Ideja e Madhe
Ideja e Madhe (greqisht: Megali Idea) është një koncept nacionalist[1][2] dhe irredentist që shpreh qëllimin e ringjalljes së Perandorisë Bizantine, duke krijuar një shtet grek, i cili do të përfshinte popullsitë e mëdha greke që ishin ende nën sundimin osman pas fundit të Luftës Greke për Pavarësi (1821–1829) dhe të gjitha rajonet që kishin popullsi të madhe greke (pjesë të Ballkanit jugor, Anadollit dhe Qipros).[3]
Termi u shfaq për herë të parë gjatë debateve të kryeministrit Jani Koleti me mbretin Oto që i paraprinë shpalljes së kushtetutës së 1844-ës.[4] Ky term dominoi marrëdhëniet e jashtme dhe luajti një rol të rëndësishëm në politikën e brendshme për pjesën më të madhe të shekullit të parë të pavarësisë greke. Shprehja ishte e re në 1844-ën, por koncepti kishte rrënjë në mendësinë popullore greke, e cila kishte shpresa për çlirimin nga sundimi osman dhe për rivendosjen e Perandorisë Bizantine.[4]
Ideja e Madhe nënkupton krijimin e një shteti grek, i cili do të ishte një territor që do të përfshinte kryesisht ish-tokat bizantine nga deti Jon në perëndim deri në Anadoll dhe në Detin e Zi në lindje dhe nga Trakia, Maqedonia dhe Epiri në veri deri në Kretë dhe Qipro në jug. Ky shtet i ri do të kishte Kostandinopojën si kryeqytet: do të ishte "Greqia e dy kontinenteve dhe pesë deteve" (Evropa dhe Azia, deti Jon, Egje, Marmara, Deti i Zi dhe Libian). Nëse do të realizohej, kjo do të zgjeronte Greqinë e sotme në afërsisht të njëjtën madhësi dhe shtrirje të Perandorisë së mëvonshme Bizantine, pas restaurimit të saj në 1261 e.s.
Ideja e Madhe dominoi politikën e jashtme dhe politikën e brendshme të Greqisë nga Lufta e Pavarësisë në vitet 1820 deri në Luftërat Ballkanike në fillim të shekullit të 20-të. Filloi të zbehej pas Luftës Greko-Turke (1919-1922), e ndjekur nga shkëmbimi i popullsisë midis Greqisë dhe Turqisë në 1923. Pavarësisht përfundimit të projektit të Idesë së Madhe në 1922, deri atëherë shteti grek ishte zgjeruar katër herë, qoftë përmes pushtimit ushtarak ose diplomacisë (shpesh me mbështetjen britanike). Pas krijimit të Greqisë në 1830, ajo fitoi Ishujt e Jonit (Traktati i Londrës, 1864), Thesalinë (Konventa e Kostandinopojës (1881)), Maqedoninë, Kretën, Epirin (jugor) dhe Ishujt e Egjeut Lindor (Traktati i Bukureshtit, 1913), dhe Trakinë Perëndimore (Traktati i Nëjit, 1920). Ishujt dodekanezë u morën pas Luftës së Dytë Botërore (Traktati i Paqes me Italinë, 1947).
Një koncept i lidhur është enoza.
Përpjekja për ringjallje nga Agimi i Artë
RedaktoPartia ultranacionaliste Agimi i Artë, e cila kishte mbështetje elektorale nga viti 2010 deri në vitin 2019, mbështet Idenë e Madhe, me kreun e partisë, Nikollë Mihaloliakun duke thënë:
Për dy mijë vjet, hebrenjtë thonin një urim gjatë festave të tyre, "vitin e ardhshëm në Jerusalem", dhe në fund pas shumë shekujsh ata arritën ta bënin atë realitet. Kështu që edhe unë e përfundoj me një urim: Vitin tjetër në Kostandinopojë, në Smirna, në Trabzon!
—
Mihaloliaku kritikoi kryebashkiakun e Selanikut, Jani Vutarin, për dëshirën për të emëruar një rrugë me emrin Ataturk, i cili lindi në qytet kur ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane. Në janar 2013, një grup mbështetësish të Agimit të Artë sulmuan makinën e konsullit të përgjithshëm turk Osman İlhan Şener dhe fyen Ataturkun, gjatë një proteste kundër Turqisë në Komotini.
Mihaloliaku ka bërë gjithashtu thirrje për "çlirimin" (pushtimin) e Epirit të Veriut, duke ia marrë Shqipërisë. Agimi i Artë dhe ish-homologu i tij qipriot ELAM mbështesin enozën.
Në vitin 2015, rreth 100 anëtarë dhe drejtues të Agimit të Artë u arrestuan me një sërë akuzash, duke përfshirë vrasje dhe shantazh. Në vitin 2019, niveli i mbështetjes së partisë ra në më pak se 2%. Në tetor 2020, pjesa më e madhe e udhëheqësve së Agimit të Artë u dënua, përfshirë Mihaloliakun. Që nga viti 2023, partia, e cila kurrë nuk gëzoi mbështetje elektorale mbi 10% të votave popullore, tani nuk ka anëtarë të mbetur as në Parlamentin Grek dhe as në Parlamentin Evropian.
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ Miller, James Edward (2009-02-01), "Introduction: Manifest Destiny Meets the Megali Idea", The United States and the Making of Modern Greece, University of North Carolina Press, fq. 1–22, doi:10.5149/9780807887943_miller.6, ISBN 9780807832479, marrë më 2022-10-21
{{citation}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ A., Jenkins, Mary (1994). To megali idea - dead or alive? : the domestic determinants of Greek foreign policy. Naval Postgraduate School. OCLC 35675237.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja) - ^ "European Election Database - Background - Greece". o.nsd.no. Arkivuar nga origjinali më 22 prill 2021. Marrë më 14 gusht 2024.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ a b History of Greece Encyclopædia Britannica Online