Eshariu u lind më 260 h. në qytetin BasraIrakut. Qendra e krijimtarisë së tij ka qenë në Bagdad; në të u zhvillua dhe aty vdiç në vitin 324 h. Emri i plotë i tij ka qenë: Ali bin Ismail bin Is-hak bin Salim bin Ismail bin Abdullah bin Musa bin ebu Burde bin ebu Musa El-Esharij.

Kaligrafie e Eshariut
Eshariu
Ebu Hasen El-Eshariu
Lindur më 260H
Lindur në Basra, Irak
Vdiq më 324H
Vdiq në Bagdad
Profesioni Teologji, Fikh, Filozofi, Akaid, Tefsir, Hadith

Ebu Hasen El-Eshariu rrjedh prej një familjeje autoritative, që e ka rrjedhën nga shoku i Pejgamberit a.s., Ebu Musa El-Esharij.[1]

Eshariu ishte nxënësi i Ebi Muhamed bin abd El-Vehab El-Xhebait, që ishte ndër njerëzit më të autoritetshëm dhe nga dijetarët më të njohur të drejtimit muëtezil. Eshariu studioi dhe përfitoi nga ky dijetar e iu bashkua drejtimit të tij; ai mbronte dhe argumentonte mendimet e këtij drejtimi, për t’u bërë më vonë prijës i muëtezilëve.

Në këtë drejtim, sipas të dhënave historike, qëndroi për 40 vjet, e pastaj u betua dhe u largua nga ky drejtim me një pendim të thellë e iu bashkua ehli-sunetit.[2]

Kalimi i Eshariut prej drejtimit muëtezil në të ehli-sunetit qe një grusht i rëndë për muëtezilët, sepse ai filloi t’i kundërshtonte me argumente logjike, si njëri që i njihte mirë mendimet e tyre. Ai e dinte mirë se si duhej të sulmoheshin ata.

Shkaqet e kalimit nga muëtezilët në ehli-sunet

Redakto

Historianët për këtë kanë dhënë mendime të ndryshme:

  1. Disa kanë thënë se Eshariu e kishte parë Pejgamberin a.s. në ëndërr që ta urdhëronte të largohej nga ky drejtim.
  2. Të tjerë thonë se Eshariu nuk ishte i bindur tek mendimet e muëtezilëve dhe shpeshherë konfrontohej me ta.

Një pjesë dërrmuese e historianëve transmetojnë se Eshariu u mbyll në shtëpinë e tij dhe u largua nga njerëzit 15 ditë. Gjatë kësaj kohe kishte bërë studime të të dy drejtimeve: muëtezilëve dhe ehli-sunetit. Pasi kishte mbaruar me ato studime, kishte dalë në xhaminë kryesore të Basras dhe, pas faljesxhumasë kishte hypur në mimber (foltore) dhe u qe drejtuar të pranishmëve me këto fjalë: Kush më njeh mua, më njeh (s’ka nevojë t’i prezantohem), e kush nuk më njeh, unë do ta prezantoj veten, unë jam fulan bin fulan (përmend emrin e plotë). Kam thënë se Kur’ani është i krijuar dhe se Zoti nuk shihet me sy, dhe punët e këqija i bëj unë. Sot pendohem sinqerisht me daljen nga mendimet e muëtezilëve”.

Pas këtij pendimi Eshariu iu bashkua mendimeve të ehli-sunetit, ku dha një kontribut të veçantë në këtë drejtim, duke përdorur, krahas burimeve të Sheriatit logjikën.

Veprat e Eshariut

Redakto

Me herët kemi cekur se Eshariu ishte publicist i njohur. Këtu do të paraqesim disa nga shkrimet e tij:

  1. El-Ebane an Usul El-Dijane, libri i parë që shkroi Eshariu pas kalimit nga muëtezilët në ehli-sunet.
  2. Mekalat El-Muslimin
  3. El-Fusul etj.

