Cuca e maleve (Dramë)
“Cuca e Maleve” është dramë e letërsisë shqiptare, e shkruar nga dramaturgu Loni Papa. Kjo dramë pasqyron luftën për arsimimin dhe emancipimin e gruas dhe të shoqërisë shqiptare ndaj forcave regresive dhe mentaliteteve të prapambetura në vitet e para pas çlirimit të vendit. Drama “Cuca e Maleve” është vlerësuar me çmimin e Republikës të Shkallës së Dytë në vitin 1972.
Si lindi drama “Cuca e maleve”
RedaktoMateriali jetësor i përdorur në dramën “Cuca e Maleve” është mbledhur nga autori i veprës, Loni Papa, në trevat e Veriut të Shqipërisë gjatë kohës që ai punonte si gazetar. Në vitin 1960 ai botoi një artikull në gazetën “Zëri i Rinisë” kushtuar një vajze malësore që e vranë mbrojtësit e Kanunit sepse refuzoi fejesën e saj të bërë që në djep. Prej këtej, autorit i lindi ideja të shkruante mbi të njëjtin subjekt dramën me të njëjtin titull ”Cuca që koriti Malet”. Drama reflektonte një përgjithësim dhe ndërthurje të shumë fenomeneve dhe ngjarjeve të kohës dhe bazohej mbi heroizmin dhe jetën e tre grave të zonës së Mirditës: Dila Pjetër Marku, Marta Tarazhi dhe Prenda Tarazhi.
Përmbajtja
RedaktoNgjarjet zhvillohen në një nga fshatrat e Veriut të Shqipërisë në vitin 1949.
Në fillim të dramës, spektatorit i bëhet i ditur fakti i vrasjes dramatike të një vajze të re të quajtur Cuca nga disa pjesëtarë të Komitetit te Maleve që njiheshin si përkrahës të ligjeve të Kanunit, që akoma respektoheshin në disa zona të Veriut të vendit. Më pas, e gjithë ngjarja zbardhet gradualisht nëpërmjet skenave të hetimeve të cilat ndërthuren me skena të tjera që sjellin pjesë të ngjarjes në retrospektive.
Cuca ishte një vajzë e re e cila nuk u pagëzua nga prifi i fshatit kur ajo ishte ende foshnje, pas mospranimit nga i ati i saj, Gjini, të ngrinte gurin e pendesës i akuzuar për një vjedhje, veprim të cilin ai nuk e kishte kryer. Duke qenë se vajza e vogël mbeti e paemer, i gjithë fshati e quajti atë Cuca.
Cuca ishte mbrojtëse e së resë dhe e të drejtave të grave. Ajo dëshironte të ndihmonte gratë dhe vajzat e fshatit të shkolloheshin dhe të kuptonin të drejtat e tyre si arsimimi, punësimi, barazia gjinore, etj dhe të mos qëndronin të ndrydhura nën peshën e zakoneve dhe mentaliteteve të trashëguara nga e kaluara. Cuca ishte vajza e vetme në fshat që kishte prishur fejesën e saj që në djep (e kryer sipas ligjeve kanunore). Ajo kishte ngritur në shtëpinë e saj kurse kundër analfabetizmit për t’u mësuar grave dhe vajzave të shkruanin dhe të lexonin gjuhën shqipe. Duke u bërë ballë me dinjitet paragjykimeve, Cuca kishte arritur të fitonte zemrat e shumicës së malësoreve. Aktiviteti dhe influenca e Cucës në fshat, shihej si një sfidë nga Komiteti i Maleve. Me pretendimin se Cuca kishte thyer zakonet dhe kishte turpëruar fshatin, përkrahësit e Kanunit u orvaten të manipulonin mendimin e një pjese të fshatareve kundër Cucës, por pa ia dalë dot mbanë. Në këto rrethana kur ata kuptuan se vajza rebele “po bëhej me e zgjuar dhe po dilte mbi burrat”, Komiteti i Maleve urdhëroi vrasjen e saj. Kështu, një natë të errët, ndërsa Cuca qëndronte e vetme në shtëpi me nënën e saj te verbër, katër burra hynë me pabesi, e nxorrën me forcë nga shtëpia dhe e vranë.
Kush e vrau Cucën, pse dhe si e vranë, zbulohet gradualisht nëpermjet ngjarjeve të sjella në retrospektivë ndërthurur me skena të ballafaqimit në hetuesi të të dyshuarve. Megjithëse ata orvaten të thurnin intriga e prapaskena ndaj njeri-tjetrit, në përfundim të dramës arrihet të zbulohen vrasësit e vërtetë dhe të vihen para drejtesisë.
[1]
[2]
Forma dhe ndërtimi artistik
RedaktoDrama “Cuca e Maleve” ka karakter përgjithësues dhe është bazuar në perpjekjet dhe sakrificiat e grave e vajzave shqiptare për të fituar të drejtat dhe liritë që u takojnë. Ajo është drama e parë shqiptare që mbështetet në retrospektivë. Në dramë spikasin rrjedhshmëria e dialogut, komunikimi i mesazheve dhe individualizimi i personazheve si Cuca, nëna, Gjeta, Dom Markut, Frani, hetuesi etj. [1]
Realizimi skenik
RedaktoNë vitin 1966 drama “Cuca që koriti Malet” u vu në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër nga regjisori Mihal Luarasi. Në të njëjtin vit, drama u paraqit në një konkurs letrar dhe fitoi Çmimin e Dytë Kombëtar. Pas suksesit që pati, në vitin 1967, drama tashmë me titullin “Cuca e Maleve”, u soll në skenën e Teatrit Popullor nga regjisori Pirro Mani. Premiera u shfaq me 8 mars 1967. Kjo dramë do të bashkonte aktorët më në zë të teatrit shqiptar si Sandër Prosi, Prokop Mima, Marie Logoreci, Roza Anagnosti, Edi Luarasi, Antoneta Papapavli, Shkëlqim Basha, Ilia Shyti, Luan Qerimi, Ndrek Shkjezi, Margarita Xhepa, Lazër Filipi, Yllka Mujo, Mimika Luca etj. Roli i Cucës u luajt nga tre aktore: Roza Xhuxha (Anagnosti), Edi Luarasi dhe Antoneta Papapavli. Drama “Cuca e Maleve” për shumë vite ka qënë një nga dramat më të shfaqura për publikun shqiptar. Është shfaqur brenda Shqipërisë dhe në krahinat shqiptare të Kosovës e Maqedonisë.