Yshri ishte taksë në kohën e Perandorisë Osmane. Në rajonin e Elbasanit Yshrin ishin të detyruar ta paguanin të gjithë fshatarët si taksë mbi të dhjetën e prodhimit bujqësor. Kjo taksë paguhej  në natyrë dhe prekte çdo prodhim që merrej nga toka bashtinë.

Detyrimet e fshatarësisë

Redakto

Shqiptare gjatë sundimit të Perandosisë Osmane: Në vitin 1506 u bë një regjistrim i përgjithshëm i të gjitha tokave shqiptare. Ato u përfshinë në dy zona të mëdha. Në njërën zonë bënin pjesë tokat, ku ishte zbatuar sistemi i timarit. Kjo quhej ndryshe zona e së dhjetës (yshyrit), kurse zona tjetër përfshinte krahinat malore të vetqeverisura, ku nuk u zbatua sistemi i timarit. Ato i jepnin pushtetit qëndror një taksë (haraç) fikse, prandaj quheshin zona e haraçit.[1]

Fshatarësia shqiptare, e përfshirë në sistemin e timareve, kishte një varg detyrimesh që kalonin në dobi të spahiut dhe të shtetit osman. Detyrimet në dobi të spahinjve përfshinin pjesën më të rëndësishme të detyrimeve të fshatarit raja. Në këto detyrime përfshihej e dhjeta (yshyri) mbi prodhimet bujqësore të bashtinës ose të çifligut të fshatarit raja. Ky detyrim vilej në natyrë në masën një pjesë në dhjetë mbi grurin, elbin, thekrën, bathët, thjerrëzat, lirin, urovin, perimet, rrushin, vajin e ullirit, mjaltin, mëshikëzat e mëndafshit etj.

Përveç së dhjetës spahiu i merrte fshatarit në natyrë edhe salarijen, që ishte detyrimi mbi kashtën e grurit, të elbit dhe të thekrës. Kur salarija vilej bashkë me të dhjetën, spahiu merrte një në tetë pjesë të prodhimeve bujqësore. Fshatari paguante një numër të madh detyrimesh që lidheshin kryesisht me personin e spahiut, si zotërues i rajasë. Më të rëndësishmet e këtyre detyrimeve ishin taksat e rajallëkut: ispenxha për të krishterët dhe taksa e çiftit dhe e çifligut për myslimanët. Ispenxha vilej nga të krishterët e martuar ose jo, që kishin arritur moshën e pjekurisë, pavarësisht nëse ishin apo nuk ishin pajisur me tokë. Në shek XV-XVI ispenxha vilej në masën 25 akçe, kurse në shek XVIII u ngrit në 35 akçe.

Fshatarët raja të besimit mysliman, të cilët shfrytëzonin një sasi toke që punohej me një pendë që paguanin taksën e çifligut në masën 22 akçe. Djali mysliman me t’u martuar ishte i detyruar të jepte taksën e benakut. Ata që kishin në përdorim deri në gjysmë pendë tokë paguanin 12 akçe, kurse ata që s’kishin tokë 6-9 akçe. Djemtë myslimanë që kishin arritur moshën 20 vjeç, por ishin të pamartuar paguanin taksën e beqarit (myxhered) në madhësinë 6 akçe. Madhësia e taksës së pendës mbeti e pandryshuar. Edhe qytetarët myslimanë që kishin tokë e paguanin këtë taksë. Meqenëse ispenxha dhe taksa e çiftit lidheshin me personin e feudalit, në rast se një fshatar raja lejohej nga spahiu i vet të punonte tokë në timarin e një spahiu tjetër këtij i  paguante të dhjetën dhe salarijen, kurse spahiut të vet i paguante taksën e rajallëkut.

Në të holla fshatarët raja u paguanin spahinjve edhe një varg të gjatë detyrimesh të tjera. Në rast se në tokën e spahiut kishte ndonjë mulli, ai merrte tatimin e mullirin. Më 1701 madhësia  e tij ishte 30 akçe nga mulliri që punonte gjithë vitin dhe 15 akçe nga ai që punonte gjysmën e vitit. Fshatarësia shqiptare ishte e detyruar të paguante një sasi të caktuar të hollash për çdo mall të shitur e të blerë si taksë pazari (baxh-i pazar), taksat e peshimit dhe të matjes, taksat e doganës për mallrat e sjella nga jashtë ose të nxjerra jashtë vendit.