Dallimi në mes Maturidiut dhe Eshariut është shumë i vogël. Dijetarët që kanë studiuar këto dy drejtime, kanë zbuluar dallime shumë të vogla midis tyre. Disa kanë thënë se dallimi është vetëm sipërfaqësor; disa të tjerë rrumbullaksuan vetëm ca pika për dallimin e tyre; të tjerë dhjetë; të tjerë pesëmbëdhjetë, kurse Ibn Adhbe në librin e tij (El-Rrevdatu el-behijetu fi ma bejne El-Eshaire ve El-Maturidije) përmblodhi 12 pika dallimi në mes të dy dijetarëve të famshëm, të cilët nuk janë takuar asnjëherë, veçse me mendimet e tyre.13

Mendimet e drejtimit eshari

Redakto

Esharinjtë janë zemra e Ehli-sunetit, të cilët nuk janë larguar nga mendimet e përgjithshme për asnjë moment, mirëpo ekzistojnë disa dallime në mes esharinjve dhe gjurmuesve në kuptimin e përgjithshëm të fesë. Këto dallime dhe mosmarrëveshje nuk janë të natyrës thelbësore për sa u përket kushteve dhe themeleve të besimit, por në kuptimin e akaidit dhe metodave të kuptimit të tij. Këtu do të përmendim disa nga mendimet e esharinjëve.

Në lidhje me Allahun xh.sh.:

a) Esharinjtë bëjnë një zhveshje të tërësishme të Allahut xh.sh. nga çdo gjë që paramendohet dhe parashikohet në kokat e njerëzve për ngjashmërinë me gjësende.

Allahu xh.sh. nuk përbëhet nga atomi as është (shfaqje) aksidentale, nuk është trup, për Të nuk ekziston vend as kohë, nuk pranon ekzistencën, nuk parashikohet kalimi prej një vendi në një vend dhe nuk ndodhet në anë të caktuara. Allahut xh.sh. nuk i përngjan kush nga krijesat, veçse Ai është Allahu që s’i ngjet askush dhe nuk është i nevojshëm për asgjë.

b) I besojnë të gjitha cilësitë e Tij të vjetra të cekura në Kur’an dhe hadithe të vërteta. Të gjitha cilësitë janë të domosdoshme të argumentuara me Shpallje dhe të vërtetuara me logjikë.

Esharinjtë numërojnë edhe cilësitë e Allahut xh.sh., ato janë:

  1. Ekzistenca
  2. Pafillimi
  3. Pambarimi (i përhershëm)
  4. Një Zot (i zhveshur nga dysia)
  5. Nuk i ngjet askujt.
  6. Qëndron vetvetiu.

Pastaj numërojnë cilësitë diktuese të cilat janë:

  1. Dituria
  2. Dëshira
  3. Fuqia
  4. Jeta
  5. Dëgjimi
  6. Shikimi
  7. Të folurit [3]

Të gjitha këto cilësi janë të përhershme dhe ato nuk kanë të ngjarë me asnjë krijesë. P.sh. Allahu është i ditur me dituri, dituria e Tij është e pakufishme: është i njohur në tërësi me çdo send; para se të ekzistojë, kur të ekzistojë dhe pasi të përfundojë. Dituria e Tij është e pakufishme, kurse te krijesat është e kufizuar. Kështu janë edhe cilësitë e tjera të Tij.

Disa studiues të drejtimit eshari numërojnë edhe disa cilësi të tjera me të cilat Allahu xh.sh. e cilëson Veten në Kur’an; ato janë: Krijues, Furnizues, që jep jetë, që merr jetë.

Kurse për sa i përket disa cilësive që përmenden në Kur’an dhe në Hadithe të vërteta, si p.sh., janë: Dora, fytyra, afërsia, fartësia, zbritja, ardhja etj. Studiuesit e drejtimit esharinjë ndahen në dysh:

  1. Këto ajete i shtjellojnë duke mos u larguar nga esenca e këtyre shprehjeve.
  2. Nuk pranojnë shtjellimin dhe mohojnë çdo ngjashmëri.
  3. Besojnë në shiqimin e Allahut xh.sh. në botën tjetër pa kurrfarë personifikimi.
  4. Allahu xh.sh. është i pasur nga krijesat e Tij. Ai është krijues i tyre, Ai është krijues pa kurrfarë shkaku, Ai është i lirë të veprojë ç’të dojë dhe Atij nuk i kushtëzohet asgjë.

