovë deri më 1968. Shumë mërgimtarë shqiptarë gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri kanë vazhduar ta përdorin gegërishten në letrat e tyre. Sot gegërishtja përkrahet si dialekt dhe përdoret aty-këtu nga botime të ndryshme në Shqipëri e në Kosovë. Përkrahësit e gegërishtes janë kryesisht letrarë nga Shkodra, Tirana dhe Prishtina.

Formula e Pagëzimit e ritit latin (8 nëntor 1462) e Pal Ëngjëllit ( 1417-1469), kryepeshkop i Durrësit dhe bashkëpunëtor i ngushtë dhe këshilltar i Skënderbeut, është shkruar gegërisht, në Mat, dhe me alfabet latin. " Un' të pagëzoj pr'emënit Atit e t'birit e t'shpirtit shenjt".

Shqipja standarde dhe gegërishtja

Redakto

Shqipja standarde megjithëse mbështetet në dialektin toskë të zonës juglindore të Shqipërisë, ka në përbërjen e saj fjalë apo formime nga gegërishtja, pa të cilat nuk do të bëhej i mundur formimi i disa fjalëve. Disa nga shembujt janë fjalët meqenëse, humnerë dhe folja synoj. Fjala "meqenëse" vjen nga paskajorja me qenë e gegërishtes, dhe një formim i kësaj fjale duke u mbështetur vetëm në toskërisht do të ishte duke qenë se. Fjala humnerë vjen nga folja humb dhe fjala në erë, dhe gjuha standarde e ka formuar këtë fjalë nga format gegë hum (humb)+ nerë (nder). Edhe folja synoj vjen nga fjala syni: synoj=ia ve synin (gegërisht) dhe jo syroj siç mund të ishte nëse do të formohej nga toskërishtja e cila nuk e përmban këtë folje. Gjithashtu duhet përmendur tema "krye" me të cilën shqipja formon qindra fjalë, teksa me formën toske "kokë" formohen shumë fjalë. Kemi kryeshkamb, por nuk mund të themi kokëshkëmb; teksa forma kokëfortë e toskërishtes, jepet lehtë edhe në gegërisht, me kryefortë, etj.

Shembuj dhe krahasime

Redakto

Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër: 1933, fq. 11:

Burri â' në detyrë:
a) me u përkujdesë për veshë e mathë e për gjithshka të lypet per me mbajtë jeten;
b) me ruejtë nderen e grues e mos me e lânë me u ankue per kurrnji nevojë.
Në standard:
Burri është i detyruar:
a) të përkujdeset për veshmbathje e për gjithçka që lipset për ta mbajtur jetën;
b) ta ruajë nderin e gruas e mos ta lë të ankohet për asnjë nevojë.

Këshilli Populluar i Komunës së Prishtinës, Prishtina (monografi), 1959, fq. 19:

Gjatë pesëmbëdhjetë vjetve të fundit janë investue mjete bukur të mëdha për objekte të ndryshme komunale. Qysh në vitin 1946 rinija ndërtoi rezervoarin e madh për ujësjellësin e qytetit dhe Prishtinës iu sigurue kështu për herë të parë uji i shëndoshë për pije. Kapaciteti i ujësjellësit ishte 15 litra në sekondë. Prej asaj kohe ujësjellësi u zgjanue dhe modernizue vazhdimisht dhe tash për çdo sekondë jep nga 30 litra ujë.
Në standard: Gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit janë investuar mjete bukur të mëdha për objekte të ndryshme komunale. Qysh në vitin 1946, rinia ndërtoi rezervuarin e madh për ujësjellësin e qytetit dhe Prishtinës iu sigurua kështu për herë të parë uji i shëndoshë për pije. Kapaciteti i ujësjellësit ishte 15 litra në sekondë. Prej asaj kohe ujësjellësi u zgjerua dhe modernizua vazhdimisht dhe tani për çdo sekondë jep nga 30 litra ujë

Shiko edhe

Redakto

Burimi i të dhënave

Redakto
  1. ^ Vehbi Bala : PASHKO VASA - portret-monografi, botuar në : Pashko Vasa VEPRA 4, Rilindja, Prishtinë 1989.
  2. ^ Argumenti në fjalë

Referime

Redakto