Përveç këtyre ajo shlyente një varg taksash që lidheshin me imunitetin financiar-administrativ të zotërimit osman. Ato përmblidheshin me emërtimin "badihava e nijabet". Taksat më kryesore ishin ajo e martesës, gjoba për faje e delikte, taksa e tapisë, e sendeve që lënë skllevërit e arratisur, e dhjeta e kullotës, e bejtylmalit etj. Sipas kanunameve të reja, në qoftë se nusja ishte bijë myslimani, madhësia e taksës së martesës që dhëndrri duhej t’i jepte spahiut ishte 60 akçe, në rast se nusja ishte vejushë dhëndrri duhej t’i jepte po spahiut 30 akçe. Kur nusja ishte bijë jomyslimani, dhëndrri jepte gjysmën e saj. Gjobat ishin në varësi të fajit të bërë, për shkelje të normave të së drejtës dokesore, si për rrahje, plagosje, vrasje, vjedhje, përdhunim, dehje me verë etj. Gjobat jepeshin në përputhje me gjëndjen ekonomike të fajtorit. Në dobi të spahiut shkonin edhe konfiskimet (java, kaçgun, kullve xharije myzhdegani) që lidheshin me shitjen e kafshëve të humbura, me lajmin për gjetjen e skllavit ose të skllaves së arratisur, me  ndarjen e pasurive të atyre që nuk linin trashëgimtar ose kur trashëgimtarët nuk ndodheshin aty.

Në rast se rajaja vinte e dimëronte në një zotërim tjetër, pa u marrë me bujqësi, paguante taksën e dimërimit në madhësinë 6 akçe në vit. Taksa e tapisë ishte një shumë që paguhej  paraprakisht në disa raste: gjatë shitblerjes të së drejtës së zotërimit të fshatarit, kur vdiste një  fshatar e nuk linte trashëgimtar. Blerësi i paguante të zotit të tokës këtë taksë dhe i premtonte  atij se do ta mbillte çdo vit dhe do t’i shlyente të gjitha detyrimet që i takonin. Kështu, më 1766 vdiq Haxhi Aliu pa lënë trashëgimtar. Qeveritari i sanxhakut të Elbasanit, Sulejman Pasha, dhe i vëllai i morën me tapi tokat me kusht që t’i mbjellin çdo vit dhe t’i dorëzojnë të dhjetat ligjore të zotit të tokës. Këtë taksë e merrte spahiu edhe prej tokave të hapura rishtazi. Madhësia e taksës së tapisë caktohej nga personat e paanshëm ose me prodhimin njëvjeçar të asaj toke. Fshatari paguante taksën e tapisë për vendin e shtëpisë (dam tapusu) në madhësinë 50 akçe për tokë të mirë. Për dimërimin ose verimin e bagëtive në një zotërim tjetër, zotëruesit e kopeve i jepnin spahiut si taksë një dele për çdo 300 dhen. Në rast se në  territorin e zotërimit ndodhte ndonjë vrasje dhe nuk gjendej vrasësi, popullsia ishte e detyruar të shlyente gjobën “një e dhjetë e gjakut”. Sipas legjislacionit osman, fshatari raja duhej të kryente 7 ditë në vit punë angari për ndërtimin e hambarit, për transportimin e prodhimeve deri në tregun më të afërt ose deri te hambari etj. Në realitet angaritë ishin shumë të mëdha. Ato dalin qartë në një relacion të Frang Bardhit në vitin 1641. Midis të tjerave atje thuhej se angaritë përdoren “kurdoherë që turqit kanë nevojë  për punëtorë që të korrin të vjelat, të lërojnë tokën, të mbjellin, të ndërtojnë shtëpi e kulla, të mbartin drurë në çdo kohë edhe po të bjerë dëborë dhe pa u paguar asgjë. Me rastin e vjeljes së prodhimeve ose të festave fetare, fshatarësia u jepte spahinjve dhurata të ndryshme, si pula, fruta etj. Fshatarësia raja i shlyente detyrimet në angari, në natyrë e në të holla. Angaritë ligjërisht ishin të pakta. Përpjesëtimi midis formës në natyrë e asaj në të holla nuk ishte i njëjtë në të gjitha  krahinat. Ai varej nga statusi e pjelloria e tokës, por mbizotëronte forma në natyrë. Me kalimin  e kohës me zhvillimin ekonomik të vendit, ndonëse me ngadalë, filloi të rritet pesha e detyrimeve në të holla në dëm të atyre në natyrë.

Në dobi të shtetit fshatarësia shqiptare shlyente një varg detyrimesh të ndara në dy grupe  kryesore: të zakonshme dhe të jashtëzakonshme.

