Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2019/28
Arjen Robben (lindur më 23 janar 1984), është një ish futbollist profesionist holandez i cili luante si anësor. Ai mund të luante në të dyja krahët e mesfushës dhe njihej për shpejtësinë, driblimet dhe krosimet e tij, si dhe për gjuajtjet e sakta nga distanca nga krahu i djathtë me këmbën e majtë.
Robben e nisi karrierën si profesionist me Groningenin, ekip me të cilin ai u shpall lojtari i vitit në sezonin 2001–02 të Eredivisies. Dy vite më vonë, ai u transferua te PSV, ku u shpall "Lojtari i ri i vitit" i Holandës dhe fitoi një kampionat. Një vit më vonë, shërbimet e Robben u kërkuan nga disa klube angleze dhe pas shumë negociatave të zgjatura ai u transferua te Çelsi. Debutimi i tij me klubin londinez në fillim u shty për shkak dëmtimi, por pas rikuperimit kontriboi në fitimin e dy titujve rresht në Premier League, duke u shpallur gjithashtu edhe Lojtari i muajit në nëntor 2005. Pasi sezoni i tij i tretë në Angli u prish nga dëmtimet, Robben kaloi te klubi spanjoll Real Madrid në La Liga për 35 milionë €.
Në gusht 2009, Robben firmosi në Gjermani me Bayern Munich për rreth 25 milionë € dhe shënoi dy gola në debutim. Në sezonin e tij debutues në Mynih, Bayern fitoi kampionatin, i pesti në tetë sezonet e fundit. Tri vite më vonë, ai shënoi golin e fitores në finalen e Ligës së Kampioneve në 2013. Ai u shpall edhe në skuadrën më të mirë të kompeticionit. Robben ka luajtur edhe në finalen e Kupës së Botës 2010, të cilën Holanda e humbi kundër Spanjës, me Robben që humbi dy raste të mira për shënim. Në 2014, ai u shpall në formacionin më të mirë të FIFPro dhe u rendit i katërti në garën e Topit të artë.
Robben ka qenë një lojtar i Holandës për 14 vite, duke luajtur 96 ndeshje e shënuar 37 gola. Me tulipanët ai ka luajtur në edicionet 2004, 2008 dhe 2012 të UEFA Kampionatit Europian, si dhe në edicionet 2006, 2010 dhe 2014 të FIFA Kupës së Botës; në edicionin 2014 ai u nderua me çmimin "Topi i bronztë" dhe u përfshi edhe në ekipin All-Star. Në 2014, Robben u shpall si lojtari i katërt më i mirë i botës nga The Guardian.