Në lidhje me veprat e njeriut:

a) Esharinjtë kanë thënë se Allahu xh.sh. është krijues i gjithçkaje, andaj edhe veprat e njeriut hyjnë në rrethin e krijimtarisë së Allahut. Prandaj, të gjitha veprat e njeriut janë të krijuara, kurse njeriu vetëm i formëson dhe assesi nuk është krijues i tyre. Sikur të ishte dikush tjetër krijues përveç Allahut, atëherë paska edhe një krijues tjetër, e kjo është e pamundshme. Sepse vetëm Allahut i takon krijimtaria e përgjithshme.

b) Esharinjtë e shohin që edhe mëkatet janë të caktuara nga Allahu xh.sh. duke e ditur se Allahu është krijues i përgjithshëm, andaj mëkatet i ka caktuar dhe i ka lajmëruar njerëzit për ta, mirëpo nuk ka urdhëruar për to (mëkatet). Allahu i ka krijuar mëkatet duke e ditur se do të ketë njerëz që do të merren edhe me to, mirëpo nuk ka udhëzuar për to, përkundrazi i ka ndaluar, andaj dituria për diçka nuk do të thotë urdhër.

c) Esharinjtë mendjes i japin një rëndësi të merituar, mirëpo asnjëherë para ajeteve kuranore dhe hadithevePejgamberit a.s.

Ata thonë se njohja e obligimeve bëhet me mendje të shëndoshë, kurse ato janë të njohura nga burimet kryesore.

Esharinjtë mendojnë se, nëse dikujt nuk i ka arritur thirrja e saktë islame, ai nuk është i obliguar.

Në lidhje me pejgamberët dhe me botën tjetër

a) Esharinjtë e shohin që pejgamberët nuk janë detyrim për Allahun, mirëpo kjo çështje është e mundur për Allahun pa kurrfarë detyrimi.

b) Esharinjtë pejgamberët i shohin si dhuratë nga Allahu xh.sh. për njerëzit.

c) Kurse mrekullitë janë argumente të vërteta për pejgamberët, për t’i bindur njerëzit se këto janë mrekulli, jashtë natyrës së tyre.

d) Kurse për Imanin shohë. Besimi me zemër dhe shqiptimi me gjuhë.

Kush beson me zemër dhe e shqipton me gjuhë, ai është musliman i kompletuar. Po, nëse nuk e shqipton besimin e tij me gjuhë, atij nuk i bën dobi zemra e tij. Duke u bazuar në këtë, shqiptimi me gjuhë është kusht i imanit. Mandej ata thonë që imani nuk shtohet dhe nuk pakësohet.

Për pronarin e gabimeve të mëdha thonë se është besimtar dhe kurrsesi pabesimtar, për arsye se ai i ka dëshmuar se është besimtar dhe atë do ta përshkojnë ligjet e besimtarëve në këtë botë kurse në botën tjetër ai nuk do të jetë në Xhehenem përgjithmonë sikurse pabesimtarët, mirëpo do të dënohet e pastaj do të futet në Xhennet, falë mëshirës së madhe të Allahut xh.sh.

e) Esharinjtë dëshmojnë për ringjalljen pas vdekjes, me trup e shpirt; gjithashtu tubimi para Allahut do të jetë me trup e shpirt.

Besojnë në dënimin e varrit, që do të jetë me trup e shpirt, dhe në pyetjet e dy melaikeve - Munker dhe Nekir.

h) Dëshmojnë për ndërmjetësimin e madh të Pejgamberit a.s..

Esharinjtë shkoqisin ajetet që kanë të bëjnë me përjetshmërinë e pronarit të gabimit të madh në Xhehenem duke thënë se qëllimi është për kohëzgjatjen e jo për përjetshmërinë në Xhehenem.

g) Besojnë në Xhennetin dhe Xhehenemin që janë të krijuara dhe nuk do të përfundojnë asnjëherë.

Njëherësh besojnë Arshin, urën që kalon mbi Xhehenem, nëpër të cilin do të kalojnë të parët dhe të fundit, me shpejtësinë e kalimit, që do të jetë sipas veprave të tyre. Besojnë peshojën e saktë, e cila nuk krahasohet me peshojat e kësaj bote.

Gjithashtu besojnë kroin (havd) ku do të pinë myslimanët, që është përmendur në hadithe të Pejgamberit a.s.[4]

Burime

Redakto
  1. ^ Nga ligjëratat e Dr. Muhamed Nebil Umeri, “El Firek el Islamijetu ve akaiduha” Amman, 1995, fq. 81.
  2. ^ “El Ibane...” , Ebi el-Hasen el-Esharij, Damask 1993, fq. 8
  3. ^ Sherh xhevhertu et-Tevhid, Shejh Ibrahim El-Baxhuri, Damask, 1391 h., fq. 85
  4. ^ Dr. Muhamed Nebil “El Firek el Islamijetu ve akaiduha” , Amman, 1985, fq. 96-97.