1. Detyrimet e zakonshme ishin të mbështetura në sheriat, ku përfshiheshin taksa për kokë (xhizja) dhe ajo e bagëtive (xhelepi). Taksa për kokë në tokat shqiptare, deri në vitin 1690,  shlyhej në bazë të hanesë (shtëpisë). Në shek. XV-XVI haneja përfaqësonte një shtëpi, ku  kryefamiljar ishte burri, dhe një bive (e ve), ku kryefamiljar ishte gruaja. Madhësia për krahinat  e ndryshme lëvizte nga 14 akçe deri në 51 akçe për hane. Në shek XVII një hane përfshinte  disa shtëpi të zakonshme. Në fillim të këtij shekulli madhësia e xhizjes arriti në 40 akçe për hane, kurse në fund të tij u ngrit në 300 akçe. Që nga viti 1690 u përdor një sistem tjetër llogaritjeje. Popullsia u nda në tri kategori: të pasur, të mesëm e të varfër. Nga një i pasur  merreshin 1200 akçe, nga një i mesëm 600 akçe dhe nga një i varfër 300 akçe. Deri në fillim  të shek XIX madhësia e xhizjes u ngrit vetëm 10%, ndërkohë monedha ishte zhvleftësuar tri herë. Mbi kurrizin e fshatarësisë binte edhe detyrimi kolektiv. Popullsia e fshatit ishte e detyruar të paguante edhe pjesën e atyre që ishin larguar. Për rrjedhojë, në vend që të shlyente 300 akçe  për një han, madhësia arrinte 1450 akçe. Xhelepi përmblidhte në vetvete disa tatime e taksa: detyrimi i dhenve, i vathës, e dhjeta nga  kafshët e trasha, taksa e kalimit në gryka e në ura. Madhësia e tyre ka ardhur duke u rritur. Në shek XVI merrej si detyrim të dhenve 1/2 akçe për kokë, në mes të shek XVII arriti një  akçe për kokë dhe në shek XVIII u ngrit në 3 akçe për kokë.

2. Detyrime të jashtëzakonshme. Ashtu si në të gjithë Perandorinë Osmane, edhe në tokat shqiptare vileshin katër detyrime kryesore të jashtëzakonshme: avarizi, nuzuli, sursati dhe ishtira. Avarizi e nuzuli janë vjelë bashkë. Gjatë shek XV-XVI ato vileshin në natyrë në çdo 4- 5 vjet, kurse në shek XVII ato pothuajse u bënë të përvitshme dhe vileshin në të holla, në  bazë të sasisë e të cilësisë së tokës. Njësia bazë përsëri ishte haneja e cila llogaritej me 10 shtëpi të zakonshme. Çdo hane në vitin 1646 paguante 325 akçe si avariz e 300 akçe si nuzul, kurse në mesin e shek XVIII u ngrit respektivisht në 350 e 600 akçe. Prej mesit të shek XVIII  deri në vitin 1831 të dy taksat arrinin 1180 akçe. Për shkak të garancisë kolektive madhësia  ngrihej deri në 1600 akçe. Për nevojat e luftës fshatarësia shqiptare ishte e detyruar të dorëzonte sasira kulturash  bujqësore ose kundërvlerën e tyre në të holla. Sipas një fermani të vitit 1679, kazaja e Beratit së bashku me Mallakastrën duhej të dorëzonte 2.000 kg elb në vleftën 40.000 akçe, 200 vukije vaj, dru, kashtë, gjithsej 158.000 akçe. Çdo hane duhej të shlyente 523 akçe si sursat (1716). Jo rrallë sursati është zëvendësuar me ndonjë shërbim, si mirëmbajtje ure etj. Përveç rekuizimit falas, shteti kërkonte sasira rezervash ushqimore me çmime të caktuara dhe më të ulëta se ato të tregut. Në vitin 1712, vetëm nga ndryshimet e çmimeve një hane në krahinën e Beratit i takonte të jepte 340 akçe si ishtira. Krahas katër detyrimeve kryesore, fshatarësia raja shlyente edhe disa taksa të tjera të jashtëzakonshme, si “të holla për rrogat e ushqimin e ushtarëve me rrogë”, “marrje me qira të kafshëve të ngarkesës e të karrocave”. Në vitet 1745-1746 u volën nga 1.560 akçe për hane  në kazanë e Beratit si taksë për kafshët e ngarkesës dhe karrocat. Një taksë tjetër ishte “të  hollat për menzilet”. Pranë stacioneve (menzil), mbaheshin një numër kuajsh për nevojat e korrierëve. Për mbajtjen e tyre popullsia përreth stacionit shlyente këtë taksë; qeveria organizonte postën, ndërsa popullsia paguante detyrimin. Në këtë grup përfshihej edhe taksa  “të hollat e garancisë”, me të cilën fshatarësia detyrohej të mbante rendin e qetësinë pas shtypjes së kryengritjeve. Qysh nga mesi i shek XVII, me rastin e heqjes së haseve, një pjesë e këtyre detyrimeve iu dha valinjve dhe mytesarifëve si plotësim i rrogave të tyre. Këto njiheshin si taksat e rënda  (tekalif i shakka). Më kryesoret ishin: “ndihmë në kohë lufte”, “ndihmë në kohë paqeje”, “të  holla për rezervat ushqimore” (zahire baha), “për veshjen” (kaftan baha), “për inspektim” (devri kudrimije). Ndihmë në kohë lufte i jepej kryekomandantit për të mbuluar shpenzimet e luftës. Në vitin 1742 popullsisë së Peqinit i kërkohej kjo taksë për llogari të valiut të Rumelisë dhe të qeveritarit të sanxhakut të Elbasanit. Ndihmë në kohë paqeje ishte një lloj rroge e valiut të Rumelisë në kohë paqeje. Po atë vit popullsia e Peqinit duhej të shlyente atë taksë për të  njëjtët persona. Më 1750 në sanxhakun e Vlorës u volën 4.500 groshë për llogari të kësaj  takse. Taksa për rezervat ushqimore ishte për të përballuar shpenzimet për blerjen e ushqimeve të valiut të Rumelisë dhe të njerëzve që e shoqëronin, kur ai dilte jashtë vendqëndrimit të përhershëm. Për vitin 1675-1676 ruhet një regjistër i ndarjes së këtij detyrimi midis fshatrave të kazasë së Beratit. Në tokat shqiptare taksa për veshjen kishte një kuptim më të gjerë. Ajo shërbente jo vetëm për veshjen e bejlerbeut të Rumelisë, por të të gjithë ushtarëve me rrogë të mobilizuar. Prej vitit 1716 detyrimet që shkonin në dobi të pushtetit lokal  mbetën dy: “ndihmë në kohë lufte” e “ndihmë në kohë paqeje”. Përveç këtyre detyrimeve të ligjshme, pushteti lokal vilte edhe detyrime të jashtëligjshme, si  detyrimin e “zotimit” (pokllon), “të hollat për ushtarë” (sekban akçesi), “për bajrakun”, “gjobat  për vrasje”, “të holla për shuajt e këpucëve”, “për mikpritje”, “për shkëmbim monedhe” etj. Edhe pjesa që shkonte për llogari të shtetit realizohej në tri forma: në punë angari, në natyrë e në të holla. Angaria zinte një vend më të vogël dhe lidhej me meremetimin e rrugëve e të urave; në natyrë vilej nëpërmjet rekuizimeve, kurse në të holla nëpërmjet detyrimeve të zakonshme.

