Kolë Idromeno

(Përcjellë nga Kol Idromeno)
This is the stable version, checked on 11 dhjetor 2022. 3 pending changes await review.

Nikollë Idromeno i njohur gjerësisht si Kolë apo Kól Idromeno (Shkodër, 15 gusht 1860 - 12 dhjetor 1939) ka qenë artist shumëplanësh si piktor, skulptor, fotograf, butaforist, skenograf, muzikant si dhe arkitekt.

Kolë Idromeno, Vetëportret, 1937

Mbahet si i pari përfaqësues i historisë së pikturës moderne shqiptare.[1] Prej burimeve, Idromeno dha po ashtu të parat shfaqjet kinematografike në Shqipëri që më 1913.[2] Si arkitekt projektoi dhe zbatoi planet e mbi 60 ndërtimeve kryesore, private dhe publike në qytetin e Shkodrës.[3]

Prejardhja

Redakto

Idromenot kishin prejardhjen nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali pashë Tepelenës për t'u vendosur në Korfuz. Popi Andrea Idromeno ishte mësues në Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e Ungjillit sipas Matheut dhe Dhjatës së Regjuhën shqipe me alfabet grek. Pop Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, që kishte lindur në Korfuz.[4]

Më 1856 u shpërngul në Shkodër, ku ushtroi zanatin e tij të marangozit e drugdhendësit si dhe projektuesit autodidakt e zbatuesit të ndërtimeve private në qytet, si shtëpitë e familjes Lukaj te Arra Madhe, Rokacollëve në Serreq, ndërtesa e Kryqit të Kuq, liceu Illyricum dhe shtëpia e vet në Gjuhadol. Dy vite më pas Arseni u martua me një vajzë shkodrane, Dranden ose Rozen e Filip Saraçit, më 5 dhjetor 1858.

Biografia

Redakto

U lind në Shkodër më 15 gusht 1860, një vit pas së motrës, Tones. I vendosin dy emra të dytë: Rrok (si ditë emri) dhe Spiridon. Nisi shkollën fillore më 1867 në njërën prej shkollave qytetëse, ku mësim mund t'i kenë dhënë dy italianët Andrea Skanjeti dhe Marco Rebeschini.[4] Ndër bashkënxënësit e tij në këtë shkollë ishte edhe poeti i ardhshëm Filip Shiroka, me të cilin do të kishte miqësi të gjatë e letërkëmbim të vazhdueshëm. Përpos klerit, vizatim i dha Pietro Marubbi; Kohës kur ende nuk kishte mbaruar klasën e katërt i përkasin vizatimet e hershme Krye fëmije, Malësorja dhe Gomari n'udhë. Në vitet 1871-1875 iu përkushtua akuarelave të parë E vorfna, Baresha, Fshatarja, kompozimi i tij i parë mendohet të jetë Pusija, më pas Netë kazanash dhe Dymdhetë luftarë të Pargës në lundër. Marubbi ndikoi te Arseni që ta niste në Akademinë e Arteve në Venedik më 1875, ndërsa Mati Kodheli studjonte për fotografi në Trieste.[5] Duke mos duruar mësimdhënien formale të akademisë, hoqi dorë pas gjashtë muajsh dhe nisi punë në studion e një piktori venecian.[6]

Pasi u kthyen në vendlindje më 1878, me Matinë iu bashkuan DaullesPalokë Kurtit,[7] ku Idromeno ishte trombist,[8] dhe hynë çirakë tek Dritëshkronja e Marubit. Miku dhe kolegu i tij ndërroi jetë më 1881, vendin e tij si çirak e zuri i vëllai, Keli. Më 1883 hapi studion e vet të fotografisë me kamera të importuara nga kompania Pathé në Francë, emërtuar Dritëshkronja Idromeno.[6]

Më 1884 Idromeno u martua me Gjyzepinën e Gaspër Muzhanit, në llasë e quajtur Cina. Më 20 korrik 1886 u lindi një djalë, Zefi, i cili vetëm pas dy vjetëve më 15 korrik 1888, ndërroi jetë. Pas dy vjetëve do t'i ndërronte jetë edhe e motra, Tonja, dhe Idromenoja mori në përkujdesí vajzën e saj të mitur, Orsolinën.[4]

Gjatë viteve 1902-1906 si mësues në shkollën italiane të artizanatit, pikasi e afroi në rrethin e vet të pikturës dhe përkrahu piktorin e ardhshëm Simon Rrota.[9] Më 1904 ndihmoi në pajimin e shkollës së Mati Logorecit.[10] Më 1911 hartoi programin e karnevaleve të organizuar nga klubi «Gjuha shqipe».[11] Në gusht të 1912 nënshkroi një kontratë me kompaninë austro-hungareze Joseph Stauber për të importuar pajisje kinematografike dhe u bë njeriu i parë që hapi kinemanë e parë rudimentare ku u shfaqën pamjet e para filmike.[6] Gjatë viteve 1912-1920, pasi përshtati një mjedis poshtë shtëpisë së tij në Gjuhadol një sallë për shfaqje filmash, hapi atë që atëkohë si në vendet e tjera quhej kinemaja, një theatër elektrik.[2]

