Elefter Qiriaku Venizeli (23 gusht 1864 – 18 mars 1936) ishte një burrë shteti grek nga Kreta dhe udhëheqës i shquar i lëvizjes nacionalçlirimtare greke. Ai shquhet për kontributin e tij në zgjerimin e Greqisë dhe nxitjen e politikave liberaldemokratike.[1][2] Si udhëheqës i Partisë Liberale, ai mbajti detyrën si kryeministër i Greqisë për më shumë se 12 vjet, duke përfshirë tetë mandate midis 1910 dhe 1933. Gjatë qeverisjes së tij, Venizeli hyri në bashkëpunim diplomatik me Fuqitë e Mëdha dhe pati ndikim të thellë në punët e brendshme dhe të jashtme të Greqisë. Prandaj ai është etiketuar si "Krijuesi i Greqisë së sotme"[3] dhe ende njihet gjerësisht si "Etnarku".[4]

Venizeli në fillim të shekullit të 20-të.

Hyrja e tij e parë në skenën ndërkombëtare ishte me rolin e tij të rëndësishëm në autonominë e shtetit të Kretës dhe më pas në bashkimin e Kretës me Greqinë. Në vitin 1909, ai u ftua në Athinë për të zgjidhur ngërçin politik dhe u bë kryeministër i vendit. Ai filloi reformat kushtetuese dhe ekonomike që vendosën bazën për modernizimin e shoqërisë greke dhe riorganizoi ushtrinë greke dhe marinën greke në përgatitjen e konflikteve të ardhshme.[5] Para Luftërave Ballkanike të 1912-1913, roli katalitik i Venizelit ndihmoi që Greqia të hynte në Lidhjen Ballkanike, një aleancë e shteteve ballkanike kundër Perandorisë Osmane. Përmes diplomacisë me Fuqitë e Mëdha dhe me vendet e tjera të Ballkanit, Greqia dyfishoi sipërfaqen dhe popullsinë e saj me çlirimin nga Perandoria Osmane të Maqedonisë, Epirit dhe pjesës më të madhe të ishujve të Egjeut.

Luftën e Parë Botërore (1914-1918), ai solli Greqinë në anën e Aleatëve, duke zgjeruar më tej kufijtë grekë. Megjithatë, politika e tij e jashtme proaleate e solli atë në konflikt me fraksionin e paangazhuar të Kostandinit I të Greqisë, duke shkaktuar përçarjen kombëtare të viteve 1910. Përçarja u bë një luftë civile jozyrtare, me luftën për pushtet midis dy grupeve që polarizonte popullsinë midis mbretërve dhe venizelistëve për dekada.[6][7] Pas fitores së Aleatëve, Venizeli siguroi fitime të reja territoriale në Anadollin Perëndimor dhe Traki në një përpjekje për të përmbushur Idenë e Madhe. Megjithatë, ai u mund në Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 1920, të cilat kontribuan në humbjen përfundimtare të Greqisë në Luftën Greko-Turke (1919–22). Venizeli, në mërgim të vetimponuar, përfaqësoi Greqinë në negociatat që çuan në nënshkrimin e Traktatit të Lozanës dhe marrëveshjen e një shkëmbimi reciprok të popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë, i cili detyroi popullatën myslimane shqiptare në Çamëri të shpërngulej në Turqi, pasi çdo mysliman konsiderohej si turk.

Në janar 1933 u bë kryeministër për herë të fundit dhe në mars 1935 pas një tentative për grusht shteti u arratis në Paris, ku vdiq. Ai u varros në një kodër në fillim të Akrotirit në Kretë në periferi lindore të qytetit të Hanias, afër vendit ku lindi. Varret e familjes Venizeli janë sot një nga atraksionet e Hanias.

Elefter Venizeli ka kryer disa krime kundër shqiptarëve çamë dhe pronave të tyre.

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Kitromilides, 2006, p. 178
  2. ^ "Liberty Still Rules", Time, 18 February 1924.
  3. ^ Duffield, J. W. (30 October 1921). "Venizelos, Maker of Modern Greece". The New York Times.
  4. ^ Yilmaz, Hakan (2012-04-24). Perceptions of Islam in Europe: Culture, Identity and the Muslim 'Other' (në anglisht). Bloomsbury Academic. fq. 82. ISBN 978-1-84885-164-1.
  5. ^ Βερέμης, Θάνος Μ; Koliopoulos, Giannēs (2006). Ελλάς. Η σύγχρονη συνέχεια: από το 1821 μέχρι σήμερα (në greqisht). Καστανιώτης. ISBN 978-960-03-4246-8.
  6. ^ Beaton, Roderick (16 tetor 2019). Greece: Biography of a Modern Nation (në anglisht). University of Chicago Press. ISBN 978-0-226-67374-5.
  7. ^ "Intrigue in Greece". The Argus. Melbourne. 4 korrik 1916. fq. 7. Marrë më 29 nëntor 2012 – nëpërmjet National Library of Australia. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)