Aleksandër Baloi (22 qershor 1966-16 korrik 2006) lindi më 22 qershor 1966 në rrethin e Mirditës dhe kreu studimet në Universitetin e TiranësFakultetin e Mjekësisë në vitet 1985-1991. Në vitet 1991-1996 punoi si mjek i përgjithshëm në spitalin e qytetit të Rrëshenit dhe në Qendrën Shëndetësore të Fierzës. Në vitet 1996-1999 ka kryer specializimin për mjek anestezist reanimator pranë klinikave të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë. Në vitin 2002-2003 ka kryer specializimin njëvjeçar për mjek anestezist reanimator në spitalin Bichat-Claude-Bernard në Paris, Francë. Pas kryerjes me sukses të specializimit është rikthyer për të shërbyer në QSUT pranë shërbimit të Anestezi-Reanimacionit. Ku ka vënë në shërbim të pacientëve njohuritë e fituara dhe përkushtimin maksimal të tij, sidomos në përgatitjen psikologjike të të sëmurëve për trajtim mjekësor, ndjekjen postoperatore të tyre dhe veçanërisht të atyre me probleme të transplanteve renale.

Vdiq me 16 korrik 2006 gjatë një aksidenti ajror gjatë transportimit të Gramoz Pashkos për në Itali për mjekime. Për më shumë në lidhje me rrethanat e vdekjes shiko Gramoz Pashko.

Fondacioni Mjekësor Shqiptar Hipokrati i akorduar çertifikatën e tij të parë, qysh prej themelimit, mjekut anestezist Aleksandër Baloi, pas aksidentit të tij tragjik në krye të detyrës. Çertifikata “Profesionist dhe Humanist i Shquar i Mjekësisë Shqiptare” iu dorëzua me datë 19 korrik 2006, të afërmëve të mjekut nga profesor Isuf Kalo, anëtar i Fondacionit dhe prof. as. Andrea Gudha, drejtor ekzekutiv i tij. Mjekët e njohur i bashkangjitën çertifikatës një letër ngushëlluese familjes së mjekut të aksidentuar. “Në kohën e tanishme kur figura etiko-morale e mjekut është në ndonjë rast e mjegulluar, akti dhe figura e kolegut tonë Aleksandër ngrihet e ndritshme dhe madhështore për të frymëzuar të gjithë mjekët shqiptarë me devocionin, ndershmërinë, shpirtin e vetëflijimit në emër të të sëmurëve dhe të jetës si dhe për të ndjekur shembullin e tij”,- shkruhej në letrën e mjekëve drejtuar të afërmëve të Aleksandër Baloit.

Me datë 20 nëntor 2006, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, dekoroi Aleksandër Baloi, (pas vdekjes) me Medalja e Artë e Shqiponjës.