Fotografia

Redakto

Me hapjen e Dritëshkronjës së tij më 1885,[4] Idromeno në Salnamenë (vjetarin) e vilajetit ishte regjistruar si fotograf. Duke zënë një vend mes Marubit, Kodhelit, Kristo Shulit, Petro Korçarit, etj. Në botimet ndërkombëtare emri dhe puna e tij u shquan e bënë të ishte fotografin e parë, duke u përmendur para mjeshtrit të vet Marubit.[2]

Piktura

Redakto

Pas vizatimeve dhe akuareleve të para, Idromeno kur ishte vetëm 23 vjeç punoi portretin e të motrës që është edhe vepra më përfaqësuese e tij, Motrën Tone.[4] Kjo është edhe e para pikturë realiste e tij dhe kryevepra e artit figurativ shqiptar.[2] Portret të cilin do ta riprodhonte me të njëjtën pozë, drejtim të syve, të njëjtat dritëhije më 1922-23, të veshur allafranga.[12] Më 1898 u ftua në një ekspozitë ndërkombëtare në Budapest.[13] Më 1904 punoi portretin e Ndoc Xhuxhës, njëri prej anëtarëve themelues të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip.[10]

Skenografia e butaforia

Redakto

Si skenograf punoi siparin e parë me dekor, një grup fëmijësh duke u argëtuar me lojën popullore të boçave. Më 1902 skenën e një pylli nga natyra e alpeve. Të mëvonshme janë skenat «Limani i Durrësit», «Dhoma me qoshk», «Dhomë shkodrane» etj. Përgatiti po ashtu mjaft objekte butaforie për teatrin amator të kohës, si armë zjarri, shpata, heshta, përkrenare, mburoja, punoi edhe shtatore me aftësitë e tij si skulptor.[13] Njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë punoi dekorin skenik «Festa e vetëqeverimit të Shqipnisë» për një shfaqje që u dha në qytet.[14]

Arkitektura

Redakto

Bazat e inxhinierisë dhe arkitekturës i mori nga i ati dhe Marubi, të dy autodidaktë; më 1907 Idromeno bën projektin për një fabrikë, ndërsa më 1912 e nënshkruan një dokument me titullin e inxhinierit. Mendohet se planet e para të zbatuara prej tij nisën që pas tërmetit të 1905 që e dëmtoi shumë qytetin.[3] Më 1908 ndërtoi shtëpinë e familjes Mazi, ku në mjedisin e poshtëm projektoi një sallon mbledhjesh e shfaqesh të klubit «Gjuha shqipe» dhe në katin e epërm për banim.[15] Më 1925-1926 iu ngarkua zbatimi i planit për ndërtimin e vilës së Presidentit të Republikës Ahmet ZoguShirokë. Më pas projektoi një fabrikë lëkurësh, të cilën e zbatoi më 1927. Më 1928 bashkëprojektoi dhe zbatoi centralin elektrik që po ndërtoi nga shoqëria italiane SESA. Në vitet '30 projektoi dhe zbatoi planin e ndërtesës së Bankës së Shtetit me disa modifikime të mëvonshme, kafen "Adriatik" më 1932, kafe "Park" më 1935 dhe po këtë vit zbatoi edhe planin e kinemasë "Rozafat".[16]

Galeria

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Prenushi 1984, p. 116.
  2. ^ a b c d Kraja, Bendis (2013). Lëvizja arsimore-kulturore në Shkodër në vitet 1912-1920 (tezë doktorature). Tiranë.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  3. ^ a b Prenushi 1984, pp. 68-69.
  4. ^ a b c d e Mandija, Rubin (2018). "Fotografia e Kolë Idromenos". asa.edu.al.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ Caraffa, Costanza; Tiziana Serena (1 janar 2015). Photo Archives and the Idea of Nation (në anglisht). Walter de Gruyter GmbH & Co KG. fq. 149–. ISBN 978-3-11-039003-2.
  6. ^ a b c Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). Londër: London. fq. 212. ISBN 9781780764313.
  7. ^ Shllaku, Lec (2005). Palokë Kurti (1860 - 1920). Shkodër: At Gjergj Fishta. fq. 20–21. ISBN 9994381016.
  8. ^ Prenushi 1984, p. 25.
  9. ^ Trofenik, Rudolf (1993). Münchner Zeitschrift für Balkankunde (në gjermanisht). Vëll. 9. fq. 167.
  10. ^ a b Prenushi 1984, p. 56.
  11. ^ Prenushi 1984, p. 79.
  12. ^ Sheldija, Pjerin (20 maj 2018). "Kryevepra i takon Idromenos". shqiptarja.com. Shqiptarja.com.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  13. ^ a b Prenushi 1984, p. 55.
  14. ^ Prenushi 1984, p. 65.
  15. ^ Prenushi 1984, p. 70.
  16. ^ Prenushi 1984, pp. 70-71.

Literatura

Redakto