Përpjesëtimi midis pjesëve që shkonin në dobi të spahiut e të shtetit përcaktohej nga një varg faktorësh. Ai nuk mund të ishte i njëjtë për të gjitha kategoritë e fshatarësisë raja, si për myslimanë e të krishterë. Përpjesëtimi varej nga shteti, i cili me urdhra të posaçme falte nga detyrimet krahina, zotërime apo institucione fetare. Megjithatë, prirja e rritjes ishte në dobi të pjesës që merrte shteti. Gjendja e fshatarit raja rëndohej edhe nga mënyra e vjeljes së detyrimeve. Si spahinjtë edhe shteti përdorën dy mënyra: e para, me anë të një përfaqësuesi, kurse e dyta, me anë të sipërmarrjes disashkallëshe. Të dyja mënyrat linin shteg për grabitje. Pa dyshim, rritja e madhësive të detyrimeve sillte rritjen e shkallës së varfërimit të fshatarësisë raja. Për këtë mund të gjykohet nga evoluimi i pjesës që shkonte në favor të shtetit. Në bazë të fermanëve në vitet 70 të shek XVII një hane i shlyente shtetit e vjelësve të detyrimeve 375 ose 405 akçe si xhizje, kurse në vitin 1592, vetëm 100 akçe. Me fjalë të tjera madhësia ishte rritur 3,7-4 herë, kurse monedha ishte zhvleftësuar 3,4 herë, d.m.th rritja nuk ishte e madhe. Në bazë të detyrimit kolektiv në vitin 1681 në krahinat e Beratit u volën nga 960 akçe për hane. Kështu, madhësia u rrit 8 herë në krahasim me vitin 1592. Me kthimin e detyrimeve të  jashtëzakonshme nga periodike, çdo 4-5 vjet, në të përvitshme pati një rritje prej 4-5 herë. Nga ana tjetër, ato pësuan një rritje të vazhdueshme. Kështu avarizi u rrit 3 herë, nuzuli 2 herë, sursati 2 herë. Gjatë periudhës mesi i shek XVII-mesi i shek XVIII, pjesa në dobi të shtetit u rrit nga 172% në 295%, kurse monedha u zhvleftësua 110%. Pa dyshim, shkalla e rritjes së detyrimeve ishte e ndryshme. Rritja më e madhe ishte te të krishterët, pastaj vinin  rritësit e shpezëve të gjuetisë etj.

Referenca

Redakto